Luigj L. Markvukaj: MALSIA IME ( Poemë )

Hymje
Vargjet që do të lexoni në vijim, e që unë i kam shkrue në mall të Malsisë së Madhe, vendlindjes sime, janë kujtime të përjetueme qysh 70 vjet ma parë, kur në Malsi jepej lajmi tue lëshue zanin, se shkjau i Malit të Zi kishte mësye viset tona. Zakonisht, një burrë dilte në një maje të naltë, zbrazte pesë herë armen, si shej se thirreshin me u mbledhë të gjithë bajraqet. Nga të katër anët ndigjohej piskama: Oooooo-ooooooo, çka asht pushka, moreeeeeeee!? Tjetri përgjigjej: Ooooo, kushtrim, moreee, se ka hy shkjau në Grudë!
Gruda ishte në kufi me Mal të Zi. Kur më 1913 u coptue Shqipnia, ajo mbet pothuej e gjitha jashtë kufijëve të Atdheut.
Në kushtrim, si quhej atëherë (sot do të quhej “thirrje”) nuk ngelte mashkull që kisht mbushë 18 vjeç pa shkue.
Jam përpjekë me tregue në këto vargje vuejtjet dhe sakrificat e Malsisë së Madhe, që të ruente identitetin dhe integritetin e saj, qoftë territorial, po mbi të gjtiha nderin, dinjitetin, traditat e malsorit.
Pothuej të gjithë ata atdhetarë trima që u prinë malsorëve në mbrojtje të trojeve të veta, ma vonë, nga regjimi diktatorial komunist u burgosen, u pushkatuen, u internuen, u persekutuen apo u njollosen deri me damken e tradhtarit.
Nuk jam shkrimtar e as poet, por kur kujtoj ato kohna të hidhuna, që pat fatin tragjik me kalue ky popull ynë, fjalët dalin një nga një nga thellësitë e zemres. Aq ma tepër dhimbja bahet edhe ma e madhe tue pa në kohë demokracie se si nuk po merremi vesht njeni me tjetrin, secili rrah gjoksin ma shumë se tjetri, secili tërheqë mbas veti në emen të kësaj apo asaj partie, që janë ba si bunkerët. Edhe pesëdhjetëmilion njerëz të ishim, çka kishin me u dashtë tanë këto parti.
Po e nisi me një kujtim prej një morti, kur një malsor vajtoi të shuemin e iu drejtue me këto fjalë:

Fal me shëndet thuej Ded Gjo’ Lulit.
E fal me shëndet thuej Çun Mulit.
E fal me shëndet Vat Marash Shkrelit,
Që gjithkund e ka ba belit,
E gjithkund ia ka lanë vedit.
Thuej s’asht Shqipnia si e keni lanë,
Por dikush thotë jam ba gjerman,
E dikush thotë jam italian,
E dikush thotë jam ba zogist,
Dikush thotë jam komunist,
E nuk shkon n’Kishë as n’Xhami,
Veç mundohen me thye parti.
Pra, megjithëse unë nuk jetoj në Shqipni, por zemra më qanë që të di gjithçka ndodh në vendin tim, gëzohem kur shoh arrijtje, që nuk duhen mohue, sa me i krahasue me të kaluemen e zezë asht gjtihçka si dita me naten, por kur ndigjoj akuzat që i bahen njeni tjetrit e se si nuk merren vesht, nësa bota mbarë, po kryesisht Europa, po mundohem me kthye për së mbari Shqipninë e shqiptarët, e ma së pari me rysë politikanët, ata nuk mendojnë për interesat e popullit, por e djegin Shqipninë për interesat e tyne.
Më kujtohet shpesh një punë legjende a prralle. Thonë se një mbreti i ra vajza në një prrua të rrëmbyshëm e për pak u mbyt. U nodhen aty afër dy shqiptarë. U hodhen tue rrezikue edhe jeten e tyne në mes dallgëve të prrojt të rrëmbyeshëm dhe shpëtuen vajzen. Kur e mori vesht, mbreti çoi korrierin e i thirri në pallatin e tij shpëtimtarët e së bijës. Kur e njoftuen se kishin mbrri, urdhnoi t’i sillnin të parin.
Mbreti, mbasi e falnderoi për shpëtimin e vajzës, i tha se çfarë kërkonte si shpërblim, pa ngurrue hiç, se gjtihçka do të kërkonte, do t’ia plotësonte dëshirën. “Naltmadhni – i tha shqiptari – Unë jetoj me familjen time në një kësollë. Nëse nuk iu duket e tepërt, kisha me dashtë një shtëpi prej jush”. “Kjo asht tepër pak për nderin që më keni ba” – i tha mbreti.
Shqiptarit tjetër, që po priste rradhen mbas dere, e ndigjoi gjithë biseden në mes mbretit dhe shqiptarit që ishte mbrendë tek ai. Kur i erdhi rradha e hyni edhe i dyti, mbreti i tha të njejtat fjalë edhe atij, pra i kërkoi edhe të dytit se çfarë shpërblimi do të donte t’i bante për shpëtimin e vajzës. Ai i tha mbretit: “E vetmja gja që kërkoi prej jush, naltmadhni, asht që të mos i ndërtoni shtëpi atij tjetrit”.
Kur shikon përditë si sillen politikanët tanë, të bahet me besue se kjo nuk asht një legjendë, po një ngjarje e vërtetë. Si të mos e besosh. Ndërsa Europa të ban thirrje me iu afrue e bashkue asaj, e të jep edhe “detyra shtëpie” si mund të bahet kjo, si mund të hyjmë përsëri në familjen e madhe europiane, ku kemi kenë qysh se asht krijue njerëzimi, politikanët tanë nuk lanë vner pa zbrazë njeni kundër tjetrit. A nuk asht njëlloj si në atë prralllen, apo legjenden, “të mos i ndërtoni shtëpi atij tjetrit”?

Në vargjet e mia jam përpjekë me kujtue ato ngjarje e burra kreshnikë, që i vejshin shpatullat njeni tjetrit e i delshin zot Atdheut. Ndoshta kemi shumë me mësue prej tyne edhe sot e kësaj dite, sidomos brezi i ri, por jo vetëm ai.
Nuk kam dashtë me ba histori, as me mësue kend, por aty kam shprehë ndjenjat e mia, respektin e mirënjohjen time të thellë për ata martirë që u sakrifikuen ndër shekuj, veçanarisht për ata që ranë viktimë e periudhës ma të errtë të popullit tim, diktaturës komuniste, kur u vranë nga “çlirimtarët” ma shumë se sa janë vra në disa luftna kundër anmikut bashkë. E ata që u vranë, u burgosen, vdiqen nëpër kampe apo u persekutuen, qenë lulja e atdhetarëve, bijtë ma të mirë të Malsisë sime.

Disa shënime të shkurta për personazhet e poemës sime.

1. Llesh Marashi, prej Zagore, mbasi kishte qenë qarkkomandant i Shkodres, krijoi çeten e tij dhe luftoi deri sa ra heroikisht nën plumbat e komunistave. Nga familja e tij u pashkatuen pesë burra, dhjetë të tjerë u dënuan me 126 vjet burg nga të cilat vuajtën 92, shumë u arratisën jashtë vendit dhe i gjithë fisi përfundoi kampeve të internimit”.
Komandanti legjendar Llash Marashi, kur mori vesht se shumë prej partizanëve që po luftonin kundër tij ishin grumbullue në Malsi të Madhe, u dha urdhen bashkluftëtarëve të tërhiqeshin, që të mos vriteshin vëlla me vëlla. Kthehuni në shtëpijat tueja, u tha ai, kurse unë do ta vazhdoj luften deri sa të jem gjallë. Bashkë me te mori arratinë edhe bajraktari i atëherashëm i Shkrelit Pjeter Gjoka dhe nipi i Lleshit, Rrok Kanto Marashi. Përfundimin e tyne do ta gjeni në vargje.
2. Dedë Gjo’ Luli (1840-1915), plaku legjendar i Malsisë së Madhe, ndera e mbarë kombit, i kushtoi gjithë jetën lirisë së Atdheut, në luftë kundër turkut e kundër shkjaut. Ai asht Flamurtari i pavdekshëm i Deçiqit, hapi ma i randësishëm që çoi në ngritjen e Flamurit me 18 Nandor 1912.
3. Luketi i Grishaj, ka qenë një burrë trim e bujar, strehues për një kohë i Llesh Marashit. Mbasi moren informacion forcat e ndjekjes ku strehohej Lleshi, dërgun forca të shumta që ta arrestonin, por Luketi nuk pranoi ta dorëzonte. U ba një betejë e vërtetë dhe forcat e ndjekjes u detryruen të tërhiqeshin. Llesh Marashi mori arratinë.
4. Prek Leka. Ka qenë një ndër figurat ma të shqueme në Malsi të Madhe, përfaqësues i Ballit Kombtar. Ka mbetë i famëshme për thanjen e tij: “I kam dhanë besën Krishtit / nuk bie n’dorë të komunistit”.
Mbas pushtimit të Malsisë nga forcat partizane, Preka, bashkë me të vëllan, Pashukun, moren arratinë. Ma vonë u rrethuen nga forcat e ndjekjes, por nuk pranoi të dorëzohej. U vranë të dy në një betejë të përgjakshme e të pabarabartë.
Baba i Prekës, Lekë Gjoni, ka qenë një prej luftëtarëve të shquem në luftën kundër Malit të Zi në fillim të shekullit XIX. Ishte plagosë randë tue mbetë sakat deri sa vdiq. Për fat të keq, jetoi sa me pritë edhe masakrimin e dy djemëve.
Preka pat lanë gruen dhe një djalë 2-3 vjeç, që u rrit tek dajat e vet. Di se jeton në Lezhë, por tue qenë larg Atdheut prej shumë vitesh, nuk kam ma shumë të dhana.
5. Kolë Maçi i Hotit. Ma shumë se unë për këtë burrë të shquem e thotë kanga për të e këndueme prej Martin Gojanit. Burrë i pashëm, besnik, i njohun në mbarë Malsinë për trim e bujar, gëzonte respekt të madh në popull. Në fillim edhe regjimi komunist pat besim tek ai, por tue pà autoritetin e tij të madh në popull, mendoi ta zhdukte shpejt, tue e akuzue se kishte ndihmue për kalimin e njerëzve në Jugosllavi. U pushkatue nga regjimi komunist.
6. Lukë Kaçaj (1926-2001), një prej kangëtarëve ma të mëdhej shqiptar. Pat krye shkollen fillore e të mesme pranë Fretenve në Shkdër, ku pat për mësues edhe kompozitorin e shquem At Martin Gjoken. Mbas lufte pat krye studimet në Moskë dhe konsiderohej një prej basave ma të mëdhej të asaj kohe.
Burgoset në vitin 1973 për agjtacion e propaganda, pikërisht ai që kishte refuzue sa oferta të bame prej teatrove operistike ma të famëshme në botë, pse e desht aq shumë Atdheun.
7. Prek Cali (1878-1945), I njohun ndrysh edhe si Legjenda e Kufijve, pse kundershtoi më 1913 Komisionin Ndërkombtar që donte t’i kalonte Kelmendin Malit të Zi. Prej vitit 1908 e deri sa e pushkatuen te Vorret e Rrëmajit në Shkoder bashkë me Dom Ndre Zadejen dhe 14 luftëtarë të tjerë, për mbarë Malsinë ai ka qenë simboli i luftëtarit atdhetar dhe trimi të pashoq.

Tue pà se gjoja ushtria nacional çlirimtare nuk ishte tjeter veçse një vegel qorre e shkjaut, ai organizoi qendresen e famëshme të Kelmendasve në janar 1945. Por mbas një gjakderdhje të mnershme në mes vëllazënve të një gjaku, forcat e shumta partizasne të drejtueme prej serbëve e malazezëve, e mposhten rezistencen.
Edhe gjatë diktaturës kumuniste kujtimi i Prek Calit në popull nuk u shue kurrë.
Ai asht një prej përfaqësuesëve ma zamëdhej të races sonë.

Malsia ime

 – Poemë –

Jam një burrë në moshë të vjetër.
Due me hedhë do vargje n’letër.
Me shumë mall po due me nisë
Me u thurë lavd Burrave t’Malsisë.
Shpesh janë mbledhë këta në kuvend
Me i dalë zot ata këtij vend,
E me shekuj n’Malsi të Madhe,
Ndesh me luftna e ndesh me halle.
E besa shpesh n’luftë kanë ra,
E n’beteja ata janë vra,
Sepse duhet me folë hak,
Lufta s’bahet pa derdhë gjak.
Tue mbrojtë trojet anë e kand,
Amanat si t’parët na lanë,
Prej Deçiqit n’Suka t’Moksetit,
Gjithëmonë trimat ia lanë vedit
Tue luftue ata n’kufi
Veç me mbrojtë po këte Shqipni,
Që ky shkjau i Malit të Zi
Gjithmonë deshti me e përpi.
Porse trimat lidhen besen
Trojet tona kurrë s’i shesim,
Do t’i mbrojmë me ndihmë të Zotit,
Se jem t’bijtë e Kastriotit,
Nuk sundon, jo, mbi ne Nika,
Per pa mbete Shqipnia n’çika,
Si pat thanë pader Gjergj Fishta.
Njihni ju po Dedë Gjo’ Lulin,
Që n’Deçiq ngriti flamurin,
E shqiptarët kufijtë s’i falin,
Se flamur kemi Prekë Calin.
Kështu ka kenë, pra, ndera e burrit:
Ku tha Preka nguli gurin.
Kështu ka kenë pra besa e të parëve,
Me ua lanë trashigimtarëve,
Me u mesue po të vërtetën,
Për këte tokë kanë humbë shumë jetën
Tue luftue me turk e shkja
Veç Shqipninë të lirë me pà.
Por as turku e as shkjau,
Sa Enveri nuk i vrau.
Kanë kenë shumë pra trima fisit,
Që s’e deshten komunizmin,
E luftue kanë për besë e fé,
Kanë dhanë jeten si me le.
Por regjimi që kaloi
Në Malsi shumë i damtoi
Tue i vra, tue i ngre zvarrë,
Tue i varë edhe n’litar,
Si Llesh Marashin e Zagorës,
Që rrethuen në Bri t’Kunorës.
Lleshi vetë desht me u dorëzue,
Dy djem të ri veç ai me pshtue,
Nipin Rroku e Pjeter Gjoka,
Ma sokola s’i kish toka.
Po ata jo, s’kishin pranue,
S’kem dalë n’mal na me shpëtue.
Foli Lleshi, po u them prap,
Te ju s’kanë pse t’marrin hak,
La s’i keni duert ma gjak.
“Do t’u falim”, rrethuesit thanë.
“O këta besë, tha Lleshi, s’kanë,
Por ju bani si po them vetë,
Se unë di se çka më pret,
Ma per mue s’do të ketë pranverë,
Po kam la vedin dhjetë herë.
Ju dorëzonju sa s’asht vonë,
Se po vrasim vëllaznit tonë,
Me u thanë ma mos t’kem nevojë,
Vu i paskan n’pararojë”.
Kur prej shpelle ata kanë dalë,
“Hidhni armët, se u kem falë”! –
Thirri fort një komandar.
Por Rrok Knati, vet’ i treti,
Një fishek ksih ruejtë për veti;
Heu! Sa mëkat ky sokol djali!
Por fisheku jeten ia fali.
Porsi bisha kur bie n’dhen,
Kështu u turren, pra, n’këtë vend,
Ata t’famëshmit partizanë,
Gja pa ba që s’kishin lanë
N’tanë Malsinë për anë e kand,
Tue rrahë, tue torturue,
Tue burgosë, tue pushkatue.
Kështu këta trima që pat Malsia
I tradhëtoi vetë historia.
Thojshin trimat tue folë me vete:
“Nga na erdh kjo farë e keqe,
Që s’po dimë as me u vu emen,
Gjysa mashkuj, gjysa femen.”
Na s’jem trembë në luftë tue ra,
Si me turq, ashtu me shkja.
Kur Ded Gjo Luli, burrë i motit,
Thirrje u bani Grudës e Hotit,
Trimave t’Shkrelit e t’Kastratit,
Me i dalë para atij lugatit,
Me luftue po me Mal të Zi,
Që gjithmonë desht me na përpi,
Askërkush s’e kish frikë deken,
Për këte tokë me dhanun jetën.
As tash deken ata s’e dronin,
Por s’e dinin me ke luftonin,
Se për trima që kanë kenë
N’Malsi t’Madhe e n’Kelmend,
S’panë pranue ata me u shtrue,
Por me dekë prorë tue luftue.
Çka me thanë, pra, për këto bisha?
Kujt faj pati Luketi i Grishe,
Që pat hapë derën e shtëpisë
Disa trimave të Malsisë,
E regjimi i kalue
Desht Luketin me arrestue.
Ky Luketi tha një fjalë:
“Nuk dorëzohem, jo, i gjallë.
E ta dini se der sa t’vdes
Miqtë në besë unë nuk i pres”!
Tha Luketi e pushka krisi,
Kah kinë ardhë ata i nisi.
S’ish kollaj, jo, me luftue,
Se Shqipnia ish pushtue.
Porse Lleshi kish prap shpresë
Me i ndalue këta të pabesë,
Sepse ai e dinte mirë,
Për Malsinë do t’ishte vështirë
Me pranue këtë soj gabeli;
Thirrje u bani djelmëve t’Shkrelit,
E me ta djelmëve t’Kastratit,
Me i dalë para këtij xhelatit,
Që Malsinë desht me përpi
Tue burgosë pleq edhe të ri.
Po kryengritja, si edhe tha Lleshi,
Ishte e vështirë e fati s’e deshti.
Krisi pushka e gjimoi toka,
Këtu u vra edhe Mirot Paloka.
Lleshi tha: “Tërhiqnju, burra!
Na u vra Gjon Martin Lula.
Lleshi tha: “Tërhiqnju, pra,
Se po vritemi vëlla me vëlla,
Se n’Malsi, këta, anë e kand,
Kishin mbledhun partizanë,
Me parulla tue i tradhëtue,
Gjoja t’hirrun me çlirue.
Por ma vonë ndër këto ana
Tanë Malsinë e mbuloi gjama,
Nuk ka burrë që i thotë me emen,
Qofshin mashkuj, qofshin femna,
Që n’Malsi mbarë u sosen,
Pushkatue edhe burgosun.
Atëherë hipi një farë droje,
Dhjetë vjet burg për një fjalë goje,
As i gjallë, pra, as i dekun,
Në dhjetë brez ke kenë i prekun.
Ky qé fati i Malsisë së Madhe,
Pesëdhejtë vjet jetoi me halle
Internimi edhe burgu,
Çka s’i bani as shkjau e turku,
S’i banë Duçja as Hitleri,
Këto i bani veç Enveri.
Asht vështirë me i permendë tanë,
Se shumë trima n’Malsi janë,
Që për fé e kanë dhanë jetën.
Po përmend unë këtu Prek Leken,
Që i pat dhanë ai besen Krishtit
Mos me i ra n’dorë komunistit.
E kështu Preka, me gjithë vëlla,
N’Kurril të Dede ai u vra
Pa i pasë ai kurrkujt hak,
Pa i pasë la ai duert me gjak.
Baba i Prekës, me u thanë t’vërtetën,
Mbet sakat për te tanë jetën,
Tue luftue ai në kufi
me atë shkjaun e Malit të Zi.
Pra qenë shumë, he ndihma e Zotit!
Kujt pat borxh Kolë Maçi i Hotit,
Që regjimi i kalue,
Kolen pati pushkatue
Pa i ba kujt ai kurrëfarë dami,
Veç n’Malsi i pat dalë nami
Si besnik e burrë me peshë,
Që Enveri s’i ka deshtë.
S’mund po rri pa i permendë emnin,
Se qé ndera e tanë vendit,
Për Malsinë ish njefarë fatit
Ky Lukë Kaçaj i Kastratit.
Qé artist me famë botënore,
Por n’këte jetë kaloi me zore,
Se regjimi komunist
E burgosi si artist.
E ketij shteti s’ka si i falet,
Kur këndoi Luka gjimuen malet,
E prap, si për çudi,
Pak përmendet emni i tij.
U baj thirrje gjithë shkrimtarëve:
Mos harroni vleren e t’parëve,
Se kanë vlera shumë të mëdha
Sakrificat që kanë ba,
I kanë dhanë dëshmorë Atdheut
Qysh në kohë të Skenderbeut.
Me i përmendë ata janë shumë,
Porse emni kurrë s’u humbë.
Në Malsi partia e punës,
Pat pru shpirtin n’maje t’hundës,
Siç asht Selca e Kelmendi,
Që n’tanë botë i pat dalë emni
Për trimni e burra të rrallë,
Që u ndeshen ballë për ballë
Me atë bishen komuniste,
Se e dijshin mirë çka i priste.
E Prekë Cali i Kelmendit
Desht me i dalë po Zot këtij vendit,
E ma n’fund, ky u mashtrue,
Si i falun, u dorëzue;
U dorëzue me besë të Zotit,
Si kanë kenë, pra, burrat motit.
Po regjimi me atë ide,
S’ka njohë Zot, as besë, as fé,
U lëshun n’Preken e shokë t’luftës,
Porsi ujku kur i bie tufës,
Kështu u turren e mezi presin,
Harruen shpejt se kinë dhanë besen.
Fati Prekës ma vonë dihet,
Emni tij n’gjithë botën njihet.
Gjithë Malsia ban: Medet!
Kur vranë Preken vet’ i tretë,
Me Gjergj Lucen, burrë vigan,
Me Gjekë Selcen, trim si zanë.
Tanë Kelmendin e mbuloi zia,
Që na futi n’grackë tradhëtia,
Se askush nuk kish pranue,
Për pa dekë, me u dorëzue.
E n’Kelmend, në përgjithësi,
U burgosen shpi për shpi,
Shumë u vranë, u internuen,
Shumë pa gjyq u pushkatuen,
Ai regjim jetën ua mori
E pak kujt i dihet vorri.
Këta inë trimat e Kelmendit,
Që ia rriten vlerën vendit,
Të tanë jetën tue luftue,
veçse vendin me çlirue,
tue luftue me turk e shkja,
veç Shqipninë të lirë me pà.
Por regjimi që kaloi
Gjithë shqiptarët i mashtroi.
Po rreshtoi këtu për Malsinë,
Po kështu ishte n’mbarë Shqipninë.
Kujt t’i bjerë me i lexue
Këto vargje që kam shkrue,
Them prej tyne kem me mësue,
Si shqiptari u mashtrue,
Kinse vendin duen me çlirue.
Edhe kështu në tanë Shqipni
U vranë pleq, u vranë të ri,
Që Enverit s’iu nënshtruen,
Si t’jenë bishë u pushkatuen,
E kësaj here në luftë pa ra,
Tue u vra po vëlla me vëlla.
Çka prej tij e hoq Shqipnia
E denon vetë historia.
Them se ai ka gjetë veç ferrin,
Por këtij populli i la tmerrin.
Ky po ishte një kokëshkretë,
Sa n’ fund vrau shokët e vetë.
Ja, ma në fund, ndrroi historia,
Por ngatrrueme mbet Shqipnia,
Kush për prona, kush për gjak,
I ndiftë Zoti, që asht hak.
Kujt t’i bjerë, pra, me lexue
Këto pak vargje që kam shkrue,
Janë shqipatrët që e kanë jetue
E pakkush ka muejtë me pshtue
Pa u burgosë, pa u internue.
Gëzoi mbarë e tanë Shqipnia,
Që na erdh demokracia,
Por, medet, po ikë rinia,
E njëkështu plaket Shqipnia.
Por po duket se s’kanë shpresë,
Se s’ka nder, burrni e besë.
Ndrysh kanë kenë burrat e motit,
Qysh në kohë t’Gjergj Kastriotit.
Zot, a ka ndoj burrë me mend,
Që me i dalun zot këtij vend,
Amanetin me ua mbajtë t’parëve
E me ua rritë vlerën shqipatrëve,
Që n’tanë botë këta janë shpërnda
Hallin s’ka kush me ua qà,
Tue i thirrë këta nevojës,
Tue punue këta për bukë t’gojës,
Tue punue për një grusht pare
Po harrojnë gjuhën shqipatre.
Amanet po ua la n’letër,
Qofshi të rijë, qofshi të vjetër,
Jepnja dorën njeni tjetrit,
Mblidhnju ju si vëllau me vëlla,
Mos na leni ma me kjà,
Se pesëdhjetë vjetët që kanë kalue
Edhe lotët na janë shterrue.
Linji pra ju mnitë e sherret,
Se kësaj botë asgja s’i merret,
N’paç fitue qysh se ke le,
Ke me marrë veç nandë pëllambë dhé.
Pra, ju sot, që ju njeh bota,
Mos u merrni me punë të kota
Tue i thurë lavde partisë
E tue i vu ferren Shqipnisë.
A thue popolli nuk e ditka,
Lufta bahet për karrika,
E kur këta, burra shtetit,
Kërkojnë votat, gjithkush vetit,
Me u thanë: Qofshi mallkue,
Se s’po dini me u pajtue.
Ndihmë kërkojini ju, pra, Zotit,
Si kanë ba burrat e motit,
Që për besë, Atdhe e fé,
Kanë dhanë jetën si me lé.
Atëherë, po, u do Europa,
Atëherë, po, u do gjithë bota,
Kur të piqeni me mendime,
Jo të merreni me cikrrime.
Kemi vuejtë mjaft të mbramë e t’parët,
Uroj ma mos t’vuejnë shqipatrët,
Pesëdhejtë vjet që kanë kalue
E kem vështirë na me i harrue.
Veç për keq janë ato kujtime,
N’vend pallateve banë strehime,
Natë e ditë na tue punue
Me iu fshehë dreqit t’mallkue,
E n’për ara e në zabele,
Mbushë bunkerë e mbushë tunele,
Me idenë e Enver “trimit”
Në çdo mal pika vrojtimit.
Tanë shqipatrët, pra, mirë e dinë,
Se ky s’la një mik për shllinë,
Prishë me shkja, Rusi e Kinë,
E si thonte tash n’e vona,
Do jetojmë me forcat tona,
Tue ba zbor, tue ba taktika,
Se po vjen këtu Amerika,
Nëse vuejmë nga pak, në dashtë,
njëzet net tue fjetë jashtë.
Tanë shqipatrët përfshi prej ankthit
Marrshim gjatë Livadheve t’Hamzit,
Nëpër borë e nëpër shi,
Shumë n’atë kohë edhe janë ngri
Tue udhëtue natë edhe ditë
Kanë kalue edhe n’plevit.
Por tash këto qofshin harrue,
por s’mund t’rrijsha pa i kujtue,
se me t’gjitha këto shpenzime
kish mudësi me ba ndërtime.
Shumë shqiptarë kanë thanë: N’dashtë,
Se po flej n’kasollë me kashtë,
E për veti tue çilë pusin
Veç në burg pra mos ta fusin,
Sepse shpesh e prej nevoje
Mund t’shpëtonte një fjalë goje;
T’mbyllim gojen, t’mos bajmë za,
Se nuk ke kujt me iu kja,
Se prej këtij na s’kem çka presim,
Por të vuejmë deri sa t’vdesim.
E kur erdh demokracia,
Prap n’dorë kish Ramiz Alia,
S’kishin gjindja si me i zanë besë,
Pa të lanë po mendt e kresë.
E shqipatrët fort kjenë merzitë,
Aq sa tash mezi kanë pritë
Veç me ikë ata nga Shqipnia,
Çka s’e mban mend historia.
Shumë, pra, iken e si të tretun,
Edhe shumë u kthyen të vdekun.
Zot, a thue këtë vend ke namë,
Që s’po di me u çue n’kambë,
Aq ka ra në pikë të hallit,
Ndoshta matë me lëkurë të djallit,
Si shumë herë e kem ndigjue,
Se ky vend asht i mallkue.
Si mund t’hyjsh, pra, ti n’Europë,
Kur vret vëllanë për një pllambë tokë?
Dhe Europa, ç’asht true heqë,
Kujt t’ia prishë, kujt me ia ndreqë,
Sa ka një herë thonë: N’dashtë,
Se dy shqiptarë s’mund i bajmë bashkë,
E ka një herë na bajnë medetin:
Këta janë mësue me hangër vetin.
Çka me i thanë këtij soj trimi,
Kur s’feston bashkë ditë çlirimi?
Pra, më falni për këto shkrime,
Por kjo asht ideja ime.
Nuk janë gja që i kam shpikë vetë,
Janë të gjitha realitet.
Ndoshta kend e kam randue,
Por asht koha me u mendue.
Me u mendue, me ndrrue mednimin,
Sot që presim intergrimin.
Integrim në B.E.,
Për me nisë një jetë të re.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *