Nje shpjegim per kullat, miqve te mediave

NDUE DEDAJ

 

Mundet që është pretendim, që si njëri nga ata që gjyshërit i ka patur “rob” të kullës, t’iu shpjegosh të tjerëve se ç’ka qenë kulla shqiptare, kur normalisht ata e dinë njëlloj si ti këtë gjë. Se dhe nëse nuk janë nga zonat veriore, ku kullat mbizotërojnë, kanë lexuar e dëgjuar për to nga studiues të vendit dhe të huaj, deri në hyjnizim të tyre përsa i përket mikpritjes, bujarisë, odës së kuvendimit, çardakut etj. Padyshim që mikpritja shqiptare është unike në rruzullin tokësor dhe ajo nuk mund të kuptohet pa kullën. Por ja që jo gjithëhere ka mirëkuptim për atë se ç’kanë qenë kullat tona. Në një program muzikor me audiencë të gjerë, një artist nga Veriu, që gjendej aty me grupin e tij të folkut, gjatë përshëndetjes përmend fjalën kullë, po has në reagimin e prezantuesit, i cili fill shton fjalën “e ngujimit”, çka për të nënkuptonte se po the kullë, ke thënë dhe ngujim, sikur fjala kullë nuk mund të kishte kuptim tjetër, veçse brenda këtij togfjalëshi. “Kullë ngujimi”. Por këngëtari verior la të kuptohet se nuk ishte ashtu, se nuk ishte i natyrshëm ai shoqërim idesh. Dhe nuk ishte veç ai prezantues, nga më të njohurit në vend, që kullën në vetëdijen e tij e lidhte domosdoshmërisht me ngujimin, por dhe ndonjë tjetër që po ashtu kishte shkruar në gazetë se kullat ishin të ngujimit etj.

Por t’ia “falësh” kullat ngujimit është më se e padrejtë dhe sidomos e pasaktë. Kullat veriore më pak se të çdo gjëje tjetër kanë qenë të ngujimit. Bile termi është më tepër i krijuar, artificial se sa real. Në thelb kulla asnjëherë nuk ishte mirëfilli vend ngujimi, pasi njerëzit e saj (përpos doracit) kishin liri për të dalë, për të punuar arat etj. Sipas nesh keqësimi i nocionit kullë ndodhi vonë, me ardhjen e regjimit komunist. Akti i parë i zhbimjes së kullave ishte djegia partizane e Sarajeve të Kapidanit të Mirditës në Orosh në tetor 1944, padyshim një krim kundër historisë, pasi me atë rast flakët dogjën jo një banesë, por një monument shumëshekullor. Kjo shërbeu për t’iu rënë pastaj zjarri proletar të gjitha shtëpive të para, të krerëve, bajraktarëve, si dhe institucioneve të kultit etj. Por nuk mund të ishte kullë e mirë dhe patriote vetëm kulla e Vraninës e Oso Kukës, që u shndërrua në kështjellë heroizmi legjendar, siç e përshkruan me madhështi dhe epicitet Fishta. Në fshatin Bujan të Tropojës ngrihet kulla trekatëshe e luftëtarit të shquar Mic Sokoli, fotografinë e së cilës pak kush nuk e njeh. “E ndërtuar nga fundi i shekullit XVIII, kjo kullë guri, që për nga tipologjia i përket banesës së fortifikuar të Malësisë së Gjakovës, sjell deri në ditët tona, jo vetëm vlerat kulturore të këtij tipi banesash, por edhe imazhin e shumë ngjarjeve historike”, shkruajnë studiuesit.

Kulla ishte gjithnjë vatër e historisë, kuvendeve, marrëveshjeve dhe kurrë e komploteve, kulisave, prerjes në besë etj. Kulla e fundit e historisë është ajo e Jasharajve në Kosovë, shembulli se ç’mund të bëjë një kullë shqiptare, qoftë dhe në fundin e shekullit XX dhe se ç’fortesë shembullore ka qenë ajo përsa i përket qendresës së trojeve në kohët e hershme. Kulla padrejtësisht u përdor në propagandën komuniste si simbol i errësirës, prapambejtjes, patriarkales, e cila sipas asaj logjike duhej të shembej për t’i bërë vend shtëpisë model elbasançe, banesa më “popullore” e kohës, e cila sot nuk shihet më. Natyrisht që kulla ishte e varfër, me pak orendi, por ajo ishte një vlerë autentike e kohës. Afërmendsh që malësori shqiptar nuk kishte bërë gjera kundra vetes, as kullën si fortesë, as kanunin si vetëqeverisje, as epikën historike si kumt qendrestar, por për të shtegtuar drejt kohëve të reja, si gjithë njerëzimi tjetër, me apo pa kulla. Prandaj ta mirëkuptojmë kullën, pa u ekzaltuar nga madhështia e saj proverbiale dhe pa u trembur nga hija e saj e së shkuarës. Kulla meriton të studiohet pa paragjykim, pse jo, dhe të restaurohet për muze etnografik, për turizmin malor, për të bujtur sërish të ardhurit nga Europa si dikur, por dhe vetë ne që sot për sot i kemi braktisur malësitë si s’ka më keq. Kulla nuk ishte saraj shtypës dhe shfrytëzues i beut, Suat Bej Verdhomës, por njëlloj “princnie” e vogël në vetevete, me të gjitha atributet e përfaqësimit dokesor në kuvendet krahinore, betejat çlirimtare, pajtimet etj. Ka patur kullë që kishite deri në njëqind familjarë, në Theth, Lurë, Pukë e që kishte madje dhe flamurin e saj, që ishte ai shqiptar, përndryshe, ajo nuk ishte vetëm shtëpia ku banohej e jetohej, por dhe vendi ku prodhoheshin armë, këmborë, dryna, arka, djepa, çifteli, parmenda, voza, furka etj. Prandaj nuk është e rastit që kemi plot kulla të shpallura monument kulture dhe ku i dihet, ndonjë ditë projektet e trashëgimisë kulturore mund t’ia paraqesin ato dhe UNESKO-s për t’i marrë në mbrojtje, njëlloj si shtëpitë e gurta të Gjirokastrës dhe Beratit.

Nuk është e rastit që në biznesin e trevave veriore kulla është imituar me shumë elemente, që nga arkitektura e ndërtimit të vilave moderne, pajisja etj. Kulla për kohën ishte banesa më e sofistikuar, e lakmueshme nga të gjithë, me dy, tre e deri katër kate. Ajo ishte institucioni qendror i kreshtave tona, ku malësorët ushtronin kryekrejet “zejen” e kuvendit dhe të besës. Nëse do të lypet një ditë një muze bese, ai patjetër që do të kishte formën e një kulle shqiptare. Asnjë lidhje nuk kanë frenxhitë e ngushta të kullës me gjakmarrjen. Është absurde të mendohet diçka e tillë. Pasi askush nga gjaksit nuk e sulmonte shtëpinë e shoqit, se më e pakta aty banonin fëmijët dhe gratë, që nuk i prekte pushka e hasmit. Dritaret e vogla ishin për t’u mbrojtur nga sulmet armike të të huajve dhe për këtë mjafton të njohësh historinë e Malësisë së Madhe, Hasit të Thatë, apo të vendeve të tjera kufitare, por në radhë të parë psikologjinë e banorëve të maleve dhe zakonet e tyre fisnike. Asnjëherë ndodhitë rastësore, shpërdorimet në lëmin e një tradite, gjerat aksidentale, nuk mund të shërbejnë si argument për të krijuar përfytyrime të gabuara rreth një objekti, dukurie apo figure historike. Kullat janë një pjesë e visarit trashëgimor shqiptar. Kulla e Gjomarkajve ishte monumentale dhe e civilizuar, si në Oroshin malor në Mirditë, si në Shkodrën urbane, ku në këtë të fundit torra karakteristike, nga e cila mund të shihej i gjithë qyteti, ishte vepër e Kol Idromenos së shquar, një monument kulture i dorës së parë, i restauruar vetëm pjesërisht me fondet e Ministrisë së Kulturës, që mund të ishte dhe një “shtëpi pritje” për dërgatat e huaja, si dikur për konsujt e Europës.

Kullave u kanë bërë shumë fotografi, shkrime e dokumentarë plot reporterë të mirënjohur tanët, duke i paraqitur dhe në ekspozita jashtë vendit, siç ato kanë tërhequr dhe vëmendjen e të huajve, që dhe tash së voni i kanë përfshirë në botimet e tyre të zgjedhura, gjithnjë duke i lavdëruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *