Nga Muç Xhepa
– Injektuan ajër, flluskë ajri, në gjak. I shkaktuan atak në zemër.
Më tregon në mesinxher miku im Demir Pojani. Familjet tona ruajnë një miqësi të hershme. Halla e Demirit dhe babai im kanë qenë në të njëjtën klasë gjatë viteve të shkollës. Heroinë e vërtetë thotë babai. Për dekada të tëra, kur të tre vëllezërit Pojani diktatura e proletariatit i mbylli në burgjet e kampet e shfarosjes, Gulagun shqiptar, pjesëtarët e tjerë të familjes i qëndruan dhunës në këmbë. Krenarë. U rridhte gjak i pastër ndër deje. Antikomunist.
– Ne e dinim mirë se pak ditë para lirimit, komanda e burgut të Burrelit përdorte mjetin e antinjeriut për të shfarosur kundërshtarët e rrezikshëm: gjilpërën.
– E kanë mësuar nga vëllai i madh, Stalini. Pas “Shkrirjes”, të burgosurit e Kolimas kërkuan të silleshin përpara drejtësisë mjekët që përdorën gjilpërën… futjen e flluskave të vogla të ajrit në enët e gjakut… ato shkonin në tru, zemër apo mushkëri dhe shkaktonin atak të zemrës, goditje në tru ose bllokim të frymëmarrjes.
– U dënuan?
– Jo, sepse ardhja e Krushovit në krye të BRSS-së ishte vetëm ndërrim lëkure.
– Si këtu. Pa Nuremberg.
– Ke të drejtë. Vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, mjekët kryesorë nazistë u sollën përpara drejtësisë. Gjykata Ushtarake Ndërkombëtare në Nuremberg. Njëzet mjekë u akuzuan për krime kundër njerëzimit…
– Atje gjyqin e bënë fituesit e lyftës. Këtu… Eh, tani thonë me mburrje se janë me Amerikën. Pra, cilët fituan? Cilët do t’ua bëjnë gjyqin?
– Prisja radhën ta takoja. Njeriun e shquar të letrave shqipe.
Jam me Uran Kostrecin te ballkoni i shtëpisë sime. Vjeshtë. Pasdite. Urani s’e ndan cigaren nga buzët. Ballkoni është vendi i parapëlqyer. “E tërë shtëpia jote, për mua, është ky ballkon i vogël”, më tha kur erdhi herën e parë në Uashington.
– Në burg radhë?
– Et’hem Haxhiademi ishte autoritet. Takimi me të ishte ngjarje e madhe për një bashkëvuajtës.
Rrufit kafenë dhe vështrimi i tretet të gjethet e ahut, që i rrëzon era e lehtë e mbrëmjes, një e nga një.
– Na nxorrën nga qelia për ajrosje. Po më priste. I shkëlqenin sytë e lagur. Mall, dhimbje. Takonte dikë që kishte punuar pranë gruas tij. Unë ndihmoja mamanë. Gratë e dyerve të mëdha të qytetit i kishin vënë të hapnin me lopatë kanal të thellë vaditës. Më përqafoi. Dridhej, trupit të dobësuar dukej se do t’i shpërthente kraharori. Zemra e gjakosur të fluturonte te çerdhja, ku zogjtë dhe pëllumbesha e prisnin. Më shtrëngoi fort.
– Më thuaj se janë gjallë.
Mbeta.
– Vitet shkojnë dhe ato bëhen më të fortë me ndihmën e atyre që duhet… Kancelari austriak tha se ata e morën përgjegjësinë e asaj që shkaktuan… dhe nuk duan më të përsëritet… Por, kujt po i drejtohej, kujt po i rrihte krahët. Atij që thotë se ka qenë dhe është në nanën e drejt të historisë. Cilës histori? Të babait që firmosi të varej një poet i lirisë në vitin 1988.
Demiri ngrihet nga vendi, kthen karrigen në anën e kundërt dhe ulet duke vendosur duart në mbështetëse.
– Kamer Ybeshari, infermieri inkuizitor, përbindësh, i bëri gjilpërën dramaturgut të madh, shkrimtarit që mund të mburrej çdo vend i qytetëruar ta kishte birin e tij. Et’hem Haxhiademi mbylli sytë. Me të edhe arti i vërtetë.
Ne foto: Et’hem Haxhiademi ( lart )
Demir Pojani