40 faqe kushtuar Shqipërisë në një gazetë amerikane

  1.  Nga Ruben Avxhiu
 Si asnjëherë në histori, një gazetë joshqiptare i ka kushtuar kombit shqiptar dhe diasporës së tij në SHBA një hapësirë 40 faqesh prezantuese dhe kremtuese.
NEW YORK CITY : Rasti ishte për nder të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë;
gazeta ishte “New York Daily News”, e njohur si periodikja me tirazhin
më të lartë në shtetin e New York-ut dhe si e pesta në mbarë Shtetet e
Bashkuara të Amerikës (direkt mbas gjigandëve “Wall Street Journal”,
“The New York Times” që ia kalojnë vetëm me shitjet jashtë shtetit si
dhe “USA Today” e Los Angeles Times).
Për shkrimet e botuara, “New York Daily News” pati ndihmën e gazetës
shqiptaro-amerikane “Illyria”. Synimi ishte që të prezantohej
Shqipëria dhe shqiptarët, përfshi edhe komuniteti ynë në sytë e
lexuesve të thjeshtë amerikanë.
Faqet kushtuar Shqipërisë u botuan nga gazeta njujorkeze në 28 Nëntor
2012. Një shkrim me titullin, “Dita e Shqiptarëve”, nga Ruben Avxhiu u
shpjegonte lexuesve amerikanë festën shqiptare të 28 Nëntorit si dhe i
bënte një përshkrim të shkurtër historisë së shqiptarëve. Një pjesë
nga libri “Udhëtimi im në Tokën e Shenjtë” i botuesit të gazetës
“Illyria”, Vehbi Bajrami, përshkruhej një pjesë e vizitës së tij në
Jeruzalem, e organizuar nga organizata e fuqishme American Jeëish
Committee (Komiteti Amerikano-Hebre – AJC) si dhe historia e miqësisë
mes shqiptarëve dhe hebrejve, këta të fundit janë komunitetit etnik më
i madh i qytetit tonë të New York-ut dhe përbëjnë përqindjen më të
lartë të lexuesve të “NY Daily News”.
Gazeta njujorkeze, me ndërmjetësimin e botuesit të gazetës “Illyria”,
intervistoi me këtë rast edhe shkrimtarin më të shquar shqiptar,
Ismail Kadarenë, i cili foli për kthesat e mëdha të kombit shqiptar,
për shekullin e parë të historisë së tij që prej pavarësisë, për
kthimin në Perëndim të shqiptarëve si dhe për letërsinë dhe rolin e
saj.
Një shkrim i posaçëm erdhi nga Kosova, kushtuar Nënë Terezës, për t’ia
prezantuar lexuesit amerikan, këtë “nënë të botës dhe bijë të
Shqipërisë”. Ishte shkruar dhe dërguar nga biografi më i mirë shqiptar
i saj, Dom Lush Gjergji.
Suplementi kushtuar Shqipërisë përfshinte edhe histori
shqiptaro-amerikanësh të njohur si ajo për inxhinierin Wilson Kokalari
që luajti rol kyç në misionin hapësinor që dërgoi njeriun e parë në
Hënë, Apollo 11 si dhe ajo për gazetarin shqiptaro-amerikan, Donald
Lambro, që ndikoi personalisht në vizionin e presidentit të shquar
amerikan, Ronald Reagan. Lambro, djali i një emigranti shqiptar që
punonte si berber, u bë një nga gazetarët më të shquar të Amerikës dhe
një libër të tij Presidenti Reagan e shpalli lexim të detyrueshëm për
të gjithë anëtarët e kabinetit të tij të parë presidencial.
Suplementi përfshin edhe arbëreshët. Një shkrim interesant nga Gena
Bajrami, zbulon një kryebashkiak arbëresh në një nga qytezat pranë New
York-ut, Andreë Parise, që si rrallëkush në historinë e Amerikës, e
mban atë post që prej 16 vjetësh. Kaq shumë e duan njerëzit që qeveris
sa që parku kryesor aty mban emrin e tij. Shkrimi edukon lexuesin
amerikan për lidhjen historike mes shqiptarëve dhe arbëreshëve. Një
shkrim tjetër i kushtohet ish-kongresistit të parë dhe të vetëm me
prejardhje shqiptare, Joseph DioGuardi, babai i të cilit ishte
arbëresh. Shkrimi me autor Artur Vrekajn, flet për rolin e DioGuardit
si themelues i organizatës së parë dhe të vetme lobiste
shqiptaro-amerikane në Washington DC.
Në faqet kushtuar Shqipërisë, spikasin dy figura të komunitetit që
shënojnë hyrjen në politikë të shqiptaro-amerikanëve.
Mark Gjonaj, i cili u bë këtë vit, shqiptaro-amerikani i parë që
zgjidhet në Asamblenë Shtetërore të New York-ut, kongresisti ynë i
parë shtetëror. Mark Gjonaj luajti një rol të rëndësishëm personal që
të fillonte ky projekt për Shqipërinë në “New York Daily News”.
Figura tjetër ishte Ken Biberaj, që kandidon në 2013 për t’u zgjedhur
këshilltari i parë shqiptaro-amerikan në Bashkinë e New York City-t.
Biberaj është pjesë e atij brezi të ri shqiptaro-amerikanësh të
talentuar që janë shkolluar në SHBA e po shkëqejnë në profesione e
biznese jotradicionale për komunitetin shqiptar.
Në një shkrim të posaçëm të shkruar nga ish-diplomati dhe eksperti i
njohur amerikan tregohen intimitete interesante nga drama e
rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane pas
rënies së komunizmit në Shqipëri.
Një shkrim nga kritiku shqiptaro-amerikan i artit, Nick Leshi, zbulon
një shkrimtare shqiptaro-amerikane të librave romantikë të kategorisë
“best-sellers”. Loreta Chase flet për krenarinë e saj kombëtare si
vajzë shqiptarësh në këtë përvjetor shekullor të pavarësisë së vendit
nga erdhi familja e saj me mbiemrin Chekani.
Një shkrim kushtuar kompanisë së prodhimit të verave Stonecastle
Vineyards and Winery LLC, përshkruan një histori të pashoqe suksesi
ekonomik në Kosovën e pavarësuar, investimin e biznesmenit
shqiptaro-amerikan Rustem Gecaj. Është historia e një tradite të
lashtë verëprodhuese që nga koha e ilirëve, në Luginën e Rahovecit,
historia e Kosovës dhe e verës “Stonecastle”, që tani tregëtohet nëpër
Europë e SHBA.
Një listë shqiptaro-amerikanësh të suksesshëm, e shoqëruar me
fotografi, i bën nje prezantim më të gjerë e mozaik komunitetit te
lexuesi i gazetës “New York Daily News”.
Ballina e Suplementit, një fotografi me tematikë shqiptare e artistit
të shquar shqiptaro-amerikan, fotografit Fadil Berisha, është
mbresëlënëse dhe ideale për të startuar këtë prezantim historik të
shqiptarëve. Një numër biznesesh të komunitetit gjithashtu përfituan
nga rasti që të ofrojnë dhe reklamojnë punën dhe shërbimet e tyre
përpara rreth 400 mijë lexuesve amerikanë të gazetës “New York Daily
News”.
Sigurisht 40 faqe janë gjithnjë pak për të përshkruar një botë aq të
ndërlikuar sa bota shqiptare, por ishte gjithësesi një fillim i mirë,
një mundësi e madhe që rrallë mund t’i jetë dhënë një komuniteti
tjetër etnik në SHBA. Gazeta “Illyria” është krenare që pati mundësinë
të bashkëpunojë dhe kontribuojë në këtë projekt.
Për lexuesit e saj që nuk jetojnë në New York dhe për ata që nuk kanë
pasur mundësi të blejnë një kopje në 28 Nëntor, “Illyria”, me lejen
bujare të gazetës “New York Daily News” po e riboton në këtë numër
suplementin kushtuar Shqipërisë. Lexim të mbarë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *