-Intervistë e prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, Akademik –
Bisedoi: Fran Gjoka/Drejtoria Arsimore Lezhe
1. Pyetje: -Së pari profesor, do të dëshironim një informacion të shkurtër rreth personit tuaj dhe veprave që keni botuar gjer më sot?
Përgjigje: -Anëtar i Grupit Hartues dhe i Redaksisë së “Atlasit Dialektologjik të Gjuhës Shqipe” (ADGJSH) (vepër madhore e gjuhësisë shqiptare, vëllimi I, Napoli, 2007, vëllimi II, Napoli, 2008, bashkautor me J. Gjinarin, B. Becin, Xh. Gosturanin). Anëtar i Grupit Shqiptar të “Atlas Linguarum Europae” (ALE) dhe Anëtar i Komitetit Kombëtar Shqiptar për ALE (Atlas Linguarum Europae). Sekretar shkencor i përmbledhjes “Dialektologjia shqiptare” (I-VI).Anëtar i Redaksisë së revistës “Studime Albanologjike” të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë.Anëtar i Redaksisë së revistës “Studime Filologjike” të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë.Anëtar i Redaksisë së revistës “Sfidë” të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.Anëtar i Redaksisë së AIITC “Univers“, revistë shkencore kulturore e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam.Kryredaktor i revistës “OPTIME” të Albanian University, UFO, Tiranë.Anëtar i Këshillit të Profesorëve të Albanian University, UFO, Tiranë. Anëtar i Redaksisë së Revistës “Fryma e Filozofisë ” -Graz (Austri), themeluar dhe drejtuar nga Kristë Shtufi.Anëtar i Rrethit Gjuhësor Ndërkombëtar “Amici Linguarum” me qendër në Gotteborg, Suedi dhe Moskë (Rusi). Po lejohem t’ju përgjigjem me një perifrazë gazmore. Kam shkruar shumë libra dhe, shpesh, më duket vetja si nënat që lindin shumë fëmijë dhe që, nganjëherë, ua ngatërrojnë edhe emrat. Kam filluar me studime mirëfilli dialektologjike, së pari, për të folmen e Kastratit dhe të folmen e Bregut të Matës, të Ishullit të Lezhës e të Ishullit të Shëngjinit, para se të emërohesha në Institutin e Gjuhësisë, pastaj atje, si punonjës shkencor e sipas planit të përcaktuar nga Sektori i gramatikës dhe i dialektologjisë, ku kam punuar 22 vjet, kam studiuar të folmet e tjera të Malësisë së Madhe dhe kam botuar monografi të gjera për Hotin, Kelmendin, Rranxat e Mbishkodrës, për të folmen e shqiptarëve të Malit të Zi dhe për të folmen e qytetit të Lezhës, të cilën e kam pasur edhe si tezë disertacioni për gradën “Doktor i shkencave”. Por, qysh në fillesat e punës e deri sa jam shkëputur nga Instituti (në maj të vitit 1989), gjithmonë, përveç detyrave që ishin pjesë e planit të punës, kam pasur shumë të zjarrtë edhe “mallin e shtampës” dhe kam shkruar e botuar shumë studime, artikuj e libra që ishin “jashtë planit” të Institutit,por ishin në planin e dëshirave të mia,buronin nga ato që punoja kryesisht mbas orarit të punës dhe deri në orët e vona të mbrëmjes, gjithmonë mbasi kisha realizuar e plotësuar të gjtha detyrat e caktuara nga Instituti ku punoja. Motoja e asaj kohe ishte: “Plani është detyrë, tejkalimi është nder!” Madje, atëherë kishim edhe “tabelë nderi” ku shpalleshin fotot e punonjësve më të dalluar dhe aty kam qenë edhe unë për shumë vjet radhazi. Kam shkruar artikuj për shtypin shkencor, sidomos në revistat “Studime filologjike”, “Gjuha jonë” dhe “Kultura popullore”, “Gjurmime albanologjike” “Zjarri”, “Mondo Albanese” etj. dhe në gati të gjitha revista e gazetat kryesore të kohës, sidomos te ”Nëntori”, “Lettres Albanaises”, “Shkenca dhe jeta”, “Ylli”. Kam botuar shumë artikuj edhe në gazeta, më shumë te “Mesuesi”, po edhe te gazetat e mëdha të përditshme,aq sa nuk besoj të ketë mbetur ndonjë organ i papërfillur e pa botuar ndonjë shkrim në të. Kam qenë i pamungueshëm në të gjitha konferencat shkencore kombëtare qysh nga Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike (1968), në Kongresin e Drejtshkrimit (1972), në Konferencën Kombëtare të Studimeve Etnografike, në konferencat shkencore përkujtimore kushtuar “Kongresit të Manastirit” (1998, 2008), “Konsultës së Prishtinës” (2008) dhe “Kongresit të Drejtshkrmit” (1982,1992,2002 dhe 2012 në Universitetin e Korçës). Kam marrë pjesë dhe kam mbajtur kumtesa dhe në shumë konferenca e kongrese gjuhësore ndërkombëtare jashtë shtetit, si në Itali (Romë, Kozencë, Palermo, Salerno, Bolonja, Bari, Termoli), në Rumani (Iiashi), në Greqi (Selanik), në Angli (Glasgou), në Poloni (Krakov), në Letoni (Riga) dhe kam botuar artikuj e studime në disa revista e përmbledhje studimesh në disa vende të Evropës, si dhe në revistën prestigjioze “International Journal of the Sociology of language“, 178, 2006, Belin-New York, të drejtuar nga Joshua A. Fishman.
Qysh nga viti 1968, duke qenë se jepja edhe lëndën Kultura e gjuhës në Institutin e Lartë të Arteve, dega e dramës dhe e regjisë, jam marrë me shumë pasion edhe me shkrime të kësaj fushe, botova edhe librin “Kultura e gjuhës në skenë dhe në ekran”, që është i pari i llojit në historinë e librave për kulturën ligjërimore në shkollat e larta artistike.E kam dhënë atë lëndë për shumë vjet në ILA (sot Universiteti i Arteve) dhe ai libër ka ardhur duke u përpunuar e përsosur dhe e kam botuar disa herë, duke ia përshtatur edhe detyrave e kërkesave të kohës: “Kahe dhe dukuri të kulturës së gjuhës shqipe”, Kristalina-K-H”, Tiranë, 2003 (250 f.),
“Kultura e gjuhës” (SHBLU, 2006) dhe, së mbrami, “Shqipa e sotme”, UFO Press, 2010. Për problemet e gjuhës së teatrit e të filmit kam shkruar shpesh edhe në revistën “Skena dhe ekrani” dhe në gazetën “Drita”.
Gjatë periudhës 1991-2011,si pedagog në UT, për nevojat e mësimdhënies e të pajisjes së lëndëve me tekste universitare bashkëkohore, kam hartuar e botuar disa tekste dhe monografi studimore, të cilat kanë shërbyer dhe vazhdojnë të jenë si bazë e disa lëndëve kryesore, si: Dialektologjia, Sociolinguistika, Bazat e shkrimit akademik.
Qysh në vitin 1996, bashkë me prof.Gjinarin, hartuam librin ”Dialektologjia”, që është varianti më i gjerë (dhe deri sot më i ploti) i kësaj lënde, pastaj themelova lëndën e re të Sociolinguistikës dhe botova librin përkatës, i cili, gjithashtu ka pasur disa ribotime, gjithmonë edhe me shtesa e plotësime thelluese, deri te varianti më i plotë ”Sociolinguistikë e shqipes” (2009), si dhe “Etnografia e të folurit” (2004, 2009, 20012) dhe ”Onomastikë dhe etnolinguistik” (2001).
Po ashtu, në vitin 1996 kam botuar librin “Gjuha shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut, me bashkautor, libër që ka pasur edhe ai disa ribotime nga Shtëpia Botuese “Toena” dhe vazhdon të ketë kërkesa për të nga shumë vende të botës.
2. Pyetje: -Vazhdimi dhe përqendrimi juaj në fushën e Gjuhësisë, fillimisht ka qenë dëshirë e juaja apo një rastësi në dhënien e bursave të studimit të asaj kohe? Në çfarë dege ju doli e drejta për studimet e larta dhe si u ndjetë, çarë emocione provuat?
Përgjigje: -Qysh i vogël kam pasur dy dhunti të këndshme për ata që më donin: këndoja bukur dhe më pëlqente t’i imitoja njerëzit simbas zërit e të folurit. Në dialektin verior kësaj vetie i thonë “me shpotit” ose “me vu në shpotë”. Të kënduarit, mbas adoloshencës zërin e bukur të djalërisë e humba, kurse aftësia për t’i imituar të folmet e njerëzve të ndryshëm jo vetëm më ka mbetur, por edhe më ka shërbyer sidomos në anketimet dialektologjike. Në vendet ku shkoja për ekspedita, gjithmonë, jam përpjekur ta përshtas të folurit tim me atë të vendasve. Këtë e kam bërë, jo vetëm në Malësi të Madhe, po edhe gjetkë, në Shqipërinë e Jugut, në Kosovë, në Mal të Zi dhe, madje, edhe te arbëreshët e Italisë. Në Kosovë, për të qenë sa më i atillë që të mos ndruhen prej pyetjeve të mia, edhe emrin e ndërroja. Atje u thosha se quhem Xhemajl, kurse te arbëreshët e Italisë natyrshëm unë quhesha Xhovan ose Xhuanin. Por, si i thonë fjalës, le t’i lëmë “mahitë” dhe po i përgjigjem pyetjes suaj.
Në vitet 1958-1962 ndoqa dhe kreva Shkollën e Mesme Pedagogjike të Shkodrës dhe ajo periudhë ka qenë fatlume për mua, sepse shumica e mësuesve tanë ishin aq cilësorë në mësimdhënie, si dhe aq të përgatitur teorikisht e shkencërisht, saqë edhe na përudhën në dëshirën për dije e, në mos tjetër, na dhanë modelin se si duhej të gjakonim të bëheshim. Kishim asokohe mësues të gjuhës e të letërsisë si Neki Lezha, Luigj Franja, Shefik Osmani, Fadil Podgorica, Safet Hoxha, Tomor Osmani etj., të cilët, kur u hap Instituti i Lartë Pedagogjik (sot Universiteti) i Shkodrës, do të ishin nga më të parët pedagogë të tij. Pra, sigurisht, dëshira që të bëhesha, nuk po them gjuhëtar, por së paku mësues i gjuhës e i letërsisë shqipe, më është zgjuar qysh në shkollën e mesme. Kjo dëshirë do të shkonte më tej, kur pata, përsëri, fatin e mirë të fitoja bursë shteti për Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, dega e gjuhës dhe e letërsisë (1962-1966). Në ato vite aty jepnin mësim figurat më të dallura të gjuhësisë shqiptare, si Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Selman Riza, Anastas Dodi etj. si dhe kishim, gjithashtu, pedagogë të lavdishëm të letërsisë botërore e shqiptare, si Zijaudin Kodra, Mark Gurakuqi, Muzafer Xhaxhiu, Nexhip Gami, Nasho Jorgaqi etj. Kishim pedagogë të latinishtes e të gjermanishtes që ishin figura të mirënjohura të filologjisë shqiptare, si Henrik Lacaj në latinisht, Pashko Geci në gjermanisht, Shpresa Kseno në rusisht etj. Prej tyre morëm jo vetëm dije të vlefshme, po edhe modelin e bukur të mësimdhënësve sa të zotë e të përkushtuar, aq edhe objektivë e të drejtë. Sidomos të drejtë e të paanshëm. Prej asaj cilësie të tyre, natyrisht, kam pasur edhe unë fatin e lumtur që të vlerësohesha e të cilësohesha si student me prirje për t’u marrë me studime gjuhësore. Dhe, po përmend vetëm një fakt të paharrueshëm e që më ka mbetur për gjithë jetën si peng nderimi e mirënjohjeje. Kur mbrojta diplomën me temën “Vëzhgime për të folmen e Kastratit”, megjithëse nuk ishte oponent zyrtar, për temën time foli edhe prof. E.Çabej, idhulli ynë i atëhershëm dhe i përhershëm, i cili, ndër të tjera, tha se për rastin tim duhej të mendohej që të kisha edhe një vend pune në fushën e dialektologjisë. Ajo fjalë e mirë, ndonëse në fillim do të emërohesha në Breg të Matës si mësues, pa shkuar shumë kohë, në vitin 1967 do të realizohej dhe unë fillova punën si dialektolog. Për 10 vjet radhazi, kam pasur gëzimin e nderin të isha në një zyrë me Eqrem Çabejn. Ato dhjetë vjet në atë zyrë, ku punonin edhe disa kolegë të tjerë, unë i quaj si shkolla ime e vërtetë pasuniversitare. Mbi të gjitha aty kishte disiplinë pune dhe kjo për hir të pranisë dhe metodës së punës që na impononte pikërisht prania aty e një figure kaq të madhe e kaq serioze si Ai. Më ka dashur dhe më ka afruar shumë, gjithmonë me stilin e tij gjermanik, pa lejuar asnjë konfidencë të tepërt, por kurdoherë me dashamirësi e gatishmëri për të na ndihmuar. I jam gjithmonë mirënjohës atij dhe kolegëve të tjerë më të moshuar, më të rëndësishëm se ne, por që na mbajtën pranë dhe prej modelit të tyre edhe ne ecëm përpara. Në Institutin tonë të Gjuhësisë e të Historisë në ato vite ka pasur burra të shquar (e që rrallë mund t’i përsëriten kombit tonë), si Aleks Buda, Stefanaq Pollo, Injac Zamputi, Stavri Naci etj. prej të cilëve edhe pse ishin historianë e në sektorë të ndarë prej nesh, dëgjonim sidomos diskutmet në mbledhjet e mëdha të analizës vjetore, kumtimet dhe raportet e punës që na gdhendeshin në tru si modele gojëtarie e ligjërimesh panagjerike. Kur diskutonte prof. Aleks Buda na dukej sikur fjalët i kishte të shkruara në pentagram dhe i këngëzonte në atë mënyrë që na linte me gojë hapur. Aty kemi pasur edhe një brez kolegësh më të rinjë se të lartpërmendurit, por që dinin shumë gjuhë të huaja dhe ne më të rinjtë përfitonim prej tyre dhe flisnim ndonjëherë edhe për t’u ushtruar në frëngjisht, në italisht, gjermanisht etj. Kjo ndodhte sidomos kur dilnim për të pirë kafe, aty nga ora dhjetë e mëngjesit dhe, në oborr e deri te bufeja ku pinim kafen, diku te Toena e sotme, dalloheshin disa grupe dijetarësh: grupi i gjuhëtarëve dhe historianëve; grupi i përkthyesve të Shtëpisë Botuese “N.Frashëri”, ku shquheshin sidomos Jusuf Vrioni e Zef Simoni; grupi i studiueve të psikologjisë e pedagogjisë, ku danin në shenj sidomos Hamit Beqja, Nuri Çaushi e Shefik Osmani. Ndonjëherë edhe përziheshim duke pritur radhën për kafe dhe shkëmbenim ndonjë “batutë”. Njëherë ishim me Ferdinand Lekën dhe takuam një prej miqve të tij përkthyes, poliglot, i cili i tha latinisht: “Multa tempus eripit mihi linguae stranierae studendi” (Më duhet shumë kohë për të nxënë gjuhë të huaja). E mbaj mend edhe mbas kaq shumë vitesh. Kam shumë përmallim për atë kohë.
3. Pyetje: -Në vitet 1966 -1967 ju emëruan mësues në fshatin Rrilë të Lezhës. Çfarë kujtimesh keni për mësuesinë e atyre viteve?
Përgjigje: -Diku në shënimet e mia kam edhe një sasi faqesh të shkruara me dorë, kur nuk kisha kompjuter, me titullin “Kujtimet e Bregut të Matës”. Gati i kisha harruar dhe do t’i gjej, mbase, ndonjëherë, kur të lirohem nga disa punë e projekte që ende i kam për t’i kryer, do t’i marr në dorë, por mbaj mend se ai vit shkollor në Shënkoll të Bregut të Matës, ndonëse nuk e kisha menduar se do të caktohesha aty, sepse edhe ëndërroja e shpresoja për “më lart”, në mos tjetër në një shkollë të mesme, p.sh.në Koplikun tim, e jo në një shkollë tetëvjeçare dhe aq larg, kur nëpër gjimnaze, qoftë në Shkodër, qoftë edhe në qytetin e Lezhës, kishte ende arsimtarë pa shkollë të lartë katërvjeçare. Por, si i thonë fjalës, shpejt ai vend dhe banorët e tij të mirë më bënë për vete. Më kanë dashur, më kanë pritur e më kanë dhënë materiale të vlefshme dialektore dhe onomatike. Mbi atë bazë, brenda atij viti shkollor, hartova edhe një studim të gjerë për të folmen e Bregut të Matës dhe e botova, së pari, të përmbledhur në almanakun “Lissus”, nr.1,1968, që e nxirte rrethi shkencor i arsimtarëve të Lezhës, pasatj e kam botuar më të gjerë në “Studime fililogjike”.
Kam qëndruar vetëm nëntë muaj si mësues atje, por ish-nnxënësit e mi të atij viti më kanë kujtuar e më kujtojnë shpesh.Disa edhe kanë ardhur ndonjëherë në Tiranë, si Pjetr Mili, Kol Gjeto Leka, Pjetër Vata etj. Në atë brez miqsh hyn edhe gazetari i shquar Fran Gjoka, i cili pikërisht sepse është nga ajo zonë, jo vetëm nuk i kam thënë “jo” për intervistat që i kam dhënë, po edhe e vlerësoj se përfaqëson cilësitë më të vyera të malësorëve të Lezhës. Ishulli i Lezhës, gjithashtu, më kujton ditët kur mblidhja lënë për studimin tim të cituar dhe aty,një nga mësuesit,Ndue Lala, edhe pse ishte me origjinë nga Mirdita, më ka shoqëruar dhe më ka gjetur informatorë shumë të mirë. Prej tij, gjithashtu, kam shënuar toponimin Divel, të anëve të Velës së Vendit në Mirditë dhe unë, pastaj, e kam shtënë në punë për të përqasur me toponimin e hershëm ilir Dimali, që e ka shpjeguar E.Çabej si “dy+male”. Kam gjetur, pastaj, edhe motërzimin Dimele (dy male) në Çamëri dhe i kam shqyrtuar gjerë të sythi toponimet e shqipes të fortmuara nga numërorë.
4. Pyetje: -Krahas ushtrimit të mësuesisë kini dalë me monografinë e parë studimore “Të folmet e Bregut të Matës”. Si është pritur studim i parë juaji?
Përgjigje: -Kur u emërova si punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë, në shtator të vitit 1997, ndonëse kisha vetëm një vit punë mbas diplomimit, në krahasim me kOlegët që filluam punën njëherësh, unë kisha përparësinë se kisha botuar në “Studime filologjike” monografinë për të folmen e Kastratit (në dy numra, 2 dhe 3,1967) dhe ato ditë sapo kishte dalë nga shtypi. Po kisha botuar në “Lissus” shkurtoren e monografisë për të folmet e Bregut të Matës,të Ishullit të Lezhës e të Shëngjinit. Gjithashtu, isha miratuar edhe si kumtues në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike, që do të mbahej në janar të viti 1968, kushtuar 500-vjetorit të Gj. Kastriotit-Skënderbeut dhe, ashtu “fringo” i ri në pamje, përballë kolegëve të Institutit ku fillova punën, përveç nishanit në ballë që ma ka falë Zoti, kisha tashmë edhe dallimin se kisha botuar disa punime. Kjo natyrisht edhe më trimëronte e më bënte të punoja sa më shumë që të mos e prishja atë fillim. Dhe, sikundër thotë fjala popullore “fillimi i mirë është gjysma e punës”. E fillova mirë dhe, me modestinë e nevojshme, mund të them se kjo hulli e nisur në Breg të Matës do të më dilte për mbarë. Shumë nga fjalët e mbledhura e të botuara në studimet e mia filluan të citoheshin edhe nga E.Çabej në studimet etimologjike,ndërsa monografinë për të folmen e Kastratit, prof.Gjinari ua rekomandoi si model pune studentëve të degës së gjuhës, që do të merrnin tema diplome nga dialektologjia.
5. Pyetje: -Për kulturë të lexuesit, mund të na thoni përse dialekti toskë u zgjodh bazë për gjuhën zyrtare, atë standarde? Mendoni se është i nevojshëm ristandardizimi i gjuhës shqipe?
Përgjigje: -Ideja ime e hershme dhe e sotme mbetet se kahu me i mbarë i përbashkimit dhe i njësimit gjuhësor të shqiptarëve ka qenë dhe mbetet ai që niset prej dialektit dhe shkon te gjuha e njësuar, duke qenë ato, kurdoherë, si uji në enët komunikuese.Ajo që vjen prej dialekteve, edhe kur sjell ndonjë turbullim të pjesshëm, e pasuron gjuhën, kurse ajo që vjen prej standardit dhe përhapet në nënstandardet e deri te të folmet popullore, pa dyshim, e kthjellon dhe e zhdërvjelltëson shprehjen dhe fuqinë realizuese të kumtimit mbarëshqiptar. Madje, sikundër ka shtjelluar me kompetencë të lëvdueshme Mikele Familjeti (Famiglieti) për diasporën arbëreshe të Italisë, edhe në raste të gjuhëve në kontakt e të diasporave, rruga më e drejtë është nga pikëpikëpamja psiko-pedagogjike dhe formative, ecuria që shkon: nga dialekti te gjuha e përbashkët, pra edhe nga “gjuha e zemrës” te “gjuha e bukës”, aq sa (ku dhe kur) është e mundshme. Standardi, sigurisht, duhet kuptuar si synimi më i lartë, si pika më e përtejme e mbërritjes, kurse e folmja a idiolekti i individit, bashkë më sociolektin përkatës të njësisë a qelizës më të vogël: mjedisit familjar, farefisnor dhe dalëngadalë krahinor a vendor, është kurdoherë vetëm pikënisja. Sipas fazave e stadeve zhvillimore moshore e në përputhje me faktorët jashtëgjuhësorë (arsimorë, kulturorë, mendësiorë etj.) të gjithë sa janë, përderisa e quajnë veten shqiptarë dhe gjuhën e tyre shqipe, do të shfaqin edhe prirjet e veta e do të marrin kahun e përparuar, largvajtës që do t’i shpjerë drejt standardit ose, përkundrazi, do t’i mbajë të mbërthyer në një tjetër tip ligjërimor, ku lakmia për standardizim mund të jetë më e pakët ose edhe e aspaktë.
Ka pasur, ka e do të ketë njerëz që, gjatë gjithë jetës së tyre, p.sh. si bujq a blegtorë pa shkollë ose me shumë pak shkollë, pa lidhje e përfshirje në parti e në lëvizje politike a shoqata të ndryshme, të dhënë e të mbyllur kryesisht pas punës së vet, të cilët jo vetëm që nuk e lakmojnë standardin subjektivisht e vullnetarisht, por edhe mund të shfaqin mospëlqim të hapur ndaj tij e, për pasojë, ata do të na shfaqen gati gjithmonë si dialektalë, me ligjërim të prekur pak ose aspak nga zhvillimet e vetëdijshme e me vetëdashje, por ata do të kenë marrë aq sa merret kudo e kurdoherë në mënyrë të pavetëdijshme e të pavullnetshme. Gjithashtu, ka pasur, ka e (kushedi) ndoshta do të ketë edhe më tej, njerëz që, me dashje, me vetëdije të plotë, dalin në të kundërtën e rrjedhës zhvillimore të kahut normativues e standardizues, duke e quajtur dialektin e vet si “gjuhë” tjetër nga varianti standard, sikundër jemi mësuar tashmë ta dëgjojmë si rrufe në qiell të kthjellët nga ndonjë analist e gazetar në hapësirat shqiptare kompakte ballkanike, si dhe në diasporë. Nuk ka munguar, gjithashtu, edhe një zogori pseudogjuhëtarësh e “specialistësh për gjithçka”, të cilët, kryesisht për arsye protagonizmi e me mëtime të dukshme turbulluese e punëprishëse i hakërrohen standardit e procesit përbashkues e përnjësues shpirtëror e kulturor të shqiptarëve, duke shitur si të reja, çfarëdo mendimesh a qëndrimesh separatiste e tribaliste që janë tejkaluar e duhet të mbetën të mbyllura në periferitë e së shkuarës së errët e të pamirë të kulturës shqiptare. Hapja e tyre, qoftë edhe për arsye “historiati”, nuk i ka sjellë e nuk do t’i sillte asgjë të mirë as gjuhës shqipe, as kulturës shqiptare. Bashkohem plotësisht me vlerësimin dhe konceptimin e shëndetshëm dhe fatmirësisht mbizotërues ndër dijetarët më të autoritetshëm të letrave shqipe, se “qëndrimet e tilla, deshëm s’deshëm ta pranojmë, na ballafaqojnë me një alternativë prapakthyese politike dhe kombëtare”.
Kam shkruar vetëm, por edhe me bashakuatorë. Kam pasur nderin, në krye të herës, të isha autor i dytë në disa studime të përbashkëta me figura të dalluara të gjuhësisë shqiptare, si me Mahir Domin, Androkli Kostallarin, Jorgji Gjinarin dhe me studiuesin arbëresh Karmell Kandreva; më vonë, do të isha unë autor i parë dhe në bashkëpunim me kolegë e miq të nderuar, si me prof. Ali Jasharin nga Universiteti i Korçës “F.Noli”, me të cilin kemi botuar librin “Anketime dhe pyetësorë gjuhësorë”, me prof. Tefë Topallin nga Universiteti i Shkodrës etj. Kam shkruar shumë parathënie librash studimorë e letrarë, kam ideuar shumë tema diplome, masteri dhe doktorature, kam drejtuar shumë studentë që janë diplomuar e graduar dhe kam kënaqësinë se dy a tri prej fushave të mia, si dialektologjia, sociolinguistika, etnografia e të folurit dhe onomastika janë tashmë në duart e ish-doktorantëve të mi, disa prej të cilëve drejtojnë edhe departamentet e sektorët shkencorë përkatës në disa prej universiteteve tona publike e private. Po përmend vetëm njërin prej tyre, prof. dr. Basil Schader, nga Zvicra, i cili, në vitin 2004 ka mbrojur në Universitetin tonë të Tiranës doktoraturën me temë “Shqyrtime gjuhësore rreth kontaktit mes shqipes dhe gjermanishtes në Zvicër” (473 faqe) dhe që, për krenarinë tonë të ligjshme, është nga të paktat raste (në mos i vetmi) që një profesor i shquar nga Evropa mbron doktoraturën në Shqipëri, i udhëhequr nga një profesor shqiptar dhe duke merituar vlerësimin më të lartë të Jurisë. Me një fjalë, vitet kalojnë…, po plakem, por i realizuar dhe i kënaqur. Kam mjaft punë ende të papërfundura, do të dëshiroja të mos i lë pa kryer, por “thesi i kohës” është ai që e ka mbushur Zoti. Po përdor edhe në këtë rast një titull metaforik të një poeti arbëresh: “Ngë kemi nge të desim!”
Fshati, ku keni punuar, brezat e asaj kohe, të çfarëdo rangu, ju ruajnë në kujtesë. Çfarë do të veçonit nga fillimet tuaja si mësues, diçka për lidhjen me Lezhën dhe përse mendoni se jeni kaq i dashur në Lezhë dhe Qarkun e saj?
Në Shënkoll të Bregut të Matës qëndrova pak, disa muaj, por prej asaj kohe e deri më sot, lidhjet me Lezhën kanë qenë shumë të ngushta,qoftë në planin shkencor, qoftë edhe në aspektin jetësor e njerëzor, sidomos miqësor. Në atë shkollë kam pasur edhe kolegë pune të mirë, gati të gjithë me përvojë si arsimtarë,disa kishin edhe shumë vite që punonin aty, si Mentor Çela, Hysen Karagjozi, Qani Cani, disa ishin edhe vendas si Gjok Preçi e Gergj Cungu dhe, meqë e njihnin mirë zonën më ndihmonin edhe për t’i gjetur pleqtë që më duheshin për të mbledhur fjalë e shrehje prej tyre. Shpesh vinin edhe me mua dhe, madje, edhe po të harroja unë, ata ma kujtonin e më thoshin: “’A do shkojmë sonte dikund të mbledhim folklor?” Për ata ishte edhe rast për ta pirë ndonjë gotë raki e për të shtyrë kohën, por un ua di për nder dhe i kujtoj me mall ato ditë e net që kemi kaluar së bashku, duke gëzuar edhe mikpritjen proverbiale të malësorëve të Bregut të Matës. Atje kam njohur disa burra që flisnin aq bukur dhe që më kujtohen edhe sot pikërisht për zërin, intonacionin dhe diksionin madhështor të tyre,si p.sh. Lukë Mikeli, Ndue Lulashi, Gjon Nikoll Sokoli, Vuksan Toma, Gjek Hoti, Breshko Cubi, Selim Dembacaj etj. Fati i mirë ishte se, megjithëse isha larg nga shtëpia dhe mbetesha gati gjithë kohën edhe të shtunave e të dielave në fshat, kurse të tjerët shkonin në fundjavë në shtëpitë e tyre në Lezhë ose edhe në Shkodër, përsëri nuk isha vetëm. Kam pasur disa shokë e miq të dashur, që ishin vendas dhe me ftonin e më shoqëronin, si Gjok Preçi e Rexhep Dembacaj, të cilët i kisha pasur shokë qysh në shkollën e mesme, pastaj edhe të tjerë. Më shpesh,sidomos të dielave mbetesha me Sulejman Balën, mjek veteriner që e kishte për zemër letërsinë dhe kishte edhe talent për të shkruar.Nuk e kam parë kurrëmë Sulën, por e di se ka botuar edhe nja dy a tre libra. Afër shkollës e kishte shtëpinë edhe një burrë i vjetër, i cili kishte qenë i internuar në Gjermani dhe dinte pak gjermanisht. Sa herë kalonte nga shkolla flisnim nga pak gjermanisht. I pëlqente kur e thërrisja nga larg “Wie gehn es Sie, Herr Rroku?”. Mbas studimit të përmendur për të folmen e Bregut të Matës,të Ishullit të Lezhës e të Ishullit të Shëngjinit, Lezha do të më jepte edhe materialin për studimin e doktoraturës dhe shumë artikuj që i kam botuar në vite, si dhe kam kryer disa ekspedita për “Atlasin dialektologjik”, pikërisht në pika të zonës së Lezhës, si në Blinisht e Gjadër të Zadrimës, si dhe kam marrë pjesë shumë shpesh në sesione shkencore albanologjike të organizuara në qytetin e Lezhës, në Breg të Matës etj. Për këto lidhje kanë ndihmuar edhe miqësitë e mia të vjetra e të reja me lezhjanë të dalluar edhe si figura të arsimit e të kulturës, si psh. Mark Vuji, Drejtori i lavdishëm i Gjimnazit të Lezhës, të cilin e kisha njohur dhe e nderoja qysh kur ka qenë Drejtor i Shkollës së Koplikut, Dr. Marash Ndoka, funksionar e drejtues me rëndësi dhe njeri me emër të mirë në Lezhë, me të cilin ishim njohur qysh në universitet, ashtu si edhe me Rexhep Dembacajn e mjaft të tjerë. Nuk mund të lë pa përmendur edhe disa prej drejtuesve të Seksionit të Arsimit të asj kohe, si Eshref Rama, Rexh Lohja, Loro Gjeçi. Hera e mbarë e ka prurë që, edhe gjatë verës për pushime, disa vite kam shkuar pikërisht në Shëngjin, ku, atmosfera miqësore dhe kujtimet e rinisë më tërheqin më shumë. Dhe për ta mbyllur, Bajza e Kastratit, vendlindja ime, i përket Shkodrës, por ardhjet më të shpesha dhe një pjesë të mirë të zemrës sime i kam të lidhura me Lezhën. Aty e ndiej vetën se të gjithë më njohin, po edhe më duan,që nga telekronisti i talentuar Rrok Lelçaj, që mezi pret të më fusë në okularin e kameras së tij, te shkrimtarë e poetë që m’i dhurojnë librat me autograf dhe që, sinqerisht, më vjen keq se nuk kam ngenë e nevojshme që t’ua lexoja e të shkruaja edhe vlerësime e recensione për të gjithë ata. E kam bërë për disa, por zemra ma do të bëj më shumë.
Pas një pune si mësues fshati u emëruat me punë në Tiranë? Si ndodhi kjo lëvizje dhe përse?
Në vitet kur u diplomova dhe fillova punë unë, ishin dy lëvizje të mëdha masive, që ua rënqethnin mishtë të gjithë intelektualëve. E para ishte koha e të famshmit “qarkullimi i kuadrit”, që do të thoshte vajtja nga Tirana e qytetet e mëdha në fshatra e zona të thella. Pra, kjo shihej si “shpëtimi” nga burokratizimi i kuadrove dhe duhej bërë “freskimi” i tyre. Disa punonjës shkencorë të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë i kishin qarkulluar dhe punonin si mësues.P.sh.në Lezhë ishin dërguar historianët Zija Shkodra e Selami Pulaha. Të tjerë i kishin dërguar në Shkodër e në rrethe të tjera. Krahas kësaj lëvizjeje, po në ato vite, ishte edhe nisma (atëherë quhej “inisiativa”) e arsimtarëve të Mirditës e të Kolonjës për të mbledhur folklorin e fjalët e rralla nga goja e popullit dhe për të qenë të gatshëm për të punuar në skajet më të largëta. Pra, rreziku ishte që të mbetesha për shumë kohë (ose edhe përgjithmonë) si mësues në rrethin e Lezhës. Por, për fatin tim të mirë, ndërkaq, Sektori i gramatikës dhe i dialektoogjisë, kishte ideuar e miratuar projektin e punës për “Atlasin Dialektologjik të Gjuhës Shqipe” emërtesë rëndësisë kombëtare dhe për atë vepër, duheshin specialistë jo vetëm të përgatitur e të zotët profesionalisht, po edhe të rinj në moshë që të përballonin edhe mundimin fizik të udhëtimeve në zonat e largëta për anketimet e nevojshme. Kështu pra, më tërhoqën atje dhe unë duhet ta them edhe me krenari të ligjshme, u mora për Atlasin, u rrita bashkë me atë vepër, punova në të gjitha proceset e punës për të, qysh nga hartimi i Parimeve teorike te Pyetësori i potë, te Pyetësori i terrenit, si dhe në anketimet e deri në hartografimin e punët redaktoriale përfundimtare. Asgjë tjetër po të mos kishim bërë, ajo vepër e përligj mundimin dhe kujdesin shumëvjeçar që i kemi kushtuar.
Bashkërisht kemi një njohje të gjatë, më shumë se 40 vjet. Njohjet me miqtë dhe shokët e vjetër i sillni ndërmend, i ruani në kujtesë? Çfarë provoni emocionalisht rreth këtyre njohjeve dhe bashkëpunimeve?
I nderuar dhe i dashur Fran, po ju përgjigjem me fjalën e urtë që thotë: “Miqtë e vjetër mos i harro, se shokë të rinj mund të gjesh kurdo.” Kam nderim për punën që ke bërë e vazhdon të bësh, më ka shkuar mendja dhe nuk e lë pa shkruar një artikull bukur të gjatë për vlerat e gazetarisë dhe të shkrimtarisë sate, sidomos për zotërimin aq të sigurtë të shqipes standarde dhe të mjeshtërisë sa të bukur, aq edhe të vështirë të publicistit me rreze të gjerë veprimi e tematike. Je një ish-pedagogjikas shumë i mirë dhe sa herë lexoj shkrimet e tua, më kujtohet edhe kënga jonë e dikurshme, që këndonim në rresht,duke shkuar nga Konvikti “Safet Spahiu” në Shkollën tonë: “Pedagogjikas emrin e kemi, mësuesit e ardhshëm të brezit të ri, në front të kulturës ushtarë na jemi…”. Ne këndonim të bëheshim “ushtarë”, por ti je bërë tashmë një “graduat” i lartë i gazetarisë. Revista “Mësuesi” e gazetat ku ti bashkëpunon, nderohen me “gjahun” që kap dhe me mënyrën se si i ndërton shkrimet dhe reportazhet. Të them me plot gojën “të lumtë” dhe jam i bindur se gazetaria e vërtetë bëhet nga ata që e vlerësojnë seriozisht dhe që maten shtatë herë para se ta lëshojnë fjalën në letër. Lezha e ka në traditën e vet të nxjerrë njerëz të letrave, qysh nga Frang Bardhi e bardhasorët e tjerë, te Gjergj Fishta e Ndre Mjeda, po edhe penat e sotme janë gjithmonë në shtim. Ka aty emra tashmë të mirënjohur, si Dr. Tonin Çobani, Remzi Lani, Gjovalin Gjeloshi, Ndue Dragusha, Gjergj Shyti etj.
Nga librat e shumtë të botuar, cilët janë disa nga ata që keni me shumë zemër dhe pse?
Disa prej librave të mi janë edhe libra studimorë, po edhe fusha të reja pune, sepse trajtojnë probleme pak ose aspak të njohura më parë në studimet shqiptare dhe, natyrisht, ata mendoj se janë edhe “maja” e prurjeve të mia si studiues. Të tillë janë “Onomastikë dhe etnolingistikë” (Shblu, 2001), “Etnografi e të folurit të shqipes” (SHBLU, 2004, 2009), “Si të shkruajmë shqip-Baza të shkrimit akademik” (2008, 2012 dhe botimi i tretë më disa shtesa e tëhollime,Tiranë, 2013). Jehonë e pritje shumë të mirë nga kolegët dhe dashamirët ka pasur edhe libri i fundit “Dialektet e shqipes” (Sipas hartave të ADGJSH-së), Tiranë, 2012.
Ndonëse vitet bëjnë të tyren dhe ju, sapo i keni mbushur të 70 vjetët, në rrethet tona shoqërore e miqësore, kur përmendet emri juaj, themi mes njëri-tjetrit se prof. Gjovalini vazhdon të punojë si një 40-vjeçar. Ku mendoni se qëndron sekreti i energjive tuaja?
Kam qenë dhe mbetem ndjekës i një ideje të thjeshtë, por të vlefshme: jeta do marrë ashtu si të vjen, por duhet ditur se ajo të jepet vetëm një herë. Qysh kur kam qenë student në universitet, më është rrënjosur në mendje fjala e urtë gjermane “Arbeit macht das Leben sus” (Puna ta bën jetën të ëmbël). Po ashtu, qysh kur isha student, mbaja të shkruar te kreu i shtratit një strofë të famshme nga “Ferri” i Dante Aligierit, që thotë: “Nuk fitohet gja duke ndejtë mbështetë / përmbi nënkrejca edhe në pupla të lehta / deri më sot askush lavdi nuk ka gjetë / E po s’le nam të mirë mbi dhe / çka të duhet jeta? / Zhduket si reja në tym, si shkuma në valë / Ai që pa lanë një gjurmë çoi ditët e veta.”
Jeni gjithnjë zemërgjerë dhe buzagaz. Ky është konstatim jo vetëm individual, por thuajse i shumicës së atyre që ju njohin. Zemëroheni ndonjëherë?
Kam pasur fëmini të bukur, me pak lodra të blera, sepse edhe nuk kishte asokohe të tilla si sot, por kemi pasur lojëra të traditës, luanim me mjete rrethanore, ato të ditura si “shkop e cingël”, “shkop e dojkë” ose “shkop e dokërr”, që në fakt është si një lloj golfi, “bajrak” dhe sidomos lojëra atletike, si: kërcime “trehapsh”, “njëhapsh”, “kala dibrançe”, “biz” ose “luaj e mos u nxej” etj. Me ato jemi rritur. Por ajo që më pëlqen ta theksoj dhe që, ndoshta, ka ndikuar edhe në temperamentin e karakterin tim, është se kam qenë fëmijë i pritur me shumë dashuri, si nga prindët, ashtu edhe nga krejt farefisi, madje edhe nga fqinjët e lagjes sonë. Ndoshta sepse në ato vite, fill mbas Luftës së Dytë Botërore, kishte shumë pak fëmijë dhe sidomos nuk kishte djem të moshës sime, asnjë për be në krejt lagjen tonë, prandaj mua më kishin të gjithë si “bir” apo si një vogëlush të të gjithëve dhe nga një shtëpi në tjetrën, nga një person te tjetri që takoja, vetëm më ledhatonin e më thoshin fjalëtë mira. Diku edhe në Sociolinguistikën time, kur flas për zbunimet e fjalët pwrkëdhelëse, kam përmendur, ndër të tjera, edhe sasinë e madhe të zbunimeve që kam pasur në fëmininë time. Zakonisht njerëzit kanë emrin e parë ose zyrtar dhe një emër të shkurtuar ose përkëdhelës, psh. Kolë për Nikollë, Lec për Kolec, Lin për Pavlin a Gjovalin, Dok për Ndokë dhe ky i fndit nga Ndue etj., mbase edhe ndonjë nofkë, por unë kisha gati prej secilit një zbunim të posaçëm. Im atë më thërriste Dovë, si shkurtim të Dovalin, që kam shqiptuar unë kur isha i vogël; motra e madhe, që ishte më e shëtitur, më thërriste “shkodrançe” Gjovi, kurse motra e vogël më thërriste Lin. Më gëzon fjala e mirë dhe cilwsimet bujare që bëjnë ndaj meje shokët e vjetër, ish-nxënësit dhe ish-studentët e mi, kolegët dhe dashamirët e shumtë. Shumë fjalë të mira më dërgojnë edhe nëpërmjet letrave, sidomos miqtë e largët, si: Basil Schader nga Zvicra, Nok Sinishtaj nga Lucerna e Zvicrës. Janë shkruar edhe recensione të shumta me fjalë vlerësuese për librat e vepritarinë time nga kolegë e miq të hapësirave shqiptare ballkanike, si nga prof. Remzi Nesini (Shkup), Agim Vinca (Prishtinë) dhe nga diaspora arbëreshe e Italisë dhe e Greqisë. Kohët e fundit marr edhe shumë vlerësime e fjalë miradie nga miqtë e facebook-ut, por unë, për sherr të kohës së kufizuar, rrallë e tek u përgjigjem. Por të gjithëve u blatoj nderimin dhe fjalët e mia mirëdashëse.
Universiteti Shtetëror i Tiranës ishte udhërrëfyesi i parë për të gjithë institutet e tjera shqiptare. Lutemi disa nga mbresat tuaja për mësimdhënien, por edhe për kolegët.
Në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës kam punuar plot 20 vjet, qysh nga maji i vitit 1991 deri në prill të vitit 2011, por edhe vazhdoj të jem si pedagog i jashtëm. Aty, krahas dialektologjisë që zhvillohej tradicionalisht qysh nga themelimi i degës së gjuhës shqipe, në përputhje me zhvillimet shkencore të kohës së sotme, ideuam dhe programuam një lëndë të re, sociolinguistikën. Kjo lëndë e re u prit mirë në rrethet universitare dhe u përfshi pa ngurrim edhe në planet e programet mësimore të universiteteve të tjera, duke ndjellë në këtë lëmë kërkimi edhe një numër pedagogësh të rinj, me të cilët jemi lidhur me një bashkëpunim e miqësi të fortë pikërisht për hir të vullnetit të mirë e mbështetjes pa ngurrim që treguan për sprovën tonë të parë për një doracak të sociolingustikës. Dua të përmend, me këtë rast, kolegët që e japin tashmë këtë lëndë në departamentet homologe: prof. as. dr. Artur Lamajn në Universitetin e Gjirokastrës, prof. dr. Ali Jashari e dr. Elona Biba në Universitetin e Korçës, prof. dr. Artan Haxhi e dr. Merita Hysi në Universitetin e Shkodrës, dr. Albert Riska e dr. Meleq Shopi në Universitetin e Elbasanit, prof. dr. Nexhip Mërkuri e doc. dr. Migena Balla në Universitetin e Vlorës etj. Por, befasia dhe kënaqësia jonë më e madhe ka qenë dhe vijon të jetë dëshira e një numri gjithnjë në rritje e studiuesve të rinj për të ndërmarrë tema nga kjo fushë e re studimesh.
Për 50 vjet ju u morët me studimin e arbëreshëve të Italisë, pa lënë mënjanë studimet tuaja në fushën e historisë e gjuhësisë shqiptare. Cila është vepra juaj studimore për arbwreshët dhe ku qëndron vlera dhe dobia e saj shkencore?
Sa mirë që i keni numëruar. Po, qysh nga viti 1963, kur kam kryer një temë vjetore me titull “Poezia arbëreshe e shek.XVIII”, me udhëheqës arbëreshologun e njohur asokohe, doc. Zijaudin Kodra, vit pas viti studimi i të folmeve arbëreshe, po edhe i traditave, kulturës dhe folklorit e letërsisë së asaj diapore historike, më ka tërhequr shumë dhe ka qenë gjithmonë edhe punë, edhe hobi e ëndje e pashuar.
Në vitin 1973 pata rastin të shkoja në një ekspeditë njëmujore në katundet arbëreshe dhe përshtypjet e atij takimi të parë të gjallë me botën arbëreshe ishin të jashtëzakonshme. Fill mbas kthimit botuam në gazetën “Drita” reportazh të gjatë me disa vijime me titullin “Gjaku ynë i shprishur” si dhe një varg emisionesh në Radio-Tirana, ku flisja për gjuhën dhe jetën e sotme të arbëreshevë, shoqëruar edhe me disa incizime këngësh nga këngëtarë popullorë arbëreshë. Më vonë botova librin shkencor-popullarizues “Shpirti i Arbërit rron” (Shënime dhe të dhëna për arbëreshwt e Italisë), 1984, i cili u prit mirë nga mjediest shkencore dhe lexuesit. Shkruan recensione përgëzuese për atë libër akademiku Dh. S. Shuteriqi, poeti arbëresh Vorea Ujko, Francesko Altimari, Zef Skiro i Majit etj. Më vonë kam shkuar edhe shumë herë te arbëreshet, kam kryer atje anketime për Atlasin Dialektlogjik të gjuhës shqipe, po edhe kam studiuar disa prej të folmeve, si të Shën-Marcanit, të Marceduzës etj. dhe librin “Ligjërimet arbëreshe” (2006), ku kam përmbledhur një pjesë të mirë të studimeve dialektologjike dhe sociolinguistike për të folmet arbëreshe. Kam botuar edhe disa përmbledhje me poezi të poetëve të sotëm arbëreshë, si Karmell Kandreva, Agostino Giordano (Buzëdhelpri), Lluka Perrone dhe, sidomos, ”Satirat” e F. A. Santorit, tejshkruar dhe pajisur me hyrje e shënime bashkë me prof. Karmell Kandrevën. Pasioni për studimin e të folmeve arbëreshe ka qenë aq i madh saqë, sa herë takohesha e takohem me arbëreshw, “fjasmi arbëresh” dhe kënaqësia ime ka qenë e madhe, kur, disa herë, nuk arrinin të më dallonin se nuk isha arbëresh. Kam edhe shumë miq atje, në Kalabri, në Bazilikatë e në Siçili, por disa prej tyre edhe nuk rrojnë më, si prof. papas Solano, themelues i katedrës së shqipes në Universitetin e Kozencës, papas G. Farako, që drejtonte revistën “Zjarri”. Herën ë mbrame kam qëndruar dy vjet si profesor i ftuar në Universitetin e Kozencës dhe kjo, si të thuash, ishte edhe mbyllja e hulumtimeve dhe takimeve për studimin e së folmes. Më mbetet vetëm t’i vë në letwr e t’i botoj të gjitha ato që kam shkruar, por janë shumë shumw faqe. Duhen edhe mjete të shumta financiare për t’i botuar, por ndoshta do të detyrohem t’i botoj “on-line”. Në këtë kolanë të re të librarisë sime, sapo kam ribotuar librin “Shpirit i Arbërit rron”, i cili ka pasur disa mijëra klikime dhe shumw krkesa për ta blerë.
Ju jeni shprehur se “Normëshkelësit të përgjigjen për dëmin që i sjellin shqipes…”. Nëse mund të na thoni, përse vazhdon ende normëshkelja dhe çfarë masash duhet të merren për ta ndërprerë dhe për ta futur gjuhën në rrjedhat e saj normale?
Kur nuk zotërohen ashtu si duhet veçoritë e ligjërimit, kur fjala nuk e ka vendin aty ku e përdorim, ndodh afërsisht si me gurin që mund ta vërë në mur kushdo, por ai qëndron dhe vlen për ngrehinën vetëm kur ai që e vë është mjeshtër i murit. Të gjithë kanë mundësi të mbledhin gurë, tulla e llaç, por jo të gjithë dinë të bëjnë mur, jo të gjithë janë në gjendje të ngrenë vepra banimi ose arti si mjeshtrat e ndërtimit. Kështu qëndron puna edhe me gjuhën: të gjithë flasim dhe shkruajmë, të gjithë mund të blejmë e të lexojmë gramatika e fjalorë, por shkrimtarë, gazetarë, njërëz të penës nuk mund të bëhën të gjithë. Bëhen vetëm ata që i zotërojnë si duhet veçoritë e ligjërimit, që harmonizojnë natyrshëm dhuntitë e lindura të të folurit bukur, me punën e qëmtimin e nevojshëm të fjalëve në fjalorë, në letërsinë e shkruar e në gjuhën e të folur.
Është folur për një ligj që parashikon penalizime në median e shkruar e ato televizive që shkelin gjuhën standarde. Mund të na thoni diçka rreth këtij ligji?
Kultura e gjuhës në mediat e sotme ka pasur arritje, që kanë shkuar krahas me lirinë e shprehjes dhe me njohjen e profileve të secilës prej tyre, qoftë të shkruara (gazeta e revista), qoftë të folura (radio e televizione publike e private). Natyrisht, në këtë kah të ri të zhvillimit të mediave, si kudo në jetën shqiptare, ka pasur edhe rënie e ngjitje, ka pasur edhe mungesë kujdesi e përgjegjësie ndaj gjuhës shqipe, ka pasur (e nuk mund të mos kishte) edhe qëndrime të ndryshme, kritika e pohime kontestuese, herë me të drejtë, herë pa të drejtë, më shumë nga jospecialistë të gjuhës, po edhe më gjerë. Ka pasur edhe një farë “protagonizmi”, që nuk i shërben së mbarës, por ka pasur e ka edhe vërejtje e mendime me vlerë e mbi të cilat do ta rrudhin ballin gjuhëtarët shqiptarë. Në “duelin” me mediat e zhurmshme e fjalëshuma, poezia e ka humbur betejën. Njeriu modern, edhe ndër ne, si kudo në Evropë e më gjerë, ka tashmë ritmin e “skupit” mediatik. Qysh në pikë të mëngjesit, njeriu ndez radion ose televizorin dhe dëgjon lajmet. Del të pijë kafenë e mëngjesit para se të nisë punën dhe ngarkohet me një tufë gazetash, fjalët e të cilave i përpin më rrëmbimthi se hurbat e lëngut të kafesë. Aty lexon, psh.Konventa e PD-së. Konventa e PS-së. Konventa e LSI-së. E përse dreqin qenka fjala? Për mbledhje të mëdha të përfaqësuesve të partive përkatëse, për të cilat, qysh nga kohët e lashta, gjuha shqipe e ka huazuar fjalën kuvend (nga lat. conventum) dhe e ka kthyer sipas ligjeve fonetike të shqipes. Prej saj janë krijuar edhe folja kuvendoj ose kuves, emri prejfoljor kuvendim, mbiemrat kuvendbukur, kuvendëmbël, kuvendqar, -e etj. dhe qysh në kohën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, kishim edhe Kuvendi i Lezhës. Pastaj, krejt natyrshëm, edhe Kuvendi i Arbënit etj. E pse këta politikanët e sotëm nuk e paskan më për zemër fjalën kuvend? Po poezia? Ah, kjo mbretëreshë e fjalës artistike ka mbetur gati e harruar, si ato vashat e bukura, që u ka kaluar mosha e martesës. Për fat të keq, shumë pak njerëz lexojnë libra me poezi, paçka se ato mund të jenë edhe shumë të bukura. Edhe më të rrallë janë ata që blejnë ndonjë libër me vjersha. Bibliotekarwt thonë se edhe në raftat e bibliotekave publike “librat më pak të kërkuar janë ata të poetëve”.
Tekstet mësimore janë brenda gjuhës standarde?
Po, në tekste zbatohet shqipja standarde dhe kjo është gjë e mirë, porse në to përvidhen edhe jo pak gabime e lajthitje, sidomos shmangie nga normat dhe jo pak fjalë të huaja. I kam kritikuar edhe në një prej krerëve të librit tim “Si të shkruajmë shqip-Baza të shkrimit akademik”.
Kur të tjerët shkruajnë për ju, çfarë ndjeni dhe çfarë mendoni?
Malësorët thonë se punëtorit i duhen shëndoshur krahët. Mbas çdo pune tradita e do t’i paguhet haku dhe t’i thuhet një fjalë e mirë të përgëzohet për atë që ka kryer. Jam i gëzuar që veprat e mia nuk kanë shkuar pa u vënë re. Kanë shkruar recensione vlerësuese disa kolegë e studiues nga hapësirat shqiptare dhe diaspora. Librat dhe studimete mia citohen nga shumë studiues të rinj, që po merren me fushat e trajtuara prej meje dhe gwzohem që ata do t’i shpien edhe më tej piketat e vënë prej nesh.
Si angazhohet profesor Gjovalini në jetën familjare, sa vëmendje i kushton familjes?
Pyetje e rëndësishme kjo. Studiuesit e përkushtuar, si rregull, martohen vonë, ndonjëherë edhe nuk martohen, pikërisht për të pasur sa më shumë kohë në dispozicion. Kjo do të thotë se të merresh me punw shkencore është edhe sakrificë, je gjithmonë pa ngè për tjetër gjë, përveç punës. Por unë, megjithatë, jam martuar shpejt, jam bërë baba shpejt dhe kam pasur fatin që të krijojw njw familje që edhe më ka mirëkuptuar, po edhe më ka ndihmuar që, si i thonë fjalës, “mishi të piqet, por helli tw mos digjet”. Dikur, në Malësinë tonë, kam regjistruar një fjalë të urtë, që thotë: ”Burri, atë ditë që, martohet, o le o des”, që do të thotë se po të kesh fatin e të martohesh me njw grua të mirë, edhe problemet e vështirësitë e jetës mund t’i kalosh më lehtë. Pra, ashtu si shumë gjëra në jetë, edhe kjo është punë fati. Dhe unë mund ta quaj veten me shumë fat. Ime shoqe, Leonora, ka qenë mësuese letërsie dhe drejtoreshë gjimnazi, shumë vejt ka drejtuar Shkollën e mesme “I. Qemali” dhe kishte edhe ajo shumë ngarkesa pune e i duhej edhe asaj sa më shumë kohë për ta kryer punën si duhej. Por kemi ndihmuar njëri-tjetrin. Unë jam marrë edhe me kujdesin për djemtë, sidomos për shkollimin e argëtimin e tyre, kurse ajo ka mbajtur barrën më të rëndë: të gjitha punët e shtëpisw, gatimin e të tjera. Më vjen keq ta pranoj, por unë nuk kam ditur as nuk di të gatuaj, por edhe nuk më jepet për punë shtëpie. Kjo jo për paragjykim e punë “mustaqesh”, por thjeshtw nuk më vjen. Fati im ishte se ime shoqe jo vetëm gatuan mirë, por edhe i pëlqen të gatuajë. Megjithatë, për të qenë i sinqertë, lidhur me këtë pyetje, duhet të them edhe një fjalë tjetër. E ndiej se me fëmijët jam marrë më pak se do të kisha dashur, kurse jetën familjare e kam pasur shumë të programuar dhe ndoshta kjo më ka dhënë shumë mundësi që të shkruaj e të jem aq prodhimtar. Por kwto, në paça jetë e shëndet, do t’i tregoj gjatë në librin tim “Baba me kohë të pjesshme, gjysh me kohë të plotë”. Pra, jam marrë me fëmijët e mi, por kam dëshirë dhe jam gati çdo mbasdreke në dispozicion të mbesës sime të vogël, Martinës, që e kam në Shqipëri. Mw mungojnë shumë e shumë Tereza dhe Francesko, mbesa e nipi, që i kam në Amerikë dhe sivjet do të shkoj të qëndroj plot tre muaj me ta, që jo vetëm të çmallem, por edhe t’u gëzohem e të shoh se si po rriten e përparojnë. Tereza tashmë është 14 vjeç dhe shkruan vjersha, sigurisht në anglisht, por tematikat i ka shqiptare. Ka fituar edhe disa çmime për vjershat e shkruara dhe për aftësitë në gjuhë të huaja. Të gjithë i thonë se ajo i ngjan gjyshit. Por unë jam i bindur se ajo do të jetë më tej se unë, ajo është krenaria dhe plotësimi i atyre idealeve që unë dhe brezi im, së paku këtu, nuk mund as t’i ëndwrronim. Ne bwmë aq sa mundëm. Dhëntë Zoti të kemi lënë disa kahe pune e gjurmë jete me vlerë për brezat që vijnë.
Mendoni se brezi i ri i Shqipërisë po e vlerëson nevojën e një gjuhe standarde dhe të njësuar?
Mendoj se beteja e shqipes standarde, si bazë e mjet i njësimit dhe i përparimit të mëtejshëm të shkollimit dhe përparmit të brezit të ri të shqiptarëve është tashmë e fituar. Problemi është që ta forcojmë e ta institucionalizojmë kujdesin e shtetit e të institucioneve shtetërore e përgjithësisht publike ndaj gjuhës shqipe. Të rikthehet gjuha shqipe si lëndë mësimore elitare në të gjitha klasat e shkollës së mesme pubike e private dhe të ketë edhe stimuj moralë për nxënësit që dallohen e sidomos që shkwlqejnë në lëndën e gjuhës shqipe.
Cili është mesazhi që dëshironi t’u jepni nxënësve dhe studentëve tuaj në fushën e gjuhësisë? Po mësuesve?
Mesazhi im është i thjeshtë dhe i lehtë për t’u mbajtur mend: kemi një gjuhë shumë të bukur dhe të pasur, një nga më të hershmet, po edhe më origjinalet në Evropë. Ta duam dhe ta mbrojmë e ta vlerësojmë këtë mjet, që edhe na bashkon, edhe na jep mundësi të kemi gjithë larminë dhe hijeshinë e nevojshme ligjërimore. Le ta themi më mirë me fjalët e Naim gojëmjaltit, bilbilit të shqipes, i cili e quante “gjuhë Perëndie” dhe porosiste me përgjërim: “Shqip të flasim përherë, thjeshtw e të papërzier”.
Faleminderit!