ABETARJA UNIKE E SHQIPTARËVE

Ndue DEDAJ

Celebrimi i “ABC”-së në Prizren – 2012

 

Festa e Abetares jo rastësisht është festë e padekretuar nga ndonjë instancë zyrtare, përpos nga dashuria e fëmijëve, që kanë kryer së kënduari librin e parë të jetës së tyre. Aty nis ajo çfarë ata do të jenë nesër në raport me atdhetarinë dhe dijen. Ishte domethënëse, vitin e kaluar jubilar, që në festën e Abetares në Prizren të shpallej abetarja e përbashkët e shqiptarëve. Kishte qenë njëqindvjeçar rrugëtimi ynë drejt kësaj Abetareje të përbashkimit. I pari shqiptar që të vjen ndër mend në këtë rast është Naum Veqilharxhi (hartuesi i të parit “Evetar” me 1844) dhe rilindësit e tjerë abetareshkruas, gjer abetarja e përveçme e Zymit (Prizren) e vitit 1901, që i kanë ngritur një obelisk të gurtë, si dhe gjithë abetarehartuesit e pas-Pavarësisë përgjatë shekullit XX. Ndoshta një ditë do të kemi një botim a dokumentar kushtuar “biblës” së diturisë në trojet shqiptare dhe “prelatëve” të ndritur të ABC-së.

Sipas Uikipedia-s kemi mbi 150 abetare në afro 170 vjet, shtypur në Bukuresht, Stamboll, Bruksel, Sofje, Vjenë, Napoli, Selanik, Athinë, Paris, Milano, Bari, Lajpcig, Konstancë, Aleksandri të Egjyptit etj. Ato mbajnë firmat e Naum Veqilharxhit, Konstandin Kristoforidhit, Jani Vretos, Sami Frashërit, Gaspër Benusit, Jani TerovësParashqevi Qiriazit, Luigj Gurakuqit, Jani Mingës, Simon Shuteriqit, Jashar ErebarësNikolla Lakos, Mati Logorecit, Gaspër BeltojësNdue PalucësAleksandër Xhuvanit, Pertef Pogonit, Qamil Guranjakut, Kolë Xhumarit, Mehmet Gjevorit etj.

Një maratonë e tërë shqiptare për kah dituria, por jo e njësuar, gjersa pranverën e vjetshme në Prizren u përurua Abetarja e përbashkët Shqipëri-Kosovë e autorëve: Mimoza Gjokutaj, Shezai Rrokaj, Islam Krasniqi dhe Saranda Kumnova.

Abetarja e re u shpall në prani të dy Kryeministrave, të Shqipërisë dhe Kosovës. “Kjo abetare mbart sakrificat e shqiptarëve nga kohërat e Skënderbeut deri tek luftrat çlirimtare të shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni. Mbart idealin e përjetësisë kombëtare”, tha zoti Sali Berisha, duke iu drejtuar fëmijëve të pranishëm që do të mësojnë me këtë tekst. “Ditë historike për kombin, kulturën dhe qytetërimin shqiptar. Për herë të parë në historinë e kombit prezantohet një abetare unike ndaj është arritje historike”, tha zoti Hashim Thaçi.

Abetarja e celebruar vitin e kaluar është vetëm hapi i parë. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj në analizën vjetore të dikasterit që drejton, në janar 2013, tha: “Do të vazhdojë të thellohet bashkëpunimi kombëtar mbarëshqiptar në arsim, me objektiv afatgjatë njëhsimin e planeve, programeve dhe teksteve mësimore në të gjitha nivelet e arsimit. Në bashkëpunim me MASHT e Republikës së Kosovës do të fillojmë punën për hartimin e teksteve të përbashkëta të gjuhës shqipe dhe historisë së shqiptarëve.” Më bukur nuk ka! Dhjetë milionë shqiptarë tashmë përherë më shumë kanë një zë të papërndarë të historisë.

E Prizreni nuk mund të mos jetë gjithnjë një stacion mrekullues i saj. Njerëzit në mënyra të ndryshme e shprehin kredon e tyre me këtë qytet. Gjatë vizitës së një klase nga Shqipëria në kalanë e Prizrenit, teksa po shkrepeshin aparatet fotografike, një mësues hapi çantën e tij dhe nxori aq fletë të bardha sa nxënës ishin dhe ua shpërndau. “Do të bëjmë një konkurs vizatimi, kush bën vizatimin më të bukur të Prizrenit”, tha ai. Pastaj i mori ato fletë, i bëri bashkë dhe iu vuri përsipër shënimin e rastit, t’i ruante në muzeun e shkollës. Kjo kishte qenë ëndrra e njëqind vjetëve, t’i bëje një vizatim, një fotografi, ta shkilje me këmbë… Prizrenin, “të bukurin vend”. Shtëpinë e Lidhjes Shqiptare, që bashkoi gegë e toskë, për idealin kombëtar.

 

Shqipfolja nëpër botë

 

Shqipfolja në botë është e vjetër, e pamoshë. Përtej Formulës së Pagëzimit. Përtej Kastriotëve, Gazullorëve e Barletit. Përtej Arbëreshëve. Pasi dihet se një gjuhë është më parë e folur se e shkruar. Kuvendarët shqiptarë folën shqip gjatë mesjetës, në kuvendet e vendit dhe ato ndërballkanike, ashtu si dhe në shkollat e para shqipe, fëmijët e tyre. Nga mesi i shekullit XIX, për disa dhjetëvjeçarë, kombi shqiptar ishte duke u përlindur, iluminizmi e romantizmi ishin përkatësisht boshti politik e poetik i kohës, ndaj kemi aq shumë shkolla shqipe gjatë Rilindjes dhe disa vjersha himn kushtuar gjuhës shqipe, nga Naimi, Mjeda, Fishta, Lasgushi etj.

Sot pas njëqind vjetësh shtet është e udhës të pyesësh, jo vetëm sa shqiptarë flasin në gjuhë të huaj, por dhe sa të huaj e kanë mësuar shqipen nëpër botë? Sa gjuha jonë u është dashur atyre? A botohen libra dhe gazeta shqip në vende të tjera? Çdo shqiptar do të lakmonte dhe uronte që gjuha e tij amtare të shkruhej e folej në mediumet e qytetërimit bashkëkohor. Ashtu siç shqip qe shkruar qysh me 1555-n në Europë “Meshari” i Buzukut. Pastaj “Kuvendi i Arbnit” me 1703. “Flamuri i Arbërit” i De Radës. “Albania” e Konicës. “Dielli” i “Vatrës” së Bostonit dhe stacione të tjera të lëvrimit të shqipes e shqipshkrimit nëpër botë. Apo vite më parë “Fayard” që pati botuar veprën e Kadaresë në shqip e frëngjisht etj.

Por ndoshta, krahas lavdisë së mosbjerrjes së shqipes në shekuj, do të trishtohemi pak në ditët e sotme, pasi ka shqiptarë në tokë të huaj që disi e kanë “harruar” shqipen, ani se duke u ndjerë mbase më shumë evropianë, amerikanë, australianë etj. Ndërkohë që kombe dhe qeveri të huaja përpiqen ta shtrijnë sa më shumë hartën e foljes së tyre nëpër botë, ku jo rastësisht ka mbretërim të anglishtes, ditë të frankofonisë, ngarendje të spanjishtes, nxitim të kinezishtes etj. Jemi padyshim për t’u bërë pjesë e qytetërimit të botës, por duke shkuar andej me të dyja këmbët, autoktonen dhe gjithësoren. Do të ishte bukur nëse në këtë njëqindvjetor ne do të mund të thoshim me krenari se sa përpara e kemi çuar ëndrrën rilindase për këtë gjuhë të perëndisë, siç e quante Fishta. Sa frytdhënëse i kemi shkollat shqipe në Greqi, Belgjikë, Itali, Zvicër, Angli, Amerikë për fëmijët e emigrantëve? Sa efikase kanë qënë këto mote katedrat e gjuhës shqipe në: Palermo, Kozencë, Napoli, Vjenë, Mynih, Shën Peterburg, Bukuresht, Pekin etj, në gjurmë të albanologëve të mëdhenj europiane të dy-tre shekujve të fundit.

Nuk mjaftojnë thjesht kremtimet familjare a komunitare të emigrantëve me flamurin kombëtar dhe pak fjalë shqipe me fëmijët pas punës, ashtu si në vrap. Vetëm pesëdhjetë vjet duhen që dikush me prindër shqiptarë, i trojeve shqiptare, ta quaje veten turk, amerikan, kinez dhe shqipen e prindërve të tij ta ketë si gjuhë të dytë. Kjo do të ishte një shqipbjerrje e ngadaltë, që nuk do të na falte i pari Gjon Buzuku. Ta themi sot këtë merak. Vetes po ia themi, që ta kemi vëth në vesh, mbrotjen e shqipes tonë, nga të gjitha tallazitjet e fillim-mijëvjeçarit të tretë. Ndaj dhe Ministria e Arsimit ka hartuar një strategji për mbrothësinë e shqipes në emigracion, me programe digjitale të posaçme, teskte në gjuhën shqipe për fëmijët e emigrantëve etj. “Në çastin kur vendet ku jetojnë emigrantët tanë do të lejojnë futjen e gjuhës shqipe si lëndë me zgjedhje në kurrikul, atëherë qasja jonë do të jetë tjetër”, është thënë nga Ministri i Arsmit, duke shtuar se “tashmë një praktikë e tillë zbatohet për emigrantët italianë në Gjermani dhe në shumë vende të tjera.” Lajmi i mirë është se do të miratohet abetarja mbarëkombëtare dhe plani mësimor për fëmijët e diasporës, botimi i librave për këtë qëllim, shpërndarja e tyre etj.

Por problemi i shqipes është i dyfishtë, si për fëmijët që vazhdojnë të mësojnë atje, ashtu dhe për ata që janë kthyer. Duke qenë se në vitin 2012 janë regjistruar mbi 2700 fëmijë, të cilët kanë rinisur mësimet në shkollat shqiptare, Ministria ka hartuar një plan kombëtar veprimi, për t’u ardhur në ndihmë këtyre nxënësve, që ata të aftësohen në shqipen e folur e drejtshkrim, ku mangësitë janë të dukshme, përmes kurseve verore etj.

Gjithsesi është një sipërmarrje përtejshtetërore, jemi të gjithë që mund të luajmë një rol në këtë mes. Dy prindër të rinj e kishin sjellë një vit përpara se të fillonte klasën e parë në Shqipëri te të afërmit, djalin e tyre që kishte lindur në Itali, që në kopsht të përshtatej me shqipen, që të mos kishte vështirësi kur të niste abetaren.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *