PJETER JAKU
DIMER “ POETIK” NE LEZHE
Shenime
PJETER JAKU
Pas disa ditë përpjekjesh, për të gjetë një biletë të favorshme, me datën 6 janar 24, ditën e shtunë pasdite fluturuam nga aeroporti i Detroitit për në Tiranë, me vetëm një ndalesë, në Frnakfurt. Për ata që e kanë bërë këtë linjë, e dinë se është linja më e shkurtë, por prapë se prapë, afër nëntë orë pa ndërprerë, është disi e vështirë. Megjithatë, fluturimi për Shqipëri, sido të ketë qënë, për mua, përherë ka qënë i mirë dhe i palodhshëm. Është një tërheqje instiktive, që ta kalon fluturimin shumë shpejt. Fillimi i ditës së dielë, e datës 07, janar na zuri mbi oqean, 11777 metra mbi tokë, kur na duheshin edhe 1557 kilometra për të zbrit në Frankfurt. Në të majtë kisha bashkëudhëtarin tim, Kastriot Vila, të cilin e zgjova, pasi më mori lemza dy herë. – Kam ditëlindjen sot, o Joti! U bëfsh 100 vjeç, o Pjetër! Ishte urimi i parë fizik, me takim duarsh, pasi zgjimin per të ma kujtuar, ma bëri lemza e pandërprerë. Jam i sigurtë, që nuk i kishte zënë gjumi Marën dhe Elin e, sigurisht ato më kishin përmendur, ashtu siç mendoj edhe motren Angjelinë, që na i kujton e para ditëlindjet tona dhe fëmijëve tanë, por koha nuk e favorizonte. Bash në atë moment shkrova një poezi, të cilën ende s’e kam publikuar. Kam shkruar shpesh për ditëlindjen, që i përket veç historisë time. Në Frankfurt na pret një kohë tepër e ftohtë, një mëngjes që nuk mund të kontaktohet. Nuk kishim për të pritur shumë në aeroport. Dy orë kalojnë sa hap e mbyll sytë. Vëlla Ndocin do ta thirrja për t’i treguar, se po prisnim nisjen e, që në orën 2 do të ishin në Rinas. Në Rinas takojmë një kohë më të butë se e Frankfurtit. Binte fare pak shi. U vonuam ca për të pritur valixhet. Shfrytëzova momentin për t’i thirr Elin e Maren, pasi ishin në ethet e mbërritjes. Sapo ndahem me bashkudhëtarët, takoj vëllaun Ndoc. Pas përqafimit, më uroi ditëlindjen, më mori valixhen e rëndë dhe u drejtuam nga parkimi. Te “ Brazili”, Ndoci më ndaloi pa më thënë. E dinte se nuk do të pranoja ndalesën për drekë. Po binte shi e ora po shkonte 3. Me thënë të vërtetën, më shijoj supa e peshkut dhe mishi i pjekur, edhe pse isha i ngrënë. Në Lezhë, po na priste Pashk Vathi dhe Salvator Gjeçi, ndërsa rezidenca ime 5 javëshe do të ishte te ANTAGU, resorti i vëllezërve JAKU. Ata e dinin ditëlindjen time. Tuj e mendu edhe lodhjen e fluturimit, shpresoja të mos bënin darkë. Do më pëlqente një sallatë frutash dhe një ëmbëlsirë simbolike. Vëlla Gjergji familjarisht dhe Pjetri i vogël, ishin ende pa u kthyer në Gjermani. Me Pjetrin e vogël kisha afro dhjetë vjet pa u taku. Mezi po prisja. Ndejta fare pak në Lezhë, sapo pimë një kafe e, takimin e gjatë e lamë për neser.
Antagu ishte në rikonstruksion. Të tri katet e sipërme, pothujase ishin të hapura, me ndrrimin e dritareve dhe të pllakave, ndaj dhe “banoret” kishin rrethuar një ngrohëse gazi, në hyrje të hotelit. “ Parkoj” valixhet te 200-ta dhe zbres përsëri. Shiu vazhdonte, ndërsa nata erdhi më herët, nga koha e vrantë. Dallga, siç e thërrisja Pjetrin e vogël, do të kthehej pas dy ditësh, e ndenjëm deri vonë, pranë “oxhakut”, ndërsa Gjergji duhej të pushonte më shpejt, se nesër e prisnin shumë punë. Ndoci me Marijen dhe Doda ndenjen nja një orë e u kthyen në shtëpitë e tyre, në Rrilë. Një mbrëmje e kanshme, si shumë e shumë të tjera, që kishim kaluar e do të kalonim te Antagu.
Ditët në vijim…
Që të hënen më prisnin disa punë, për të cilat edhe kisha ardhur por, para se të filloja këto, duhej të shkoja te “shtëpia” e përjetshme e prindërve të mi, e vëllait Tonin dhe e Gjyshes. Kisha nevojë të qaja, t’i përkëdhelja fotot e tyre dhe t’i përshëndesja. Babait, ende nuk i kishin ikur nervat. Jam i sigurtë që kishte shkuar padashur dhe, Gjyshja nuk kishte dashur ta pres! Ndërsa nana kishte lënë 80 vite vuajtje këndej, por djemë e vajza, nipa e mbesa plot. Edhe pse e qeshur, ishte një e qeshur gati në të qarë. Sikur e dinte se Tonini u kishte shkuar, pa e thirrur. Tonini, si përherë i gjallë dhe i qeshur, ndërsa Gjyshja, gjysëm serioze, me vështrim të drejtë, sikur heshtëte! Pas këti momenti shumë të ndjeshëm, fillova realizimin e projekteve të mia. Që në qershor të vitit të shkuar, kisha bërë aplikimin e ndarjes se një prone të çertifikuar. Takova noteren Enkelejda Cali, tek e cila e kisha bërë aplikimin. Mësova hollësitë e kthimit të dokumentave, gjoja për një pasaktësi të vogël të siperfaqes, ku më kërkohej të blija disa metra katrore, ose t’i hiqja nga harta, edhe pse ekzistonin disa harta të mëparshme të Kadastres. Thirrem një nga teknikët e Kadastres dhe u ribënë hartat, në pjestimin për pesë, sipas dokumentave të gjendjes civile, në gushtin e vitit 1991. Tani, duhej pritur prapë! Isha i sigurtë se do të kthehesha në Amerikë, pas më shumë se një muaj, e prapë dokumentat nuk do të ishin bërë! Ndoshta duhet fluturuar tri herë, për të marrë dokumentin, që mund të merrej në pak ditë. Adminisitrata, ose ligjet administrative, ishin një ping-pong tronditës, që t’i bëjnë nervat tel, siç thotë populli.
Fundjavën e parë në Mnelë, e shtune, 13 janar
Pashk Vathaj më kishte thënë gjatë javës, se do shkonte të shtunën në Mnelë. Kishte siguruar nga një miku i tij dy fiq shnjinsa ( që piqen dy herë në vit ) e donte t’i mbillte. A t’vi dhe unë, – e pyes Pashkun? – Patjetër, nëse mundesh, – m’u përgjigj, unë shokë dua!U nisëm të shtunën, në mëngjes herët. Kohë e butë dhe vrejtur, por jo shi. Pasi kalojme Zadrimen, pjesën e Lezhës, dikun ishte bllokuar rruga dhe na u desh të silleshim nja 3-4 kilometra, për të dalë përsëri në rrugë. Përtej Mabës, ndahemi nga asfalti dhe fillojmë ngjitjen bregut të Lumit Gjadër. Poshtë Kalasë së Vigut, dikun në Mnelën e Madhe, po ndërtohej një hidrocentral. Rruga ishte shumë e vështirë, por Pashku kishte marrë njërën nga makinat e larta. Vende vende duhej kaluar lumi. Makina duhej të kalonte nëpër ujë. Në të djathtën tonë shihej Fshati Vig, një rrafsh i vogël me disa shtëpi, që tymosnin oxhaqet. Pra, kishte ende njerëz në ato kulla. Ndërsa në të majtë ishte ndërtuar Kisha e re e Malit të Rrxumë, një ndërtim arkitekturor shumë i bukur, në majë të një kodrine, pak metra sipër rrugës. Mbrrimë të toka dhe ish shtëpia e lindjes së Pashkut. Në krye të arës, afro 3 dynimshe, kishte ndërtuar një banesë të vogël dy katëshe, me instalimet elektrike dhe të ujit. Mjaft komode për vendin dhe nevojat e përkohëshme të punimeve bujqësore. Në rreshta të drejtë kishte mjellur 180 rrënjë ullinj, që ishin rritur për dy vjet, sa një bojë njeriu, siç thuhej këndej, disa llojë pemësh të tjera dhe disa rrënjë hardhishë.
Kisha e re e Malit t’Rrxumë
Kopështi i perimeve ishte në krye të arës. Sipër shtëpisë, kishte realizuar një rezvar të madh uji dhe një popmpë , që gjatë verës nevojitej për të ngjitur ujin të rezervari dhe nga aty e shpërndante në parcelën me pemë. Gjithë fundjavat, Pashku me gruan i kalonte këtu, një mrekulli, që sa vjen e hëhët më e bukur.
Ullinjët e Pashkut, poezia më e mirë e tij
I preka ndryshimet, që ishin bërë nga një vit më parë. Më erdhi mirë, që disa njerëz të kësaj ane, po i rikthheshin fshatit. Tani për tani, asnjë nga oxhaqet e shtëpive të Mnelës së Vogël nuk nxirrte tym. Pra, ishin të pabanueshme. Një pjesë e tokave, sipër parcelës së Pashkut, ishin mbuluar nga ferrat dhe bimet e egra, sa duhej shumë punë për t’u kthyer në destinacion. Mbi to ishte një pyll me gëmusha, që do të shërbente shumë për mbashtrimin e dhive, pasi disa prej tyre gjelbëronin edhe në janar. Pashku, bëri matjet dhe hapi dy gropa, për fiqtë që do të mbillnim. Pas mbjelljes së tyre, kishte menduar për drekën. Frynte një erë e lehtë përkëdhelëse, sa të mbushte gjoksin me ajr malesh. U futem në shtëpinë e vogël, ku nuk mungonte asgjë. Byrek, mish, vezë, djath dhe të regjura e rakinë tradicionale! E ç’donim më mirë se kaq!? Në kthim te Kafe “Britania”, u ndalem të pinim kafen e pasdites me Viktorin e Salvatorin.
Nga Mnela në lokalin e Ndocit, në Ishull Lezhë
E dielë pasdite, 14 janar 2024
Më thanë se në Ishull Lezhë ishte një shtëpi-lokal, ku shkonin shpeshë të organizuar, krijuesit e Klubit Letrar “ Ndoc Gjetja”. Mezi prisja. Një shtëpi njëkatëshe me një dhomë afro 30 metra katrore, ku kishte një guzhinë për t’u shërbyer afro 20 vetëve. Në verë, shtroheshin nën hijen e tanës së rrushit. Tamam vend poetësh! Vimë shpesh këtu, – më thotë poeti Viktor Gjikola,- se është vend i qetë dhe i përgjigjen shijes tonë, sidomos kur duam ta rrëkëllejmë ndonjë gotë. Shkrimtari Ernest Marku, nuk ishte kundra, veçanërisht kësaj të fundit. Pashku dhe Salvatori nuhatnin peshkun e freskët por, edhe pak alkool nuk do ta refuzonin. Një drekë e kanshme në krejt mundësinë e saj. Humor e biseda, pse jo dhe projekte. Klubi Letrar “ Ndoc Gjetja, tashmë i njohur shumë më larg se në Lezhë, priste fillimin e marsit me dy aktivitete; konkursin e poezisë së shkruar në gegnisht, në Jurinë e të cilit ishte ngarkuar Ernesti dhe Bruna Përvathi, e cila ishte inisiatorja kryesore, me mbështetjen e Klubit. Pashku dhe Salvatori, si gjithnjë, kishin filluar intersimin për të përkujtuar Ndoc Gjetjen, në përvjetorin e Lindjes, me 9 mars 2024. Salvatori po përgaditej për një promovim, që së shpejti do bëhëj në Lezhë, si dhe për finalizimin e punës së një libri me barsaleta, të regjistruara nga zonat e Mirdites, me zgjuarsinë dhe nënkuptime të mençura popullore. Secili e kishte në projektin e tij një punë të mirë për ta bërë, gjatë këti viti, që sapo kishte nisur. Tani vonë, kishte filluar t’i përkrahte Bashkia e qytetit disa nga nismat dhe realizimet e këti klubi, bashkëpunim i mirëpritur, siç thotë Viktori, – duke përmendur disa nga realizimet e përbashkëta. Për të arthmen a afërta, Klubi “ Ndoc Gjetja” kishte projekte bashkëpunimi me disa nga biznesmenet e qytetit, të cilët e duan librin dhe aktivitetet letrare. U rekomandova njërin nga ata, që bindem se do të ndihmojë, Zef Shtjefni, një gazetar i njohur dhe letrar, gjithashtu i spikatur. Në Lezhë ka pasur dhe ka disa dashamirës të librit dhe aktiviteteve kulturore, që nuk kanë kursyer gjë, sidomos për rritjen e nivelit të tyre. Dreka mbaroi në të errur, sa nuk kishim kohë të ndaleshim për kafen e mbrëmjes te “Britania”. Nesër, ditë e re, projekte të reja.
Nga e majta në të djathtë: Pashk Vathaj, Viktor Gjikola, Pjetër
Jaku, Salvator Gjeçi dhe Ernest Marku.
Rastësisht në një promovim
Nga krijues të Klubit Letrar “ Ndoc Gjetja”, mësova se të premten , me 02 shkurt 2024, në një nga sallat e Bibliotekës së qytetit, do bëhëj promovimi i romanit “ Nata”, të autorit Preç Zogaj! Shkova i paftuar, me mendimin se do ta takoja Preçin, pas shumë vitesh, por Preçi “nuk më njihte më”, edhe pse nuk kam ndryshuar. Në fund të fundit, kujt i plasi mos me t’ njoh Preçi! Janë ca njerëz, që mjafton t’i takosh veç një herë , e jo unë e Preçi që kishim ngrënë prej duarve të nënave tona disa herë. Pa flokë isha edhe në promovimin e dy librave të Dom Anton Kçires, kur jemi takuar për herë të fundit. Promovimin e kishte marrë seriozisht Klubi Letrar, i cili u përfaqësua denjësisht me diskutimin e poetit të njohur Viktor Gjikolaj dhe shkrimtarit e studiuesit Ernest Marku. Ndërsa shumica e pjesëmarrësve, ishin aktivistë partishë dhe nëpunës shtetror, të sjellë për të duartrokitur! Leksioni i Preçit se ç’është letërsia, tregonte se salla “mezi priste” ta mësonte këtë!
Por , Preçin e shqetësonte Libraria Artistike “JAKU” e qytetit, që sipas tij, nuk i pranonte librat e autorëve lezhjanë! Ndoshta nga prania e kryetarit të bashkisë, ndoshta nga “zakoni i vjetër” i të thënit jasht pranisë së përsonit, për të cilin flitej! Ai duhej ta dinte se libraritë nuk i administraton, as paguan Bashkia. Që nga viti 1993 janë në aktivitet privat! E keqja është, se mënyra si i tregëton librat Preçi dhe disa autorë të tjerë, është krejt në dëm të libravive. Si dhe pse? Librat e Preçit i tregtojnë biznesmenet e qytetit, ia marrin me shumicë, ca i falin e ca i tresin, pak i shesin me detyrim nëpër shkolla, nëpërmjet njohjeve dhe interesave, përjashto ca që i shesin nëpërmjet promovimeve!
E ça mbetet për librarinë, o Preç!?
Një falenderim të veçantë për Zef Shtjefnin, që s’më kishte harruar! Shkurtimisht për lexuesin; Zef Shtjefni, i diplomuar për gjuhë letërsi shqipe, gazetar, ish portjer i “Besëlidhjes”, njëri nga më kryesorët në stafin e gazetës prestigjoze “Koha Jonë”, letrar i njohur, sot biznesmen shumë i sukses’shëm, me të cilin kisha afro katër dekada pa e takuar! Shija e keqe e këtij takimi ishte dhe fundi. Autori i librit të promovuar do të veçohej nga krijuesit e njohur të Klubit Letrar “Ndoc Gjetja”, që e mbajti takimin. Ai me kryebashkiakun dhe disa biznesmenë, do të ndalonin në një lokal të porositur dhe luksoz, afër bibliotekës, ndërsa organizuesit të braktisur, në një tjetër kafene. Kjo pra ishte “ Mirwnjohja” e thellë e poetit ishpolitikan!
Pas promovimit: Nga e majta në të djathtë: Azem Baliaj, Alket Bushi, (?)
Salvator Gjeçi, Pashk Vathaj, Viktor Gjkola, Pjetër Jaku, Hekuran Koka,
Elvira dhe Lulzim Kalaj
Takime me miq të mirë…
Se mbaj mend në ka qënë viti 2008, kur u ndamë me mikun e mirë, malësorin burrnor, Dodë Gjonaj, i cili pas më shumë se dhjetë vitesh në Michigan, e ndau mendjen të shkonte për të jetuar në Malësi, konkretisht në Trieshë. Më kishte ndihmuar që në daljen e numrit të parë të Revistes “ Kuvendi” dhe në aktivitetin e njohur DITET E LETERSISË SHQIPE NË AMERIKË, për disa vite radhazi.
Me Dodë Gjonaj
Doda, në rininë e tij, ishte cilësuar si instrumentisti më i mirë i veglave me tela në Ballkan, pjesëmarrës në disa Festivale Ballkanike. Në Michigan u muar me punimet e imta të florinit dhe ishte një aktivist i kudondodhur në jetën aktive të komunitetit shqiptar të Detroitit. Disa herë kishim udhëtuar bashkë, për New York e Washington, me shqiptarë të tjerë, në demostratat që u organizuan kundra padrejtësive që u bëhëshin shqiptarëve nën Mal të Zi, si dhe më së shumëti për Pavarësinë e Kosovës. Më kishte marrë malli ta takoja. Ishin ba, dikun 15 vjet pa u parë. E njoftova se kisha ardhë në Shqipëri dhe ndodhesha te ANTAGU, në Shëngjin. Më tha se do të vinte brenda dy-tri ditëve. Si gjithnjë i përpiktë, mbrriti ditën e dytë. Pimë kafen, kujtuam miqtë në Detroit dhe u ndamë, me premtimin që herën tjetër do ta vizitoja në Malësi.
Nga e majta: Pashk Përvathi, Pjetër Jaku, Gentian Marku
Në ditët e para u takova dhe me mikun tim, piktorin e njohur Pashk Përvathi. E përgëzova për librin që promovoi disa ditë më parë, në Tiranë dhe në Lezhë, si dhe biseduam për malësorët në Detroit, për Kishën e Shën Palit, ku kishte realizuar disa punime. Me ne ishte edhe Gentian Marku, punonjës i Bashkisë së Lezhës. Me patriotët e mi nga Fani i Mirditës, u takova veçmas; Besnik Pacin dhe Gjovalin Boçin. Po shkoja te Librari “ JAKU”. Në të majtën time, një djalë i ri, i gjatë po fliste në telefon me dikë, i ndaluar. Sapo tha: “Jam Besnik Paci”, menjëherë u ndala. Prita sa mbaroj bisedën dhe iu drejtova: – Besniku jeni Ju? – Po, – m’u përgjigj dhe shtangi. Nuk njiheshim. Iu prezantova dhe iu drejtuam bashkë librarisë. I thashë se kisha dëgjuar për të, veçanërisht për aktivitetet që kishte bërë e bënte për Gjergj Fishten, duke e sjellë sa më pranë të vërtetës, origjinen e tij. Më kishte pëlqyer për këmbënguljen, në gjetjen e shumë burimeve për këtë fakt. Më dhuroi librin e Dom Gaspër Gurakuqit dhe u ndamë, për t’u takuar, para se të kthehesha në Amerikë.
Me Besnik Pacin, në Librari “ JAKU”
Pak ditë ma vonë u takuam me Gjovalin Boçin, një moshatarin tim, me të cilin mund të kisha 40 vjetë pa u parë. U pyetëm e stërpyetëm tuj u çmallë. E kisha parë në disa aktivitete që i organizonte me shqiptarët në Athinë. Shpesh i kisha botuar dhe te Revista “Kuvendi” në Detroit, njoftimet për Festen e Flamurit. Kishte punuar dhjetë vjet taksist në Athinë. U çudita! Afro 4 kilometra , në lindje të qytetit, kishte ndërtuar një shtëpi dhe një fermë të tijën, tashmë i kthyer nga emigrimi.
Me Gjovalin Boçin
Në Tiranë te Kafe “Sofia” do takoja disa krijuese të Tiranës, piktoren dhe poeten Flutura Maçi, e cila kishte qënë edhe te Kuvendi në Detroit, poeten dhe kritiken Emrije Krosi si dhe poeten Nezi Plaku Velaj, e cila kishte qënë disa vjet komshie e poetit të njohur Ndoc Gjetja në Shënkoll të Bregut të Matës. Me Agron Tufen, nuk do mund t’u takoja kësaj here, te po kjo kafe ku u takuam para 5 vjetësh. Agronin e përzuni politika, i cili, tashmë jeton jashtë Shqipërisë familjarisht, pa deshiren e tij. Do zoti na jepet mundësia ta presim në Detroit, pastaj në Shqipëri. Me drejtoresh Inxhi Aliçkaj, në Ministrin e Turizmit, gazetaren dhe shkrimtaren, njeriun e mirë si ajo, do pinim një kafe në zyrën e saj, disa ditë më vonë. Aty më dhuroi librin me kujtime për nënën ( publicistikë dhe poezi ) që e kishte botuar Kuvendi, dhe unë, ende se kisha marrë. Biseduam për fëmijët dhe prirjet e tyre. Inxhi kishte ekspozuar pikturat e vajzës ( Alines ), në çdo kënd të zyrës. Do më pyeste për Maren, shkollen, tenisin dhe pianon. Gjatë atyre pak minutave, disa herë u paraqiten punonjës për punët e dikasterit. Për Ing. Nikollë Marku, kam shumë për të thënë, me këdo që të bjerë fjala për të, vlerësime pozitive do të ndigjosh!
Nga e djathta: Alkeo Plaka, Zef Marku
dhe Pjetër Jaku
Me mikun tim, Zef Marku dhe dhëndrrin e tij, Alkeo Plaka, do takoheshim te Antagu, në Shëngjin, me të cilët kaluam një darkë te Resorant “Detari”, falë bujarisë së të dyve. Zefi kishte në projektet e tij, botimin e një libri me kujtime, sidomos për vitin e mbrapsht 1997, ku iu dogj e bija, Elvisa Marku, me shumë pak shpresa për t’i shpëtu jeta. Falë përkushtimit dhe sakrifices, afro njëvjeçare të tij, sot vajza është e martuar me Alkeon dhe kanë tre fëmijë. Për sakrificen e Zefit dhe vuajtjet e së bijes, do takohemi hollësisht në librin që po shkruhet.
Në viziten e këti dimri takova veç krijues e miq të mi, tuj mos e pasë rastin, të takoja asnjë politikan, veç të vetmin, një ish kryetar bashkie, që më la shije të keqe!
Vasel Martinin e takova tri ditë para kthimit në Amerikë, me 12 shkurt 2024. E kisha në planet e mija per ta takuar, sa herë vija në Lezhë. E, se si ndodhte të kthehesha pa e takuar! Vasili më kishte ndihmuar në një rast pa e njohur dhe, pa pirë kurrë një kafe me të. Kësaj here, nuk do kthhesha pa e takuar. Doja ta pyesja, nëse e mbante mend rastin e arrestimit tim, të vitit 1995, me një akuzë të gënjeshtrët dhe krejt të pa mbështetur në prova. E mbante mend, biles edhe se ç’më kishte thënë. Në librin tim biografik do të ketë hollësi, të cilat s’po i përmend kësaj here. Një mirënjohje, më e pakta që i detyrohesha Martinit!
Me të riun Erion Marku, djalin e mikut tim Paulin Marku, do të vizitonim Bulshizen, që t’ia dërgoja Paulinit vendlindjen në Detroit. Erioni e donte atdheun, jo si unë e Paulini, që e kishim “tradhëtuar”, ndaj mbante biznesin e të atit, aq sa biznes mund të ketë një qytet i vogël, si Rrubiku, ku nuk kishin mbetur as një e treta e banorëve, që kishte pasur para 5 vjetësh. Erioni ishte në pritje të bashkimit familjar, me të atin, nënën dhe motren, që punojnë e jetojnë në Detroit. Paulini, edhe pse erdhi në Amerikë, në moshën 50 vjeçare, është integruar shpejt dhe mirë. Punon kamionist, një nga punët ma të vështira, në një vend të madh si Amerika, ku kamionet e tonazheve të rënda, kryejnë, pothuaj krejt punët e transportit brenda gjithë kontinentit. Supermarketet e fabrikat e mëdha i hapin portat e magazinave të tyre, natë e ditë. E njohur si një shoqëri konsumi, mallrat hynë me kamiona e dalin me karroca dore. Paulini nuk e harron atdheun. Në vitin që shkoi, i priu inisitaivës për të ndërtuar rrugën shumë të vështirë ( e përpjetë, gati e pakalushme), nga Rrubiku në Bulshizë, me një investim të konsiderueshëm nga xhepi i tij. Kur ta pyesësh, ai të flet për ndihmën e të tjerëve. Bujaria dhe modestia, janë tipare kryesore të njeriut fisnik!
Në dalje të qytetit, pa shkuar te ura, ngjiteshe në të majtë, për në fshatin e vogël Bulshizë. Erioni, la punën për të më shoqëruar mua. U ngjitem nëpër rrugën, gati krejt të shtruar, veç disa pjesëve të shkurtëra, ku po përgaditej për shtrim. Si gjatësi, ndoshta ishte pak ma shumë se një kilometër. Fshati ishte si një ballkon mbi Rrubik, ku shihej pjesa e lumit dhe mali përballë. Sipër fshatit, ishte një pyllnajë e shpeshtë, ku thirrej “ Pylli i Panjes” dhe, në majë Guri i Madh. Flitej se pyllnaja, para kolektivizimit, kishte pasë lisa të lartë, sa mezi ua shihje kryet. Erioni ishte rritur në qytet, e nuk i dinte shumë ndodhi të këtij fshati, si dhe të zonës me emër e histori. Këto, do t’i plotësojmë në një libër të veçantë, me Paulinin!
Erioni duke na hap portën e shtëpisë së pabanueshme
Shtwpia e Paulinit
Që nga tërmeti i 2019, shtëpia e Paulinit është e pabanueshme. Komision pas komisioni dhe, ende s’kanë bërë asgjë, qeveria “punon” për banorët e kësaj zone! Falë zotit, Paulini nuk është pa shtëpi se, po të priste qeverinë, nuk do të bëhej ndonjëherë me shtëpi! Pra, është një zonë krejt e vogël, që mund të shërbejë për turizëm.
Gjatë udhëtimit për Lezhë, Erioni, me bujarinë e pritësit, do na ndalonte te “Marubi.” Një ditë e mrekullueshme dhe një drekë shumë e shijshme. Faleminderit Erion! Megjithëse një falenderim është fare pak!
Fillim marsi, 2024