Struganet drejt Vlores me 28 nentor, marshim me qerre me kale
Sipas organizatorëve, pjesë e marshit do të jenë 100 djem dhe vajza të reja që do të simbolizojnë 100 vjet pavarësi, e mes tyre do të jenë edhe të burgosurit politikë, ish ushtar të UCK-së, familjarë të nënshkruesve të pavarësisë nga Struga si dhe qytetarë të shumtë.
Karvani strugan i marshimit, do të udhëtojë fillimisht drejt Elbasanit për të qenë pjesë e manifestimit që do të zhvillohet më 25 nëntor në sheshin e qytetit, ku do të ngrihet Flamuri Kombëtar dhe do të vendoset busti i Aqif Pashë Elbasanit.
Dukë patur parasysh se në Elbasan, gjatë ngritjes së Flamurit Kombëtar dhe Shpalljes së Pavarësisë më 1912 nga Aqif Pashë Elbasani, kanë qenë edhe disa delegate strugan, qytetarët e Strugës këtë marrshim e quajnë “Shtigjeve të patriotëve të 1912”.
Nga Elbasani, karvani “Marshi i Pavarësisë”, do të vazhdojë rrugëtimin drejt qytetit të Fierit, ku do të parakalojë nëpër qytet me qerre me kalë, që të nesërmen të vazhdojë rrugën drejt Vlorës, për të dhënë kontributin modest të qytetarëve strugan për manifestimin madhor të festës së Pavarësisë dhe të Flamurit Kombëtar në Vlorë./B.Sina/