Harresa e madhe
Nga Alfons Grishaj
Lëvizjet politike për demokraci, në Shqipëri dhe Kosovë qenë të vonuara, për shkaqe që dihen tashmë. Diktatura e egër në Shqipëri dhe represioni sllavokomunist në Kosovë u përpoqën të mos lejonin përhapjen e frymës së demokracisë, e cila kishte ngadhnjyer në Evropën Lindore që prej mëse një viti. Por, këto lëvizje, që në pamje të parë dukej se shprehnin aspiratën e shoqërisë shqiptare për liri, shumë shpejt nxorën në pah një varg problematikash si mungesa e vizionit historik nga klasa intelektuale, konfuzioni i ideve, dhe paaftësia për t’u ballafaquar me sfidat e reja të kohës. Këto dukuri u shfaqën që në ballafaqimet e para të drejtuesve të rinj me emisarët e perëndimit, ku pozita e politikanëve diletantë shqiptarë ndaj atyre të huaj, të cilët, zotëronin një kulturë qindra vjeçare demokratike, ishte dukshëm inferiore, dhe jashtëzakonisht e pakëndshme. Shpjegimi i gjithë kësaj është shumë i thjeshtë. Origjina e klasës se re politike nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe kulturën perëndimore. Me pak fjalë, klasa e re politike e shoqërisë shqiptare, përbëhej nga individë me profesione të ndryshme me përjashtim të profesionit të politikanit.
Në këto rrethana, për fatet e Shqipërisë dhe Kosovës, vendimtare ka qenë ndërhyrja e diasporës. Diaspora shqiptare, në mënyrë të veçantë, kishte vite që ushtronte një aktivitet të dendur politik në dobi të çështjes shqiptare, duke krijuar një profil dinjitoz dhe të admirueshëm para administratës amerikane. Qe pra diaspora që i mundësoi klasës se re drejtuese në Shqipëri dhe Kosovë hapjen e dyerve të perëndimit. Falë sponsorizimit nga atdhetarët në mërgim, si Eqerem Bardha, Harry Bajraktari, Zef Balaj dhe mjaft të tjerë, politikanëve të rinj shqipëtarë iu krijuan kushtet për t’u ndjerë mirë në perëndim, dhe natyrisht, për të përftuar leksionet e para të demokracisë, tregut të lirë dhe diplomacisë moderne. Por, a mësuan politikanët tanë nga personalitetet që kishin emigruar më parë dhe kishin bërë emër në shoqëritë perëndimore?
Ekrem Bardha me Konresmenin W. Broomfield, duke deshmuar per Kongresin
Në perëndim kanë jetuar dhe ushtruar profesionet e tyre personalitete të larta intelektuale si Martin Camaj, Arshi Pipa, Peter Prifti. Në perëndim jetojnë duke vazhduar të japin kontribute të rëndësishme për çështjen shqiptare dhe kulturën tonë prof. Sami Repishti, prof. Nikollaq Pano, Dr. Gjon Bucaj, Naum Prifti,Genc Kortsha, Elez Biberaj, Pjeter Jaku, Mergim Korca,Novruz Nazarko, Gëzim Basha, Dr. Gjeke Gjelaj, Ramiz Gjini, Lulash Palushaj, Merita Bajraktari e dhjetra të tjerë të ardhur në dy dekadat e fundit. Të gjithë këto personalitete, janë respektuar dhe respektohen nga pjesa dermuese e popullsise shqiptare te emigracionit,duke mos lënë pas dore institucionet fetare qe luajten nje rrol kyç. Krahas këtyre personaliteteve akademike, qëndrojnë dhe personalitete të tjera biznesi dhe atdhetarë si, Eqerem Bardha, Gjokë Martini, Kujtim Qafa, Gjeto Ivezaj, Harry Bajraktari, Gjon Lulgjuraj, Gjovalin Gega, Luigj Gjokaj, Bajram Çunmulaj, Julian Çefa, Pjetër Ivezaj, Zef Camaj, Gjekë Gjonlekaj, Fran Shkreli, Din Berti, Nikollë Hysaj, Rexh Xhakli, Xhim Dema, Shaqir Gashi, vellëzrit Bytyçi, Bruno Selimaj, Tahir Kërrnaja, Zef Balaj, Zef Përndocaj, Vehbi Bajrami, Sulejman Gashi, Ahmet Zherka, Skënder Perolli e shumë të tjerë…
Shqiptarët e emigracionit e përjetuan me gëzim shembjen e komunizmit në Shqipëri dhe Kosovë, për çka ata vetë kishin punuar me përkushtim e sinqeritet të jashtëzakonshëm. Me po aq përkushtim e me një mall të madh për dheun e të parëve, ata shfaqën gatishmërinë për të punuar për Shqipërinë në situatën e re politike. Dëshira e tyre ishte të ndihmonin atdheun në fazën delikate të hapjes pas izolimit, e pse jo, të ofronin dhe eksperiencën e tyre perëndimore, por shpejt filloi zhgënjimi i madh. Diaspora shqiptare konstatoi se politikanëve të rinj, përveç që u mungonte talenti i politikanit, u mungonte dhe dëshira për bashkëpunim në të mirë të Shqipërisë dhe Kosovës. EGO, kjo sëmundje mijëvjeçare e shqiptarëve që ka qenë gangrena e jetës kolektive dhe e së mirës së përbashkët, u shfaq po aq përjashtuese sa në të kaluarën. Megjithë dëshirën e e madhe të diasporës për bashkëpunim, mundësitë u reduktuan në limitin zero… Politikanët e rinj nuk e njihnin konceptin e gjithëpërfshirjes. Duke u munguar në ekstrem vizioni i politikanit, pushtetarët postkomunistë aprovuan dhe një ligj të turpshëm, i cili i mohonte të drejtën e çdo shqiptari, për t’u zgjedhur në instancat drejtuese të shtetit, pa qenë prezent në 10 vjeçarin si rezident në Shqipëri, duke përjashtuar kështu mendimin e kualifikuar dhe përvojën demokratike të personaliteteve të diasporës. Syrus thotë: “Falsum etiam est verum quod constituit superior”, që do të thotë, “Falsitetiti bëhet i vërtetë kur bosi e vendos atë.”
Shqiptarët e diasporës e kishin treguar në vite dashurinë për atdheun dhe për njeri-tjetrin në emigracion. Rasti i Pjetër Ivezaj, arrestuar nga pushteti jugosllav në vitin 1986, kishte dëshmuar forcën e diasporës shqiptare në Amerikë, duke treguar se çfarë mund të bëjë një komunitet i bashkuar. (PO NJË KOMB?) Çështja e lirimit të Z. Ivezaj, qe leva e Arkimedit ku do të fillonte shkatërrimi i Jugosllavisë. Duke lexuar 90 faqe të COMMITTEE ON FOREING AFFAIRS HOUSE OF REPRESENTATIVE, Ninety-Ninth Congress,Second Session, October 2 and 8, 1986, shikon përpjekjen e një prej nacionalistëve të shquar, Z. Eqerem Bardha, i cili ka vënë në lëvizje Kongresin Amerikan, nëpërmjet Kongresmenit William s. Broomfield, Kongresmenit Solomon, Kryetarit të Kongresit Yatron etj, duke arritur që të finalizohej kushtëzimi e ndihmave të Sh.B.A. ndaj Jugosllavisë me lirimin e menjëhershëm të Z.Ivezaj. Në takimin e zhvilluar me këtë rast, Z.Bardha mbajti dhe një fjalim të rëndësishëm para kongresmenëve, krahas fjalimeve të Prof. Sami Repishtit, DioGuardit, Prof. Pedro Ramet. Po kështu, nuk ka qenë aspak rastësi që Z.Bardha të gjendej Rambuje së bashku me Kadarenë në takimin e famshëm me Kristofer Hill, ku u vendos fati i Kosovës.
Çdo fallsifikim i historisë është i turpshëm për këdo që mundohet të zvogëlojë apo të mohojë meritat e tjetrit. Dhe ndër kontributet që nuk mund të injorohen, është roli i atdhetarit Z. Gjokë Martini, i cili, do të ishte ndër të parët që do të demonstronte kundër Jugosllavisë. Rasti i Z. Martini është unik për arsye se së bashku me të gjithë familjen e tij, fëmijët e tij, nënën dhe gruan demonstruan me ditë ndër vite kundër Jugosllavisë për çështjen e Kosovës. Z.Martini, qe gjithmonë miku i senatorit Karl Levin, i cili u bë një prej promotorve për lirimin e Z.Ivezaj dhe përkrahjen e Kosovës së Lirë… Çfarë nderimi mori Z.Gjokë Martini prej shtetit të ri Kosovar?! Asgjë prej gjithçka që dha!
Gjoke Martini me ish Presdientin Klinton dhe Z/ Presdientin Al Goor
Intelektuali i shquar prof. Peter Prifti, ndër të tjera, do të shkruante dy libra të rëndësishëm për historinë shqiptare, për përplasjen dhe luftën e popullit shqiptar të Kosovës, “Confrontation in Kosova” dhe Albanian-Serb Straggle 1969-1999. Duke marrë si shembull dhe vënë në trini shpirtin e luftëtarit për liri si, Gjokë Martini, politikanit dhe nacionalistit biznesmen Eqerem Bardha, intelektualit të shquar Peter Prifti, e quaj si një trekëndësh të rëndësishëm, ku shqiptarët në formë gjeometrike dhe matematike mund të punojnë për kombin në forma të ndryshme efikase… Gjithçka që është ndërtuar gjeometrikisht dhe matematikisht i ka rezistuar mijëvjeçarve.
Nëse dikush emigracionin dhe emigrantët i quajnë të pavlerë, do të thotë se vetë vlera që është kushti themeltar i ndërgjegjes së njeriut ka vdekur tek ai individ, por do të ishte fatale për një shoqëri që do ta pohonte të njëjtën gjë. Atëherë, kjo vdekje do të ishte pasqyra e kalbëzimit të saj. Që në krye të herës, emigrantët e parë shqiptarë që shkelën në Amerikë, dëshmuan me dinjitet identitetin etnokulturor, ndërkohë që në administratën amerikane nuk ekzistonte ndonjë njohuri për çështjen shqiptare. Kur Fan Stilian Noli do të formonte “VATRËN” në Amerikë, në Shqipëri, ende nuk flitej për pavarësi. Se çfarë ka bërë “VATRA” për Shqipërinë, historianët objektivë e dinë, por nuk mund të mos përmendim faktin që ishte Noli, i cili, do t’i kërkonte Presidentit të Amerikës z. Wilson ta ndihmonte dhe njihte Shqipërinë.
Duke sjellur tre shembuj me emrat që përmenda më sipër, të cilët krahas të tjerëve që kam shkruar dhe të tjerë me emër dhe ushtarë të panjohur që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare, do të thosha se pa këta heronj të emigracionit do ta kishte shumë të vështirë të bëhej shteti i Kosovës dhe shteti Shqipëtar i 100 viteve më parë, duke mos harruar kontributin e hapjeve të dyerve për në perëndim në kohën e përmbysjes së komunizmit.
Ku është shteti në raport me individin, qytetarin e vet, me heroin e intelektualin, të cilët dhanë gjithçka në jetë për Shqipërinë dhe Kosovën? Z.Ekerem Bardha është Konsull Nderi i Shqipërisë dhe është afër 80 vjetëve. Z. Gjokë Martini, i paralizuar. Z.Peter Prifti vdiq duke lënë amanet që trupi i tij të digjej dhe hiri i tij të shpërndahej në ujin dhe ajrin e vendlindjes. Atij nuk iu bënë nderimet e shtetit si ndonjë politikani të njohur… Z. Prifti rreshtohet ndër ato dijetarë shqiptarë që e meritonte nderimin maksimal të shtetit të vet. Hygo ka thënë: “Dija sundon mbi vetëdijen”. Derisa dija sundon mbi vetëdijen, pse duhet ta përdorim vetëdijen si dije? Dhe më tej, pse duhet ta përdorim vetëdijen si shtetin e UNIT, dhe UNIN si skeptër pa qenë i tillë? Makiavelizmi si praktikë qeverisëse është i dëmshëm për një shoqëri të civilizuar…
Shteti shqiptar ka dekoruar recitues “Nderi i Kombit” dhe mirë ka bërë. Po në të vërtetë NDERI I KOMBIT janë të gjithë ata figura që dhanë ndër vite gjithçka që patën për Shqipërinë, por që nuk u nderuan kurrë prej shtetit amë.
Sipas mënyrës së gjykimit foshnjor, heronjt duhet të vdesin pastaj të kujtohen!!! Shumë Kongresmenë dhe Senatorë Amerikanë kanë kontribuar për Shqipërinë… A i falet shtetit Shqiptar të mos evidentojë dhe t’i nderojë këto figura?
2. Aktualitet
Aktualisht shihet një ndryshim pozitiv. Në krye të Ambasadës Shqiptare në Washington është vënë z.Gilbert Galanxhi, një njeri që ka kontribuar në politikë, por dhe që ka një pregatitje diplomatike. Ai ka vullnetin dhe dëshirën për të qenë i pranishëm në çdo eveniment të shqiptarëve në emigracion. Por kjo është pjesë e detyrës së tij. Çka mbetet shqetësuese është shërbimi konsullor. Dhe kjo është kompetencë e qeverisë shqiptare. Emigrantëve shqiptarë u duhet të udhëtojnë me mijra kilometra për të marrë pasaportën shqiptare. Shërbimi konsullor për t’i shërbyer shqiptarëve për pasaporta nuk ekziston. Si ka mundësi që në shtetin më të fuqishëm të botës mos ketë një shërbim të tillë për shqiptarët e Amerikës? Le të shpresojmë se dhe kjo mangësi e madhe të rregullohet.
Në fakt, në Shqipëri, për shkak të mungesës së vullnetit gjithëpërfshirës, mungon strategjia e mbajtjes së lidhjeve të ngushta të emigracionit me atdheun. Emigrantët kanë kontribuar me dërgesat e tyre në ekonominë e vendit, por mund të kishin dhënë më shumë nëse do të ishin ftuar për të qenë pjesë aktive në zhvillimet politike të vendit. Pas njëzet vjetëve demokraci, është e pafalshme të mos shfaqet vullneti dhe të mos gjendet zgjidhja që emigrantët shqiptarë që e mbajnë ende shtetësinë shqiptare të kenë të drejtën e ushtrimit të votës atje ku ata jetojnë, siç e kanë këtë të drejtë, emigrantët e shumë shteteve të tjera demokratike. Sot kjo duhet parë edhe si një mundësi për të çuar përpara proceset demokratike dhe reformat e ngecura. Sepse, tani, si kurrë më parë, diaspora shqiptare është pasuruar me intelektualë të aftë për të dhënë mendime e hartuar projekte për një qeverisje vërtet demokratike. Siguri për këtë është shkollimi i tyre në perëndim me rezultate të shkëlqyera, në universitete të një niveli të lartë akademik dhe jo si ato të nivelit të bakshishit që kanë mbirë sa andej e këndej në Shqipëri… Racionaliteti perëndimor ka predominuar në shekuj ndaj atij lindor, dhe sot është koha për t’u bërë shkëputja e madhe, duke u ndarë përfundimisht nga ndikimet e vjetra, nga kriptokomunizmi dhe autoritarizmi mesjetar, por për këtë duhet një ndërlidhje e re, një ndërgjegje e kulluar përparimi dhe dijeje.
Ne duhet të jemi reale dhe për të qenë të tillë duhet të jemi pozitivë. Duke qenë pozitivë zhduket UNI negativ dhe vlera prevalon mbi kundërvlerën, respekti zëvendëson harresën, dhe raporti midis shtetit dhe individit bëhet i prekshëm dhe real. Hegel ka thënë: “Ajo që është reale është dhe racionale.”