I nderuar Dr. Gjon Bucaj, Kryetar i Vatrës!
Të nderuar anëtarë të Vatrës të mbledhur në këtë Kuvend!
Të nderuar miq dhe të ftuar!
Në emër të Degës së Vatrës Michigan, ju sjell përgëzimet dhe përshëndetjet për mbarëvajtjen e këtij Kuvendi të vazhdimësisë të traditës së shkëlqyer të Vatrës 101 Vjeçare.
Vatra, ka me çfarë të mburret, ka për çfarë të flasë, ka për çfarë të japë leksione, por, ka hapësira për të dëgjuar dhe përmirësuar punën e vet në të mirë të kombit, kultivimit të identitetit dhe gjallërimit të frymës patriotike në diasporë…
Vatra ka një traditë 101 vjeçare në Amerikë, në atdheun e dytë të shqiptarve, duke e parë në këtë këndvështrim, kultura amerikane ka ndikuar në mënyrë thelbësore në kohë dhe hapësirë tek Institucioni jonë, që është më i vjetri në hapësirën shqiptare. Vatra është krenare që djepin e vet e përkundi në demokracinë e këtij vendi duke marrë përkrahjen e duhur, pa të cilën, Shqipëria do të vazhdonte të endej në udhëkryqin e Historisë…
Dega e Vatrës së Michiganit, që njihet në histori dhe si koka e dytë e Vatrës, vjen sot në këtë Kuvend me një pjekuri dhe maturi riorganizuese, e cila ndikoi dhe në rithemelimin e degëve të tjera në Amerikë. Padyshim, promotori i kësaj lëvizje të re është Dr.Gjon Buçaj me stafin e tij, duke vijuar në linjën e drejtë të ish kryetarit largpamës, Agim Karagjozi, një patriot i madh dhe i palëkundur në luftën e pandërprerë ndaj rrymave prokomuniste, të cilat synonin ta vinin Vatrën nën kontroll, me qëllim që ajo t’i shërbente pushtetit të shëmtuar Enverist.
Dega e Vatrës së Michiganit, gjatë më shumë se një viti që drejtohet nga unë si Kryetar, dhe bashkëpuntorët e mi të kryesisë, Pjeter Jaku, Mondi Rakaj, Kujtim Qafa, Julian Çefa, Enita Hajdari, Ilir Myftiu, e mbështetur nga Kosulli i
Nderit, patriotin Ekerem Bardha, kleriku patriot Don Fran Kola, Imam Shuaip Gërguri, Dom Ndue Gjergji, Baba Arshiu dhe dervish Helidon Pashai si dhe shumë aktivistë të shquar të këtij komuniteti, si Vasel Ujkaj, Gjeto Ivezaj, Donika Bardha, Nevrus Nazarko, Jozeph Dedvukaj, Paulin Palushi,Valentin Lumaj etj të cilët, kanë një kontribut të respektueshëm. Dega jonë ka zhvilluar një veprimtari të dendur e të sukseshme, ku mund të veçohen takime të ndryshme si dhe angazhime të natyrës diplomatike me senatorë e kongresmenë të Shteteve të Bashkuara, për të rrahur problemet e shqiptarëve dhe atdheut tonë, Shqipërisë. Gjithashtu, ka pasë një politikë antarësimi, duke vlerësuar aktivitetin e secili dhe, veçanërisht pranimin e të rinjëve.
Dega e Vatrës së Michiganit është munduar të ndihmojë qendrën në të gjitha drejtimet në bazë të programit dhe statutit. Ajo ka dhënë dhe mendime të vlefshme për ndyshimin e disa pikave në Statutin e sotëm. Dega e Vatrës në Michigan, ka mbajtur lidhje të ngushta me Ambasadën e Shqipërisë në Uashington të drejtuar nga z.Galanxhi dhe Konsullatën e Përgjithshme në NY, të drejtuar nga Dritan Mishto.
Si do të punojë Vatra në të ardhmen?
Vatra duhet të funksionojë si një Institucion me të gjitha barometrat e një Institucioni modern. Nuk duhet të ketë pauza dhe mëdyshje. Duhet të jetë e qartë në politikën kombëtare dhe vlerat demokratike. Duhet të jetë shumë e lidhur me të gjithë diasporën në çdo shtet ku jetojnë shqiptarët. E them këtë, se Vatra e ka këtë autoritet. Duhet të jetë e lidhur më shumë me shtetin amerikan, për të promovuar interesat e Shqipërisë etnike në çdo moment.
Sot është shekulli 21, pra, na bijt e shekullit të ri, duhet të trokasim në dyert e qytetrimit, si Ilirët e hershëm Shqiptarë, me një qartësi matematike për të ardhmen e fëmijëve dhe kombit tonë…
Vatra duhet t’i kërkoi Qeverisë Shqiptare që të gjithë emigrantët, kudo që janë të kenë të drejtën e votës për zgjedhjet që po vijnë!
Zoti i bekoftë Shqiptarët kudo në botë!
Zoti e bekoftë Amerikën, aleaten besnike të Shqiptarëve.
Ju faleminderit!
* Kryetar i Deges se Vatres ne Michigan
New York, 27 Prill 2013