Karvani nga Teherani
Në kohë të lashta një karvan i gjatë i nisur nga Teherani me deve të ngarkuara me mallra e me njerëz të nxirë nga dielli, pas shtegtimit nëpër shkretëtirën e Karakumit, shpesh me tufane rëre, u ndal në Buhara. Në qendër të qytetit zhurmonte pazari me dyqane e tenda të bardha. Mbi qytet ngriheshin minaret e xhamive. Pranë tyre, nën hijen e hurmave, nga çesmat me gurë të latuar rridhte me gurgullimë ujë i pastër e i ftohtë. Buzë rrugëve me kalldrëm zbardhnin shtëpi me oborre e puse, me bahçe e lulishte.
Me karvanin udhëtonte edhe një djalosh nga Samarkandi. Tani, përmes reve dukeshin malet, ku prapa tyre shtrihej qyteti, tek jetonin njerëzit e miqtë e vet. Atij s’po i durohej të arrinte sa më parë në shtëpi e të çmallej. Për ata ai kishte ngarkuar dy kuaj arabë me sende me vlerë nga Teherani. Kur nata ra në Buhara, djaloshi u shtri e fjeti tok me udhëtarët e tjerë pranë deveve, kuajve e dengjeve me mallra.
Të nesërmen, kur dielli i zjarrtë do të ulej drejt perëndimit, karvani i çlodhur do të nisej për në udhëtimin e fundit. Pas një nate e një dite, vargu i udhëtarëve mbi deve, me fyej e daulle, me këngë e thirrje, do të hynte nën portën e lartë të Samarkandit. Ata, që gjatë tërë rrugës ishin marrë me shah, me shenja e fjalë, do t’i mbyllnin ndeshjet me piskama e sokëllima.
Udhëtari ynë u zgjua nga rrezet e para të diellit. Afër pazarit, te një çesmë me tre sylynjarë, lau duart e fytyrën, hëngri mëngjesin, piu ujë dhe zuri vend nën hijen e palmave. Kur dreka po qasej, u ngrit dhe eci përmes turmës, që dyndej në pazar. Teksa prekte paratë në gji, papritur i kapi hunda një erë të këndshme qoftesh, kukurreci dhe mishi të pjekur.
Qoftexhinjtë thërrisnin:
– Hajde, qofte me pilaf! Të mira e të lira!
– Kukurrec, kukurrec taze me piper!
Dëgjohej edhe zëri i bozaxhinjëve:
– Bozë meli, bozë meli, akull, akull e ftohtë!
Zërat çoheshin lart dhe përziheshin njëri me tjetrin. Era e qofteve, e kukurrecit, e mishit të pjekur dhe lëngjet e tyre sajonin kënaqësi të thellë dhe tundim të paduruar. Djalit i shkrepi befas një dëshirë. Iu afrua një qoftexhiu nën hijen e një tende të bardhë dhe nxori nga hejbetë një copë bukë. Me lëvizje të ngadalëshme, e kaloi mbi avullin që lëshonin qoftet sipër zgarës. Iu duk sikur copa e bukës ndryshoi ngjyrë dhe u zbut, ndaj deshi të largohej e ta hante sa më shpejt. Por, qoftexhiu me feste të bardhë e pa. E kapi prej mënge e i thirri:
– Ku shkon!? Tund paratë këtu!
– Lëshomë! Ç’para kërkon nga unë zotrote!?
– Paratë, të thashë! Avulli që ta rregji bukën është i qofteve të mia! Hajde, paguamë pesë groshë dhe thyej qafën!
– Hej, thirri mendjes! Mos të ka rënë dielli në kokë!?
Sherri u fry, sa për pak do të kacafyteshin. U mblodh mileti, ia behu edhe xhandari dhe çështja vajti te kadiu.
– Më vodhi avullin ky, kadi efendi! Dua të ma paguajë!
– Si ta vodhi?
– Me copën e bukës…
– E kujt ishte buka?
– E tij ishte!
– Ashtu, hë?
Kadiu iu kthye djalit:
– Po ti ç’thua?
– Unë nuk i vodha gjë, mora vetëm pak nga avulli, që fluturonte për qiell!
– Mirë! Sa para kërkon nga djali, or qoftexhi?
– Pesë groshë.
Kadiu iu kthye sërish të pandehurit:
– A ke me vete pesë groshë, djalë?
– Si urdhëron, kam, kadi efendi !
– Nxirre dhe hidhe lart!
Djali bëri ashtu siç i tha kadiu. Pesëshja u ngrit në ajër, mandej u rrëzua në dyshemenë e gurtë. Pasi u rrotullua disa herë, me ting, ring, ring, më së fundi ndaloi dhe heshti.
– Merre pesëshen tënde dhe fute në xhep! – i tha djalit kadiu. Pastaj iu kthye qoftexhiut: – Mblidhi dhe ti tingujt e monedhës, ngjishi në trastën tënde dhe je i paguar! – Goditi me çekiç mbi tryezë dhe thirri: – Jashtë të dy, në punën tuaj!
– E pa drejtë! – ulëriti qoftexhiu.
Kadiut iu err balli. E shikoi qoftexhiun i ngrysur.
– Hiqmu nga sytë, hileqar, – i bërtiti. – sa s’kam dhënë urdhër të të hyjnë me shkop kurrizit!
Të gjithë në sallë u kënaqën me drejtësinë e kadiut të zgjuar dhe ia shkrepën gazit.
Aty nga mbrëmja karvani e la Buharanë, e mori udhën për Samarkand. Në mes të karvanit me sarëk jeshil në kokë, veshur me të bardha, hipur në njërën nga dy devetë, dukej djaloshi i kënaqur. Karvani u pa teksa largohej ngadalë, pastaj u
U zhduk në muzg.
Rashid Abdyl
KADIU I DREJTË
Mbreti Baukas i Algjerisë deshi të mësonte nëse qenë të vërteta ato që thuheshin se në një nga qytetet ishte një kadi i zoti, që gjente pa vështirësi se kush kishte të drejtë e kush qe fajtor. Asnjë nuk mund të dredhonte para tij. Ndaj, mbreti Baukas u vesh si tregtar, i hipi kalit dhe mori udhën për ta njohur kadiun. Në portën e qytetit një lypësar i kërkoi mbretit lëmoshë. Baukasi i dha dhe deshi të vazhdonte rrugën, por lypësari u qep pas qyrkut të tij.
– Ç’kërkon tjetër prej meje? – e pyeti Baukasi. – Nuk u kënaqe me aq?
– Jo, u kënaqa, – iu përgjigj lypësari, – por bëmë edhe një të mirë! Merrmë në vithe të kalit deri në sheshin e qytetit, që të mos më shkelin kuajt e devetë e të tjerëve!
Baukasi pranoi. E mori mbi kalë. Kur mbërritën te sheshi, ndaloi. Por, lypësari, për çudi, prapë nuk u tund nga vendi.
Baukasi i tha:
– Arritëm, ç’pret më, zbrit!
– Pse të zbres? – ia ktheu lypësari. – Kali është imi! Ti të zbresësh, jo unë! Nëse nuk pranon me të urtë, atëherë shkojmë te kadiu!
Turma e kureshtarëve u mblodh përqark tyre, për të dëgjuar zënkën që u ndez papritur. Shumë vetë thërrisnin:
– Te kadiu, te kadiu! Ai ua zgjidh davanë!
Të dy u nisën drejt kadiut. Gjykata qe përplot me njerëz. Kadiu i thërriste me radhë ata, që gjykoheshin. Të parët ishin një fshatar dhe dijetari i njohur nga qyteti, për çështjen e një gruaje.
Kur i pyeti kadiu ata, mori këto përgjigje:
– Gruaja është imja! – tha fshatari.
– Jo, ky gënjen! – foli shkurt dijetari. – Imja është, çne e këtij firauni!
Kadiu i dëgjoi, heshti dhe iu përgjigj të dyve:
– Mirë, ju mora vesh! Lëreni gruan këtu dhe ejani nesër!
Pas tyre, hyri kasapi tok me shitësin e bulmetit. I pari – i ndotur me njolla gjaku. I dyti – i lerosur me yndyrna. Kasapi mbante në dorë një qese me para, shitësi i bulmetit – dorën e kasapit.
– Te ky bleva gjalpë! – tha kasapi. – Kur nxora paratë për ta paguar, më kapi dorën dhe deshi të ma zhvaste gjithë qesen! Ja, edhe tani s’po ma lëshon, siç e sheh edhe zotrote! Ndaj erdhëm tek ju! Qesja me paratë është imja! Ç’domethënë kjo gjë, mor jahu!
Shitësi i bulmetit tha:
– S’janë aspak të vërteta këto që thotë ky! – Kasapi erdhi në dyqan të blinte gjalpë. Kur ia mbusha poçen plot, ai kërkoi t’ia këmbeja florinjtë me para letër. Dhe kur unë i nxora ato, ai m’u vërvit, m’i mori dhe desh t’ia mbathte! Çudi e madhe! E kapa nga dora dhe e solla në gjyq.
Kadiu heshti dhe ua ktheu:
– I lini paratë këtu dhe ejani nesër!
Kur erdhi radha e Baukasit dhe e lypësarit, Baukasi tregoi ç’kishte ngjarë.
Kadiu pyeti lypësarin:
– Hë, po ti ç’thua?
– Gënjen ky! – iu përgjigj lypësari. – Unë po shkoja kaluar përmes qytetit, zotnia ishte ulur në një qosh. Më pa dhe m’u lut ta merrja në vithe. E mora, ç’t’i bëja, më erdhi keq, dhe e çova tek deshi. Por, më polli belaja! Nuk pranoi të zbriste! Më tha se kali qenkësh i tij! Tobe jarabi! S’është aspak e vërtetë!
Kadiu heshti u mendua pak dhe tha:
– Ma lini kalin këtu dhe ejani nesër!
Ditën tjetër u mblodhën më shumë vetë, për të dëgjuar vendimet e kadiut.
Të parët hynë dijetari dhe fshatari.
– Merre gruan tënde, – i tha kadiu dijetarit, – kurse fshatari të ndëshkohet me pesëdhjetë shkopinj bythëvet!
Pastaj kadiu kërkoi kasapin.
– Paratë janë të tuat! – i tha, e duke e kthyer vështrimin nga shitësi i bulmetit, urdhëroi që edhe ai të ndëshkohej me pesëdhjetë shkopinj.
Së fundi, kadiu u bëri zë t’i afroheshin Baukasit e lypësarit.
Pyeti Baukasin:
– A mund ta njohësh kalin ti, në mes të njëzet kuajve të tjerë?
– Po! Menjëherë!
Pyeti lypësarin:
– Po ti?
– Edhe unë!
– Ec me mua! – i tha kadiu Baukasit.
Të dy hynë brenda në stallën e kuajve. Baukasi vajti pranë kalit të vet, që rrinte ndërmjet njëzet kuajve. Pastaj kadiu thirri në stallë lypësarin dhe e urdhëroi t’i rrëfente kalin. Lypësari e njohu dhe ia tregoi. Kadiu u kthye në vendin e tij.
– Kali është yti! – i tha Baukasit. – Shko e merre! Lypësari të ndëshkohet me pesëdhjetë shkopinj bythëvet!
Kadiu, pasi mbaroi punë, u nis të shkonte në shtëpi, ndërsa Baukasi e ndoqi pas.
– Si është puna, nuk të pëlqeu vendimi im? – e pyeti kadiu. – Përkundrazi, mbeta shumë i kënaqur! – iu përgjigj Baukasi. – Por, doja të dija qysh e gjete se gruaja ishte e dijetarit, qysh e gjet