26-05-2013 / Gazeta 55
Në ceremoninë vjetore të çmimeve të organizatës “Shabad”, publicisti Fahri Balliu është nderuar për kontributin e tij në promovimin e të drejtave të hebrenjve në botë si dhe për rreshtimin konsekuent në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe dekomunistizimin e shoqërive që dolën nga regjimet e frymëzimit stalinist
Qendra hebraike “Shabad” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nderoi dje me çmimin “Integriteti në gazetari” për vitin 2013, gazetarin dhe botuesin e gazetës “55”, z.Fahri Balliu. Në ceremonial merrnin pjese personalitete të larta të shteteve të Nju-Jorkut dhe Nju-Xhersit, drejtues të strukturave të drejtësisë, si dhe personalitete të artit, kulturës, gazetarisë, etj. Çmimi jepet për konseguencën në promovimin e të drejtave të hebrenjve në botë, që nga shkrimi i parë i Balliut, që gjatë regjimit komunist, në vitin 1988, e më vonë, me botimin e disa prej mendimtarëve e politologëve hebrenj, por edhe për rreshtimin konsekuent në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe dekomunistizimin e shoqërive që dolën nga regjimet e frymëzimit stalinist.
Krahas botuesit Fahri Balliu u vlerësua me çmim edhe Prokurori i Përgjithshëm i shtetit të Nju-Xhersit, ylli në ngjitje i drejtësisë amerikane, z. Jefri Kieza.
Gjatë përshëndetjes së tij, publicisti Fahri Balliu u ndal tek historiku i marrëdhënieve shqiptaro – hebraike, miqësia dhe mbrojtja reciproke në ditë të vështira dhe tek nevoja për thellimin e komunikimit mes popujve dhe shteteve tona. Z Balliu prezantoi gjithashtu edhe botimin me te fundit te Shtëpisë Botuese “55”, për jetën e Guvernatorit të Nju Xhersit, Krist Kristi, një emër i lakuar gjerësisht edhe si kandidat i mundshëm për zgjedhjet presidenciale në SHBA. Çmimi iu dorëzua zotit Balliu nga njëra prej ikonave te gazetarisë amerikane dhe botërore, Rita Kozbi, shkrimtare dhe kontribuese e madhe ne pasqyrimin e sagës së mundimeve të popullit hebraik. Rita Kozbi është autore e librit bestseller “Heroi i Qetë”. Duke i dorëzuar çmimin publicistit Balliu, gazetarja Rita Kozbi vlerësoi lart kontributin e tij në pasqyrimin e marrëdhënieve shqiptaro – hebraike dhe thellimin e marrëdhënieve mes dy kombeve, si dhe shprehu entuziazmin e saj per bashkëpunimin me Shtëpinë Botuese “55”, ne vijim te botimeve te mëparshme me emra prestigjiozë botërorë të komunitetit hebre, si Simon Sebag Montefiore, Kati Morton, Zhak Atali, etj.
Organizata më e madhe e hebrenjve në botë “Shabad”, e cila në shqip do të thotë “Mençuri”, është themeluar në shekullin e 18-të dhe sot numëron filialet e saj në afro 1000 qytete dhe ka 200 mijë anëtarë të regjistruar. Ajo e ka të përqendruar aktivitetin e saj në promovimin e edukimit të diasporës hebreje në botë dhe numëron sot 3600 zyra në 70 vende të botës.