Ministria e Bujqësisë, Tiranë
Shkrimtari dhe publicisti Ndue Dedaj, pas shumë botimesh letrare e studimore, tre vite më parë doli para lexuesit me librin interesant: “Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit. Sigurisht që në këtë shkrim tonin nuk synohet një analizë e këtij libri, pasi pak gjëra kanë mbetur pa thënë për të, duke përfshirë dhe studiuesit më në zë të fushës së të Drejtës, si prof. Ismet Elezi, por iu rikthyem këtij libri për faktin se mbart mesazhe aktuale jo vetëm për deformimin e Kanunit, po dhe për parandalimin e krimit të vrasjes në tërësi në ditët e sotme.
Autori vjen nga Mirdita, një trevë gjeografikisht shumë e afërt me trevën time, Matin dhe në librin e tij ka fokusuar më shumë Kanunin e Lekë Dukagjinit, ndërkohë që ndër matjanë ka vepruar Kanuni i Skënderbeut, siç kanë vepruar Kanuni i Dibrës, Labërisë, Çermenikës. Bile prej këtu mund të mendohet se nuk ka qenë nevoja në këtë libër të bëhet një krahasim midis këtyre kanuneve (unë nuk mund të pretendoj të bëj shtrirjen kohore të tyre), por lexuesit të këtij libri i jepet mundësia të zbulojë dhe nuancat që lidhen me kohën e funksionimit të këtij Kodi shqiptar, duke bërë sigurisht dhe përqasjet e nevojshme lidhur me trevat ku ka lindur domosdoshmëria e funksionimit të tij. Por sidoqoftë në këtë rast ndihmesa e lexuesit e bën atë shumë dimensional, duke e pasuruar me përvojën e tij.
Se çfarë ka qenë Kanuni në vetvete, një përcaktim i qartë i tij bëhet qysh në baladën e Gjergj Elez Alisë, ky kreshniku i drejtohet bajlozit të zi:
Me ke lyp motren para se mejdanin,
Me lyp berrrat para se çobanin,
E jam dredh në këtë log me të kallxue
Se të parët një kanun ne na kanë lanë,
Armët me i dhanë përpara e mandej gjanë.
Në vitet e para të hapjes me botën, kam patur rastin të diskutoj me një Profesor të Antropologjisë të Universitetit të Alabamës, Norman Singer, i ftuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit për një konsulencë në paketën e legjislacionit për pronësinë e tokës. Pavarësisht njohjes së tij të thellë dhe erudicionit që zotëronte, nuk ishte e vështirë të viheshin re dhe reminishencat e përceptimit të tij të mëparshëm për universin shqiptar (nuk desha të përmend që ishte njohur dhe me propogandën keqdashëse europiane, kuptohet të gjeneruar dhe të multiplifikuar nga fqinjët tanë, se shqiptarët janë njerëz me bisht(!) I trajtova disa nene të Kanunit, që ishin disi më të kuptueshme për një të huaj, dhe në sajë të përkthimit “nolian” të Kanunit të Lekë Dukagjinit nga Leonard Fox (duke iu referuar dhe Anton Logorecit e Martin Camajt), kanun që siç dihet që mbledhur nga At Shtjefen Gjeçovi në kohën që shërbente në Gomsiqe të Mirditës në fillimet e shekullit XX. I paraqita profesor Norman midis të tjerave kreun: “Vrasja e gruas për gjak”, ku vrasja e gruas me barrë, sipas kanunit, ishte baraz me 7 gjaqe (por siç duket Enveri nuk e kishte lexuar këtë kur pushkatoi Liri Gegën shtatzanë, ndërkohë që shumë mjekë e juristë i dolën në mbrojtje diktatorit.)
Pastaj me mikun e huaj u ndalëm në atë se si i kishte parë Kanuni të drejtat dhe detyrimet në lëmin e pronësisë publike. Kështu, udha e shtegu ndërmjet dy megjeve lyp pashin e vet. ( Nyje 62: Udha e Katundit).Udha e lagjeve të katundit do të jetë e gjanë tetë pëllambë, katër pëllambë njani, katër pëllambë tjetri; për të ngulun të gardhit ndërmjet dy arnajve do të lehen tetë pëllambë, sa njani, sa tjetri; udha e madhe do të jetë aq e gjanë, sa mund të kalojë kali me gjithë barrë. Po kështu trajtohet “Vija e Mullinit”: Po kje një vijë uji, si e mullinjve të blojës, si e arnajve, e me ujët e kësaj vije ujiten arnajt e bluejnë mullinjt, gurët e mullinit do të jesin në të thatë e bimët do të ujiten. Se mullini e farka e kanë me rend. (Nyeja 71. Neni 359-360.) Vija e arnajve, si dhe e mullinjve asht për të mirë të shoqënisë, doemos do të kalojë nëpër atë vend, ku t’i bie drejtimi. Kanuja ven detyrë me bajtë si të lehtën, si të randën. Për një shtëpi s’lehet me u tha një katund. “E mira e përbashket i paravëhet damit të veçante”. Vija e katundit të kalon rrazë votret”…
Mund të zgjateshim dhe më, por nuk e shohim të nevojshme, më mirë duke ia lënë fjalën At Giussepe (Zef) Valentinit, i cili në veprën “E drejta e Komuniteve në Traditën Juridike Shqiptare, shkruan: “Në shoqërinë civile të Kanunit, përtej familjes dhe përposhtë shtetit, sundojnë parimet e vëllazërisë e, për rrjedhim, të lirise dhe barazisë, me shumë pak kufizime të arsyeshme. Por a është ky kuptim dhe sot? Libri i z. Dedaj na argumenton se, përkundrazi, ka një deformim të madh. Media e njofton si vrasje kanunore atë të një të riu në bilardo apo në klub, pas një sherri të çastit me bashkëmoshatarët; vrasjen e një nëpunësi shteti a të zgjedhuri, po ashtu e emërton vrasje kanunore. Bëjmë pyetjen (do të ishte tautologji të bënim krahasime stupide midis kanunit dhe legjislacionit bashkëkohor, dihet se Kanuni nuk kishte tagrin e Kodit Penal) Kanuni nxit, stimulon apo frenon dhe minimizon vrasjet? Këmbëzën e pushkës, thotë Kanuni, e tërheqin 12 pend buaj, mendo sa e vështirë është (kur dihet se mund ta tërheqë dhe një fëmijë 6-7 muajsh). Shtojmë këtu dhe spekullimet jo të pakta të nga ashtuquajturat komisione a komitete të pajtimit të gjaqeve, që jo vetëm në një rast, i kanë kujtuar brezit aktual se paskan një gjak për të marrë, që ato nuk e dinin dhe me tej do të ishte gjoja veprimi i komisionit duke përdorur pa asnjë tagër nganjëherë dhe emrin e Anton Çettës.
Së fundi një episod mjaft domethënës se si funksiononte dhe parandalonte Kanuni. Para kryengritjes mbarëpopullore të 31 Korrikut 1943, organizohet në fshatin Bruç, Fushën e Ndredysë (në kufirin midis Matit dhe Mirditës) një kuvend që ka hyrë në histori. Ka qenë gjithëpërfshirës (tani përdoret fjala pluralist), treva e Mirditës, apo bajraqet e Kthellës, Selitës, Rranxës, përfaqësoheshin nga Ndrec Lufi. Një nga pjesëmarrësit hedh idenë që për të larguar garnizonin fashist nga Burreli, të përdorej një taktikë e tillë: ditën e dielë, kur ushtarët italianë bënin banjo në lumin e Matit, duke vendosur armët në një armaturë të improvizuar, pasi t’u rrëmbeheshin armët, të vriteshin (sigurisht të rekrutuar me forcë nga Musolini). Eshtë shumë interesante që në këtë kuvend të mbajtur në Bruç kjo ide është kundërshtuar unanimisht dhe është vendosur që t’i bëhej ultimatum komandës së garnizonit dhe pastaj të bëhej sulmi. Pra, as pushtuesi, të mos vritej në pabesi. Pas përpilimit të ultimatumit nga të gjithë forcat që ndodheshin atje, ai përkthehet nga Xhemal Punavia, ish akademist i Modenës, Itali, dhe filloi beteja, që detyroi garnizonin fashist të largohet nga Burreli. A mund të akuzohet Kanuni, siç ndodh rendom sot, kur dëgjon të tilla histori? Qysh herët kapidani i Mirditës kishte kundërshtuar vrasjen e kadhiqiotëve të ç’armatosur nga Ali Pashë Tepelena, fakt që e gjejmë të interpretuar dhe në librin “Kanuni, mes kuptimit dhe keqkuptimit” të autorit Ndue Dedaj.
Prandaj ky libër, në të vërtetë i vonuar, ia vlen të rekomandohet për shkollat, mediat, shoqatat që merren me gjakmarrjen, të ngujuarit dhe pajtimet, për të kuptuar se si ka funksionuar kanuni dhe ku janë teprimet dhe deformimet e tij në kohën e sotme. Nuk është e rastit që 12 vjet më parë një variant i shkurtuar i këtij botimi, i të njëjtit autor, është botuar nga organizata humanitare Uorld Vision dhe është shpërndarë nëpër shkollat e Shqipërisë.