S’di cili janar mbërriti në jetën time
Pa mbajtur mend asnjërin
Nëna thotë se një mbrëmje dimri
Rrëzë Munellës së nusëruar
Dita u gremis në natë
E nata thirri një ditë të re.
Bash ditën kur gjyshi dha jetë
Fiksuam emrin tënd në kujtim të tij!
Ah, more bir, sikur gjyshi t’a dinte
Se do të vinte një Pjetër si ai
Nuk do të udhëtonte për në botën tjetër
Symbyllur!
Lum si ne që linde këtë ditë!
07 Janar 2013
Levizje
Çerpikët e lisave
Nuk u mbyllen asnjëherë
Ata ngjiteshin lartësive
Me krye në humnerë!
Me urinë e gurëve
Ku pishat kishin rrënjët
Nje tufë bredhash
Si kalorës mjekërgjelbër
I printe drejt dritës
Udhëtimit tim
Të verbër!
Një pishë kockëfortë
Lëshonte rrënjë në mua
Duke më bërë
Një Promete natyror,
Kur rrokesha me vitet
Pa i takuar
Në shekullin tim shëkëmbor!
Me emrin tim jam ndeshur
Udhëtimeve të heshtjes…
Mungesë frymëzimi
Ka muaj që fletët e mija
Kanë mbetur të bardha
Përrenjë të shtrembër
Vallëzojnë në luadhet
E gjelbërta…
Vezullojnë rrufe të kobshme
Në një kohë të plevitur.
Flladeve të penguara nga majat
U mungojnë flokët
Ndërsa unë
Hedhur në greminën e fjalëve
Po dukem tëpër i dobët
Hutimit të brigjeve
Për të gjetur një varg!
Krojet më bëhën shokë!
Shkëmbinjtë
Të vonuar
Vrapojnë të bien
Këmbëve të bjeshkës
Për t’u kthyer në kulla!
Gacat flenë në
ëndrrat e gjysheve
Mbuluar me rrudha!
Dikur edhe ato ishin nuse!
Zjarret fshehur
Në
gjirin e tyre
Si Penelopa dremitëse
Në pritje të kthimeve!
Askush nuk rrojti
Pa ngjasimin e shkëmbinjëve!
Modernitet femëror në dy kohë
I thyejn pasqyrat
veshtrimet e femrave
Nëna ime e shihte fytyren e saj,
Vetëm kur shkonte në krua!
Nusërinë ia kishte
Zbukuruar
Qendistarja e katundit
Si të vishte një mollë!
E kuqja e përndezur
I ngjitej
Vetëm turpërimit
Nga bukuria e saj!
I ftohti vallëzonte përfierisë
Së gishtave
Tek qepnin të nesërmen e
Fëmijëve
Me mendjen te prindërit!
*****
Erdhën kohë të reja,
Vajzat u dhanë bluzave
Formën e gjinjve
Dhe desh i plasen basmat
Nga shëndeti!
Duke parë veten në
Fytyrat e njëra tjetrës
Pasqyruan zjarminë
E ditëve të ngushta
Duke mezipritur
Të bëheshin nuse!
Në lindjen e çdo të shtune
Vezullonte bardhësia
E fjalëve,
Ndërsa flladi fërkohej
Fluturimit të valleve….
E pakryer…
Në të gjitha kohët e foljeve
Nëse zgjedhohet puna ime
Përherë e pakryer
Diçka do të mbetet!
Nuk më mjaftojnë vitet,
Nuk di kuj t’ia marrë
Hua një shekull
Kur më të shumtit iken
Si një ditë e trembur!
Në krena zjarresh
Do jetë mundësia ime
Për të rrokur gjithësinë
Në vetëm pak vjet!
Përherë në kohën e pakryme
Do të mbeten projketet e mia
Pa kthime të drujta
Plakur shtigjeve të Munellës!
Më dhimben puthjet
Mbetur imagjinatës
Si vetëtima yjesh!
Të pakryera do mbeten shkrimet
Nëse dikujt do t’i bjerë
Ndërmend për mua!
Në fund të fundit,
Ç’i dua?!