Do t’i lutesha ambasadorit Arvizu që të dalë ndonjë ditë e të shkojë në ndonjë arë me grurë, të takojë fermerët e autokombanjerët e me këtë rast të jepet ndonjë kronikë nga korrja apo shirja e grurit sivjet.
Që të apelojë ambasadori Arvizu para mediave dhe që të jepet në media puna që bëhet në vendin tonë. Se edhe këtu punohet, mbillet e korret nga fermerët shqiptarë. Dhe nuk ka në këtë vend vetëm parlament, reformë zgjedhore, kronika aksidentesh dhe panair shalësh, gjoksesh, zërash, klubesh, koncertesh dhe mbledhjesh, mbledhjesh, mbledhjesh…
Kronika me korrje gruri nga Lipjani i Kosovës që u transmetua në Top Channel (TCH) mesditën e datës 10 korrik, mu duk ngjarje vertetë e gëzueshme, kronikë leksion.
Sepse një nga televizionet më të fuqishme të vendit nxori arë me grurë, autokombanja duke korrë grurë. Por në Lipjan të Kosovës e jo në Lushnje apo Fier apo Durrës apo Shkodër. Ai ekran në fakt zbukuroi veten. Ajo kronikë besoj ka bërë me turp shumkënd. Por sidomos bosët e mediave, drejtuesit por dhe gazetarët e reporterët e terrenit.
Arjan Çani futi dhitë në studio, para pak ditësh në emisionin e tij Zonë e lirë në TV Klan. Ajo ishte mrekullia. Ajo ishte nga ato gjëra “të çmendura” që di ti bëjë Arjan Çani. Shembull që nuk po ndiqet nga mediat e tjera. Ose mbase janë distancuar nga gjesti i Çanit që futi dhitë në studio.
Mediat tona dalin nga gjeografia presidencë-kuvend-kryeministri-trojka ambasadoriale, vetëm kur shkon Kryeministri nëpër inaugurime. Por japin vetëm inaugurimin, fjalën e Kryeministrit dhe nuk jepet në mediat tona ndjekja e punës në vijimsi në cilëndo vepër, rrugë, kanal, hidrocentral, vresht, baxho, tufë, serë apo arë me grurë e misër etj. Se për punën në ara nuk bëhet fjalë që të fshatarizohen mediat tona! Se duket jo vetëm ka dalë nga moda, por është bërë dhe konsiderohet edhe turp të bësh kronikë terreni, të bësh reportazh apo telereportazh nga fshati…
Dalin mediat edhe kur shkon lideri i opozitës nëpër rrethe, japin monologun e tij por për punën kurrë nuk flitet as nga ai e as nga mediat. Se nuk flet ai për punën. Ai don të bëhet kryeministër dhe kaq.
Atëhere unë do ti lutesha ambasadorit Arvizu sinqerisht që të shkonte tek korrja apo shirja e grurit apo te vaditja e fundit e misrit në Sarandë apo kudo. Për tu treguar ai shqiptarëve se këtu edhe punohet. Për tu thënë se në këtë vend nuk ka vetëm OJF. Për të besuar ne të gjithë që pa punë nuk ka asgjë. I kemi këto që kemi falë punës që bëhet në këtë vend dhe jo falë fjalimeve apo OJF-ve që zhvillojnë e përsosin demokracinë shqiptare me pagesa të majme në salla lluksoze hotelesh e në ekrane televizionesh me monologje urrejtje kundër njëri-tjetrit.
Do t’i lutesha, shumë miqësisht edhe Ardit Gjebresë, që në emisionin e së djelës në TV KLAN, krahas reklamave të pafundme që bën për lloj – lloj hoteli e dyqani, të gjente mënyrën që të reklamonte edhe punën në arë, në bujqësi, në blegtori. Sepse Gjebrea ka shikueshmëri shumë të madhe. Ta bëntë në emër të fermerëve shqiptarë, pa para, në mënyrën e tij shumë speciale, me të folurën e tij aq të ngrohtë e njerzore.
Ka vite që e kam dëgjuar, thënë nëpër dhëmbë nga ca të rëndësishëm të mediave se “nuk e ndyjmë ekranin me bujqësi”.Ka të drejtë ky lloj aristokrati sepse nuk di të dallojë ende lopën nga kali e jo më të dijë c’janë të leshtat e të dhirtat, të imtat apo të trashat, apo të dijë ç’është rrunxa a mëzati, keci a qengji, ftujaku, ftuja a orrnaku, të dijë që buka prodhohet nga gruri ose misri, që gruri mbillet e rritet në tokë, që gruri rritet edhe në Shqipëri…
Në mediat tona mund të mësosh edhe emrat e sirianëve apo libianëve të vrarë, mund të mësosh gjithë mërinë e Gjinushit, Milos dhe të partive të tjera të vogla që mallkojnë Berishën e Ramën ngaqë duan me çdo kusht të hyjnë individualisht në parlament si deputetë, mund të mësosh edhe çfarë u është gjetur në çanta të plagosurve nga aksidentët rrugore, mund të mësosh kur bëri shurrën filan deputet, mund të mësosh për deshpërimin e pafund të homoambasadorëve në këtë Shqipërinë tonë që për fat i ka njerzit potentë e të fuqishëm seksualisht pa devijime.
A pati korrje gruri sivjet në Shqipëri? Natyrisht pati edhe pse mediat tona nuk para dhanë gjë që të mos bëheshin me baltë e të mos quheshin fshatare. Sepse poseduesit e mediave tona nuk hanë bukë, nuk hanë asgjë, asgjë, asgjë. As pinë nga sisa e lopes, deles apo dhisë as hanë nga bytha e pulës…
Sipas statistikave të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, 74 mijë hektarë u mboll me grurë në Shqipëri në vitin 2012. Rendimenti mesatar është 43 kuintalë për hektar. U mboll pak më shumë se në vitin 2011.
Mbi 700 autokombanja korrën dhe shinë grurin sivjet në vendin tonë. Nuk u mor kush me to. 300 mijë ton grurë me plus minus 5-6 mijë ton është prodhimi mesatar i grurit në vendin tonë. Afërsisht kaq e pak më pak është edhe importi i grurit dhe thekrës bashkë për përdorim për bukë dhe embëlsira.
Por askujt nuk i hyjnë në punë këto shifra, ky prodhim, kjo punë që bëjnë fermerët shqiptarë. Vetëm kur shkon Kryeministri apo ministri tek ndonjë fermë, ndodh që jepet ndonjë lajm duke përcjellë fjalët e të mëdhenjve e jo punën e fermerit apo fermën e tij.
Mediat tona në mënyrë të pashembullt agresojnë me telenovela, me detaje për ngjyrat e brekëve, madhësinë e gjokseve, shalëve, bythëve, thashethemet e pretendentë-këngëtarëve nëpër klube, kur puthen, rrihen apo pështyhen, kur mbetën me barrë apo tradhëtojnë…
Po na krijohet përshtypja nga mediat se në këtë vendin tonë bëhet gjithçka por vetëm nuk punohet, askush nuk punon. Po duket se ne jemi vetëm shitblerësa të njëri-tjetrit, se ne jemi shoqëri gabi. Po insistohet gati si qëllimshëm të besohet se në jemi vetëm vend për plazhe, vetëm për qejfe e ahengje. Sepse askush nuk po nderon punën dhe prodhimin në këtë vend.