Lëvizja Kuq e Zi dhe koncepti marksist i shtetit
Tonin Gjuraj
Faik Konica thotë diku se shqiptari para se të bëhet atdhetar, ka nevojë të bëhet njeri i zbutur. Duke ndjekur me interes, së fundi, aktivitetin e Aleancës Kuq e Zi (AKQ), diskurin e z.Spahiu, përtej patriotizmit folklorik, bie në sy një artikulim i fortë, gjuhë e ashpër, fjalor i vjetëruar, herë-herë i ngjashëm me atë nacional-komunist, të propagandës dhe librave të dikurshëm, kundër “armikut të jashtëm”, “fqinjëve të pabesë”, që kanë “halë në sy” Shqipërinë dhe cenojnë integritetin territorial, madje dhe vetë ekzistencën e vendit, pra gati-gati paralajmëron për rrezikun e një “lufte”me ta. Por, në kohën kur shqiptarët janë tashmë faktorë e aktorë të rëndësishëm në Ballkan e me gjerë, të përfshirë në procese integruese, të klithësh ditë-natë për rrezikun që i kanoset identitetit tonë kombëtar prej fqinjëve apo “armiqve” të tjerë të jashtëm, është “luftë” imagjinare, mungesë realizmi dhe një ekzagjerim i panevojshëm.
Natyrisht që disa çështje të ngritura me kohë prej kësaj Aleance kanë merituar mbështetje, si, për shembull, denoncimi i gjyqeve për ndërrim të përkatësisë etnike, ose oponenca e fortë dhe me argumente ndaj marrëveshjes detare me Greqinë, edhe pse kjo e fundit nuk ka përse të etiketohet si “tradhti” ndaj interesave të vendit, apo diçka e ngjashme, kur, në fakt, mund të konsiderohet thjesht si dështim i palës sonë në negociata me palën tjetër, sa kohë u shpreh edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë. Jo çdo veprim apo (projekt)ligj duhet konsideruar i qëllimshëm dhe kundër interesave të vendit. Marrëveshja detare përbën dështim në rrafshin juridik, kësisoj ajo duhet rinegociuar, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të RSH-së.
Si ish-nënkryetar i KLD-së, z.Spahiu, gëzonte një autoritet legjitim legal – racional, në kuptimin Weberian, mbështetur në ligje që përcaktojnë detyrimet në ushtrimin e detyrës. Ky lloj autoriteti ka të bëjë më shumë me pozicionin, sesa me cilësitë personale të individit që drejton. Individi vepron gjithnjë brenda kufijve të pozicionit të tij. Jashtë këtij pozicioni, cilido qoftë ky individ, z.Spahiu, ministër, kryeministër apo president, nuk gëzon as më shumë dhe as më pak autoritet, sesa një qytetar i thjeshtë. Sa kohë z.Spahiu ka dhënë dorëheqjen, ai mbetet jashtë këtij pozicioni, kësisoj komisioni Hetimor kuvendor dhe konkluzionet e tij janë të pavend dhe të panevojshme. Tashmë “lufta” e pushtetit më z.Spahiu është politike.
Pas dorëheqjes, z.Spahiu gëzon një tjetër autoritet, atë karizmatik (sipas Max Weber-it), një lloj autoriteti që përcaktohet si pushtet i legjitimuar prej cilësive personale dhe të veçanta të tij, si personalitet tërheqës, me plot energji dhe orator. Z.Spahiu i posedon ndoshta shumicën prej këtyre cilësive, i cili përmes forcës së tyre mund të nxisë e të frymëzojë përkushtim dhe bindje ndaj rrugës së tij. Si i dorëhequr, ai mund të dalë tashmë jashtë pozicionit legal-racional dhe të bindë të tjerët për misionin e vet, si individ i lirë. Mesa duket, Shqipëria vuan nga mungesa e besimit dhe mbi këtë bazë, përveç arsyeve të tjera, ka lindur edhe Aleanca Kuq e Zi, kësisoj shndërrimi i lëvizjes në parti politike, me një program të qartë politik, është i mirëpritur në një sistem shumëpartiak.
Por, z.Spahiu, në pozicionin e tij të ri, që të jetë i besueshëm, duhet të shpjegojë një sërë dilemash dhe t’u japë përgjigje disa kontradiksioneve që shfaqen në diskurin e tij. Më kryesorja mbetet nëse vërtet ai ndien ndonjë lloj përgjegjësie, brenda legjitimitetit të tij legal-racional, për nivelin më të ulët të besimit që gëzon sot drejtësia shqiptare, mungesën e reformave në këtë sistem, arsyet e “kufizimeve” në veprimtarinë e tij, si drejtuesi më i lartë, de facto, i KLD-së. Tjetër, nga njëra anë flet për “sulltanë të politikës”, kurse nga ana tjetër ai merr përsipër të pajtojë politikën. Kjo mbetet dyshuese si mund të arrihet: duke përfshirë të dyja partitë e mëdha, PD-në dhe PS-në, apo duke i lënë jashtë ato. Më shumë sesa diçka utopike, kjo ngjan me pozicionin e një “misionari të pajtimit”. Po ashtu, z.Spahiu deklaroi së fundi në Durrës që PD-ja dhe Berisha së shpejti do të jenë në minorancë. Natyrisht është diçka normale në një demokraci që mazhoranca e sotme të jetë minoranca e nesërme dhe anasjelltas, por nëse PD-ja do të jetë në opozitë, atëherë në pushtet do të jetë PS-ja, mirëpo, si do të veprohet, në këtë rast, për të larguar nga politika “të gjithë sulltanët e politikës”, edhe ata majtas, sipas premtimit të tij! A duhet të shpjegohet më qartë cila është kauza e AKZ-së: nxjerrja e PD-së në opozitë dhe risjellja e PS-së në pushtet, apo largimi i të dyjave dhe formimi i një qeverie, më 2013-n, vetëm me Aleancën Kuq e Zi, sa kohë deklarohet se e mbështesin 1 milion aktivistë! Shifër dërrmuese! Nëse ndodh kjo e fundit, atëherë do të përballemi me një prej zhvillimeve më spektakolare politike në të gjithë ish-Lindjen komuniste. Unë nuk mund të bëj parashikime për këtë, por, siç thotë Ernest Gellner, mund të kuptojmë opsionet, vetëm duke kuptuar të kaluarën. Dhe e kaluara e partive të reja, përtej PD-së dhe PS-së, në Shqipëri, nuk ka qenë inkurajuese dhe domethënëse. Patriotizmi, megjithatë, shkon përtej simpatisë që mund të kesh për krahët politikë.
Më tej akoma, a mund të jenë në një lëvizje apo parti politike, siç pretendon z.Spahiu, edhe ish-të përndjekurit politikë, edhe ish-ushtarakët, ku ndër radhët e këtyre të fundit mund të ketë individë të cilët kanë bërë vrasje në kufi, ose kanë kryer krime të tjera gjatë komunizmit?
Është gabim të mendohet se mbështetja për një çështje të caktuar, që mund të ngrihet nga AKZ-ja, do të përkthehet domosdoshmërish dhe automatikisht në realitet elektoral, apo votë në favor të Aleancës. Kalkulimet politike janë shumë më të ndërlikuara. Nëse 1 milion mbështetës të AKZ-së, sipas z.Spahiu, do të përktheheshin në votë elektorale për të, atëherë dilema e fituesit të zgjedhjeve të 2013-s në Shqipëri është e zgjidhur! Në fakt, në thelb të projektit të tij në drejtimin e punëve të shtetit qëndron një koncept marksist: koncepti epifenomenal, d.m.th., një koncept apo paradigmë negative, sipas të cilit idetë e tij duhet të jenë ide sunduese në ndërtimin e shtetit dhe gjithçka ka ndodhur gjatë 22 viteve ka qenë dështim, pra vetëm AKZ-ja do të mund të rregullojë tërë aktivitetin dhe funksionimin institucional të shoqërisë shqiptare.
Publiku gri apo të pavendosurit frymëzohen më shumë prej një programi konkret, jashtë patriotizmit folklorik, që prek dhe u jep zgjidhje më të mirë se deri tani shumë prej çështjeve ekonomike, zgjidhjen e drejtë të problemit të pronës, sundimin e ligjit dhe dhënien në çdo rast të një drejtësie të drejtë. Megjithatë, sa e sigurt do të jetë shoqëria shqiptare të funksionojë demokratikisht dhe sa shpresë mund të ketë të ndërtohen institucione demokratike nën një lidership të tillë folklorik, këtë le ta vlerësojë dhe ta gjykojë opinioni publik, klasa intelektuale shqiptare dhe tërë forcat demokratike, që aspirojnë për një Shqipëri normale të integruar në BE.
*Rektor i Universitetit Europian të Tiranës.