Pershendetja e Genc Pollos derguar Mbremjes Solemne ne Detroit

Pershendetje nga z Genc Pollo

Ministër për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit

 

Të dashur bashkëatdhetarë, shqiptarë të komunitetit të Michiganit,

Do të doja, me anë të këtyre rreshtave, t’ju dërgoja nga larg atmosferën e festimeve në Tiranë e Vlorë me rastin 100 viteve në liri të shqiptarëve duke ju falenderuar shume për ftesen që me derguat për ta marrë pjesë në festën e mbajtur prej jush.

Në këtë kremtim jubilar dhe në këto ditë festive duhet të kujtojmë kontributin e shquar për çështjen kombëtare të të gjithë shqiptarëve në gjithë botën, por veçanërisht kontributin tuaj, komunitetit shqiptar në Michigan e më gjerë në gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë rast do të doja të falenderoja komunitetin e Shën Palit në Detroit dhe një mirënjohje e veçantë për famullitarin e Qendrës së Shën Palit, Don Fran Kola, në cilësinë e anëtarit të Komisionit të festimeve të këtij jubileu në Michigan.

Dua të vë në dukje me anë të kësaj letre përpjekjet e vazhdueshme që ka bërë komuniteti shqiptar i Detroitit dhe gjithë Michiganit veçanërisht për çështjen e Kosovës, e cila sot është e pavarur.

Me nderim të thellë duhet të kujtojmë sot gjithë ata burra, shoqata apo organizata në ShBA, që kontribuan në çështjen shqiptare, duke punuar e jetuar si qytetarë të denjë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Dëshiroj të kujtoj në këto rreshta edhe rolin e kontributin e shoqatës Vatra, që ka qenë i pazëvendësueshëm për çështjen shqiptare në 100 vitet e krijimit të saj.

Të dashur bashkëatdhetarë,

Një shekull më parë Shqipëria u shpall e lirë, ndërsa ky shekull do të kujtohet për pavarësinë e Kosovës. Dhe për këtë shqiptarët do tu jenë përjetë mirënjohës edhe Presidentëve Wilson, George W. Bush dhe Clinton. E njëjta mbështetje dhe ndihmë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte përcaktuese për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Qeveria shqiptare është e angazhuar për të bashkëpunuar me shqiptarët kudo që jetojnë e punojnë sot në botë. Ajo do të bëjë gjithçka për të institucionalizuar bashkëpunimin me shqiptarët jo vetëm në Michigan, por në gjithë ShBA-të.

Ky 100-vjetor i gjen gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi më të bashkuar e më të lirë se kurrë. Sot kemi një bashkëpunim me shqiptarët në të gjitha fushat, bashkëpunim që do ta zhvillohet për më tepër begati, paqe dhe stabilitet, për fqinjësi të mirë me të gjithë popujt dhe me të gjitha vendet.

Gëzuar 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *