NJE GRUA E BUKUR KALOI…
Një grua e bukur kaloi në rrugë
E ti kokën andej ktheve.
Një degë e lulëzuar u thye brenda meje,
Si nga peshë e borës
Në këtë ditë plot diell.
Vrikas i turbulluar më pe në sy
Me pafajsinë e një fëmije,
Ç’të bëja unë me lulet që binin
Nga dega e thyer brenda meje?!
” M I K J A “
Ndërsa përpiqesha
të ngjitesha shpatit
në atë mal
Gurë, gurë
Herë pas here më binin,
Rrokulliseshin nga lart…
Një çast ngrita sytë,
Diellin ma zuri,
Silueta e një mikes
që dikur fort e doja,
për të cilën kisha aq mall…
U ZHVESHEN PEMET
U zhveshën pemët,
Turpërohen, dridhen,
s’dine ku të fshihen
prej erës gjithë frushullimë…
Ngjethur me bulëzim sythesh
që presin shpërthimin,
me duart drejt qiellit luten:
“O Zot na vish, na vish!”
Një poete që tregon sa e bukur dhe elegante dhe me magji shprehëse e përfaqësuese mund të mbetet poezia, përherë origjinale, përherë e freskët, përherë e vërtetë! – faleminderit Kuvendi për të gjitha paraqitjet! (Veçanërisht për këtë, si lexuese e hershme e znj. Kapisyzi.)