Azem Hajdari sot do të kishte 49 vjet!

 – Në kujtesën e kombit ka mbetur i ri, vetëm 27 vjeç, si atëherë në Dhjetor 1990-

Bislim AHMETAJ
9-vjetori i vrasjes së Azem Hajdarit
Më 11 mars të vitit 1963, rreth orës 12, në një cep të largët të atdheut, në një familje të thjeshtë punëtorësh, në një shtëpi edhe më të thjeshtë, do të vinte në jetë një qenie njerëzore, emri i të cilit në dhjetor të ’90-ës do të shndërrohej në gjenerator të shpresës, në institucion të besimit, kurajos dhe guximit qytetar, në sintezë të përpjekjeve gjysmë shekullore të shqiptarëve për liri dhe demokraci. Kishte lindur Azem Hajdari. Studenti i vitit të tretë të filozofisë, djaloshi 27-vjeçar nga Tropoja, të cilit pa më të voglin hezitim plejada e studentëve dhe intelektualëve të brezit ’90, qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë i besuan drejtimin e Lëvizjes Studentore, lëvizjes që thërrmoi muret kriminale të diktaturës komuniste, më të zezës në Lindjen e acartë komuniste.
Sikur një bandë e armatosur me armët e shtetit, me uniformat e shtetit, me gradat e shtetit, me makinat e shtetit të mos kishte zbatuar urdhrat e eprorëve të vet, shefave të shtetit, mbrëmjen e 12 shtatorit të vitit 1998, prijësi i Lëvizjes Studentore, princi i mendjeve të lira, mbrojtësi i paepur i fjalës dhe shtypit të lirë, avokati deri në sakrificë i të përndjekurve politikë, mbështetësi dhe humanisti i njerëzve në nevojë, politikani atdhetar e nacionalist i moderuar, parlamentari i sprovës, oratorisë, argumentit, kompromisit dhe tolerancës për çështje madhore, ai, Azem Hajdari këtë të dielë, 11 mars 2012 do të kishte mbushur 49 vite.
Ky është viti i 100 i Pavarësisë së Shqipërisë, pavarësi e mbytur në gjak, në vuajtje, sakrifica. Në këto 100 vite ekzistencë të shtetit shqiptar, pak më pak se gjysma, shumë më pak se gjysma mund të thuhet se janë vite të krenarisë tonë kombëtare. Në këtë shekull, flamuri ynë kombëtar është valëvitur i lirë dhe i pandotur nga simbolet e komunizmit më pak se një gjysmë shekulli. Ai, njeriu simbol që guxoi dhe i hoqi yllin e robërisë, krenarisë sonë kombëtare, flamurit kuq e zi u shpërblye me pesë tentativa atentatesh dhe me një pushkatim shtetëroro-mafioz në qendër të Tiranës.
Sikur ai, Azem Hajdari ta kishte dashur më pak vendin e tij, atdheun e tij, flamurin e tij, bashkëkombasit e tij kudo, në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e diasporë, sikur ai, Azem Hajdari të kishte mbyllur sytë kur dhunohej fjala e lirë dhe shtypi opozitar, sikur ai, Azem Hajdari të kishte heshtur kur shtresat në nevojë, kryesisht të përndjekurit politikë kërkonin të drejtat e tyre akoma të paplotësuara, sikur ai, Azem Hajdari të mos bëhej një me punëtorët dhe sindikatat, sikur ai, Azem Hajdari t’i shkelte idealet e Lëvizjes Studentore, sikur ai, Azem Hajdari të mos denonconte pakte e marrëveshje të pista në kurriz të shqiptarëve të Kosovës, këtë të dielë do të ishte 49 vjeç.
Sikur numri i antishqiptarëve, hajdutëve, dallkaukëve të pushtetit, marifetxhinjve, servilëve, sahanlëpirësve, zollumqarëve, kriminelëve, zjarrëvënësve, të mos kishte qenë mazhorancë në vitet ’97-’98 ai, Azem Hajdari të nesërmen e kësaj të diele, të hënën më 12 mars 2012 do të hynte për të 50-tat. Ai që në krye të Lëvizjes Studentore i riktheu kombit fytyrën nga Perëndimi, nga Europa do ta meritonte e do ta nderonte më shumë se kushdo tjetër festën e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Kjo festë, edhe për ne do të kishte më shumë kuptim sikur, të paktën, të kishim mundësi të vinim lule në përmendoren e tij diku në një shesh të Tiranës. Në mos më shumë, kaq ia kemi borxh njeriut, që me guximin e tij i dha Shqipërisë 20 vite demokraci.
Sot ai, Azem Hajdari do të ishte 49 vjeç, por në kujtesën e kombit ka mbetur i ri, vetëm 27 vjeç, si atëherë në dhjetor 1990.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *