Është më shumë se “ekzotike”, në kohën kur mediat janë përqëndruar më së shumti në metropol, në gjurmim të lajmit politik të përditshëm, dikush t’i rrëshqasë Tiranës dhe të vejë drejt periferisë. Në pamje të parë, Dom Gjergj Meta, nuk ka shkuar shumë larg, thjeshtë është bartur nga Argjipeshkvia e Tiranës dhe është vendosur si famullitar në Kamzë, mes një popullsie dinamike në zhvillim, me shumë banorë të atyshëm e rrethinave të tjera të Tiranës të ardhur këto njëzet vitet e fundit nga malësitë. Nuk janë, pra, vetëm ato pak kilometra përtej “Sheshit Skënderbej” që e kanë shtyrë drejt periferisë këtë intelektual të gjithangazhuar, por prirja e tij për të shërbyer një botë njerëzore që shpesh e anashkalojmë. Edhe libri i tij me publicistikë “Ditar periferie” këtë na dëshmon, që autori është i shqetësuar sot e nesër për njeriun e periferisë, hallet dhe problemet e tij të jetesës. Njeriun në nevojë, jo deri në Paskuqan, po nga njëri skaj i Shqipërisë në tjetrin, dhe atje ku ka ndodhur braktisja e kullave, kreshtave, pyjeve, luginave, minierave. Është mirë ky zë mediatik ndryshe, në gazetë e televizion, pasi artikulon disa gjëra që mbase vetëm një i formimit dhe statusit të tij mund t’i thotë ashtusoj, pa droje, para të gjithëve, ku mjafton të shohësh qoftë dhe vetëm disa nga titujt e shkrimeve të këtij libri me opinione dhe komente. Në thelb asgjë e re nuk ka ndodhur, i kishim dhe dikur mjaft të zotët në punë të penës, publicistikës, filozofisë, prelatët e kishës katolike, si Ambroz Marlaskaj, Anton Harapi etj., një kulturë që u ndërpre dhunshëm me “njeriun e ri” marksist-leninist. Kishte qenë dhe famullitari i Tiranës i 46-s e mbrapa, Dom Mark Dushi, i pasionuar pas gjurmimeve historike, që pati shkruar një monografi kushtuar kryeqytetit, me titullin “Tirana dhe rrethinat e saj”, një botim me interes. Por ky shkrim nuk ka për qëllim fokusimin në këtë riardhje të njerëzve të fesë në fushën e publicitikës dhe jetën publike urbane. Problemi është a kemi sy për ta parë periferinë ashtu si ajo e meriton? Merret me mend se nuk janë vetëm misionarët e fesë, nuk është vetëm Karitasi që kujdeset për njerëzit e periferisë, por një gjë është e dukshme, që ata janë përherë atje, në të mirë e në të keq dhe jo me raste, siç mund të ndodhë me të tjerët. Këto ditë padyshim që më shumë se prifti në komunitetet e periferive shkon Kryeministri, kryetari i opozitës, kandidatët e pafundëm për deputetë (aq shumë të tillë, si të jetë duke u konkuruar për Parlamentin e Kinës!), veçse kjo është sezonale, ndërkohë që njerëzit e perifesisë kanë nevojë çdo ditë për “dorën e ngrohtë” të shoqërisë, shtetit.
Ndoshta askush nuk e ka vënë re se si në një qytet, ndërsa po zhvilloheshin nja tri veprimtari politike elektorale njëherësh, disa murgesha shqiptare dhe të kombësive të tjera shëtisnin nëpër parqe e trotuare paraplegjikët e qendrës dioqezane. E kjo është vetëm një copëz nga “ditari” i pashkruar i periferisë, që nuk mund të kalohet më fjalë të përgjithshme, si “secili ka punën e vet”, politikanët merren me politikën, qeveria me infrastrukturën, institucionet e kultit me anën shpirtërore të njerëzve etj. Po a nuk duhet të merret dhe politika me të sëmurët, nevojëtarët, skamnorët, të cilët mund të jenë dhe personazhet e gjalla të shkrimeve të Gjergj Metës, si “Plaku mbi urë” në mes të Tiranës, që u shiste cigare kalimtarëve gjersa një ditë e largon prej andej policia bashkiake, apo Zefi 82-vjeçar në “Ditar mjerimi”, zbritur nga Berisha e Pukës në Zall-Herr, që detyrohet të punojë në një vendgrumbullim plehrash për të mbajtur me bukë pesë fëmijët e djalit të tij në burg. Janë pamje të trishta ku jeta metropolitane i shëmbëllehet periferisë dhe periferia qendrës, për nga rrojtja e njeriut në kufijtë e mbijetesës. Është gjithsesi një letërsi gri, që ku e ku e shkruan ndonjë autor si Gjergj Meta, që siç thotë vetë nuk është “një pesimist migjenian” e as nuk e mendon jetën ashtu, si në poemën e mjerimit. Ai ka një qortim të ligjshëm ndaj njeriut modern në esenë e tij “Shkretërirë në qytet”, për të cilin thotë se ky njeri “nuk ka kohë të mendojë, të ndalet e të reflektojë gjera të cilat kanë nevojë për hapësirë, kohë, vullnet të mirë e, mbi të gjitha, motivim të brendshëm. Çka është më të vërtetë shpirtërore ia ka lënë vendin pothuaj tërësisht emocionales dhe ndjesores. Njeriu modern ndizet menjëherë dhe shuhet po ashtu menjëherë, sepse jeton në sipërfaqe…” Më shqip nuk ka se si të fshikullohet individualisti që e ka braktisur tjetrin që ka në krah, vetëm se ky i fundit nuk i përket klasës së tij për nga kamja. Këto fjalë nuk janë thënë me ton parlamentar, nuk janë thënë në selinë e ndonjë partie, nuk janë thënë në fushatën elektorale nga Jugu në Veri ku vrapohet për vota, nuk janë thënë në mediumet e shoqërisë civile, që të kenë jehonë mediatike buçitëse, jo, janë thënë me dorën në zemër nga një 37-vjeçar misionar publicist, që udhëhiqet nga besimi dhe ndjenja e solidaritetit njerëzor. Njeriu modern rron në sipërfaqe të gjerave, shullëhet në diell kur të tjerët vuajnë. A thua në “sipërfaqe” është dhe politika, shërbimet sociale, kujdesi institucional, ndaj na duhet të themelojmë një moral tjetër, atë të shërbesës qytetare?
Ditarët janë gjithmonë grishës dhe interesantë, ndryshe nga disa sajesa (a)morale të kohëve të vona. Lexojmë përditë kujtime të shpëlara zyrtarësh të së djeshmes me episode të “disidencës” vetjake dhe të vjen keq për kotësinë e tyre intelektuale. Ata nuk kanë dhe një rresht ditari të shkruar dikur për ato që na shesin sot me të madhe si pakqënqësi a kundërshti ndaj regjimit, pos albumeve fotografike me ata që tash i kanë vënë në teh të kritikës e që dje i kishin eprorë jo pak të përzemërt. Por aq u bën sjellja e tyre dyfishe. Kë të lexosh, këta të “përvuajtur” të rrejshëm ish-komunistë, apo një prift austriak, shkrimtar e dijetar françeskan, që ka mbajtur një ditar befasues në Shqipërinë e fillimeve të shekullit XX. At Fabian Barcata vjen nga larg e ngulet mes njerëzve të thjeshtë të Kryezezit (Rubikut) dhe jo vetëm iu kryen atyre shërbesat fetare, por dhe i shëron nga bestytnitë e vjetra e nga sëmundjet ngjitëse, duke u sjellë vetë ilaçe kundra lisë nga Vjena etj. Duket e habitshme, por atë mot të largët të 1905-s ai iu bën thirrje europianëve që të vijnë e të mësojnë nga këta njerëz në zgrip të fatit. “Këtu, këtu, në Shqipëri, duhet të vijnë të gjithë edukuesit tuej të popullit, profesorët e universiteteve, politikanët, demagogët, anarkistët… pranë këtij populli të thjeshtë e të paprishun, te këta njerëz që rrojnë në vobegësi, pasi këtu do të gjenin shkollën e naltë të vërtetë të jetës.” E tash që dhe Tirana është bërë europiane, jo vetëm nga të mirat e qytetërimit, por dhe nga ligësitë e tij, kjo thirrje lapidare mund të shkojë mirëfilli për periferinë. Ejani, pra, në periferi të shihni si rrojnë njerëzit, si ata duhen mbështëtur për të ndryshuar, jo me programe në letër, por më vepra konkrete humanitare. Mbase nuk mund ta kuptosh kurrë shpirtin e tyre të dëlirë, nëse nuk përjeton bashkë me ta ngjarje si ajo që përshkruhet në shkrimin e Dom Gjergjit “Kronikë e bardhë, sot u fal një gjak”, në vendin e zhytur përditë në kronikën e zezë.
Periferia është në të vërtetë qendra, si reflektim i forcës apo dobësisë së saj. Si ta bëjmë dhe atë metropol për nga kultura, integrimi, dinjiteti njerëzor? Nuk është vetëm famullitari që shkel përditë në tokën me baltë, por dhe deputeti, shtetari, kryebashkiaku, deri te nëpunësi më i thjeshtë. Ky është një mesazh që na vjen nga ky libër me theks social-kulturor, ashtu si dhe qasjet e ndryshme filozofike të autorit për familjen, jetën dhe vdekjen, dashurinë, integrimin, elitat, drejtësinë e përnjëmendtë në kohë krimi, shpresën etj. Gjergj Meta ka trokitur në media vetëm pak vite më parë, për të qenë shpejt një nga zërat medial më të spikatur, duke shqiptuar kumte se si me qenë në anën e njerëzve të margjinalizuar, atyre që përjetojnë drama sociale e familjare, strese e vetmi, pse jo dhe kriza dhe që për të mbërritur pragun e shpresës, përpos kurajos dhe besimit, iu duhet jo vetëm bamirësia e dikujt a disave, po pikë së pari mbështetja institucionale.