E vërteta dhe riëndërrimi i së shkuarës…

Mendime rreth vëllimit poetik “Fundi, i një fëmijërie tjetër”, i poetit dhe publicistit Preç Zogaj

Nga Raimonda MOISIU

Poetët përtej gjithë aftësisë, pasionit e talentit të tyre, brenda lëkurës poetike, nënkuptojnë rrjedhat dhe tendencat e mendimit filozofik, që i japin formë psikikes e shpirtit artistik, nga e cila rrjedhin fjalët e shkruhen vargjet. Poeti dhe publicisti Preç Zogaj, në vëllimin poetik “Fundi, i një fëmijërie tjetër”, i sapo botuar nga shtëpia botuese Tirana & Times, – ka demonstruar një përsosmëri të rrallë filozofike dhe ndjeshmëriartistike, ka ndërtuar urën emocionale dhe intelektuale ndërmjet “së vërtetës” dhe “riëndërrimit të së shkuarës”. Pasioni dhe intimiteti i identitetit poetik, vjen jo vetëm nga trashëgimia e traditës poetike e vendlindjes së tij, -Lezha- e njohur si ”vendlindja e poezisë” që ka prodhuar poetë si Gjergj Fishta, Ndoc Gjetja, Mark Simoni, Rudolf Marku, Agim Isaku, Pjetër Jaku, Elinda Marku, Shpresa Rama, etj., por edhe nga përvojat jetësore e njerëzit që e rrethojnë, ura e harmonisë me ta e natyrën, me të mirat e të metat e shoqërisë, dhimbjen e dashuritë e saj. Në këtë vëllim, autori Zogaj me dritën poetike ka penetruar ndjeshëm në kontrastet shoqërore, mes mendimit të pakufi të filozofisë së autorit dhe pikëpamjes së gamës së problemeve, konsekuencave, evolimit të tyre, mes formimit shumëdimensional e pasurimit ideor, meditimit e dinamizmit, forcës sociale dhe ngarkesës emocionale,duke përfshirë edhe veçantitë e personalitetit të tij,si pjesë e së tërës,-universit njerëzor e shpirtëror dhe dukurive të tyre psikologjike, besimi në të vërtetën e sfidës për mbijetesë-riëndërrimin e dashurisë për jetën e me jetën.

Vëllimi poetik, “Fundi, i një fëmijërie tjetër”-nuk është i ndarë në cikle dhe “ngjan” si një poemë e tërë. Autori Preç ZOGAJ për nga forma e poezive është unik me stilin e tij të zakontë në të pazakonshmen, dhe i konsideron natyrën e njeriun thelbësore, i gëzohet reales, të dukshmes e të padukshmes, emocionit të çastit, duke i dhënë frymë poetike – ekzistencës njerëzore. Kemi poezi të llojit ritmik me rimë e kadencë, me lirizëm të hollë dhe realizëm të spikatur,tharmin e tyre realist e modern, ku ka dashuri, mall, brengë, ndjenjë e ngrohtësi, brishtësi, ironi e sarkazëm, i vetëdijshëm e i guximshëm, poezi me ton historik,patriotik, qytetar, social, intelektual dhe kombëtar, sepse i tillë është dhe vetë personaliteti i autorit.

Vëllimi fillon me poezinë e titulluar; “Me një lëmsh në grykë/po shkon dhe kjo verë” (f.3). Duke ndjekur nga afër fabulën e kësaj poezie, poeti është në përpjekje për të eksploruar vetëdijen njerëzore dhe hiperbolizon gjendjen e brendshme shpirtërore.

“Flatra pas flatrash era e Shëngjinit/ gjethe më gjethe ngrihet/valë me valë./Ç’u bënë gjithë ata diej?/Kaluan, kaluan…/Ç’u bë gjithë ajo kredhje, ai kthim verbues/I prehjes e endjes në zanafillë?

Poeti Preç Zogaj me delikatesë ka fituar epërsinë harmonike dhe metafiziken e natyrës dhe humanes në pemën e jetës, të përjetuar mes vargjesh me vizionin meditativ, baladës, filozofik, artistik e njerëzor, ka krijuar negotacionin delikat në kufijtë e ëndrrës, riëndrrës e shpresës. Me një incident “dramatik të natyrës” dhe të mahnitshmen – nga flatra pas flatrash, diejt dhe valë më valë,- poeti demonstron idetë nëpërmjet tingujve lirikë dhe të artit, me natyrën e vërtetë të dashurisë, filozofisë për jetën dhe vazhdimësisë së saj.

Përsa i përket vargut“gjallë e esëll në këto brigje”, poeti na jep një periudhë të caktuar kohore dhe në të njëjtën kohë dallimin fillestar; “Bota trembet të dëgjojë kumte”-midis një të kaluare të idealizuar,–“sa e vjetër është,/sa të lashtë jemi.”. Idealizimi i së kaluarës i ka shërbyer poetit për të sfiduar, “ sa të lashtë jemi”-si një periudhë idilike, heroike, peizazhit dhe figuracionit poetik, – poeti u këndon edhe detajeve; “gjallë e esëll në këto brigje”, pra “ne-(të lashtët)” ende frymojmë, punojmë, jemi gjallë për të kryer vepra –vargje këto që i këndojnë ndjenjës më të bukur misionit të gjallimit të jetës–-përpjekje kjo e autorit për të provuar se të gjallët rritin e mëkojnë dashurinë-ardhmërinë.

Me pas poeti kombinon shpirtin e lirë të një vajze, heroine lirike që “Me sy nga deti një vajzë e re/shkrehet në vaj./Kush vallë e di hallin e saj?/Me një lëmsh në grykë po shkon kjo verë?-Ky version në fund të poezisë është i dallueshëm nga vargjet e tjera edhe pse në të ka momente melankolie të ndjeshme, sozia e një shpirti që vajton.. Meditacioni i poetit është sa i zakonshme në të pazakonshmen, një koncept mistik e besnik, që të fal emocionin poetik. Poeti na ka dhënë një figurë romantike dhe komplekse –vajzën me brengë e dhimbje, me vajin dhe lotët e saj, mendimet, maturinë, pastërtinë e shpirtit, paqja shpirtërore dhe pafajësia e saj, që “tingëllojnë” pikëllimin e saj, si në simfonitë e Bethovenit. Ajo e kërkon me sytë nga deti, dashurinë e humbur ndoshta, blasfemon në emër të instinktit njerëzor, apo pengun, brengën, mallin dhimbjen e jetës, pasionit shpirtëror, në emër të asaj, dhimbjes së bukur që quhet -dashuri. Lirizmi i këtyre vargjeve bëhet botëkuptimi i kësaj poezi,që të mrekullon sado njeri i zakonshëm të jesh. Ky është botëkuptimi i poetit, ku nocionet e figurat letrare ruajnë identitetin krijues të tij. Autori Preç Zogaj e ka kthyer Shëngjinin në një Itakë, -me flatrat e erës, valët e detit, të lashtët e të tashmit, vajzën me sytë nga deti, diejt që kanë kaluar nëpër erërat e kohës nëpër të-autori vargëzon të vërtetën, irealen, mistiken e dashurisë njerëzore, duke na dëshmuar kështu pavdekësinë e saj. Jo pa qëllim, Zogaj e fillon vëllimin me këtë poezi, sepse ai e di shumë mirë që asnjë historian nuk mund të tregojë historinë aq shkurt e modestisht, sa e rrëfejnë poetët me poezitë e tyre.

“Vdekja është e ardhmja ime”(f.11)-poezi e bukur, një klithmë e butë për imazhin e hirtë të vdekjes, vargje që tronditin mendërisht e shpirtërisht për dhembshurinë njerëzore;

“Atëherë kur gjithë të dashurit, të dashurat/në çift thjeshtohen dhe mbetet/vetëm plaga e madhe -/fletë zambaku hapur në zemër/fije të holla lidhur në eshtra.”

Poeti Zogaj mundohet të përshtatet me rrethanat e reja, mënyra e vetme kjo për t’u ngushëlluar, biseduar me vende dhe njerëzit e dashur, na flet për ata që ikën nga kjo botë dhe të vdekurit që kurrë nuk do mund t’i shohë e takojë përsëri. Ai nuk dëshiron kurrsesi t’i harrojë të dashurit, -dhe në fund poeti ju thotë “plaga hyjnore që zëvendëson plumbin në rrugën/ drejt fundit…./Vdekja është e ardhmja ime.”

Vargje këto që autori me mjeshtëri artistike e filozofike, maturinë dhe urtësinë hyjnore të shpirtit, hyjnizon “kremten” e gamës së emocioneve me brishtësinë dhe intensitetin e tyre, i konverton të vdekurit në heronj mistikë paëndrra, në shenjë zie kjo e ngushëllimi për ta dhe vazhdimësinë e jetës. Zogaj rrëfen të fshehtën e pazbuluar, mistiken e irealen, se cdo gjë që lind e rilind, edhe atë ëndrrën e rrëmben vdekja, -kjo është pavdekësia, se një ditë edhe unë do të vij pranë jush. Te poezia “Vdekja ka frikë të më godasë” (f.110), poeti Zogaj dëshmon psikiken botës së brendshme të ekzistencës njerëzore, që ka qenë diçka, por normale. Në përpjekjen e tij për t’u përballur me të kaluarën nga vdekjet dhe humbjet, poeti vazhdon të jetojë, të shkruajë kujtimet, ëndrrën, shpresën dhe riëndërrimin e tyre. Poeti idealizon të kaluarën për të sfiduar atë si një periudhë idilike e heroike, si një përpjekje për të provuar dashurinë e tyre dhe të tijën,;”Perëndesha ime mbrojtëse/është maturia ime./Vdekja ndoshta e di këtë/Prandaj më ka caktuar/Një fund të butë, të ëmbël/Në gjumin e pleqërisë së thellë/Ku të më marrë si një insekt/Me një lugë të vogël/Dhe të më hedhë matanë/Pa shpenzuar asgjë veç pritjes/ Që gjithashtu nuk i kushton asgjë/ të pavdekshmes vdekje.”

“Shkëndija e dashurisë”–është një poezi me melodi e muzikalitet të ëmbël e të ngrohtë, dashuria reale e mitike regëtin brenda shpirtit njerëzor. Dashuria është si vala e detit dhe trupi një anije që lundron në brishtësinë e këtij emocioni të fuqishëm: Ku shkrep shkëndija e dashurisë/prej sysh që s’mund të fshehin asgjë, /Afërdita shënon shenjën e një tempulli,/Mbresa shpall vendin e shenjtë/në jetë të jetëve.”

Dashuria në këtë poezi nuk është përfaqësuar si një ndjenjë rigoroze e perceptimeve të jashtme apo të cekët të bukurisë, ajo shënon shenjën e tempullit të dashurisë në kuptimin më të sinqertë e të pastër të njerëzores e shpirtërores, ashtu sikundër e shpreh edhe vetë poeti “Vetëm dashuria është botë tjetër”(f.6)-poezia “Në qytetin e dashurisë”. Në këtë poezi Zogaj ka përdorur imazhe specifike, të freskëta dhe formulimi i tyre artistik, gjetjen e fjalëve të duhura brenda kontekstit të tyre artistik, psikik e filozofik, që lexuesi të kuptojë metamorfozën e forcës së dashurisë, në kohë e hapësirë, nga e dukshmja në të padukshmen, -nga fundi, i një fëmijërie tjetër.

“Urat janë plot me vajza/S’më besohet se pikërisht këtu ka dhënë shfaqjen e saj magjia:/ Ne duke ikur,/në drejtime të kundërta,/padalë kurrë prej vështrimit,/kurrë prej mallit/kurrë prej dëshirës.”

-Poezia jep dhimbje e mall, dëshirë e pasion,të prekëshmen, bujarinë, urtësinë, maturinë, dashurinë e pafundësinë e një realiteti në një realitet të interpretuar- në një kuptim të ri simbolik; metafora e simbolit të dashurisë njerëzore.

“Kthehem./Dielli vizion me vizë të zjarrtë/kufijtë e thyer të atdheut/siç janë në hartë/Pres, pres, pres të zbres/(f.97)-poezia “Vajtje-ardhje”.

Subjekti poetik këtu shëndrrohet në vargje medituese e vajtuese, vlerat e vërteta që na rrethojnë, për fatin e atdheut e të shoqërisë, me forcën e inteligjencës e sociales. Trajtimin e kohës, Zogaj e vë në funksion, të na pohojë të vërtetën e kujtimeve dhe riëndërrimin e të shkuarës, ndërsa trajtimi i hapësirës të na pohojë jetesën e lidhjes humane e materiale brenda realitetit e identifikimit të këtij realiteti.

“Duke u përballur trimërisht, njerëzisht/me vështrimin e butë të vajzës tënde-/Asgjë, asgjë, asgjë s’ka ndodhur!/Katastrofa, një zgjim trëndafilash/si vullkan po ngrihet nga brenda./Me dashtë duke qarë/pa lot e pa fjalë. (f.135).

Fjalët; trimërisht, njerëzisht, vajza e butësia e brishtë e saj, katastrofa, vullkani, trëndafilat shprehin metaforikisht subjektin baladesk të këtyre vargjeve, kuptimin e tyre, ndërsa loti pastron shpirtin e vetmuar apo të braktisur, loti del nga dhimbja e trishtimi, gëzimi e lumturia e shpirtit njerëzor, është inspirim e forcë poetike. Vëllimi poetik “Fundi, i një fëmijërie tjetër përmban poezi për natyrën, njerëzit, pafundësi ndjenjash e perceptimesh, ankth e frikë, nderim e përçmim, nostalgji e mall, vlerë e antivlerë, groteske dhe shpresë, ndjenja që zbulojnë mirësinë, mirëqenien e plagët e shoqërisë. Vëllimi përmban vargje lirike për vendlindjen, mërgimin, dashurinë e dhimbjen, balada dhe monologun e shpirtit njerëzor. Preç Zogaj është shembulli i qytetarisë dhe inteligjencës me principe thellësisht demokratike; poet, publicist dhe politikan. E gjithë filozofia e mjeshtërisë poetike të tij është kuptimi metaforik, emocional e njerëzor i një fëmijërie të pafund- i vazhdimësisë së jetës,–perceptime e ndjesi këto që rrëfejnë të vërtetën dhe riëndërrojnë të shkuarën e dhimbjes më të bukur –dashurisë njerëzore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *