A do të donit ta shikonit ambasadoren gjermane Carola Müller-Holtkemper me pushkë në brez? Po Kryetarin e Delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduart Kukan me një fustanellë nga jugu i Shqipërisë? Apo ambasadorin e BE-së, Ettore Sequi me një veshje vërtet “surprizë”,apo atë austriak, Florian Raunig së bashku me familjen e tij me veshje tradicionale kombëtare? Nëse jeni kuriozë, të martën në orën 18:30, në mjediset e Muzeut Kombëtar, shqiptarët do të kenë mundësi të shohin plot 16 ambasadorë të vendeve të BE-së dhe 24 personazhe europiane nga fusha të ndryshme, ashtu si nuk i kanë parë më parë: “të armatosur”.
Të armatosur me pushkë, pistoleta e thika 100-vjeçare shqiptare, dhe mbi të gjitha me traditat e zakonet e mirëfillta shqiptare, të shprehura në kostumet më të zgjedhura të trevave shqiptare që ato kanë veshur.
Ndër ambasadorët janë edhe ish-danezi Karsten Ankjaer Jensen dhe ish-holandezi Henk van den Dool, të njohur për deklaratat e fjalimet e tyre pa dorashka dhe jashtë petkut diplomatik në Shqipëri.
Në portrete me përmasa 60 x 80, të gjitha këto personalitete vijnë të fiksuara nga kamera e fotografit Roland Tasho.
“Në një bisedë miqësore që patëm me ambasadorin Sequi, ai e ‘thithi’ dhe e vlerësoi idenë dhe më propozoi nëse mund t’i vishnim të gjithë ambasadorët me kostume popullore. Të gjithë thanë ‘po’ dhe për një muaj u fotografuan të gjithë. Ambasadori ishte një mbështetje e madhe financiare dhe kryesisht ideore”, – thotë Tasho.
Fotografi korçar me një përvojë prej 31 vitesh mbi supe e vlerëson këtë eksperiencë si më të kënaqshmen ndër 55 ekspozitat që ai numëron në karrierën e tij profesionale. “Është një nga shërbimet më të bukura që kam bërë. Pata të bëj me njerëz që e respektojnë dhe e dinë se çfarë është tradita. Pashë se sa dashamirës janë ata ndaj artit. Në fakt kështu do të kisha dashur të ishin edhe shqiptarët e mi”, – shton Tasho.
“Arkivi Tasho”
Ky fotograf ka ndërtuar një arkiv ndër vite me personazhe të veshura me kostume karakteristike shqiptare. Kur zotëron një arkiv, mjafton një ide apo një shkëndijë dhe gjërat dalin në pah, “krijohen në ajër”, siç thotë ai. Në këtë kontekst, prandaj ai ishte edhe realizuesi më i përshtatshëm i një iniciative të tillë.
Tasho e mori spunton në vitin 2000, duke ndjekur traditën me veshje popullore të George Byron apo Edith Durham, si edhe të shumë udhëtarëve, historianëve e poetëve të tjerë.
“Fillova të fotografoj personazhe të ndryshme me kostume popullore në vitin 2000. Ishte një moment kur ish-ambasadori italian në Tiranë, Mario Bova, që ishte shumë dashamirës me artin shqiptar, para largimit nga Tirana, i bëri një peshqesh dy vajzave të tij njëzetvjeçare, pikërisht një portret ku ato ishin veshur me veshje shqiptare: njëra të Shqipërisë së Mesme dhe tjetra nga zona e Korçës”, – thotë ai.
Më pas, kur vizitorë të huaj vinin në studion e tij, ai filloi t’i fotografonte edhe ata me kostume popullore, pasi pa tek ata dëshirën për t’u veshur me “xhevahiret” popullore të vendit tonë. “Aq sa kur shkova të takoj shqiptarët në Paris, shkova me dy kostume, sepse edhe andej kishte dëshirë të visheshin ‘shqiptarçe’”.
“Si Barroso”
Kush me llullë në gojë, kush me pushkë e pisqolla në brez apo thika të veshura me punime filigrami, të gjithë ambasadorët u fotografuan më së shumti në kopshtet, si dhe në mjediset e tjera të ambasadave.
“Për 1 muaj u ndjeva si të isha Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso. Sepse ambasadorët u treguan aq të gatshëm, aq të qetë, aq bashkëpunues e aq të qartë në atë që po bënin”, – thotë ai duke qeshur. Për më tepër, ai shton se ka qenë i vetmi që futej lirisht në çdo ambasadë me armë: pistoleta e pushkë të gjata. “Dhe asnjë nuk më kontrollonte. Dera m’u hap nga vetë ambasadorët.”
Ambasadorët e morën shumë seriozisht këtë iniciativë dhe erdhën të përgatitur shpirtërisht. Ata, jo vetëm që donin të dilnin në foto me këto kostume, por kishin dëshirë edhe me familjet e tyre. P.sh., ambasadori austriak e realizoi foton së bashku me familjen e tij, gruan dhe dy vajzat, Anna Maria dhe Sophia Charlotte. Ai spanjoll kishte dëshirë të ishte në foto me gruan e tij, por ajo s’ndodhej për momentin në Shqipëri. “Mbaj mend komentin e bukur të ambasadores çeke, Bronislava Tomasova”, – shton Tasho. “Ajo më tha në fund, ‘më bëre një ditë ndryshe dhe për këtë të falenderoj’”, thotë fotografi.
Ndërsa për fotografimin e z.Eduart Kukan, fotografi shfrytëzoi 10 minuta të lira të tij mbas konferencës “Just BE”, që u organizua në Tiranë më 25 mars. “I veshur me një fustanellë të jugut të Shqipërisë, Kukan u ndje vërtet i qetë dhe vetvetja gjatë sesionit të fotografimit. Mezi po pres që vizitorët e kësaj ekspozite të shijojnë momentet e veçanta që ajo do të falë”, – përfundon profesionisti i lirë.
Mbas BE-së, radha e Amerikës dhe…
Tasho thotë se mbas portreteve të përfaqësuesve më të rëndësishëm të Bashkimit Europian, do të jetë pjesa amerikane që do të jetë në fokusin e kameras “Tasho”. Përfaqësuesit më të spikatur amerikanë në Shqipëri e në Amerikë do të vishen me kostume të mrekullueshme shqiptare për t’u ndjerë “të magjepsur” edhe për pak orë nën petkat shqiptare.
Mbas të madhit Faik Konica (1875-1942) që u vesh me kostum kombëtar shqiptar në podiumin e OKB-së, Tasho do të donte shumë të kishte në arkivin e tij edhe një foto të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare të veshur me kostumin e magjishëm folklorik, si përfaqësues i denjë i vlerave të kombit shqiptar. Më pas, lista e personazheve të tij është e gjatë…
GSH,07 Maj 2013