Plot 46 vite më parë, një nga figurat më të njohura të kulturës shqiptare, Dhimitër Shuteriqi, nxirrte nga nëntoka arkeologjike mirditore dy relike të pazakonta të historisë së shtetit të parë të shqiptarëve, i njohur si Shteti i Arbërit. Kjo falë bindjes së tij se mesjeta jonë e hershme nuk mund të ishte e errët, por dëshmitë e saj ishin humbur e rrënuar nga pushtimet etj. Gjetjet që u zbuluan nga profesor Shuteriqi në Gëziq (Ndërfanë) të Mirditës, në kishën katolike të Shën Mërisë, ishin dy: një mbishkrim epigrafik latinisht dhe emblema e shtetit të moçëm të arbërve. Disa dekada më parë, Teodor Ippen, gjatë kërkimeve në terren, tek shëtiste nëpër objektet muzeore të Shqipërisë, në fillim të shekullit XX, i prek me duar reliktet e vjetra, i vizaton fragmentet e mbishkrimit epigrafik dhe shqiponjën, por pa mundur të na thotë diçka më shumë për origjinën dhe përmbajtjen e tyre. Ndërfanda, ku qe një nga kuvendet e para benediktine, është njohur si qendra më e rëndësishme e Principatës së Arbërit, për çka flet në mënyrë të posaçme stema e Arbërit e gdhendur në gur dhe mbishkrimi epigrafik, si një pasaportë e pazakontë e histories sonë, që bën fjalë për ndërtimin e bazilikës (pajtores) së Shna Premtes, me porosi të një bujari arbër, legatit tribun, Antoni i të përndritshmit Gjergj, tempull e që i kushtohej “kombit të denjtë”. Mbishkrimi do të ishte arkitrau i portës së kësaj kishe.
Edhe pse në vitin 1967 revolucioni ynë kulturor, në ngjasim të atij kinez, po i rrëzonte kishat gjithandej, njeriu i shkencës shpejtonte njëlloj si rilindësit të shpëtonte margaritarët e fundit të historisë së mbuluar. Por rrallëkush kujtohet për këtë kontribut të shkrimtarit të njohur, jo vetëm se bashkia e Rrëshenit (që ka marrë shqiponjën njëkrenore të Arbërit dhe e ka bërë stemë të veten), prej njëzet vitesh nuk e ka bërë qytetar nderi Shuteriqin, por shumë më tepër se kaq. Bëhet fjalë për shtetin e parë shqiptar dhe ngritja e një memoriali kushtuar tij në Tiranë, Krujë apo Mirditë do të ishte një detyrim qeveritar. Njerëz që gjithë ditën flasin se si duhet bërë shteti modern (në të vërtetë pa mundur ta bëjnë atë) duhet ta dinë se ku i kanë rrënjët shtetformuese. Ata nuk mund ta kalojnë pa vëmendje faktin se shteti i parë i shqiptarëve është rreth 900-vjeçar dhe se ai zë fill në dhjetë vitet e fundit të shekullit XII, saktësisht më 1190, ashtu si një tjetër 90 do të ishte në boshtin e shtetit shqiptar, nëntë shekuj më pas. Kjo është historia që na bën krenar, kurse ne nuk përmbushim as detyrimin për të vënë një obelisk, një mëmorial, një mbishkrim tonin mbi atë mbishkrimin e vjetër historik.
Kemi ngritur përmendore e buste me shumicë, gjer për figura minore të krahinave dhe nuk kemi bërë një obelisk për Shtetin e Arbërit, nuk kemi një rrugë me këtë emër të madh, që i dëshmon Europës se ne, sido që i kemi punët me shtetbërjen sot, ku ende nuk kemi arritur të marrim ftesën për në BE, kemi patur një shtet qysh në krye të herës. Shtet jo në letër e në sirtare, por me seli, diplomaci, shkresa, vula, katedrale, si çdo shtet tjetër i Mesjetës. Të eklipsuar nga ngjarjet e vrullshme të shekullit XX, të Rilindjes, si dhe epokës së Skënderbeut, duket se nuk jemi shtyrë më tej në kulmet, kyçet apo nyjet historike, që natyrisht historianët i dinë më mirë. Edhe në 100-vjetorin e Pavarësisë u ngritën shumë buste, por nuk u kujtua ndokush me atë rast se mund të vihej dhe busti i Progonit, të parit kryeshtetar të Arbërit, që më pas në fron u pasua nga të bijtë, Gjini dhe Dhimitri, bile as që u zu n’gojë ky shtet parak, sikur të kishte qenë fjala për një legjendë të bukur dhe jo për një realitet, që e provojnë më së miri gurët mbishkrimor e emblemor të tij dhe që nuk ka zgjatur pak por plot 65 vjet.
E bukura është se teksa po shkruajmë këto radhë, në kërkim të një nderimi shtetëror për të parin shtet tonin dhe prijësit e tij, sapo ka lindur mbreti i tretë në radhë i Anglisë, Xhorxhi foshnje, dhe shikoni si e pret bota e qytetetëruar një monark që i duhen dhe 50 vjet të ngjitet në fron. Kjo është kultura e Europës së vjetër e të re, që ka ditur si të sillet me të shkuarën e saj, mbretërore ose jo, pa di si të sillet dhe me të ardhmen. Ne askund nuk kemi një park memorial në Tiranë ku të jenë pranë e pranë mbretërit ilirë: Agroni, Bardhyli, Genti, Teuta etj. Nuk është nevoja të shkosh larg për të parë si sillen të tjerët me kurorën dhe korrifenjtë e historisë së tyre, por mjafton të shkosh deri në Shkup, ku shkëlqejnë në bronz nga madhështia dhe sublimja Aleksandri i Madh e Filipi i Dytë i Maqedonisë, teksa Skënderbeu ynë mezi duket atypari në një qoshe, pa kurrëfarë llamburitje, dhe pse në tokën e tij të sterlashtë. Progoni, kryezoti i Arbërisë, njihej nga shtetet fqinje si një “magnus arkond (sundimtar i madh), i cili qeverisi 9 vjet, por ishte Dhimitri i Arbërit që arriti shkëlqimin më të madh të shtetit dhe luajti rol të jashtëzakonshëm; ai mbante titullin “Pan hipersevast”, që e gëzonin vetëm mbretërit autonomë që kishin lidhje familjare me perandorët bizantinë. Dhimitri u njoh si shtetar i lartë edhe nga Papa Inocenti i III, që e quante “burrë fisnik, princ i arbëreshëve”, duke i dhënë dhe titullin e lartë juridik “Judex”, që do të thoshte “gjykatës i arbëreshëve”, shkruan Moikom Zeqo. Familja princërore e Shtetit të Arberit ka patur heraldikën e saj, stemën unikale, që bashkë me mbishkrimin e shënuar ruhen në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë, ku përpos emrave të Progonit e Dhimitrit, ajo çka mbase është dhe më e rëndësishmja, përmendet për hërë të parë fjala komb. Teksti i gjatë latinisht i mbishkrimit është përkthyer në shqip nga Injac Zamputi dhe është studiuar nga Dhimitër Shuteriqi, Koço Zhegu etj. Zeqo e quan atë një dokument të jashtëzakonshëm, duke shkruar se nuk e dimë deri më sot mbiemrin e familjes dinastike arbëreshe, por dimë se stema heraldike me shqiponjën me një kokë ka qenë në shekujt e mëvonshëm stema tipike e princërve shqiptarë e familjes së Dukagjinëve. Vetë stema dhe mbishkrimi do të ishin platforma dhe trupi i memorialit që na mungon, por dhe shëmbëllesa e fytyrave të sundimtarëve të Arbërit, që do t’i paraprinin shtetit të Skënderbeut dy shekuj më vonë. Le të shpresojmë se një ditë ky obelisk do të lartësohet në sytë tanë dhe të brezve që vijnë. Mbase na ndihmojnë këta gurët e largët mesjetarë se si të sillemi me dinjitet me…historinë.