Poezi nga Pjeter Jaku

 Poezi nga Pjetere Jaku

 

 

Leximi i njeriut    

 

 

Kur thyhet syri mbi sytë e tij

Kur leviz gjaku shumë më shpejt

Aq herë më duket se një njeri

Është vetëm shëmbëlltyra e vet.

 

S’di pse unë i besoj vetes

Se çdo fytyrë mund ta lexoj

Sa dhe fshehjen e genjeshtres

As vet genjeshtra se mbuloi.

 

Besoj çdonjërin unë e di

Se çka në mendje dhe kur hesht

T’lexosh njeriun si njeri

Për të nuk ka asgjë të fshehtë!

 

Tjetër gjë se luajn role

Mbulojnë fytyrën tash e parë

Nëse në sy ti e lexove

E ke qëlluar si me zjarr.

 

Por ne durojmë edhe durojmë

Dhe kur  flasim, dhe kur rrimë

Që në fillim  ne e lexojmë

Se sa është pranë ky me njerinë!

 

Dhe ky, dhe kjo, dhe gjithësecili

Janë të lexueshëm gjithësesi

Mua s’më është trembur syri

Sa herë më ke lexuar ti!

 

 

Thyrje

 

 

Nuk thyhet vetëm nata,

As mendja nuk thyhet,

Dita thyhet në mesditë.

Njeriu thyhet sa here,

Miqësia s’ka dritë !

 

Nuk kam njohur thyrje

Më të vështirë,

Se thyrjen e miqësisë

Në mëngjes.

Sidomos, kur përsëritet

Shpesh!

 

 

Dialogu i Marës me mamin

 

 

Rubini është vëllau im

Me të se kam të njëjtën nënë

Me dorë më puth në ballin tim

Kur gjumi mua më ka zënë!

 

Motra ime është Monela

As me atë se kam një nënë.

Por nga e hëna te e hëna

Gjithnjë me mua është e zënë.

 

Për Stelen më tha  babi mbrëmë

Se  motër  e kisha Stelen unë

Këtë as ti s’ma kishe thënë.

Kevinin nip, një v’lla më shumë!

 

Ti nuk e din se sa i dua

Jetojnë të gjithë ata me mua

Dhe motra Stelë që është martuar.

 

Ti nuk e di sa më zemron

Disa herë ta kam thënë

Kur zërin ndonjë mbrëmje çon

Me vllain tim kështu nuk bën!

 

Tani, ti duhet ta dish saktë

Nuk je Elinda, po je nënë

Rubini është vëlla i paktë

Monela motër më ke thënë.

 

Se Stela ka një burrë të mirë

Ka një Kevin dhe një Elton

Diku më larg kanë një shtëpi

Ku motra Marë i viziton!

 

 

 

 Orakulli

 

 

Qershia më e vjetër në Mollë të Kuqe

Parashikuesja e vetme e dimrave që vinin

Fytyren e tokës ditë për ditë e rrudhte

Në brinjën bri kodrës ku erërat flinin.

 

Aty faleshin të moçmit të lexonin degtë

Shihnin rrudhat në lëkurën e lëmuar të saj

Nëse veriu e kish rrahur më shumë se vjet

Thonin se dimri i vështirë s’do të mbaj!

 

Kur rrënjët ia zbulonte ndonjë shi i rrëmbyer,

Ose kur nga perëndimi i thahej ndonjë degë

Një fat i keq fshatin do e kishte mbërthyer

Një ditë e ftohtë  kerkonte njërin nga pleqtë!

 

Nëse një degë e vetme nga lindja ishte krisur

Pleqët filozofë thonin se e keqja kish kaluar

Në ndonjerën nga kullat dimri i harlisur

Do martonte diellin me erën e pashtruar.

 

Edhe për luftrat ajo u thonte atyre shumëçka

Kur panverës së ngathtë gjethet rrinin drejt

Njerëzit mund të thirreshin n’beteja t’mëdha

Pak më herët se të futeshim në vjeshtë.

 

Lum dimrat thonte qershia në Mollë të Kuqe

Stina e vetme për dasma, koha e vetme për nuse!

 

 

 

Kullat

 

 

Kullat:

Më të vjetra janë se gurët

Shtigjet:

Më të reja janë se udhët!

Gjuha:

Më e shpejtë është se zemra

Mund të thotë çka se ka brenda!

Gurët:

Më të vjetër janë se toka

U bënë tokë,

U bënë  kala

Nga një kullë

Në gjoksin tonë

Historia na e la!

 

 

 

Fshesarët

 

 

Si vizitor i shkuar

Në kryeqytetin grek,

Më zuri syri shumë fshesarë.

Nga që isha zgjuar shpejt

M’u dha e dola në Pazar.

Dikush i tha një shokt t’vet

“ Një ky do jetë

bash sak shqiptar!”

Në vend u ndala në asfalt

Mbi disa pllaka dhimbjesh larë

Ashtu u thashë,  në të vërtetë

Se unë e ju  qenkna shqiptar!

M’u erren sytë, m’u bë  më natë

Dhe mendt më kthyen në Shqipëri

Sa herë m’kujtohen  mua fshesartë

Aq herë mallkoj çdo qeveri!

 

 

 

Vrasja e ushtarit

 

(Vrasjet e 89-tës në kufi)

 

Një rrufe shurdhuese

shkarkoi në shkëmb

malet u thinjën

krojet u ndalen

e mbeten pa mend!

Lisat udhëtuan veç e veç

Me vetëm një shpresë

T’i jepnin frymë

ushtarit të rënë!

Të mallkuarit

Vëllezrit tanë

Pse desh të kalonte

Vetëm një vijë

E vranë!

Fryma  e tij u bë dritë

Mbi male diell u bë

Mbi vrasësit

Nuk ra asnjë rrufe!

Nekrofilia e tyre

Su mjaftua

Me këtë

Mbi të lënit

pa këmbë

dhe të vrarit

vunë hekura

se vdekuri

e i shetiten mizorisht.

Që nga ajo ditë

Do të thoja

Se krimi nuk ka

Emër tjetër,

Veç komunist!

Gjithënonë

Do të lutem për ta

Pak dritë,

Pak dritë…

Pak dritë…

 

 

 

Më thirre

 

Elit!

 

Më thirre

dhe po vi.

Po ku?

Po kur?

Po si?

Ti më the:

nuk dua t’ia di!

Shaloji vetëtimat

E më sill pak shi!

 

 

 

Humbje

 

 

Disa herë ndjehem i humbur mbërthyer në zjarre

Fjala “ dashuri” më ngjan me një kullë të rrëzuar

Të fshehur në mjegull, pa dyer dhe dritare

Pa fillim  e fund si një rrugë e vetërrethuar!

 

Brenda syve të mi ka vdekur një kuptim

Që nuk thërret të djeshmen, as mendon për nesër

Të gjithë gjeneralët e ndjenave i nxora në lirim

Mendueshëm, duke përgaditur një kohë tjetër!

 

Disa herë ndjehem i humbur, i lënë në harresë

Edhe kur ndonjëra prej mikeve të mia s’më shkruan

Kam filluar t’i lutem Zotit vetëm për mendt e kresë

Duke pritur mbërritjen e një poezie të pa shkuar!

 

One thought on “Poezi nga Pjeter Jaku

  1. Dhe ky, dhe kjo, dhe gjithësecili

    Janë të lexueshëm gjithësesi

    Mua s’më është trembur syri

    Sa herë më ke lexuar ti!

    Perulem para ketyre vargjeve te mikut tonë krijues z.Pjetër Jaku

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *