VJET NE LEZHE

Gusht 2023

ELINDA MARKU
….
Shpesh herë më ngatërrohen ndjenja e krenarisë me ndjenjen e fajit, sa herë e shoh bijen time që, edhe pse ka lindur përtej oqeanit, përlotet e mallëngjehet për Shqipërinë. ( ma saktë për Mirditen dhe Lezhën)!

Verën e kaluar, kaluam 49 ditë, midis Lezhës dhe Mirdites, ani pse, bujtem të gjitha netët në Lezhë, në një apartament me qera, tek Rruga “Shtraus “.

Nga të gjitha rastet, kur Mara ime asht përlot, po përmend vetëm 2-3!

Në pallatin përballë tonit, çdo mbasdite, kur prisnim të vinte Pashku i amël dhe Salvadori i urtë, nga ballkoni ynë shihnim dy tre gra, që dukeshin si engjuj, jo sall se ishin të veshura me rrobat e bardha borë, ato të Mirdites por, se vërtet ashtu i ndjenim…!
Mares, mbas nje jave, iu ba zakon të dilte në ballkon, sapo në ballkonet përballë binte hija, që të shihte Engjejt!! Madje, më thoshte: Mam, sa të bëhesh ti gati, unë po rri në ballkon, të shijoj pak mirësinë e asaj nanës së “ vogël “ që lshon dritë drejt ballkonit tonë!!
Një nga këto çastet kur, dilnim në ballkon, ma shumë për të parë nanëmirat, se sa për të tjerat arsye, e pashë t’i mbusheshin sytë me rruzuj lotësh.
-Mara, ça po mendon?- e pyeta.
Dhe ajo m’u përgjigj:
-E shoh këtë gruan që më asht ba si ëngjëll, dhe më vjen të qaj , dhe më vjen të trishtohem, dhe më vjen frikë t’ia kthej shpinen, kur mendoj se, një nga vitet e ardhshme, nuk do t’i shohim ma , nuk do t’i ndjejmë ma, këto ëngjej, që vit për vit rrallohen!!
Edhe pse kjo nëna përballë nesh, as që e ka idenë, që unë ekzistoj, që unë e dua çuditërisht fort, aq fort, që unë dua, të mos vdesë kurrë!

Ndoshta lotët e mij nuk kanë pikë kuptimi, por kjo nana në ballkonin përballë ka aq shumë kuptim për mua!!!
….
Nga frika mos do t’ia plasja të qarës, nga çfarë më tha Mara, vrapova brenda, sikur kisha harruar diçka mbi sobë!!!

Një rast tjetër, ishte një ditë kur po pinim kafe me Salvadorin, Pjetrin dhe Maren tek njana nga kafenetë, që shtrihen përgjatë bregut të Drinit, kur na u afrua nje grua e vjetër, por ishte e bukura e dheut, me një tufë degë sherbele, për ta shitur. Ia blemë sherbelen, por nuk ia morem, tuj i thanë se na ban alergji!
Mu ba lamsh në grykë kafeja me gjithë lotët dhe u ngrita e shkova me taku. Mbrapa meje vinte Mara! Nuk e di pse ndjeva një si mall ta përqafoja këtë grua të panjohur, t’i puthja duart , t’i prekja vathët “ antike ” për të cilët edhe e pyeta! Dhe, më tha: këto janë vathet që me kanë pru për shej, kur jam feju.
Dy ditë ma vonë, më thotë Mara, me sytë plot uji, që i peshonte brenda qerpikëve, të mos i derdhej faqesh:
Më rrin mendja tek ajo gruaja e vogël, që shiste tuba sherbele, buzë Drinit!
Tek fytyra e saj e qeshur, mbas të ciles fshihte një dhimbje, dhjetra dhimbje!
Dhe, tek forca e saj për të mos ” lyp “ sall që, ndoshta mendonte të mos turpëronte djalin, që mund ta kishte braktisur, nusen e djalit që ndoshta e keqtrajtonte, ndoshta fatin, që nuk i ishte gjetur, kurrë!!! Shiste tuba sherbele, për të mos lypur mëshirë!

Mara ime, verën që shkoj, asht përlotur sa herë kemi udhëtuar buzë lumit Fan për në Rrëshen. Dhe unë e di pse….!
Sepse, n’ anë t’ lumit, midis fshatit tim Fierzë dhe Rrubikut, janë varrezat, ku pushon nana ime, të cilen Mara ime e ka parë e takuar , veçëse tek loti im, ma i madh se Oqeani, që kapërcejmë, sa herë shkojmë e vijmë në Shqipëri!!!

Mara ime mban aromë bije!
Mara ime mban edhe aromen e nanës time!
Dhe, çdo ditë e ma shumë pyes veten :
A me ka rritur Mara mua, apo unë Maren!!!
Sepse, gjithëmonë e vërteta asht, se më ka rritur Mara mua! Më ka rritur e më ka ba Nanë!! Me ka ba njeri! Me ka ba fmij të lumtur.
Nuk asht kurrë vonë, të bahesh fmij i lumtur, sidomos ata që janë rritur pa nanë!!!

Teksa, i vetmi faj i randë, që mund të kem ba unë me Maren, ashtë fakti që i kam ngjitur dashurinë për Shqipërinë, ani pse ajo ma kthen. Dashuria për Shqipërinë asht faji ma i bukur që ke ba! Sepse, tek e fundit, ti mamë, je një Shqipëri e vockel prej mishi, kocke, loti dhe fryme!!!

08 Mars 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *