“Kalvari i grave në burgjet e komunizmit” një botim që përfshin tre vëllime me dëshmitë dhe rrëfimet e grave që vuajtën në burgjet dhe kampet komuniste. Më çfarë materialesh arkivore keni punuar për realizimin e këtij libri?
Libri ka lindur që nga fëmijëria ime. U rrita me të ndër vite, ashtu sikurse u rrita me dhimbjen në këtë luftë. Fillimisht shkruaja në zemrën time, në trurin dhe shpirtin tim, brenda vetes për çdo moment, ngjarje, dhimbje dhe vuajtje. Këtu e zuri zanafillën libri me ngjarje nga jeta e të presekutuarëve. Jeta jonë përjashtonte çdo logjikë njerëzore, ishte ferri Danteskë me rrathët e tij të tmerrshëm në realitetin komunist. Mbasi fituam të drejtën e fjalës dhe të shprehjes, arrita të shkruaj. Kam 20 vjet që punoj për të. Femrat e shtresës së të presekutuarëve politike kanë vuajtur shumë. Ato vuajtjen e morën me vete në përjetësi, por lanë pas dhimbjen e madhe dhe pa pakufi. Në libër tregoj jetët reale të nënave, grave, vajzave, fëmijëve dhe foshnjave që e përjetuan deri në palcë luftën e klasave, që unë e quaj racizmin komunist shqiptar “sui generis”, se është më i veçanti nga vendet e tjera të kampit socialist. Kur shteti s’mundi t’ia dilte me burrat u kap me familjet e tyre, me gratë dhe fëmijët. Shumë prej tyre i mbajtën në internim deri me rënien e regjimit komunist.
Në libër prezantohen fakte reale të ndërthurura nëpërmjet zhanrit letrar. Përse keni zgjedhur këtë trajtë rrëfimi?
Nëse do të shkruaja një roman të mirëfilltë mbi këtë temë, lexuesit nuk do të më besonin, mund të mendonin se i kam shtuar ngjarjet nga mendja ime. Librin e kam punuar që të jetë i kuptueshëm për brezin e ri, prandaj përdora histori reale të grave që kam njohur në fëmijërinë time. Kam përdorur dialogun si një mënyrë të tërthortë të të shkruarit, ku dhe e vërteta del nga goja e tyre, në vetën e parë. Në këtë mënyrë mendova se bëhet më i besueshëm duke e shoqëruar dhe me fotografi.
Cila ka qenë historia më e rëndë nga materialet që keni botuar?
Çdo ngjarje përbën një histori tronditëse me vete. Vajza të reja të torturuara nëpër hetuesi, ku përdorej dhunë fizike, elektroshok etj, gra që u janë dënuan apo u janë burgosur burrat, vëllezërit, djemtë (që u ndoqën me vite nëpër kampet e punës skllavërore). Për mua historia më e rëndë nga të gjitha ngjarjet që kam përfshirë në libër është një natë e fundit të gushtit1949 ku në kampin shfarosës të Tepelenës vdiqën 33 fëmijë, duke u ndarë nga jeta në mënyrën më të padrejtë. Të shumtët ishin mirditorë. Ç’kishin bërë ata fëmijë, ato foshnje që prisnin të pinin qumësht nga gjiri i nënës?! Ç’pati shteti komunist me ta që nuk i konsideronte shtetas shqiptarë? Por pjesa më e dhimbshme është zemra e atyre nënave që pranuan vdekjen e foshnjave.
A mund të flasim me shifra reale rreth ekzekutimeve, keqtrajtimit, apo dënimeve të llojeve të tjera që ka pësuar femra shqiptare gjatë periudhës së komunizmit ‘44-‘90?
Në një nga faqet e librit kam shkruar bilancin për egërsinë e krimit komunist. Për motive politike me apo pa gjyq janë pushkatuar 450 gra, burgosur 7367, internuar 20,000 familje dhe kanë vdekur në internim 7022 qytetarë, fëmijë e të moshuar. Vetëm në qytetin e Shkodrës 4000 familje nuk i kanë gjetur eshtrat e të pushkatarëve, nënat e tyre nuk e kanë pasur mundësin të vendosnin një lule ne varrë…Shifrat janë të paimagjinueshme për mënyrën sesi lufta e klasës u zhvillua në vendin tonë. Nëse ishte dënuar një nga familjarët, pasojat duhej t’i vuante gjithë fisi. Gratë u kujdesën për burrat e tyre nëpër burgje, duke i ndjekur nëpër kampet e punës, duke u dërguar ushqime dhe mjekime. Ato iu kushtuan vetëm familjes, rritën fëmijët dhe i edukuan, aq sa harruan se ishin të reja dhe të bukura. Kjo është gjëja më e bukur e këtyre nënave që kaluan sakrifica, por dhuruan shumë dashuri aq sa mbetën në zemrën tonë si heroina të pavdekshme.
Nga ishin dhe çfarë shtrese u përkisnin këto vajza dhe gra?
U dënuan femra të shkolluara që përfaqësonin opozitën. Si shembull për tu përmendur mbetet shkrimtarja Musine Kokolari, ajo ishte një ndër ato që ndihmonin rezistencën antikomuniste. Gjithashtu dënoheshin vajza që nuk pranonin idetë komuniste dhe ateizmin, dënoheshin mësuese, gjimnaziste për agjitacion dhe propagandë. Persekutimi ishte për të gjitha shtresat e shoqërisë, vetëm sepse nga partia në pushtet ishin cilësuar familje reaksionarësh. Së fundmi partia shtet dënoi dhe femra të kastës komuniste, familjarët e tyre u cilësuan revizionistë. Vajza që ishin rritur dhe në bllokun e udhëheqësve provuan internime, dënime, ndarje nga burrat dhe rritën foshnjet në internim.
Cilat kanë qenë arsyet pse një femër mund të dënohej asokohe?
Janë vrarë dhe dënuar femra që nuk iu nënshtruan sistemit të ri komunist, janë dënuar pa bërë krime, por vetëm për agjitacion dhe propagandë politike etj. Për shembull biologen Sebika Kasimati e kanë vrarë pa gjyq dhe e kanë varrosur në një gropë, së bashku me burrat në shkurtin e vitit 1951.
Përveçse hulumtuesja e kësaj teme, ju jeni dhe pjesë e “kalvarit të përgjakshëm” që kaloi mbi “shpin” familja juaj…Çfarë kujtoni nga ajo kohë?
Unë jam pjesë e kësaj shtrese, por librin se kam bërë vetëm për familjen time. Familja ime, Mulleti u etiketua shumë rëndë dhe kjo e ndoqi gjatë gjithë sistemit komunist. Libri përshkruan të gjitha kampet e internimit, në veçanti kampin e Tepelenës. Në vitin 1992 djali i xhaxhait Reshit Mulleti u kthye nga internimi. Ajo “Zonja Hajrie” që në Shqipëri gajaseshin së qeshuri me të, përjetoi vuajtje pafund në internim, por qëndroi një grua besnike e ndershme, punëtore, e papërkulur dhe në veçanti një nënë e mrekullueshme për djalin e saj të vetëm. Dhimbje të madhe kam përjetuar kur shkova në Savër të Lushnjes, kur ajo ishte e sëmur. E gjeta në një dhomë të vogël me llamarina, dërrasa e kashtë, vuante në mes të llucës së Myzeqesë. I kishte mbetur në kujtesë shtëpia e babait të saj, plot dritë dhe me shumë lule apo dhe jorganët e bardhë të atllasit. Me imagjinatë ishte në Tiranën e saj, mbante mend adresën e shtëpisë në Vjenë, (domethënë atje ku kishte martesën e saj) etj. Por tashmë çdo gjë ishte fashitur, ajo në vitin 1980 u nda nga jeta në moshën 70 vjeçe, në një kasolle. Kjo komedi tek ne në Shqipëri ka fituar çmimin “Nobel”, e quajnë vepër arti dhe është shpërndarë në kaseta në të gjithë rruzullin tokësor, e kanë marrë me vete emigrantët që të qeshin, por djali i xhaxhit që fëmijë, deri sa vdiq u “sha” prej saj, me emër real. Sistemi komunist u hakmor me një fëmijë, i “dhunoi” të drejtat e tij. Këto janë vepra të realizmit socialist që janë trumbetuar. Ndërsa familja ime nuk u lejua të jetojë në shtëpinë tonë në Tiranë, të cilën e kishte ndërtuar babai. Na u grabit çdo gjë, mbetëm pa një të ardhme jetike, na dërguan në Kavajë ku provuam vetëm baraka, kasolle dhe ahure. Kemi provuar luftën e klasës në të gjitha aspektet e jetës… u rritëm, u shkolluam, punuam dhe na dëbuan. Por ne u rrahëm me jetën, u forcuam dhe nuk u dorëzuam asnjëherë, na shoqëroi dashuria për njëri-tjetrin. Mirësia e familjes së mamasë nga Shkodra na dhuroi shumë dashuri dhe na dhe mundësi shkollimi. Më shumë më dhimbset jeta e babait, nënës dhe motrës Donikë që vdiq në maturë të vitit 1951.
Me botimin e këtyre librave a mendoni se keni arritur që të transmetoni tek brezi i ri fakte mbi një të vërtetë, që deri më sot as historianët nuk e kanë bërë?
Ky libër është me vërtetësi të pamohueshme, të pakundërshtueshme për të gjithë shqiptarët kudo nëpër botë. Është befasues për ata njerëz që se kanë provuar apo se kanë besuar se kanë ndodhur këto gjëra në Shqipërinë tonë. Ky libër është një pikë ujë nga gjithë ai oqean vuajtjesh, sepse nëpërmjet tij mund të njihesh me plagët e mëdha që u krijuan në diktaturë. Ky libër është kundra harresës, është mbijetesë, kujtesë, dëshmi dhe shkrimi i saj. Mbijetesa nuk është vetëm akt personal, por dhe detyrë mision për të dëshmuar. Është detyrë shoqërore fisnike, unë plotësova një detyrim kombëtar të domosdoshëm, sepse kujtesa është pavdekësi, por njëherazi dhe histori që të mos harrohen sesi u mohuan të drejtat dhe liritë e njeriut, sepse harresa ka fatkeqësinë e përsëritjes së të keqes, në forma të ndryshme. Është një libër shuplakë për ata që nuk na dhanë drejtësi. Jetët e tyre ishin tmerr dhe torturë që u kishte thurur shteti i tyre. Ishte heshtja e madhe ndaj së keqes, zëri i vuajtjes, i dhimbjes i shëmtimit, ishte periudha e tronditjes e vdekjes. Ishte brenga e madhe, sepse ishte burgosur fjala e zemrave. Egërsia e këtij dënimi kishte verbuar vetë drejtësinë dhe vdekjen. Se sa do të transmetohet tek brezi i ri, atë nuk e di!! Unë e kam botuar librin për kujtesë, por sa do të lexohet nuk e di!! Kjo i përket qytetarëve të mësojnë ose jo të vërtetën.
Çfarë mendoni se duhet bërë ende për këtë shtresë të shoqërisë? Mendoni se kjo periudhë ka nevojë dhe për forma të tjera që të demonstrojë faktet reale të kësaj periudhe? Për shembull sikurse është ndërtuar Muzeu i Krimeve të Komunizmit në Shkodër.
Pas 22 vitesh është shumë vonë të mendohet se ç’mund të bëhet për ata që vuajtën, shumë prej tyre e lanë këtë botë. Te ne nuk është dëshmuar krimi komunist, por është hedhur manteli i heshtjes dhe i harresës. Nuk është kërkuar falje nga ata që i kanë bërë këto krime, sepse ishin krime shtetërore që drejtoheshin nga kreu i aparatit të KPPSH, domethënë nga diktatori dhe shkonte tek të gjithë diktatorët që drejtonin shtetin, Shqipërinë time. Diktatura hoxhiste zgjati 46 vjet, ishte një holokaust i vërtetë. Efektet e këtij holokausti që zgjati prej pesë dekadash janë të paimagjinueshme. Kjo kohëzgjatje e bëri tek ne komunizmin shumë çnjerëzor. Unë thashë të vërtetën me anën e penës sime, domethënë në libër, por format e transmetimit të kësaj të vërtete janë të shumëllojshme me anë të filmit, muzikës, pikturës, skulpturës, etj. Në veçanti media është ajo që punon për të shëruar shoqërinë shqiptare, kurse muzeumet janë të domosdoshme kur për to punohen nga njerëz dhe njohës të mirë të kësaj shtrese. Mendoj se duhet të përfitojmë nga eksperienca gjermane, hungareze, çeke etj. Unë do doja që shumë piktorë dhe skulptorë të arrinin ta përjetësonin vuajtjen mbijetesën, shpresën që nuk vdes kurrë apo dhe lirinë kur heshtjes ndaj së keqes i thotë ndal.
Sipas jush cili ka qenë fati i gruas në diktaturë?
Në diktaturë femrat kanë studiuar, përparuar, emancipuar dhe kanë dhënë ndihmesën e tyre në shoqëri. Shoqëria jonë ka qenë e indokriminuar. Në çdo aspekt të jetës janë detyruar të përdorin luftën e klasës, se nuk mund të bëhej asgjë nëse nuk do t’i bëhej biografia çdo njeriu që do të punonte apo të studionte. Në përshkrimin biografikë futej dhe gjyshi kur donin të të fundosnin, kurse kur donin të lëshonin pe i mbyllnin sytë, por e përdornin për një kohë tjetër. Në diktaturë femrës i mohohej shkolla e lartë, vendi i punës zgjidhej me vështirësi në distanca të largëta dhe përveçse me pagesë minimale, shikohej dhe me sy të keq. Epitetet për to ishin nga më ofendueset, s’ishin të mirëpritura për të formuar familje, s’kishin të drejtën e lavdërimit, të shpërblimit, dënoheshin për një fjalë goje. Në rastet që u jepej mundësia për të punuar dhe për t’u shkolluar, sapo egërsohej lufta e klasës ato i largonin nga puna në mënyrën më të shëmtuar.
Po sot si e shikoni përdorimin e lirisë prej femrës shqiptare?
Liria?! Kur fillon liria? Liria fillon në një familje, me edukim, shkollë, studim etj. Por sa kjo liri çmohet dhe se si përdoret? Në rinin time e çmoja shumë lirinë, por nuk kishim të drejtën e fjalës së lirë, të shprehjes, besimit për miqësinë, shoqërinë, lirinë për të dashur etj. apo të kishe mundësinë për të gjetur shokun e jetës, të dëgjoje muzikën që pëlqeje, të lexoje libra që nuk lejoheshin etj. Të gjitha këto mundësi vajzat, sot i kanë. Por vajzat që të fitojnë lirinë duhet që të studiojnë, të përparojnë në ngritjen intelektuale duke vlerësuar më shumë mençurinë dhe jo të mbiçmojnë bukurinë se është shumë e përkohshme. Duke studiuar vajzat bëhen më të zonjat e vetes, duke punuar fitojnë pavarësinë e tyre ekonomike që u sjell pavarësinë dhe lirinë. Liria fitohet, nuk dhurohet. Kjo është madhështia e lirisë, shërbimi ndaj së vërtetës, të mos heshtësh ndaj së keqes dhe të kundërshtosh shtypjen.
Si nënë dhe si femër, cili është mesazhi juaj për gruan shqiptare?
Si nënë u uroj të gjitha nënave të punojnë pa u lodhur, me përkushtim që fëmijët e tyre të marrin edukimin e mirë, me norma të moralit njerëzor, t’i mbajnë sa më afër dhe t’u dhurojnë shumë dashuri, sepse vetëm me dashuri arrihet e mira. Nënave u uroj të shkollojnë fëmijët që të marrin drejtimin e duhur, të mos e ndiejnë veten vetëm dhe të shkojnë në rrugë të gabuar. Për të gjithë femrat uroj suksese në punë, në studime të arrijnë majat më të larta, të bëhen krijuese dhe të suksesshme se janë baza e familjes, e ardhmja e shoqërisë sonë, përparimi ynë.
Gjyzepina Androkio (Çoba,1925 )
Vajzë e familjes Çoba, motër e monsinjor Ernest Çobës. E martuar me italian, kishte dy djem. E futën në burg sepse shkoi në konsullatën italiane të merrte pensionin e burrit të saj (italian). E dënuan 18 vjet burg, me heqje lirie nga viti 1957 deri në vitin 1975. ia dënuan djalin e madh me 7 vjet burg, ndërsa djalin tjetër ia internuan. Mbas vitit 1991 u largua familjarisht për në Itali.
Sadije Kazazi
Vendosja e diktaturës në fund të vitit 1944 e gjeti në vejë, me katër fëmijë (tre vajza dhe një djalë). Për të dhe për të gjithë fisin Kazazi erdhën kohë të vështira, jo vetëm nga ana ekonomike (që iu grabit çdo gjë), por Kazyzët i kishin vu në shënjestër dhe komunistët i ndiqnin, sepse ato ishin atdhetarë…Ajo në shtëpinë e saj për afër dy vjet strehoi nipin e burrit të saj dhe bënte lidhjen e Saitit me të vëllain e Jup Kazazit. Ajo në shtëpinë e saj për afro dy vjet strehoi nipin e burrit të saj dhe bënte lidhjen e SAitit me të vëllain e tij Jup Kazazin. Agjentët e sigurimit arritën me e zbulue ku ndodhej, Sait Kazazi. Shtëpia u rrethua, e torturojnë nanë Sadijen, bashkë me vajzën e sa të madhe Syrihanëm por ato qëndrojnë heroina, nuk tregojnë. Por zgjedhjen tragjike e bëri vetë Saiti, që në pamundësi për rrugëdalje, vrau veten, nuk pranoi t’i dorëzohej kriminelëve të kuq, ishte 6 tetor 1946. për këtë qëndrim Sadijen e dënojnë me 15 vjet burg, por bën 5 vjet, por sa doli nga qelitë e burgut komunist, ndërroi jetë…Fëmijët e saj e vazhduan jetën plot me vuajtje…
Dhurata Sokoli
Shqipëria e rrethuar me tela, ushtarët tabu ruanin kufirin. Ishte viti 1990, trumbetohej me të madhe se nuk do të kishte vrasje e në kufi, e shumta do të dënoheshin me 5 vjet burg ato që kapeshin në kufi. Shumë të rinj dhe të reja e morën parasysh rrezikun dhe tentuan të kalojnë kufirin shtetëror, shumë prej tyre u vranë si në veri dhe në jug të vendit. në muajin prill 1990 u vra një çift, një vajzë e një djalë. Po pse? Ata ishin një çift që duheshin, por mentaliteti primitiv-komunist nuk i lejonin të realizonin ëndrrën e tyre, martesën, kështu që vendosën të kalonin kufirin Bunë-Ulqin…Por rojet i diktuan. Vajza doli me trup përpara djalit që e desh më shumë se veten, por rojet shqiptare gjuajtën mbi ta, i vranë, i zvarritën dhe i groposën të dy. Të mbështjellur në një batanije, i varrosën natën, që të mos i shikonte kush…në vitin 1991 në gazetën “Republika” një inxhinier, që ishte roje nate në nënstacionin e Koplikut, vuri re ushtarë që hapën gropën. Këtë ngjare e publikoi guximtari në gazetë. Me këtë artikull motra e djalit gjeti varrin.
Fetije Fuçiterni
Motër e Sheuqet Mukës, gruaja e Sali Vuçiternit, ministër në kabinetin e Mbretit Zog. Saliu z dënua nga komunistët me burgim të përjetshmen. Nën Fetijes iu konfiskua pasuria, u nxor nga shtëpia, e përzunë nga Tirana. U vendos në Shkodër. Muaj për muaj e ngarkuar nisej drejt Burrelit për të parë burrin dhe vëllain. Provoi shtegtimet e rrugëve. Burri i vdiq në burg. Ja treguan të vdekur mbas murit të burgut. Mbeti e vetme me një të vdekur përpara. E mbështolli dhe e lidhi mirë për ta transportuar në një makinë të ngarkuar me gëlqere për ta dërguar në Tiranë. për tre ditë nuk e lejuan që ta varroste. Jetoi me shpresë se mos takohej ndonjë herë me djalin e vetëm të familjes Vuçiterni, 52 vite pa e parë. Mbylli sytë si një halle e teze e nderuar, me nipër e mbesa.