Ja çfarë më shkruajnë kolegët për naften

Ing.Ahmet Collaku

-Ja çfarë më shkruajnë kolegët-

KOLEGU I PARE
Shtetet e zhvilluara evropiane si Britania e Madhe, Norvegjia, Danimarka etj. pasuritë kombëtare strategjike nuk i kanë privatizuar, naftën ata e kanë pasuri shtetërore. Nafta dhe gazi u sjellin arkave të shteteve të tyre të ardhura shumë të mëdha me të cilat ata bëjnë investime të rëndësishme në ekonomi, shëndetësi, mbrojtje, shkencë, arsim etj. Rritet mirëqenia e popullit, rrogat, pensionet… Danimarka dhe Norvegjia kanë jo vetëm mirëqenien më të lartë në Evropë, por kanë suficit buxhetor (nuk dinë ku t’i çojnë paratë!). Shteti mban si burime strategjike jo vetëm naftën, por dhe burimet e tjera.
Ne dikur shtetëzuam gjithçka, kurse tani kjo demokraci po synon të shkatërrojë gjithçka. Ne nuk kemi privatë me kapitale të trashëguara që të blejnë pasuri të rangut kombëtar. Ata që duan t’i blejnë këto pasuri kombëtare janë mafiozët qeveritarë dhe të huaj. Unë nuk jam kundër privatizimit të ndërmarrjeve apo objekteve të vogla deri mesatare, unë jam kundër privatizimit ( shitjes tërësore-grabitjes) të pasurive strategjike kombëtare, sikurse është nafta, kromi, bakër-ari etj. Tek ne nuk po jepen me koncesion, por ka shitje totale 100% për 25 vjet!
Ky është krim. Nafta që shfrytëzojmë sot dhe nafta e madhe që do të zbulohet në zonën jonike, dhe në zonën e Mirditës, do ta pasuronin arkën e shtetit shqiptar, do të përmirësonin jetën e popullit tonë. Shitja tërësisht e pasurisë kombëtare nuk është për zhvillimin e vendit, por që Shqipëria të kapitullojë si shtet, të varfërohet dhe të futet në borxhe.
Greqia ka vendosur të bëj kërkime për naftë dhe gaz në jug të Kretës dhe në detin Jon. Specialistët gjermanë thonë se Greqia vetëm në jug të Kretës (në pllakën kontinentale të Libisë, që zhytet poshtë Kretës ) ka rezerva gazi dhe nafte me vlerë 270 miliardë deri 1. 3 trilionë dollarë. Po kështu edhe në detin Jon, në jug dhe në veri të Korfuzit. Gjermania e njofton Greqin se me këto rezerva ajo del pa problem nga kriza e thellë financiare. Po ne si po veprojmë? Ne po zbatojmë direktivat sekrete të armiqve tanë.
KOLEGU I DYTE.
Çfarë të bëjmë që të zgjojmë këtë milet të përgjumur, të mbrojmë naftën shqiptare nga Berisha dhe mafiozët shqiptarë dhe të huaj? Deri tani nuk ka asnjë protestë nga naftëtarët për të mbrojtur naftën sepse nuk ka unitet, ka vetëm hile, kush t’ia hedhë njëri-tjetrit. Sot ne shqiptarët nuk varemi nga shteti si në kohën e Enverit, sot ne jemi të pavarur dhe të armatosur me të drejtën për të mbrojtur pronën tonë publike.
Më pyet për pasuritë nëntokësore, janë fat apo mallkim? Kromin e Bulqizës e kanë marrë austriakët me koncension, ka punësuar 700 punëtorë, të cilët ngarkojnë 3 vagonë në ditë. Ne në kampin e burgut në Qaf Bar, ku unë isha dhe punoja, na kërkonin 4 vagonë 2 tonësh në ditë për secilin. Një ton kromë xeherorë (i dalë nga galeria) kushton nga 280 $ deri 400 $ kurse çdo punëtor merr 300 $ /muaj. Shikoni sa pak paguhen. Bakrin nga Munella në veri të Spaçit e deri në Qaf- Bare (Pukë) e kanë marrë Turqit. Elamdylah! Është zonë e pasur me mineral bakri, kalkopirit, ky shoqërohet me mineral ari dhe argjendi. Punëtoret paguhen 40.000 mijë lekë të reja.
Italia fqinje gjithnjë sytë i ka drejtuar nga nafta shqiptare, fillimisht tek ajo e Kuçovës. Nafta dhe kromi në kohën e diktaturës u shfrytëzuan për ndërtimin e mijëra bunkerëve. Kosto e bunkerëve më të vegjël është baras me vlerën e një apartamenti 1×1. Marinza në vitin 1957 na hoqi sistemin e triskëtimit, prodhimi shkoi 800 mijë ton/vit, Enver Hoxha në vitin 1980 na vuri tollonin kur prodhimi kishte arritur 2.5 milionë ton/ vit.
Tani i vinë rrotull “ALBEPETROL”-it, zemrës së Shqipërisë. Çfarë spo bëhet që ta gremisin edhe këtë. Nafta në Angli dhe Norvegji është monopol i shtetit, kurse në Rusi, Poloni shteti ka paketën kontrolluese prej 51 %. Në Greqi, Itali, Kroaci shteti ka 40 % të aksioneve. Si thua ti, këta privatët tanë do mendojnë për popullin?!
Lexova një shkrim që u përcillte mesazh dhembje gjeologëve tanë, atyre që kanë mbetur gjallë nga kalvari i mundimit, ata askush muk i thërret, ndonëse janë të fundit e moikanëve dhe zotërojnë përvojë. Ne jemi të gatshëm të ngremë Institutin e Naftës me një personel minimal, shumë funksional, kërkojmë një sondë, se të dytën dhe të tretën do t’i blejmë me paratë e naftës që do të nxjerrim dhe do të shesim. Do të bëhemi të fuqishëm. Ne kemi gati projektet e shpimit të aprovuara nga një Këshill Shkencor që dhunoi përbindshëm Enver Hoxha. Vështirë se gjen në historinë e botës një trajtim të tillë si iu bë atyre 20 inxhinierëve tanë të naftës në kohën moniste.
Ne jemi të vendosur që naftën ta ringrejmë, si në ato vite të gjeologjisë shqiptare, të përsërisim atë që unë e quaj epoka e lavdishme e gjeologjisë shqiptare. Kompanitë e huaja këto 20 vite, megjithëse kanë shpuar 10 puse të thellë nuk kanë marrë as një gjë pozitive. Nafta përgatiti para viteve ‘90, specilaistë të papërsëritshëm. Le të kujtojmë vendburimin e fundit, i cili ndodhet në Delvinë. Sot e kësaj dite, njëri nga puset nxjerr 14 ton/në ditë kondesat dhe i dyti 50 m3 gaz, edhe ky kondensat …
Kolegu i tretë
Qeveria Berisha, qysh në vitet 2005- 2006, vendosi të privatizojë (shesë), pasuritë kombëtare dhe për këtë krijoi lehtësi ligjore duke deklaruar: “Shqipëria 1 euro”. Vetëm kjo deklaratë tregon tradhti kombëtare. Qysh atëherë dhe deri sot janë shitur shumë pasuri kombëtare (rafineria e naftës në Ballsh, vendburimi i naftës Patos – Marinëz, kromi i Bulqizës, gjithë bakër – ari i zonës së Mirditës, nikeli silikat i Bitinckës etj. etj….). Këto janë shitur badihava. P. sh., uzina e Ballshit u ble për 120 milionë dollarë nga Rezart Taçi.
Vendburimi Patos – Marinëz iu dha kompanisë kanadeze Bankers, e cila e ka rritur shumë prodhimin (750 mijë ton në vit ), ndërsa shteti shqiptar merr vetëm 10% të prodhimit. Kompania shkurtoi shumë punëtore, i flaku në rrugë. E kishim 100% naftën tonë, tani e privatizuam, marrim vetëm 10%! Qeveria fillimisht i braktisi qëllimisht vendburimet e naftës që të ulej artificialisht prodhimi dhe të shiteshin me çmim të ulët. Kështu është bërë edhe me kromin në Bulqizë, kush të vjedhë më shumë, ndërsa punëtorët janë flakur në rrugë. Ata që punojnë paguhen pak, pa sigurim teknik prandaj vazhdimisht ka aksidente…
“Albpetroli” deri tani ishte kompania e vetme shtetërore që administron të gjitha fushat e naftës- 4000 puse, dhe 4000 punëtorë. Mendohet që këto fusha nafte të shiten 100% për 25 vjet. Kështu që nëse shitet, mijëra punëtore do hidhen në rrugë. Bashkë me këto fusha nafte, do të shiten të gjitha rezervat nëntokësore të naftës dhe gazit të gjithë Shqipërisë. Pra, shteti shqiptar merr tani një dorë para, pastaj gjatë 25 viteve Shqipëria i ka larë duart me naftën dhe gazin. Ajo do marrë vetëm taksën (thërrimet që do japë kompania ). Vetro ofroi 850 milionë dollarë, por të mos harrojnë se vlera e vërtetë e naftës tonë është miliarda dollarë. Sot nga fushat e naftës të braktisura nga shteti, të ardhurat vjetore janë 50 milionë dollarë. Nesër këto të ardhura do t’i marrin të huajit në bashkëpunim me mafien tonë qeveritare. Pra, kaput nafta, kaput shqiptarë. Mjerë ne!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *