ALI ONUZI
(kolonel në reserve)
MUNDJA E SERBËVE NË LUMË
(Aspekte ushtarake të luftës së Lumës kundër ushtrisë serbe në nëntor 1912)
Gjendja e palëve : Një muaj para luftës së Lumës kishte shpërthyer lufta e I ballkanike midis aleatëve dhe Turqise. Ushtria serbe kishte pushtuar Kosovën deri në Shkup dhe Prizrenin më 30 tetor. Armata e tretë e saj veç dy kolonave që nisi për të dalë në Mjedë e në Lezhë, kishte përgatitur divizionin “Shumadija I” për të hyrë në LumëSipas Giani Baj Macarios, historian italian qe ka shfrytëzuar arkivat e shtabit të përgjithshëm serb, këmbësoria serbe kishte pushkë nga më të mirat e kohës, tip “mauzer”, model 1899 (2000 m largësihedhje, 7m/s shpejtesi, çdo ushtar kishte 150 fishekë) dhe mitralozë “maksim”. Sipas specialistëve të kohes, ajo bashkëvepronte mirë me artilerinë, edhe kjo moderne e tipit “shnejder”, shumica e modelit 75 mm e vitit 1907 (43 bateri) plus 9 bateri me qitje të shpejtë “shnejder-cruesot” dhe 54 topa malore “de bange”. Divizioni “Shumadija I”, me një efektiv 35 mije veta, ( aq sa ishte popullsia e gjithe Lumës) kishte 36 topa nga te cilët 32 do t’i përdorte në Lumë. Ky divizion përbëhej nga ushtarë të thirrjes së parë (21-31 vjeç), deviza e të cilëve ishte “të shfarosim shqiptaret”. Aleati i Serbisë, Mali i Zi ndërkohe kishte pushtuar Pejën e Gjakovën dhe kishte rrethuar Shkodrën.
Shqiptarët në Kosovë, që me fillimin e luftës ballkanike, mbetën vetëm, ballëpërballë me ushtrinë serbe, ngaqë ushtria osmane, befasisht, u tërhoq nga kufiri drejt qendrës së Gadishullit ne Kumanovë e Manastir. Komanda e saj nuk u dha shqiptarëve të Kosovës as pushkët (63000) qe u kishte premtuar. Në këtë pështjellim që u krijua shqiptarët e Kosovës më gjithë qëndresën, nuk arritën të ndalnin agresorët, të cilët depërtuan edhe grykën e Cërnalevës, prej nga hyne në Prizren.
Forcat shqiptare të krahinës së Lumës, pas qëndresës në qafë të Duhles, qenë tërhequr brenda krahinës së vet. Për efektivin e tyre jane dhënë shifra të ndryshme: 4000 veta, (Sh.Braha e Q.Mataj,) 2000 shënon Sh. Hoxha, sa jep edhe Historia e Popullit Shqiptar” botim i vitit 2002 dhe historiografia ushtarake serbe (Ratkoviç e co). Nisur nga popullsia e krahines, 2820 shtëpi, na duket se shifra më afër realitetit është në 2000-3000 veta. Por duhet vlerësuar cilësia e tyre: ato ishin forca të afta luftarake, jo vetëm pse kishin sherbyer e luftuar rregullisht si nizamë e si redifë në ushtrinë osmane, por edhe pse trashëgonin brez pas brezi e zhvillonin atë, që John Keegan, një nga historianët e sociologët më të shquar ushtarakë të shekullit XX-të, e quan “ kultura e Luftës “, “kultura e të luftuarit”, duke shfrytëzuar më mjeshtëri të jashtëzakonshme terrenin, (në një teatër luftimi nga Gryka e Kacanikut, në Grykë te Cernaleves, në Qafë të Duhles, në Qafe te Zhurit, dhe se fundi në Maratonën e tyre, në Qafën e Kolesjanit), në mbrojtje, në prita, më sulm të befasishëm e deri në luftim trup më trup. Nuk kishin munguar të luftonin me Dervish Pashën, në mbrojtje të Lidhjes se Prizrenit, dhe kishin thyer për herë të parë, që nga s’mbahej mend në trojet shqiptare, forcat e ushtrise osmane më 1909, duke u dhënë shpirt e krahë kryengritjeve të mëdha të viteve 1910,1911 e 1912 .
Në nëntor 1912 shqiptarët e Lumës do ta përsërisnin këtë edhe ndaj forcave të ushtrisë serbe, që kish një muaj që vetëm fitonte në teatrin e Ballkanit. Për herë të parë do të rrethohej, e per here te pare, do të thyhej në Lumë. Së dyti do të turpërohej në Shkodër. Në Lumë mbrohej edhe Shkodra edhe Vlora, ashtu si edhe ne Shkodër e Vlorë mbrohej gjithashtu Luma. Profesor Qamil Hoxha na ka percjelle ne veprën e tij kujtimet e Shaqir Agës nga Petkaj, i cili në moshën 94 vjeç më 1977 tregonte se, duke qenë xhandar në Shkodër në nëndor 1912, Hasan Riza Pasha dhe Esat Pasha e kishin nisur me dy besnikë të tij me një letër për Islam Spahinë dhe Suf Xhelilin. Ai e solli letrën në destinacion dhe tregonte se pas asaj letre filloi lufta në qafë të Kolesjanit. Pas Luftës së Lumës, Serbia nuk i kaloi më forcat e saj për Shkodër nga drejtimi Verilindor i Shqipërisë. I pati sjelle nga Selaniku me anije ne Shëngjin 15 mijë trupa, duke e cuar në 30 mijë numrin e forcave serbe në rrethimin e Shkodrës.( Serbia la aty 10 mijë të vrarë e të plagosur).
Por forcat e qëndresës në Lumë kishin edhe pikën e dobët të tyre: një armatim të pakët e të vjetëruar. Në “gjashtë vetë a kishte njeni pushkë a jo, luftonin me kosa, sakica etj”….prisnin të vritej një serb e t’i merrnin pushkën”. Vec pushkeve qe u kapen forcave serbe, vullnetaret e Kalisit sollen në qafë të Kolesjanit edhe dy topa e 17 gjyle, qe ua kishin zënë forcave osmane në tërheqje, fakt që e konfirmojnë edhe arkivat serbe.
Në teatrin e veprimeve luftarake të Lumës do të bashkvepronin edhe forca të krahinës së Reçit e të Dardhës së Dibrës, nën drejtimin e Elez Isufit,që ishin mobilizuar ato dite si redif (reserve) të regjimentit të Dibrës, te cilet pas informacionit per hyrjen e trupave serbe në Lumë, qenë kthyer nga rruga ku ishin nisë për në Shkodër. Një batalion arriti dhe mori pjesë në mbrojtjen e Shkodrës, kurse pjesa tjeter e ndarë, ndofta një batalion arriti në qafë të Kolesjanit pasi kishte filluar lufta. Më poshte po ndalemi ne disa aspekte ushtarake te Betejës së Lumës .
1-Për numrin e efektivave të ushtarëve serbë që kanë vepruar e luftuar në Lumë në nëntor 1912 janë shprehur mendime të ndryshme dhe kontradiktore. Disa, duke dashur të “argumentojnë” numrin e 12 mijë serbëve të vrarë (disa thonë edhe 18 mije), kanë llogaritur dhe vendosur apriori shifrën 16000 për ushtarët serbë që kishin arritur në Bicaj në mes të nëntorit 1912. Shifra prej 16 000 ushtarësh, në fakt është sasia e dy grupimeve që krijoi armata e tretë serbe, pas pushtimit të Prizrenit nga forca të divizionit “Drina” dhe ‘Shumadija”, të cilët rrugës për të dalë në Adriatik, kaluan në krahun e djathtë të Drinit të Bardhë. Këto grupime nuk kanë zhvilluar betejë e luftime si ato te dates 15 –17 dhe 18 nëntor në Lumë, përjashtuar ndonje ndeshje të vogël. Ata nxitonin për të dalë në Adriatik.
Në fazën e dytë, nga 15 deri 18 nëntor, kur repartet e divizionit “Shumadija I” pësuan një katastrofë të plotë, kanë vepruar e luftuar në Lumë b3 dhe b4 të R 10k dhe, në mbeshtetje të tyre, edhe b2k i po këtij regjimenti, i cili nuk mundi të çajë veçse deri në krahun e djathtë të Lumit Luma. Efektivi organik i ketyre batalioneve shkon deri në 1400 ushtarë dhe oficerë secili, që do të thotë se në Lumë në këtë periudhë (13-18 nentor) kanë qenë rreth 4200 ushtarë dhe oficerë serbe. Këto të dhëna, që ka publikuar historiografia ushtarake serbe janë ballafaquar me ato që ka nxjerrë nga arkivat e tyre historiani italian Macario per organiken e divizionit “Shumadija I “. Vendosja në skalionin e parë të 2 batalioneve (2400 veta) e bën edhe ushtarakisht të besueshme tërheqjen, dëmtimin, humbjet dhe disfatën e tyre përballë 3000 shqiptarëve që shfrytëzuan befasinë e goditjes, që zgjodhën kohën me dy orë ditë dhe natën e 15 e 16 nëntorit me një mot shumë të keq, me shi të rrëmbyeshëm, terrenin nga qafë e Kolesjanit në Osmanaj, Canaj, bregun e Shejes e të lumit Luma, rrethimin e plotë nga Qafa e Kolesjanit në Kullë të Lumës.
Në fazën e tretë, nga 18 nëntori me 6 dhjetor 1912, kur drejtimin e luftimeve e merr vete në dorë komanda e armatës së tretë (historiografia serbe ka pranuar se për këtë armatë ishte hapur në Lumë një front i ri lufte) në Lumë angazhohen të gjitha forcat e divizionit “Shumadija I“ që kishin mbetur në Prizren, të përforcuar me dy batalione të tjera, (njeri prej te cileve b2 i R 10 k) dhe b1,b2 dhe b3 te R19k. Gjashtë batalionet e tjerë të këtij divizioni qenë nisur, madje në këtë kohë, patën dalë në Adriatik. Edhe vetë historiografia serbe ka pranuar botërisht se këto forca të dislokuara në Prizren në nëntor, janë përdorur aktivisht në fazën e dytë kundër Lumës. Këto përbënin organikisht rreth 14 mijë veta dhe po t’u shtohet edhe efektivi prej 3600 i ushtarëve të baterive të artilerisë, bëhen 17600 ushtarë dhe oficerë. Plus 4200 veta të efektivit që luftoi në Lumë nga 13 deri me 18 nëntor, del se gjatë nëntorit 1912 luftuan në Lumë kundër popullit të paarmatosur 21800 ushtarë dhe oficerë serbe. Po t’u mblidhen këtyre edhe efektivat e çetave të ashtuquajtura “vullnetare’ që hynë në Lumë në fazën e parë, menjëherë pas 30 tetorit, do të thotë se Serbia dërgoi në Lumë gjatë muajit nëntor për çdo shtëpi 8-10 ushtarë dhe oficerë serbë.
Kapaciteti dhe detyra e Lumës ishte, siç edhe ia doli me sukses, të përballonte sulmin e forcave serbe në fazën e pare dhe te dytë. Faza e tretë e luftimeve ishte forcë dhe kapacitet operativo-strategjik, jashtë çdo mundesie krahinore. E megjithatë, ndonëse përballë forcash 7 herë më të mëdha në numër, shqiptarët e Lumës nuk i dorëzuan armët para divizionit dhe armatës serbe, ata bënë në Bardhoc e kudo, gjatë një tërheqjeje shkallë-shkallë, një qëndresë të fortë. Si në rrafshin e Lumës dhe kundër dy kolonave serbe, njëra nga Opoja në Topojan e tjetra nga Surroji në Ujmisht. Sic dihet, ushtria serbe bëri masakra duke gjuajtur, djegur e rrafshuar fshatrat me top, ndërkohë që moti i ftohtë (borë e madhe dhe temperatura nën zero gradë, kërcënonte fëmijtë e vegjël, gratë dhe të moshuarit. Në fund të fundit edhe lumjanët ishin njerëz, kanë shkruar, pa e fshehur simpatinë, kronistët e kohës.
2-Në Lumë në nëntor 1912, u ballafaquan koncepte e praktika të ndryshme, madje të kundërta të të luftuarit. Forcat shqiptare të Lumës, ndonëse nuk kishin epërsinë e duhur të raporteve klasike : 3:1 (por vetëm 1.2 me 1 dhe mangësi të mëdha në armatim e municion), organizuan e zhvilluan si tip luftimi sulmin bazuar në elemente ku ishin superiore si inisiativa, mashtrimi, befasia e goditjes dhe sidomos shfrytëzimi mjeshtëror i terrenit, duke e ndjellë e futur armikun në një kazan të thellë midis lartësive të Gjallicës, Pikëllimës e Kolesjanit nga lindja dhe jugu dhe lumenjve të Drinit të Zi dhe të Drinit të Bardhe nga perëndimi e veriu, në një terren “të prerë” nga lumi i Lumës dhe përroi i tmerrshem i Shejes. Zor të gjendet terren më i përshtatshem për sulm dhe më i veshtire për mbrojtje në atë situatë luftarake të të dy palëve. Plus këtyre edhe errësira e natës së 15 dhe 16 nëntorit dhe moti i keq. Prandaj në fazën e parë forcat shqiptare ia dolën të realizojnë një goditje të fuqishme që e dëmtoi rëndë armikun.
3- Të vrarët e forcave ushtarake serbe. Edhe për këtë tregues të luftimeve në Lumë ka pasur e ka një interes të veçantë. Në fakt duhet pranuar se numri i humbjeve serbe është vështirë të nxirret me saktësi. Siç është e njohur botërisht, komandat serbe i fshihnin të dhënat e humbjeve në front dhe nuk i lejonin korespondentët e huaj të shtypit aty, sa për të ruajtur imazhin e gënjeshtërt që përhapte sikur ushtria e saj “çlirimtare” po pritej krahapur kudo, ashtu edhe për të mënjanuar reagimin e familjeve të ushtarëve dhe të oficerëve të vrarë. Po edhe sot Serbia nuk i ka hapur arkivat e saj ushtarake për studjuesit shqiptarë, në përpjekje për të fshehur të vertetat e masakrave të saj mbi shqiptarët e pambrojtur, po edhe humbjet e saj të rënda.
Historiografia ushtarake serbe mezi ka pranuar si humbje në Lume vetëm disa qindra ushtarë e oficerë të vrarë, kur vetëm njëri nga ushtarët e batalionit të tretë që luftoi në Bicaj, Kosta Novakoviç, ka shkruar se mbetën disa qindra. Sidoqoftë, sipas historianëve ushtarak serb në Lumë janë vrarë vetëm 198 ushtarë dhe plagosur 31 të tjerë ! Këto të dhëna, që sipas tyre janë nxjerrë nga arkivat e reparteve që vepruan në Lumë, janë të pabesueshme. Mjafton të themi se ata vetë kanë pohuar se regjimenti i 10 që luftoi në Bicaj të Lumës (b3dhe b4 me 15 dhe 16 nëndor) kishte pësuar “humbje të mëdha”, madje kishte humbur edhe arkivin e tij. Në një telegram të administratës ushtarake osmane të datës 20 nëntor 1912, të dërguar nga Ohri në Elbasan thuhet se në luftë të rreptë, gjatë 24 orëve (është fillimi i betejës S.O.) serbët në Lumë janë vrarë e shkatërruar keq, se janë në tërheqje, se u ishin vrarë 3 oficerë dhe “ushtarë pa numër”. Ky numër mund të konkretizohet po të kemi parasysh se po në këtë telegram, një rresht më lart, thuhet se “afro një mijë mauze serbi janë pushtue”, që sigurisht kanë qenë të ushtarëve që janë vrarë, pra afro njëmijë. Dhe telegrami vazhdon më tej “Lufta tani po vijon në Bicaj dhe shpresohet sigurisht që gjer në mbrëmje t’i pushtohen armikut topa, mitraloza dhe shumë armë”. Bicaj është epiqendra e betejës. Këtë e thonë edhe gazetarët serbë të kohës.
Në një telegram të Aqif Pashë Elbasanit drejtuar kryesisë së shtetit të pavarur shqiptar më 2 dhjetor 1912, thuhet se Ahmet bej Mati (Ahmet Zogu.S.O.) i kishte thënë se lumjanët “nja gjashtë batalione serbe i paskan zhdukur”. Ai i referohet situatës së paradatës 18 nëntor përderisa thotë se “një sasi tjetër ushtarësh, që mundën të shpëtojnë, e paskan dëbuar nga Luma”. Por ka edhe më shumë. Në një letër të nënkosullit anglez nga Shkupi në fund të shkurtit 1913 thuhet se Serbia ka humbur në Lumë tetë batalione”.
Në këtë sasi të vrarësh, prej gjashtë apo tetë batalionesh, mund dhe duhen llogaritur edhe të vrarët e reparteve të tjera të forcave serbe paramilitare që u futën në Lumë para datës 13 nëntor, të ashtuquajtur “vullnetarë”, të përberë nga banditë që kishin për detyrë të hapnin rrugën për trupat e rregullta. Kryeredaktori i gazetës së armatës së tretë serbe, Jasha Tomiç, në librin e tij “Lufta në Shqipëri dhe rreth Shkodrës”, botuar më 1913, në Novi Sad, informon për veprimin e këtyre forcave në Lumë, me një efektiv nga 70 deri ne 200 veta, njerën prej te cilave e komandonte ish ministri i mbrojtjes së Malit te Zi, Gatallo. Veç numrit të paidentifikuar të këtyre çetave, që vepronin barbarisht, në Kosovë kishte edhe 7 regjimete me efektiva të thirrjes së tretë, gjoja për të siguruar qetësi në prapavija.
Janë padyshim më shumë se njëmijë ushtarë dhe oficërë serbë të vrarë, dhe po te mendojmë se për 24 orët e para ishin vrarë njëmije, duhet të jenë vrarë edhe aq, ne mos më shumë gjatë terheqjes së shpartalluar nga Bicaj te Kulla e Lumës (ku kishin humbur gjithe karrot dhe kuajt e mushkat) dhe goditjes së fortë nga ana e forcave shqiptare te dislokuara në Pobreg.
Por edhe disa qindra te vrarë që pranon historiografia ushtarake serbe për trupat e veta në Lumë, janë jo vetem një disfate por një katastrofë, qe bëhet edhe më evidente po të krahasohet me humbjet e serbeve gjatë luftës së parë ballkanike, kur në betejën e Kumanovës (23 -24 tetor 1912), ku morën pjesë 168 mije trupa (111000 serbë dhe 58000 osmane) mbetën të vrarë nga të dy palët 1887 vetë (687 serbë dhe 1200 turq) .
Por numri prej 12 mijë, 15 mijë apo 18 mije ushtarësh serbe të vrarë në Lumë në nëntor 1912, që jepet në disa botime shqiptare, madje edhe në pllakën e lapidarit që i kushtohet kësaj lufte, është i zmadhuar dhe jo real. Me të drejtë prof. Shefqet Hoxha e ka quajtur “nje shifër folklorike”. Kjo bëhet edhe më e kuptueshme po të kemi parasysh se gjithë humbjet e ushtrisë serbe në luften e parë ballkanike janë llogaritur në 22 mijë veta.
Serbia pati në Lumë edhe nje katastrofë morale .”Shqiptaret e “eger”, ushtarët tanë të zënë robër i çarmatosin dhe i lëshojnë, kurse ushtria jonë “e kulturuar” e shkullit të XX po i vret femijet e tyre“ shkruante në shtypin e kohës Dimitrije Tucoviç. Shaban Braha ne librin e tij ”Beteja e Drinit kunder agresionit serb, nentor 1912”, informon për “lirimin e dorëzimin e 720 robërve të kapur në luftën Lumës. Ky është një tregues tjetër i fitores morale të shqiptarëve kundër serbëve më 1912.
Përfundimisht, Beteja dhe gjithë lufta e Lumës në nëntor 1912, zë një vend të merituar në Historinë Ushtarake të Shqipërisë të periudhës së Pavarësisë. Ajo është dëshmi e faktit se shqiptarët luftonin të frymëzuar nga ndjenja kombëtare dhe Pavarësia që ato ditë po shpallej në Vlorë më 28 nëntor 1912. Luma, frika prej saj, i ndaloi një javë forcat e armatës III serbe në rajonin e Prizrenit për tu riorganizuar, duke i dhënë kohë Ismail bej Vlorës, per të mbrritur në Durrës para se të mbërrinin aty repartet e ushtrisë serbe (Vlorën e kishin bllokuar luftanijet greke). Kjo betejë, fama e saj, shkuan larg deri në Londër, duke e siguruar Lumën njëherë e përgjithmonë brenda kufirit të shtetit të ri shqiptar.
TIRANE, nëntor 2012.
Referenca :
1-Historia e Popullit shqiptar, vëllimi i II, botim i vitit 2002, faqe 507
2- “Dokumente Historike”, botuar në vitin 1924 nga Lef Nosi faqe 163-164
Ribotim më 2007 nga Instituiti i Historise së Akademise se shkencave te RSH.
3-Fjalori Enciklopedik shqiptar. Akademia e shkencave te RSH, Tirane, 2008
4-“ Ismail Qemali”. Permbledhje dokumentesh, Tiranë 1982 , dokumenti nr 224.
5-Shefqet Hoxha “ Luma ne lufterat per liri”, f, 176
dhe Beteja e Lumës .. në “ Shpalimet e vitit 2007”, Tiranë, 2008.
6-Shaban Braha “ Beteja e Drinit kunder agresionit serb” Prizren, 2000
7- Isa Halilaj:” Shtigjeve te kohes “. Geer 2010
8-Esat Bilali “ Shkrime historike” botuar ne vitin 2001, fq.20
9- Idriz Basha i Novoseit. “ Esat Pashë Toptani. 1912-1920” Bruksel 1982
10-Qemal Mataj : Ramadan Zaskoci. 1979
11-Kukesi . Veshtrim enciklopedik. Nazif Dokle
12-Tahir Kolgjini: Luma dhe luftrat e saj.
13- Ismail Qemali : Kujtime. Botimet Toena, 2009.
14- Visaret e Kombit, vellimi IV, Tiranë, 1939, Kenga e luftes se Lumës kundër serbit
15- Albanian and Kosovo: political and ethnic boundaries, 1867-1946”
Londër, f.313-314.
16- Ltcolonel Reginald Rankin .The inner history the Balcan War
17- Giani Baj Macario Ballkani 1912-1913. “ La prova” Milano 1937.
.18- Lt.colonel Brevete Baucabeille. “ La guerre turco-balcanique 1913-1914”.
Paris 1914, fq 126. ( Biblioteka e Shkodres )
19- John Keegan “ A history of warfare. USA 1994.
20-Ferik Abdurrahman Nazif, Mirliv Kirametin :’ Iskodra Mudafasi” Instambul, 1933.
21- Dimitrije Tucoviç “ Zgjedhje punimesh” v. 2-te viti 1981, faqe 154-155.
botim i “ Rilindjes”, Prishtine
22- Borivoje Ratkoviç : “ Prvi balkanskih rat 1912-1913”, (Operacije srpske vojske) v.II, Beograd 197
23-Jasha Tomic : Rat u Albaniji i oko Skadra, 1912-1913 godine. Botim i vitit 1913, Novi Sad.
24-Borisllav Ratkovic, Mitar Burishic, Savo Skoko:
“ Srbija i Crna Gora u Ballkanskim patovima 1912-1913”. Beograd. 1972
25- Enciklopedija jugosllave, botim i pare, viti 1984, fq.669-670
26- Vojna Enciklopedija, Beograd 1973-1975
27- Richard C. Hall “ : ” The Balkan Wars 1912-1913, Prelud to the first World War”
London and Nev York. 2000