Nga Jacksonville- Florida – Beqir SINA
Naim Frashëri rilindasi ynë i shquar, vuri themelet e letërsisë kombëtare shqiptare. Vepra e tij shënoi lindjen e një letërsie të re me vlera të vërteta artistike. Ajo shprehte aspiratat e shoqërisë shqiptare të kohës dhe ndikoi fuqishëm në luftën e saj për liri e progres.
JACKSONVILLE – FLORIDA – 167 vjetori i lindjes së poetit tonë kombëtar Naim Frashëri, rilindasit tonë të madh u kujtua të shtunën në mbrëmje në qytetin Jacksonville të Floridës, me një veprimtari artistiko – kulturore, organizuar nga Dega e shoqatës Vatra në Florida.
Në veprimtarinë e Degës së Federatës VATRA në Jacksonville- Florida, morën pjesë dhjetëra vetë, familjet vatrane dhe simpatizantë të shoqatës Vatra. Në veprimtarinë “Shqipëri o nëna ime”- Show artistiko-muzikor më rastin e Ditës Kombëtare te shkrimtarit të shquar të Rilindjes Shqiptare Naim Frashërit, mori pjesë edhe Dervish Pashaj nga Teqeja e Detroitit, kryetari i Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA, Dr. Gjon Buçaj dhe anëtari i kryesisë zoti Sejdi Husenaj
Dy hymnet kombëtare ; Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë çelën këtë veprimtari të bukur, dhe të veçantë të komunitetit shqiptarë në SHBA
“Qëllimi i kësaj veprimtarie të veçantë është kujtimi i ditëlindjes të poetit tonë të madh kombëtar, të rilindjes, sonë kombëtare Naim Frashërit,” u shpreh kryetari i degës së Vatrës në Florida, zoti Adriatik Spahiu .”Vepra e Naimit, tha ai është e pavdekshme, ajo është krenaria e jonë kombëtare, andaj dhe për Naimin do të ketë gjithmonë vetëm ditëlindje,” theksoi më tej Spahiu, duke drejtuar edhe një falemnderim të veçantë për mysafirët nga Nju Jorku, Baban e Teqes së Detrotit, dhe të gjithë pjesëmarrësit.
Fjalën kryesore të kësaj veprimtarie e mbajti zoti Ali Lushnjari një anëtarë i degës së shoqatës Vatra në Florida. “Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, Naimi ishte një ndër figurat kryesore që ndikoi në zgjimin dhe konsolidimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve. Vepra e tij poetike u bë frymëzuesja dhe shpirti i lëvizjes kombëtare.” tha ai.
Më tej ai tha se Naimi lindi më 25 maj 1846 në Frashër, që ishte edhe një qendër bejtexhinjsh. Mësimet e para i mori tek hoxha i fshatit në arabisht e turqisht. Që i vogël nisi të vjershëronte. Studimet e mesme i kreu në Janinë, në gjimnazin e njohur “Zosimea”. Aty horizonti i tij kulturor u zgjerua së tepërmi, njohu letërsinë, kulturën dhe filozofinë klasike greke e romake, ra në kontakt me idetë e Revolucionit Borgjez Francez dhe me iluminizmin francez. Duke përvetësuar disa gjuhë, si: greqishten e vjetër e të renë, latinishten, frëngjishten, italishten e persishten, Naimi, jo vetëm që mori bazat e botëkuptimit të vet, por njohu edhe poezinë e Evropës e të Lindjes. Të gjitha këto tradita poetike ndikuan në formimin e tij si poet. Më 1870, pas mbarimit të shkollës, shkoi për të punuar në Stamboll, por u prek nga turbekulozi dhe u kthye në Shqipëri në klimë më të shëndetshme.
Duke folur për veprimtarinë e Nami Frashërit, Lushnjari, tha se gjatë viteve 1872-1877 Naimi punoi në Berat e në Sarandë si nëpunës. Kjo periudhë pati rëndësi të veçantë në formimin e tij. Atdhetar e si poet. Ai njohu më mirë jetën e popullit, zakonet, virtytet dhe aspiratat e tij, gjuhën e bukur e shpirtin poetik të njerëzve të thjeshtë, krijimtarinë popullore, bukurinë e natyrës shqiptare.
Së fundi u shpreh zoti Lushnjari, mosha dhe një sëmundje ia ligështuan shëndetetin derisa zemëra e tij pushoi së rrahuri më 20 tetor 1900, në moshën 54 vjeçare. Ai vdiq i zhobitur nga malli për Atdheun dhe dashurinë për Shqipërinë e lirë. Naimi vdiq theksoi ai por vepra e tij mbeti gjallë duke ngritur peshë zemërat e shqiptarëve dhe duke patur një ndikim të fuqishëm edhe në ditët tona, kudo që janë edhe sot mbas afro dy shekujsh; me një respekt dhe dashuri e mirënjohje për këtë relindas të madh shqiptarë.
Folësi kryesorë i kësaj veprimtarie, përfundoi duke permendur edhe SHBA miqësinë tonë dhe rolin e kontributin duke shprehur edhe një falemdnerim:” Me këtë rast dëshirojë të faleminderojë nga zemëra Amerikën, tha zoti Ali Lushnjari, që ndër shekuj ka qenë dhe është mbështetësia e fuqishme e shqiptarëve . Kujtojë gjithashtu, tha ai të gjitha ata kolosë të kombit tonë që kontribuan nga ky vend me në krye Shoqërinë Vatra, e cila ka qënë frymëzuese dhe zjarri që mbajti gjallë fryëmën tonë komëbtare për liri e pavarësi.”
Më pasë foli Kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, i cili në mes emocioneve të shumta e përshëndeti këtë ngjarje dhe aktivitet të degës së Vatrës në Jacksonville të Floridës. Qysh në fillim të fjalës së tij – ai iu drejtua të pranishëmve duke thënë se është me të vërtet kënaqësi që në emër të VATRËS, të ju përshëndes për këtë aktivitet kaq të bukur, që ju keni organizuar në nderim të kësaj figure kaq të madhe të kombit tonë, rilindasit dhe iluministit Naim Frashëri.
“Naim Frashëri, është njjë figurë e madhe kombëtare, tha Dr. Buçaj, e cila ashtu si dhe rilindasit e tjerë, që luftuan dhe u sakrifikuan me pushkë dhe me pendë për Mëmedheun, tonë të dashur për Shqipërinë, na bëjnë që ne shqiptarët të ndihemi krenarë, kudo që jemi për të gjitha ato sfida që historia e vjetër dhe e re na detyroi të përballojmë në formimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptarë, duke garantuar identitetin tonë kombëtar në familjen evropiane. Padrejtësitë historike ndaj shtetit dhe kombit shqiptar, tha ai u përballuan me sukses sepse gjithnjë u bazuam në parimet e shenjta të lirisë, paqes dhe bashkëjetesës, ose si shprehej në vargjet e tija poeti ynë i madh se : “Dielli lind andej nga perëndon”. Pra, prej edhe nga e shikonte dritën e lirisë Naim Frashëri për ne shqiptarët, andej nga i ka sot sy e gjithë bota nga Perendimi nga ai vend ku jemi të gjithë ne sot” tha Dr. Buçaj.
Naim Frashërin, kryetari i Vatrës, e cilësoi si një njeri “mistik”, i ri gjithmonë dhe i mbushur përplot nga ndenja dhe frymëzimi i tij, me një dashuri të pakufishme dhe të zjarrtë për lirinë, kombin dhe mirësinë e Perendisë. Naimi, i njësojë i këndojë edhe dashuirisë njerëzore, bukurisë natyrore të Shqipërisë dhe shqiptarëve, tha kreu i Vatranëve gjatë fjalës sëtij përshëndestëse.
Dr Gjon Buçaj, më tej vlerësoi lart largëpamësin e këtij rilindasi të madh, i cili qysh atëhere sipas tij e shihte kombin tonë kah Perendimi dhe civilizimi botëror, pa harruar asnjëherë dashurinë për vendin dhe origjinën tonë. Prandaj shqiptarët, tha Buçaj, edhe sot kudo ku jetojnë, janë të angazhuar për të përmbushur pikërisht këtë aspirate europianizuese dhe historike për përshpejtim të progresit demokratik dhe integrimit në familjen tonë të natyrshme evropiane.Një rrugë e vështirë kjo dhe me plot sfida e cila na motivon për një angazhim të ri në realizimin e aspiratave historike të Shqipërisë dhe kombit shqiptar në rrugën e progresit dhe integrimit evropian, që na e lanë amanet rilindasit tanë.”
Veprimtaria përkujtimore në nderim të poetit tonë kombëtar vazhdoi me recitime të poezive të tij, nga të pranishmit ndërkohë që Sandër Ruçi, artisti i njohur shkodran interpretoi me një nostalgji të pa përshkruar, dhe me një humor fantastik, karakteristik shkodran këtë veprimtari kushtuar ditëlindjes së Naim Frashërit.
Kurse, këngëtari i mirënjohur në të gjithë hapsirën shqiptare – Bylbyli i Tropojës Gëzim Nika krijojë një atmosfer impozante me këngët e tij të famëshme me vargjet e poetit tonë të madh Naim Frashërit. Gëzim Nika me këngët e njohura dhe mjaft popullore “Shqipëri o Nëna ime” dhe kënga “O sa mirë që jamë Shqiptarë”, e “ndezi” atmosferën duke e kthyer këtë veprimtari në një festë të madhe që frymëzon dhe lidh brezatedhe këtu në mërgim.
Ndërsa në stendat e sallës ishin vendosur portretet e veprimtarisë kushtuar gjeniut të letërsisë së rilindjes kombëtare.
Naim Frashëri ka lindur në 25 Maj 1846 dhe vdiq në 20 tetor 1900. Veprat e tij më të njohura janë “Bagëti e Bujqësi”, “Historia e Skënderbeut”, “Qerbelaja”, “Lulet e verës” etj. Naimi ka shkruar edhe në revistat e kohës “Drita”e “Dituria” si dhe ka përkthyer vepra të mëdha të letërsisë botrore, si “Iliada” e Homerit.