MAJLINDA RAMA, ANTOLOGJIA POETIKE 1991-2023

 

 

UNË TË BËRA BURRË


Unë –
grua,
ti –
një shekull lindur,
që më kërkon Hadit
si Orfeu Euridikën,
101 vite
që më përgjon ëndrrat në adhurim,
një decenie
që e shpërngul ditë-natë zemrën tek unë,
një vit
që fle zgjuar poshtë dëshirës sime,
njëmbëdhjetë muaj –
pelegrin tek unë,
një mijëvjeçar
që më ke vënë unazë…

Sonte,
oh, i dashur,
me puthje t’i rrëzova gjithë krenaritë,
t’i zbrita kulmet me përqafime,
malet e lartuara nëpër kohë
t’i ula gjirit tim.

Erdhe,
dhe në trupin tim u bëre fli,
te këmbët e mia si kokë e prerë.

I dashur,
hesht,
unë të bëra burrë!


GRA TË JUGUT

Hapin gjokset e tyre gratë jugore,
siç hapet dita, si në valle
tundin shamitë e qëndresës,
Kapur fort, fat për fat,
Me kokën lart i drejtohen jetës
që u rëndon plumb.
Nëpër bokërrima zvarriten të mbledhin lule,
Që i kanë të tyre deri në tregun më të afërt
Pastaj me qindarkat e shitjes derdhen të lumtura
përmes dritës mjerane.
Në sytë e thelluar fshehin mundimin,
Nga gjunjët u varen ëndrrat e humbura
Vajzëria u valvitet në vellot e kujtimeve,
Janë të detyruara ta shohin përditë
diellin si vdes para tyre.
Mbijetesa është e vetmja betejë
Diellin, tokën, ajrin i kanë prej gjaku
Me djersë vadisin arat me fara
Ashtu jetojnë përditë,
Ashtu festojnë përditë,
Ashtu vdesin përditë,
Falënderuese nëse vdekja i zgjedh.


EROS


Natë erosi në shtratin tonë
trupat tanë lakuriq hyrë te njëri – tjetri
dhe s’na depërton as koha, as errësira
nata, jo se jo.
Unë nis të fluturoj përmes gojës sate,
drejt hapësirave të tua,
aty brenda kthehem në zanafillë
dhe bëhem gati për rrugën e këtij çasti,
ti rrëshqet kofshëve të mia të marrësh fuqi burri …
Të pashqetësuar nisim startet tona drejt qyteteve brenda nesh,
dritare më dritare vendosim nga një flatër-puthje.
Në fillim trupi yt prej mali bëhet njësh me brishtësinë time
dhe çmendem…
dhe marr trajtën tënde.
Pastaj, më fton të hyj në ty
dhe ky trup i vogël gruaje
hyn në burrin e pritur prej shekujsh
dhe bëhemi njësh
dhe ti çmendesh…
Dhe vuajmë paqësisht,
gjakrat nisin harbimin e bashkohen nëpër vena
pastaj lëkurët tona lëvizin vendit
prej epshit, prej afshit, prej nxehtësisë, prej alkimisë së zjarrit…
dhe skuqemi
dhe digjemi
dhe ti rritesh
(dhe unë bëhem edhe më shumë TI)
Dhe s’dimë çfarë është jotja e çfarë imja
vetëm e bardha e çarçafëve na ndan sinorët sipërfaqësisht
çdo gjë tjetër na bën bashkë
dhe nëpër natë thurim himne dashurie
të pafundme
deri në përjetësi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *