MUZEU I NDRE MJEDËS PRET FONDE NGA MINISTRIA E KULTURËS

NDUE DEDAJ

 

Ke qenë disa herë në Kukël vitet e fundit, pasi atje është ngritur një qendër muzeore model, falë vullnetit të një njeriu tejet të përkushtuar, Dom Nikë Ukgjinit, historian dhe famullitar, pasardhës i zellshëm i Ndre Mjedës. Ke qenë dhe këto ditë, bile i ke rënë kryq e tërthor Zadrimës dhe e para gjë që të vjen në mendje është një falënderim për Qeverinë, që i ka asfaltuar rrugët gjithandej, jo vetëm të Zadrimës, po krejt ato fushore të qarkut të Lezhës etj. Por meqë kësaj herë këtu të ka sjellë meraku se Qendra Muzeore “Ndre Mjeda” po mbetet e papërfunduar, për një çast mendon: “More, po një nga këto rrugë të ishte lënë pa bërë e fondet e saj të ishin kaluar për muzeun e Mjedës”, sigurisht jo se vërtet duhet lënë njëra që të bëhet tjetra. Gjithkush e kupton se nuk bëhet fjalë për një muze të thjeshtë fshati me një a dy dhoma, siç ka qenë në modë para 90-ës, por për shtëpinë dykatshe të stilit neoklasik të poetit, një godinë me arkitekturë të veçantë, ndërtuar nga vetë Mjeda në vitin 1906, që është fat që ka ardhur e ruajtur deri më sot. Kjo Qendër Muzeore (një kompleks arkitekturor i spikatur i kishës, qelës etj.) është shpallur Monument Kulture me datën 16. 12. 2011 dhe tani pritet ndihma e shtetit për restaurimin e shtëpisë muze të poetit. Drejtuesi i Qendrës, z. Ukgjini, thotë se “Qendra është inauguruar me 1 gusht 2012, në përvjetorin e vdekjes së poetit dhe se për restaurimin e saj ka kontribuar Argjipeshkvia Shkodrës, komuna e Bushatit dhe individë të caktuar, ndërsa Ministria e Kulturës nuk ka ndihmuar. Këtu Mjeda ka krijuar veprën e tij letrare për 30 vjet me radhë. Shtëpia e tij, e shpallur muze që nga viti 1962, pas restaurimit të dytë që iu bë me 1982, shërbeu prapë si i tillë deri në vitin 1990. Kanë qenë të sistemuara në mjediset e saj, biblioteka, gjerat personale të poetit, ndër të tjera dhe tryeza 100-vjeçare e tij. Ajo tryezë tani gjendet në depon e muzeut të Shkodrës duke u shkatërruar. Ministria e Kulturës në gusht ka lëshuar urdhrin për restaurimin e kësaj relikje dhe kthimin në Kukël, por ende nuk është marrë askush me të. Nisur nga statusi special që ka Qendra, Dr. Ukgjini thotë se i përket kësaj Ministrie të ndihmojë me fonde për restaurimin e ish qelës, ndërkohë që Argjipeshkvia e Shkodrës e ka bërë detyrën e saj me restaurimin e plotë të kishës, gjithashtu e stilit neoklasik, e vitit 1913, që në çdo detaj e simbolikë ka po dorën e Mjedës.

Në të vërtetë Mjeda është tashmë një rilindës me të gjitha nderet, por pa “shtëpinë” e tij. Dhe duke qenë një figurë e atyre përmasave ai meriton pikërisht një muze me kujdesin e shtetit. Nëse dikur Kukli na dukej më tepër si një emër i krijuar enkas nga Mjeda dhe që nuk mund të rrinte pa të dhe jetëshkrimin e tij meritor, fatmirësisht ai “doli” nga librat e letërsisë dhe harresa e gjatë, në realitetin e ri. Mjeda tash ka ditët e tij, përndryshe “Ditët e Mjedës”, që kremtohen prej dy vjetësh në Kukël. Më në fund, vështirë të ketë mbetur pa u bërë ndonjë gjë (pos restaurimit të shtëpisë muze) në nderim të poetit të soneteve në shqip, rilindasit tonë të rrallë për nga stili, që rroi dhe u shua për “andrrën e jetës” dhe idealin e ndriçimit të kombit. Është botuar vepra e tij në dhjetë vëllime, punë pasionante e studiuesit të njohur shkodran Mentor Quku, është shfaqur një dokumentar i qëlluar kushtuar poetit dhe ka marrë formë Qendra Muzeore e tij, aty ku rroi, shkroi e meshoi poeti. Është e mjaftueshme të thuhet se në komunën e Bushatit me 1 gusht të vitit të kaluar u mbajt një sesion shkencor kushtuar Ndre Mjedës, me pjesëmarrjen e studiuesve nga universitetet e Tiranës, Shkodrës, Prishtinës, Shkupit, Podgoricës etj., nën kujdesin e Qendrës së Studimeve Albanologjike Tiranë etj. Po kështu është realizuar e vendosur aty shtatorja e poetit nga skulptori i njohur Sadik Spahia, financuar nga mërgimtari pukjan Zef Balaj që jeton ne Nju Jork.

Padyshim që promotori i gjithë kësaj ringjallje është pasardhësi i Mjedës, Dom Nikë Ukgjini, i cili nuk ndihet i qetë përderisa puna nuk ka përfunduar. Një studiues i shkruante  gjashtë muaj më parë: “Ju, Dom Nikë, përmbyllët një punë të madhe, me të cilën jemi njohur nga mediat që kanë shkruar intensivisht kohët e fundit, thuajse të gjitha, për rikthimin e lavdisë së shkuar të asaj famullie historike në Shqipëri. E gjitha është merita juaj. Askush tjetër nuk do të arrinte me krye një punë kaq të madhe e cilësore në nderim të poetit në dy-tre vite.” Dhe vërtet është për t’u marrë shembull se si mund të bashkëpunojë një famulli, me një njeri, me një institucion shkencor akademik si QSA, për sesionin shkencor në Bushat që sikur kaloi pa jehonën e merituar, dhe pse ishte krejt tjetër nga ato sajesat kinse shkencore që bëhen shpesh në provincë nga shoqatat. Meriton fjalët më të mira komuna e Bushatit dhe kryetari i saj, Zef Hila, që ka dhënë gjithë ndihmën e duhur për ta kthyer Kuklin në dinjitetin e tij historik, por dhe në një destinacion të ri turistik. “Qendra kohët e fundit ka pasur vizitorë të shumtë, nxënës shkollash dhe intelektualë të ndryshëm, si dhe diplomatë të huaj nga Austria dhe Britania e Madhe, ndërkohë që më parë atë e ka vizituar dhe Kryetarja e Kuvendit, Ministri i Kulturës, deputetë etj.” vazhdon të apelojë Dom Nikë Ukgjini, misionari nga Kosova që shërben prej vitesh në Shkodër.

Kukli do të ishte veçse fillimi i punës për kthimin në identitet të mjaft prej objekteve të dikurshme historike, që po na shuhen përditë para syve. Si do të ishte sot nëse do të mund ta kthenim sadopak në pamjen e dikurshme famullinë e Gomsiqes, ku At Shtjefën Gjeçovi pati mbledhur Kanunin, si dhe kishte ekspozuar objekte arkeologjike me vlera të madhe, përshkruar dhe nga Faik Konica, që e pati vizituar njëherë në “institutin” e tij shkencor në male. Ministria e Kulturës vërtet që nuk mund të restaurojë menjëherë të gjitha muzetë me fondet e saj, por disa nga më të rëndësishmit e ka për detyrë t’i marrë përsipër, për më tepër në 100-vjetorin e Pavarësisë. Është e drejta e gjithkujt të procedojë me projekte për shfaqje nga më të larmishmet artistike në kryeqytet, por është e nevojshme që për kushtet tona të orientohemi kryepari nga trashëgimia kulturore, që përbën dhe identitetin tonë si popull e komb. Ky do të ishte dhe hapi i parë i rishkrimit të historisë… përmes gjurmëve të vetë historisë.

Nëse projekti i shtëpisë muze të Mjedës në Kukël, nga Ministria e Kulturës, nis e merr jetë tani, që është fillimi i vitit, atëherë 1 gushti jubilar i “Ditëve të Mjedës” do të na gjejë në kohë. Por nëse ai projekt i mbetet fushatës elektorale, atëherë do të jemi bërë vonë…

 

“Shqip”, 9 janar 2012.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *