Programi Folklorik, “Qershia mbi torte” e Festivalit Tradicional të Kishës Zoja Pajtore
Diten e Diele me 3 shtator 2023, startoi në mënyrë të jashtëzakonshme Festivali i përvitshëm i Kishës Zoja Pajtore. Vlen te kujtohet se ky Festival ka më se 30 vite që organizohet pa ndërprerje. Ideator dhe organizator i parë ka qenë i përndershmi dom Prek Ndrevashaj dhe trashëguar me sukses për 25 vite me radhe nga famullitari dom Ndue Gjergji.
Programi folklorik u organizua me sukses të plotë nga aktivistet Kishës, Valentin Lumaj dhe Dr. Gjeka Gjelaj me assistance e Këshillit të Kishës Zoja Pajtore.
Programi artistik filloi me Paradën e Flamurit, e cila zhvillohet për 10 vite në vigjilje të Festivalit Tradicional. Pjesë e programit dhe Paradës së Frlamurit ishin disa grupe vallesh nga komuniteti shqiptar: grupi i valles “Illyrians” i Kishës Zoja Pajtore”, grupi i valles “Gjergj Kastrioti” i Kishës Shën Palit, grupi i valles “Rapsha në Mërgim” nën drejtimin e aktivistit Anton Junçaj, grupi valles “Vallëzoni me Elvanën”, nën drejtimin e valltares Elvana Dedvukaj.
Këtë vit në Program mori pjesë edhe grupi i valles “Shqiponjat e Vogla” nën drejtimin e koreografit profesionist Ramazan Këllezi. Ky grup ju përgjigj menjëherë ftesës për të marrë pjesë. 15 valltarëve dhe trajnuesit të tyre, ju bashkuan edhe prindër të tjerë, duke krijuar një grup prej mbi 30 vetash që udhëtuan nga Toronto, Kanada enkas për të marrë pjese në Festivalin tonë.
Po ashtu pjesë e programit Artistik ishin edhe këngetaët më të rinj te komunitetit, me një të ardhme të sigurtë dhe të suksesshme në këngën dhe vallen shqiptare, Albana Gojçaj, Misi Gojçaj dhe Valon Gjolaj, i biri i Ndrek Gjolaj, kryetar i Shoqatës Malësiae Madhe.
Me fjalë të tjera, në këtë program merrnin pjesë e gjithë elita folklor-artistike nga Michigani dhe Toronto-ja.
Karvanit të gjatë i prinin dy Corvette të reja më flamuj shqiptarë dhe amerikanë, më pas, nën shoqërimin e tupanistit Tony Dedvukaj, ecnin dy këngëtaret e vogla 7-vjeçare të veshura me xhubletë, Albana Gojçaj dhe Misi Gojçaj, si simbolikë e trashëgimisë së traditës ndër breza.
Ky festival përkonte me 7 vjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezes, prandaj procesioni i grupeve të valles dhe të rinjëve dhe të rejave më veshje kombëtare shqiptare, u ndal para shtatores së Nënë Terezes, ku Dom Ndue Gjergji, me shoqërimin e meshtarëve mysafirë, Dom Nosh Gjolaj, Dom Mark Tusha dhe Dom Giovani Kokona, nderuan dhe thanë lutje.
Më pas karvani i gjatë i këngëtarëve, valltrëve dhe të rinjve të veshur më rroba kombëtare marshoi drejt sheshit të festivalit ku qindra shqiptarë ishin mbledhur për të përcjellur progrmin.
Ceremonia u hap me këndimin e hymneve kombëtare Amerikane dhe Shqiptare. Moderuesit Viktoria Dedivani dhe Steve Lucaj mbajtën fjalën e hapjes dhe falenderuan grupet folklorike pjesëmarrëse.
Të parët performuan me katër valle grupi “Ilyrianët” të kishës Zoja Pajtore. Ky grup përbehet nga dy grupmosha që kërcyen veçmas dhe së bashku. Grupi ka dy vjet që është krijuar me femijët e Famullisë tone nën kujdesin e koreografes Joli Paparisto.
Këngëtari i ri Valon Gjolaj, në vazhdim të traditave malësore këndoi kangën e tij të re: Jam krenar me ty Malësi”.
Grupi i Valles “Vallëzoni me Elvanën”, kërcyen dy valle, Vallen e Kreshnikëve dhe Vallen e Shotës. Valltaren Elvana Dedvukaj u shoqëroi me tupan bashkëshorti i saj Tony Dedvukaj dhe grupi i vallëtarëve.
Këngëtarja e re Misi Gojçaj, me talentin dhe konfidencën e saj entuziazmoi pjesëmarrësit me këngën e saj “Malësinë nuk e gjej askund”.
Grupi “Shqiponjat e Vogla” me performancën e jashtëzakonshme tërhoqën vemendjen e te gjithëve. Dukej qartë pergatitja profesionale si në harmoninë e lëvizjeve, po ashtu edhe në veshjet kombëtare. Ky grup kërceu tri valle, Vallen Arbëreshe, Vallen e Pershkopisë dhe Vallen e Librazhdit dhe për secilën valle grupi kishte pergatitur veshje popullore të veçantë në përshtatje të krahinave nga të cilat buronin vallet.
Këngëtarja kaq e re dhe kaq e talentuar, Albana Gojçaj, vetëm 7 vjeçe, këndoi këngën e saj të preferuar “Jam Albana vajzë shqiptare”. “Unë kendoj por edhe këcej shumë prandaj skena është pak e vogël”, ju ankua ajo drejtuesit të programit, dhe pastaj ajo zgjodhi të kërcejë në mes të sheshit të Festivalit e shoqëruar me ovacionet e të pranishmëve.
Grupi tashmë profesionist “Rapsha në Mërgim”, nën trajnimin e koreografit të pasionuar Anton Junçaj, kërcyen tre valle me motive Malësore , Zanat Vallëzojnë, Vallja e Malësisë dhe Vallja e Tropojës. Grupi Rapsha në Mërgim ka qenë shumë aktiv në të gjitha eventet komunitare dhe më gjerë. Ky grup së bashku me grupin “Vallëzoni me Elvanën” do të marrin pjesë në Festivalin Folklorik Nderkombëtar qe do të mbahet në Washington DC në fund të shtatorit duke përfaqësuar komunitetin shqiptar të Michiganit.
Mbas përfundimit të programit folklorik, Dom Ndue Gjergji, falenderoi organizatorët, kryetarin e Festivalit Pjerin Prekaj, kryetarin e këshillit Rrok Dedivanaj dhe pjesëmarrësit, si dhe bëri bekimin e Festivalit. Dr. Gjeka Gjelaj mbas fjalës së tij ftoi mysafirin nga Kanadaja, koreografin Ramazan Këllezi, i cili falenderoi Kishën e Zojës Pajtore për ftesën, të pranishmit, grupin e tij të valles dhe prindërit që i shoqëronin.
Gjithashtu Dr Gjelaj falenderoi muzikantin violinist Kristjan Gusho dhe bashkëshorten për pjesëmarrjen, lexoi emrat e donatorëve të Festivalit dhe më pas ja kaloi rradhën këngëtarit Albet Abedini dhe grupit të tij për të ndezur atmosferën argëtuese të Festivalit.
Qëllimi kryesor i këtij Festivali ka qenë, bashkimi i shqiptarëve, pa dallim feje dhe krahine, ruajtja e gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare në diasporë. Për shumë vite, këto festivale më së shumti kanë konsistuar në grumbullime masive të shqiptarëve, me këngëtarë të njohur shqiptarë, muzikë dhe valle të pastër shqiptare. Po ashtu, një qëllim tjetër ka qenë edhe mbledhja e fondeve nëpërmjet donacioneve të bizneseve shqiptare në Michigan dhe nga shërbimi i ushqimeve dhe pijeve në Festival në ndihmë të Kishës.
Me ndërtimin e vënjen në funksionim të qendërs Kulturore Nënë Tereza, kjo e fundit i ka dhënë një dimension tjetër jo vetëm Festivalit, por edhe jetës shoqërore të Famullisë së Zojës Pajtore të Shqiptarëve. Krijimi i klasave të gjuhës shqipe dhe të klasave të valles shqipe, kanë ndikuar në afrimin e fëmijëvë dhe rinisë në Kishë dhe në aktivitete shoqërore.
Festivali Tradicional, si aktiviteti shoqëror kryesor më gjithpërfshirës i Kishës Zoja Pajtore, ka pasur një risi të re me Programin Artistik Folklorik, që organizohet si prelud i Festivalit. Për nga vlerat e trashëgimisë kulturore ky Program është thelbi i Festivalit Tradicional, ku interesimi i publikur shqiptar dhe mediave ka qenë i jashtëzakonshëm.
Pra, krijimi i Qendrës Kulturore “Nënë Tereza” ka ndikuar pozitivisht jo vetëm në gjallërimin me rini të Kishës, por ka dyfishuar edhe vlerën e vetë Festivalit tradicional të Kishës Zoja Pajtore.
Pergatiti Valentin Lumaj
Michigan, 4 Shtator 2023