KADARE DHE MORALITETI SHQIPTAR

Ne foto: autori i shkrimit

KADARE DHE MORALITETI SHQIPTAR

 

“Një mijë vjet të kërkoni, në mijëra arkiva, s’do mund të gjeni asgjë kompromentuese

për mua dhe kjo është epërsia ime absolute mbi ju…”

 

NDUE DEDAJ

 

Shpesh njerëzit e shquar shtrëngohen të vihen në “be”, ose t’i përshtasin disa sjellje e qëndrime sipas shijes së publikut, në të vërtetë krejtësisht të panevojshme për ta si individë. Ismail Kadare, i cili nuk ka marrë ndonjëherë rolin e edukatorit kombëtar, aq më tepër të moralistit të popullit të vet, ka shqiptuar një nga deklaratat më të bujshme të bëra nga ndonjë shqiptar, ballkanas, apo nga krejt bota e ish-Lindjes, drejtuar shpifësve, përgojuesve, denoncuesve të tij të llojllojshëm të diktaturës, se “një mijë vjet të kërkoni, në mijëra arkiva, s’do mund të gjeni asgjë kompromentuese për mua dhe kjo është epërsia ime absolute mbi ju”. Nuk e ka bërë këtë askush nga liderët politikë shqiptarë të kësaj kohe, presidentë, kryeministra, kryeparlamentarë, ministra, prokurorë të përgjitshëm, gjykatës të lartë, avokatë të popullit, njerëz që në njëzet vjet kanë drejtuar shtetin, kur pjesa më e madhe e tyre nuk kishin qenë anonimë as në regjimin e kaluar, disa duke patur poste politike e publike dhe atëherë. Teksa ka patur jo pak lakim pseudonimesh spiunore gjer në nivele ministrash. Dhe e bën këtë një shkrimtar, që ka lëruar gjithë jetën vetëm arën e tij të letrave, shkrimtari më i madh shqiptar, për të cilin siç do të dëshmonin arkivat do të kishte dhe një dosje voluminoze të diktaturës në ngarkim të tij.

A ka nevojë sot Kadareja për t’u marrë në mbrojtje nga e djeshmja e tij? Aspak dhe për asgjë. Pasi ai ka qenë i njëjti përherë, me parime të pandërruara morale e profesionale, si shërbyes vetëm i shkrimtarisë së tij. Por ka nevojë Shqipëria për ta nënvizuar këtë anë të dobët të moralitetit tonë, përgojimin e miteve të saj të gjalla, për t’i bërë dhe ata me njolla. E janë pikërisht shpërdoruesit e pushtetit në diktaturë dhe demokraci që i mbajnë ndezur sulmet ndaj korrifejve të kulturës dhe kombit. Ndërkohë që nuk mund të bëjnë “be” për vete, se janë të pastër, të ndershëm, të papërlyer nga krimi, korrupsioni etj. Prandaj në një vend të molepsur nga e keqja, ta ruash të pastër fytyrën është virtyt. Përgjithësisht ndër shqiptarët e djeshëm me pushtet ka mbizotëruar shprehja retorike unanime “unë nuk i heq asgjë asaj që kam bërë në jetë”, edhe se ka bërë keq politikisht, ka spiunuar, përndjekur, dhunuar, sipas logjikës se kështu ishte koha, ligjet e saj, i kemi shërbyer bukës së gojës etj. Dihet se koha ka zotër dhe robër. Edhe në antikitet. Edhe në mesjetë. Edhe në komunizëm. Edhe sot. Kadare ka qenë një zot i saj dhe zotat janë përherë të papërlyer. Si plot të tjerë që kanë qenë zotërinj. Por ka patur dhe shumë robër, individë të keqpërdorur nga regjimi dhe nga vetvetja, që nuk ngrihen as sot mbi të keqen. Liri Belishova i ka kërkuar falje popullit shqiptar, përmes televizionit, për atë që ajo kishte qenë në Byronë Politike, domethënë në atë udhëheqje që i kishte shkaktuar drama persekutimi popullit të vet, përfshi dhe atë vetë. Kjo është fisnikëria, qytetaria, katarsisi moral, për shumë të tjerë i pabërë. Sa ngjan se purgatori ka qenë për kohë më të civilizuara se e sotmja. Udhëheqësi i fundit komunist, Alia, edhe pse u bë Presidenti i parë pluralist, edhe pse jetoi shumë vite në rendin e ri, nuk mundi të shqiptonte dhe një fjalë pendese, në emër të atij shtabi politik ku bënte pjesë për gjysmë shekulli. Falnin etërit e martirizuar të kishës katolike, sipas thënies proverbiale të Jezusit “Fali Zot se s’dinë ç’ka bajnë”, por jo politikanët e diktaturës. Lutej për njerëzit e saj të gjakut Nënë Tereza, nga fundi e njëherësh nga kreu i botës, ani se regjimi komunist nuk e linte të shihte varrin e së ëmës në Tiranë, se të tillë janë njerëzit e mëdhenj, të cilët rrinë mirë atje lart dhe nuk ka kuptim që t’i tërheqim për xhakete e t’i ulim poshtë, për t’i përbaltur. Në shkrimtarët shqiptarë mbase vetëm Kadare i ka botuar tekstualisht veprat që ka shkruar përgjatë regjimit komunist, si me thënë pa iu hequr atyre as presjen. Kjo sepse letërsia e tij i kapërcente që në ngjizje metodat ideologjizuese, siç ishte realizmi socialist. Ndryshe nuk do të kishim as “Gjeneralin”, as “Pallatin e Ëndrrave, as “Darkën e gabuar”.

Ajo që të habit dhe për të cilën nuk gjen dot shpjegim është se ende ka shqiptarë që guxojnë të ndajnë shkrimtarin nga vepra, duke thënë se Kadare është një shkrimtar i madh, por jo dhe një njeri i madh(!) Po si është e mundur që një gjeni i letrave, që nga Homeri, të mos jetë njëherësh dhe njeri i madh? Ai është krijues gjenial pikërisht se është njeri i pazakontë, në mos i jashtëzakonshëm. Si mund të ishte “tokësor”, “babaxhan” Dante, Shekspiri, Gëte, Dostojevski, Kamy? Nuk është fjala për t’i quajtur mbinjerëz këta e të tjerë, por kjo specie nuk mund të ishte popullore, sa të gjendej lehtësisht mbasditesh në xhiron e mbrëmjes, duke takuar duart me veteranët, politikanët, shkrimtarët e rinj, qytetarët andej-këndej. Ama ky njeri i pagjendshëm për publikun në vorbullën e tij të përditshme, ka një tjetër mënyrë për të qenë i njerëzve, përmes fjalës artistike, letërsisë së shkruar, duke u bërë ndërgjegja e tyre. Vetëm një njeri i madh mund të shndërrohet në ndërgjegjen e kombit të vet. Ne mburremi me kombin tonë lavdimadh dhe si mundet që ai të ketë për prijës shpirtëror një “njeri të vogël”? Po e ka një arsye të mosarsyes dhe kjo. Ishte Partia e Punës që në vjeshtën e 90-ës e ndau veprën nga shkrimtari, pra Kadare ishte tradhtar i idealeve të socializmit, “shkoi të bashkëpunonte me borgjezinë”, kurse vepra e tij do të qëndronte në biblioteka. Ku e ku më mirë se Fishta, Konica e Koliqi, që ishin fshirë si njerëz dhe si vepër. Zyrat dhe kulisat e KQ enden këtë pëlhurë të trashë, që Kadare si njeri është si me thënë jo i popullit, i revolucionit, kurse vepra e tij ka marrë dheun dhe nuk ke se çfarë i bën. Vetëm një regjim antihuman mund të bënte një klasifikim të njerëzve sipas shërbesës ideologjike. Je me ne, je njeri i mirë, je kundra nesh, je njeri i keq, i vogël, apo më keq i deklasuar. Për të njeri i madh ishte vetëm një, sundimtari gjysmëshekullor. Me këtë logjikë ishte bërë shpikja absurde e “njeriut të ri”, përkundër njeriut të “mykur” të së vjetrës, patriarkales, reaksionares etj. Ramiz Alia, jo vetëm atëherë po dhe tash së voni, në një intervistë dhënë një autori kosovar, pasi vë në dukje rëndësinë letrare të Kadaresë, shton “por si njeri është pa karakter”. Se me ç’të drejtë bëhen etiketime të tilla, merret me mend, me të drejtën e vrojtores marksiste-leniniste, që nuk ngadhnjeu asnjëherë. Ka ardhur puna që me shkrimtarin është zemëruar dhe ndonjë zyrtar i lartë i demokracisë, duke e quajtur “shkrimtar oborri” etj. Por ai e ka bërë sfidën për të gjithë, pa patur ndonjë dëshirë për të qenë sfidant i askujt, pasi nuk ka mundur të gjejë askush dy rreshta, vetëm dy, ku shkrimtari të ketë shkruar kundër një tjetri. Prandaj nuk është për t’u habitur se si mund të merrte aq shume vëmendje kërkesa që dorëshkrimi i veprës së tij “Dimri i madh” të vente në Arkivin e Shtetit. Përse duhet të hynte në lojë patjetër Nexhmije Hoxha? Për të vazhduar rezistencën morale përmes një emri të përbotshëm? Thjesht se ai është shqiptar dhe se nuk është bie fjala Filip Roth? Thjesht se rron në të njëjtën kohë e nën të njëjtën çati me ne, bashkëkohësit e tij, në vend që t’i gëzoheshim këtij fati? Kadare për të mirën e kulturës dhe të kombit shqiptar do të rrojë dhe kur nuk do të mund të jenë më etiketuesit e tij dashakëqinj, atëherë ai do të jetë veçse gjeniu, siç në të vërtetë është dhe sot. Kur sheh sulmet ndaj tij, thua po nëse Kadare do të ishte me ndonjë “cen” si të Gynter Gras, ç’do të ndodhte? Atëherë furtuna ndaj tij do të ishte sa mënia e mijëra plakave inatçore kundër famës planetare të një gjeniu. Por Kadare nuk i la prapa ata dy rreshta padi për askënd, që t’i ktheheshin në helm për gjithë jetën.

Është thënë se vala antikadare zien gjithnjë në vigjilje të Nobelit, sikur të ketë një mallkim për këtë, ku ndër shqiptarët duhet të gjendet patjetër dikush që t’i trazojë urët para ngjarjesh të tilla madhore. Dikush nga hierarkia e yllit të kuq me pesë cepa kujtohet për Kadarenë, për “borxhin” që ai i ka diktaturës me ikjen e tij, që nuk i falet prej patriotëve partizanë. Teksa je i bindur se lexuesit dhe adhuruesit e pafundëm shqiptarë të shkrimtarit lëndohen nga shpërthime të tilla, ku disa të dukshëm e të padukshëm bëhen “kor” kundër figurës njerëzore të tij. Ata që mund të mos jenë në një mendje me ne për këtë qasje ndaj Kadaresë dhe moralitetit të shqiptarëve, duhet të dinë disa fakte mërzitëse, bie fjala se para do kohësh disa pak shqiptarë nga “Toka e Premtuar” po bënin gati banderolat antikadare për të protestuar para Akademisë së Nobelit në Suedi, që shkrimtarit të vendit të tyre të mos i jepej Çmimi i madh. Kjo nuk është diçka konspirative, por e pohuar prej vetë atyre. Do të ishte e udhës që askush të mos mbruhej me urrejtjen, dhe sidomos e moshuara Hoxha të lihet në pleqërinë e saj, pa u nxitur që të gërmojë në pluhurin e diktaturës, se mos nxjerr ndonjë xhevahir për nderin e humbur të diktatorit. Koha i ka ndarë meritat dhe antimeritat historike për cilindo dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë dhe pa ata që mundohen ta mbajnë peng kohën. Janë po ato shëmbëlltyra që dikur paten sharë e denigruar Nënë Terezën. Lëreni Kadarenë në të drejtën e tij të shkrimtarit të madh dhe njeriut të madh. Në tetor është Nobeli, që urojmë kësaj here të jetë i Tij. Në nëntor është njëqindvjetori i Pavarësisë, që me Kadarenë na bëhet dhe më i besueshëm. Në dhjetor ka vend vetëm për urimet e fundvitit. Në janar, aq më shumë, është ditëlindja e tij. Siç shihet, nuk ka kohë për të tjerat. Së fundi, jo rastësisht z. Ettore Sequi, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, gjeti Kadarenë për të folur për integrimin e shqiptarëve, vetëm pak ditë para 10 tetorit…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *