Bisedë me mjeshtren Hajrije Maçi

NJË THIRRJE DREJT PERËNDIMIT

Bisedë me mjeshtren e thurjeve të veshjeve, të kthyer në art, Hajrije Maçi

Nga : Pjetër Jaku

Hajrije Maçi, është një ndër mjeshtret e rralla, në një art të rrallë, siç është ai i veshjeve e zbukurimeve. Revista “ Kuvendi” i kerkoi Hajrijes nje bisedë lidhur me këtë art. E shoqëruar nga Flutura dhe Enda Maçi, të bijat, erdhen per nje kafe ne KAFE KUVENDI, bashkë me stafin e Televizionit te Komunitetit Shqiptar të Detroitit ACTV, në mbrëmjen e  25 shkurtit, përkatësisht: Pronarin Albert Spahi,Drejtorin Eduart Aliko dhe gazetarin Gjovalin Kaçorri. Veç sa isha njohur nga nje program kulturor, transmetuar nga ky television me Hajrijen, ne deshem të dimë pak më shumë për Revisten “ KUVENDI”.

  • Cila është vendlindja e Hajrijes dhe diçka nga prejardhja juaj?

Kam lindur në Ersekë Kolonjë në vitin 1934, në një familje të madhe.

U rritëm me kujdes dhe përkushtim 5 fëmijë nga 2 prindërit tanë Rustem dhe Shefikat Maluka.

  • Mendoj se këtë lloj arti e more nga nëna si nxitje?

Mbresat më të mëdha i mora nga nëna,që nuk pushonte së punuari dhe krijuari veshjet tona të ndryshme. E pasionuar pas shtizave të saj që 5 vjeç, qëndroja afër saj derisa e mësova plotësisht zanatin, i cili më shoqëroi gjithë jetën.

  • Fillesat e thurjes artistike te veshjeve , si traditë e kthyer në art, kur dhe nga se nisen?

Në fillim këtë zanat e ushtrova me triko të vogla për bebe.Më vonë bëra punime edhe më të ndërlikuara me motive të ndryshme etj.

Një parandjenjë e fuqishme më shoqëronte gjithnjë: Një mikrofon drejtuar nga perëndimi çdo pasdite!

Puna vazhdoi pa ndërprerje, pavarësisht kushteve. Materialet siguroheshin me vështirësi të mëdha. Megjithatë pasioni e mposhti vështirësinë.

Megjithë vitet e vështira, arti im kishte lënë gjurmë. Vajzat e reja porositnin bluza me motive. Pata shumë kërkesa.

  • Cilat ishin kushtet ekonomike dhe sociale të kohës kur u rrite?

Vështirësi kudo ekonomike. Mungesë materialesh. Ndihmë nga shteti nuk bëhej fjalë. Çdo gjë me forcat e veta.

  •  Në emisionin televizv, të realizuar nga ACTV, pashë se kishit marrë pjesë në ekspozita ndërkombëtare. Ç’mund të na thoni për këtë?

Erdhi momenti që këto punime të ekspozohen në panairet ndërkombëtare më të mëdha të modës. Kështu morrëm pjesë në Itali, Gjermani, Francë, Serbi etj.

Erdhën pas tyre 2 çmime ndërkombëtare ari në Madrid dhe Gjenevë.

Zarfe me ftesa fluturonin nga vende e kontinente drejt Studio Art Maçi në Tiranë.

Por shumë nga këto pjesëmarrje u anulluan për arsye ekonomike.

  • A interesohej shteti për këtë lloj arti dhe sa ndihmonte?

Shteti nuk reagonte si duhej.

Familja investoi sa mundi në ndihmë të këtij arti të veçantë.

  • Edhe pse për moshën që keni, ju ende mbaheni e fortë, vazhdoni përkushtimin ndaj këtij arti?

Sot që po shkruaj për revistën ” Kuvendi” kam arritur një sasi të konsiderueshme veshjesh e punimesh me motive të veçanta.Dashamirësit e tyre i përshëndes! Në art nuk mendoj se ka moshë. Ka vetëm vullnet. Edhe nëse ti ke “vendosur” të mos punosh më, puna që ke bërë gjithë jetën, nuk të lent ë rrish duarkryq!

  •  Cila ishte dhe është ëndërra juaj, ose caku yt i mbrritjes?

Dëshira dhe ëndrra ime shekullore është ekspozimi i tyre në një muze, ku vizitorët të mrekullohen duke parë punën e 80 viteve me dy duar e dy shtiza!

Ju faleminderit z. Pjetër Jaku!

Faleminderit dhe Ju, që na dhatë mundësinë ta bëjmë këtë bisedë në Kafe “ Kuvendi”, duke ju uruar të keni jetë të gjatë e të shëndetshme, njëkohësisht duke u bërë thirrje biznesmenëve shqiptarë, që aktivitetin e tyre e zhvillojnë këtu, në Amerikë, të mendojnë për të ndërtuar një muze për Kulturen dhe Historinë shqiptare, ku të ruheshin punët e gjithë krijuesve shqiptarë në emigrim, pasi do të ishte, jo vetëm në të mirë të tyre, por edhe të  Atdheut prej nga vijnë.

Detroit, 25 shkurt 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *