TE VERTETAT PER VATREN, NOLIN DHE DIELLIN

Nga : Pjetër Jaku

( Koment per librin “ Ekspoze Shqiptare”)

Në qershor 2022, doli nga shtypi libri “ Ekspoze Shqiptare”, me autor amerikanin Glen A. Meklein. Libri u përcjellë me një parathënie koncize, nga ish i burgosuri politik, Viktor Martini, prej të cilit po shkëpusim vetëm një fjali: “ Historia asht e paanshme, ajo nuk të fal, po ta shtrembërosh.” Libri është publikuar nga Enti Botues “ Muzgu”, me pronar, poetin e njohur, Mark Simoni.

Në hyrje të ekspozesë, paraqitet një tabllo e komuniteteve etnike dhe kombëtare të disa vendeve, të cilat kishin gjetë strehë dhe mbrojtje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ekspozeja bën fjalë për një periudhë historike të caktuar dhe vendimtare, për qendrimin e komunitetit shqiptar, sidomos në lidhje me përcaktimin politik të shqiptarëve të emigruar, të cilët më së shumëti ndodheshin në Boston, konkretisht Masacustes, me një numër të konsiderueshëm, për t’u vëzhguar nga shteti Amerikan. Fill mbas Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët duheshin orientuar disi më qartë, se sa i orientoi, kupola e atyre viteve, Kisha Ortodokse dhe Peshkopata e saj, të cilen e drejtonte Fan Noli, si dhe gazetat  “ Dielli” e “Liria” ( duhet ditur se, që nga viti 1906 deri 1918 janë botuar 14 gazeta shqiptare në Amerikë,disa në dy gjuhë dhe të tjera vetëm në shqip). Duhet theksuar ,se për këtë libër është punuar më shumë se dy vjet, ku një pjesë e materialeve janë marrë nga procesverbalet e Kongresit Amerikan. Periudha e analizes është 1945-1952, dmth fill pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

                          VATRA DHE DIELLI GJATE PERIUDHES 1945 -1952

Plotësisht nën drejtim pro komunist dhe pro rus të Presidentit të Nderit të Vatres, Peshkopit Fan Noli dhe editorit të gazetës “Dielli”, G.M.Panariti! Influenca dhe pushteti i tyre ishin dominant tek shqiptarët e paorientuar drejt. Ndikimet ruse dhe revolucionare të Fan Nolit ishin vënë re nga Faik Konica, që para se Fan Noli të kthehej përfundimisht në Amerikë, në vitin 1930, pas ecejakëve të shumta nëpër Europë, nga viti 1920, që u largua nga këtu e, deri kur u kthye. Përjashtimi i tij nga Vatra për afro 10 vjet, dhe caktimi në Kanunore i nënit të përjashtimeve, mendohet se u bë pikërisht për Nolin, pasi Vatra kishte nëne të veçanta për të mos i pranuar në gjirin e saj njërëz me ide revolucionare dhe komuniste. Gazeta “ Liria” dhe Zeri i Popullit, përkatësisht të datave, 23 dhjetor 1949 dhe 18 nëndor 1950 kishin të njëjtën përmbajtje, kundër Presidnetit Turman, duke e paraqitur atë më të keq se Hitlerin. Poashtu, gazeta “ Dielli” kishte marrë në heshtje mbështetjen e plotë të Nolit, në përkrahje të  Qeverisë Komuniste Shqiptare. Noli kishte një influencë të madhe në komunitetin shqiptar, së pari si përsonalitet fetar e, së dyti, si njohës  e përkthyes i letërsisë në gjuhën angleze. Ai, që në vitin 1927, krijoi në Gjenevë gazetën “ Liria Kombëtare” të financuar nga Rusia, ku në të kishte firmosur një manifest bolshevik. Noli predikonte qendrimin e vazhdueshem antiamerikan, duke bërë kështu që gazetat “ Liria” dhe “ Dielli” të ishin të mjaftueshme për të njollosur komunitetin shqiptar të Amerikës.

A ISHTE NOLI NJE PROKOMUNIST?

Në gjithë ekspozenë e Meklein, Noli paraqitet me fakte si një mbështetës i flaktë i revolucionit rus, në të cilin shpresonte më shumë se në shtetin e fuqishëm amerikan, ku edhe jetonte. Noli, brenda ditës i ndryshoi preferencat e Patriarkanës së Stambollit, e cila ishte properëndimore, në ato lindore të Patriarkanës ruse. Kjo ra në sy dhe u vertetua me makinacionet e pashoqe për të penguar Peshkopin Mark I. Lipa, i derguar nga Patriarkana e Stambollit, gjoja se ajo ishte progreke dhe Lipa do të ndihmonte në shkatërrimin e  Shqipërisë. Kjo luftë, bëri që të ndahet komuniteti shqiptar i besimit ortodoks, ku përbënin dhe shumicen deri në vitet shtatëdhjetë, në të Nolit dhe të Lipes. Lipe nuk kishte mbështetjen si të Nolit, i cili zotëronte shtypin dhe mediat, duke penetruar deri te “ Zëri i Amerikës”. Por, megjithatë Peshkopi Mark Lipe e krijoi Peshkopaten e tij me 31 dhjetor 1950. Noli, pati përpjekje për të krijuar Gazetën “ Republika”, por në vitin 1930, Gazeta “ Dielli” e bëri President Nderi. “ Dielli “ i 30 majit 1951 do ta vuloste antiamerikanizmin e  Vatrës dhe Nolit. Lidhur me këto qendrime e të tjera, është një deklaratë e Kongresit Amerikan, ku i kërkohet Prokurorit të Përgjithshëm të Masacustit të hetojë burimet e të ardhurave të gazetave shqiptare në Boston “ Liria” dhe “Dielli” dhe, prurjen e shtypit komunist në Boston. Dualiteti Noli-Lipa vazhdoi gjatë, debat i cili u publikua edhe ne Gazetën “Dielli” me  shkrime editorial te Panaritit, me përkrahje të Nolit, si ai i datës 7 maj 1952, me titullin: Pse nuk përkrahet Mark I. Lipa? Për Fan Nolin ka një listë të gjatë të dhënash për prirjet e tij komuniste, që në Europë. Dualiteti fetar ( i stisur ) ishte veç një shkak për të mos e lejuar Lipen të mirrte Peshkopaten. Sipas Nolit, Lipe nuk i kishte kredencialet e duhura, pasi nuk ishte i lidhur me Tiranen. Për të gjitha këto, sidomos në lidhje me Nolin, Xhon C. Kampell, Drejtor për çeshtjet e Europes Lindore, shkroi një raport të posaçëm, i cili është i regjistruar në Kongresin Amerikan, me 12 maj 1952. Rusifikimi i Kishes së Nolit kishte qënë i qartë dhe pa asnjë mëdyshje. Ja ç’shkruan autori, në faqen 71 të librit “ Ekspoze Shqiptare”: “ Nga viti 1945 deri 1952, “ Dielli” ka ndjekur vazhdimisht linjen e partive komuniste.”

Pse Noli e përkrahte qeverinë e Hoxhës? Arsyet e formimit të tij është ana kryesore, pasi ai vinte nga Revolucioni i 24-tes dhe nga humbja e tij. Edhe në krijimtari, Noli kishte prirje revolucionare, ndikime të revolucionit rus, që nga thirrjet për t’u rënë bejlerëve, që nga himnet me dititrambe lufte etj, por arsye kryesore duhet të ketë qënë ( në moshën madhore të tij  P.J.) armiqësia e tij me Ahmet Zogun! Para dhe sa ishte Ahmet Zogu në Pushtet, Vatrën dhe Diellin i drejtoi Faik Konica. Pas 1945-ses. “ Dielli” theksonte hapur se SHBA-të ishin gjithëmonë gabim, ndërsa Rusia kishte gjithëmonë të drejtë! Sipas kësaj Gazete, përfaqësuese e Vatrës, kërcënimi komunist, nuk ishte aspak kërcënim. Por , një gjë duhet theksuar, se gjepurat e Gazetës “ Dielli” nuk i kishte lexuar ndonjë amerikan dhe, as që i lexonte! Edhe pse më përpara ishte krijuar “ Shoqëria e miqëve Amerikan të Shqipërisë”, që në vitin 1932, organe të së cilës ishin Gazetat “ Skëndërbeu” dhe “ Shqipëria”, me drejtim tërësisht proamerikan, në luftë të hapur me teoritë lindore të arritjes së paqes së popujve, ato u detyruan të mos jenë jetëgjatë, pasi u mungonte financimi, si Gazetave “ Liria” dhe “Dielli”, por edhe lidershipi. Konkretisht, Noli hante buken e Amerikes dhe bënte duanë e Rusisë.

Këto gazeta, “ Dielli” dhe “Liria”, disa herë kanë ngritur në piedestal banditat e Tiranës dhe janë mbështetur në shtypin komunist të regjimit delitant e antinjerëzor të Hoxhës. Disa herë i janë referuar gazetës “ Zeri i Popullit” dhe “ Bashkimi “, si dy organet kryesore të propagandë së kuqe.

RAPORTET NË KONGRESIN AMERIKAN DHE SAKTËSIA E EKSPOZESË

Roli i Kongresmenëve të përiudhës në studim ka qënë vendimtar në përcaktimin e kësaj organizate si prokomuniste. Për këtë, janë dalluar kongresmenët e Ilinois, Harold H. Velde dhe  Çarls J. Kersten. Velde ishte një avokat i njohur në profesion, i cili kishte qënë punonjës i FBI dhe gjyqtar federal, ndërsa Kersten ishte lektor në Bordin e Psikologjisë Strategjike në  “ War College” në Uashington. Të dy kishin bërë raporte për Departamentin e Shtetit Amerikan dhe kishin arritur ti fusin në Kongresin Amerikan në takimin e datave 12,13,15 dhe 16 maj 1952 dhe, një muaj më vonë, me 19 qershor 1952, Kongresmeni Velde kishte paraqitur në Kongres diskutimin: “ Pushteti i shtypit dhe klerit në pakicat kombëtare.”, i ndalur sidomos në fushatën e urrejtjes kundër Amerikës në komunitetin shqiptaro-amerikan. Nëse detyra e pakicave, të ikura nga vendi i tyre, për një jetë më të mirë, ose për politika diskriminuese e shtypëse të regjimit të tyre, që të ndihmojnë shpirtërisht, fizikisht dhe ekonimikisht njerëzit dhe vendin e tyre për tu çliruar nga prangat komuniste, asnjë nga këto detyra nuk është zbatuar nga përkrahësit e Moskës në komunitetin shqiptaro-amerikan. Shqiptarët e Vatrës, të dy këta kongresmenë i akuzuan se kishin nevojë për votat e shqipëtarëve, kur Ilinois kishte vetwm një shqiptar me nënshtetësi amerikane.

RAPORTI I AUTORIT NË DEPARTAMENTIN E SHTETIT

Autori i këtij libri, veç raportit në Departamentin e shtetit Amerikan, lidhur me komunitetin shqiptaro-amerikan, pas disa konstatimeve ka bërë një serë pyetjesh për vatranët dhe diellarët.

  1. Në fushën industriale, qeveria e Hoxhës është përpjekur që ta ndërtojë industrinë shqiptare, duke krijuar më shumë skllevër pune, që t’i shfrytëzojë. A është kjo Shqipëria e së arthmes, Zoti Panariti?
  2. Çdo Kishë në Shqipëri është nën ndikimin komunist për “ lavdinë e Shqipërisë. A është kjo Shqipëria e së nesërmes, peshkop Noli?
  3. Te rinjët shqiptarë janë rekrutuar forcërisht në një ushtri që ka këshilltarë dhe oficerë rusë. A po detyrohet rinia që të luftojë për Shqipërinë, Zoti Trebicka?
  4. Të gjitha partitë politike shqiptare janë “kolektivizuar”, derisa ka mbetur vetëm “ partia e popullit”. A është kjo mënyra demokratike, që ju i citoni me kënaqësi në telegramet tuaja drejtuar Hoxhës, si dhe në gazetën tuaj Dr. Nase?
  5. Shqipëria e vogël mund të orientojë Ballkanin drejt paqes dhe lirisë. A janë “ Dielli dhe “Liria” në anën e lirisë, Z. Noli.

Për një të huaj si Glen A. Meklein, këto janë konstatime, që zor ti bënte një shqiptar dhe, pyetjet e mësiperme duhej t’ia bënte çdo shqiptar vetes, kur shihte se si ishte mbyllur qielli i vendit të tij dhe, se si ata po jetonin në robëri e sundim antinjerëzor.

KONKLUZIONI IM: A JANE VATRA DHE DIELLI I SOTEM SI NE ATO VITE?

Në përfundim të komentit për këtë libër, që mua më vjen shumë aktual, më erdhi kjo pyetje, si një njohës i Vatrës dhe gazetës së saj. Në kohën ndryshe, ka ndryshuar shumëçka, por pothuajse qendrimi është i njëjtë. Nuk dilet hapur, për mos prishje raportesh, por asnjë gabim i qeverisë komuniste të Shqipërisë nuk pasqyrohet në gazetën “Dielli”, në asnjë raport të Vatrës, nuk dilet me deklarata kundër korrupsionit të qeverisë aktuale dhe në mbështetje kombëtare për një qeverisje më të mirë e në të mirë të shqiptarëve. A dëgjohet sot Vatra dhe Dielli? Për të mos thënë hiç, fare pak! Në Amerikë shqiptarët janë njezet fishuar. Komuniteti shqiptar nuk është i konsoliduar rreth një kishe, por ka disa kisha e xhamia komunitare, ka mbi 100 shoqata, të cilat nuk i bashkohen Vatrës, për të qënë një zë në Ameriken e madhe. Ka disa botime gazetash e radio televizione, ka disa sherbime online, ku secili munjd të japë mendimin e tij i pavarur nga shoqata e gazeta dhe të bëhët referencë për mediat. Por, më e rëndësishmja, “ Dielli” nuk ka orientime të sakta dhe në kohë. Prej vitesh asaj i mungojnë editorialet udhërrëfyese, se i mungojnë editorët me emër dhe me vepra. Përçarjet dhe interesat përsonale, të individëve të dyshimtë në aftësitë e tyre, për të bërë emër me Vatrën dhe Diellin, e kanë lënë aty ku është, në bisht të shoqërisë shqiptaroamerikane.

Detroit, 9 shtator 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *