Poema romantiko-moderniste e Nobelistit Odiseas Elitis

Monograma

Nga: Armela Hysi

Poema romantiko-moderniste e Nobelistit Odiseas Elitis që zgjon shpirtrat  

            “Monograma” është një nga poemat që poeti grek, Nobelist (Letërsi-1979) Odisea Eliti (2.11.1911-18.3.1996) shkroi gjatë viteve 1969-71, gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin francezë, dhe po në vitin 1971 u botua për herë të parë, në Bruksel. Një poet i pjekur dhe me thellim në stilin dhe trajtën e vargut të tij, Eliti, tashmë rreth të gjashtëdhjetave, me një frymë më tepër romantiko-erotike, në këtë poemë, që ndërthuret me prurjet e tij moderniste dhe më pakë abstrakt në varg e në gjetje, gjë që nuk e kursen në mangësitë që lë aq meritshëm, për deshifrimi e qartë të subjektit, sjell një nga poezitë e tij më të njohura në botë. Kështu duke thurur një mit të ri  të një dashurie të zjarrtë, të përjetshme, por të ndaluar, pa e përcaktuar konkretisht fatin e dy të dashuruarve, as përse dashuria e tyre qe e ndaluar dhe që s’mund e s’duhej të mësohej, poeti paraqet një himn për imazhet e dashurisë që jetoi dhe tani i nxjerr nga kujtesa, e një vajtim të thellë për të dashurën e tij, për dashurinë, që e ndjeu një herë me plotë pasion.

            Titulli i poemës – Monograma – përcakton konkretisht një sigël, a një simbol (p.sh.: për vulat) ku krijohet një germë e vetme, – figurë – e përbërë me inicialet e një personi, emri, apo dy e më shumë personave, të paraqitur në një. Kjo ndoshta është dhe vetë prezantimi i parë i ndërthurjes së dy shpirtrave të dashuruar, në një figurë komplekse, por të vetme.

            Do t’mbaj zi përherë – m’ dëgjon? – për ty,

          fillikat, në Parajsë

me këtë epigram fillon poema Monograma, duke na vënë menjëherë në ngjyrimin e ligjërimit të një kënge vaji, me dy detaje që e bëjnë akoma më rrëqethëse: apostrofa që ka përzgjedhur, veta e dytë me të cilën drejtohet, që kthen monologun në një thirrje dialogu, siç ndodh shpesh në këngët e vajit edhe pse e shpreh qartë se s’mund të dëgjohet, si dhe një pyetje që kuptohet se nuk mund të marr përgjigje:– m’ dëgjon? por që e bënë kaq intime, si dhe fjala Parajsë që i jep një siguri të përjetshme dashurisë që shpreh.

Tjetërkund do t’i drejtojë tragat

E pëllëmbës, Fata, si ndërruesi i binarëve

Një çast Koha do të miratojë

Si mundet ndryshe, përderisa dashurohen njerëzit

Do të përshfaq qielli të përbrendshmet tona

Dhe do të godasë botën pafajësia

Me egërsinë e të zezës së vdekjes.

Fata (në greqisht Mira nga Μοίρα) është secila nga tri bijat e Zeusit dhe titanes Temida (Θέμιδα) të paraqitura edhe si bijat e Natës (në gre. Nihta nga Νύχτα) që paracaktonin fatin e njeriut, që në kohë të lashta sipas miteve përgjithësisht ballkanike, por dhe më gjerë europiane, vinte për të parathënë destinimin e jetës së një njeriu, kur sapo është lindur. Që me vargjet e epigramit poeti na ka bërë të ditur se është i vetmuar dhe se mban zi, pra fati i njerëzve, s’mund të ndryshojë, nëse është parathënë, por fjalët e hapjes s poemës vënë menjëherë besimin e tij, se me një dashuri të tillë, të vërtetë, Koha, që poeti në origjinal e shkruan me gërmë kapitale, – ashtu si dhe të Fatës, duke na tërhequr vëmendjen për përveçësinë e tyre, si fuqi madhore, absolute, – është ajo që do jap dhe ajo pëlqimin e saj, pra bashkë me Fatën, që siç punëtori i hekurudhës ndryshon disa pika kyçe dhe treni në ardhje kalon në një linjë tjetër shinash, ashtu edhe ky binom superfuqie do të ndryshojnë më në fund këtë fat të dashurisë së tyre që tek vijat e dorës, që parathonë fatin, kështu dhe në botë gjithçka do të ndryshojë, ngaqë dashuria e tyre qe e bukur dhe e pafajshme. Dhe të gjithë këtë siguri e kërkon ta justifikojë me lexuesin me një pyetje, (me shenjë pikësimi të reduktuar)Si mundet ndryshe?

                                    II

Mbaj zi për diellin dhe mbaj zi për motet që vijnë

Pa ne dhe u këndoj të tjerave që kaluan

Në’ t’vërteta qofshin

E kishin lënë me fjalë kurmet dhe varkat që u ndeshën ëmbël

Kitarat që nën ujë u ndezo-shuan

Të gjitha “besomë”-ët dhe të gjitha “mos”-ët

Një herë në ajër, një herë melodisë

Dy kafshët e vogla, duart tona

Që qerthullonin të ngjiteshin fshehurazi njëra mbi tjetrën

Saksia vesëmbuluar në portat e hapura të oborrit

Dhe copa detet që vinin bashkë

Mbi mure gur’thatë, pas gardheve

Anemonën që u ul mbi dorën tënde

Dhe tre herë dridhej e purpurta tre ditë

          mbi ujëvarat

Në’ këto janë të vërteta këndoj

Trau i drunjtë dhe të avëlmendës katrorin e endur

Në mur, Sirenën me flokë të lëshuar

Macen që na k’qyri mes territ

Fëmijë me temjan dhe me kryqin e kuq

Në orën që errësohet shkëmbinjve e paafrueshmja

Mbaj zi për rrobën që preka dhe më erdh’ bota.

Strofa e dytë e poemës ndjek të njëjtën frymë vaji të epigramit, duke shtuar dhe çaste të dashurisë që jetuan. Në një balancë të çuditshme dy antonimet e vajit dhe këngës, Eliti shpalos pikëllimin e thellë për humbjen, që me një përsëritje të fjalës mbaj zi na bënë të kuptojmë se bëhet fjalë se e dashura e tij – e asaj dashurie – ka vdekur; siç përshkruan me shumë ëndje kënge, një mori momentesh të tyre bashkë, intime dhe të gëzuara, (ai shkruan se trupat e tyre e dinin se duheshin, sikur e kishin lënë me fjalë të takoheshin, përshkruan lojën e duarve të tyre në prekje, pëshpërimat e tyre) që me një bukuri të veçantë e vë në dyshim: a është e vërtetë gjithë kjo lumturi e provuar, duke shtuar ndjenjën e dhimbjes, me këtë mënyrë.

                                    III

Kështu kumtoj për ty dhe për mua

Sepse të dua dhe në dashuri unë di

Të hyjë si Hënë e Plotë

Nga gjithkund, për vocërraken këmbën tënde

                   mes shtrojash t’tejcakta

Të shpuploj petla jasemin – dhe jam i zoti

Dremitur, me frymën time të të udhëtojë

Mes shtigjesh që feksin dhe shpellash të fshehta detare

Pemë të hipnotizuara me merimanga që argjendarojnë

Në dashuri unë di të hyj si Hënë e Plotë nga gjithkund, pohon autori, në një varg madhështor dhe për të treguar fuqinë e kësaj dashurie përshkruan aromat që do të sjellë duke shkoqur lule aromatike dhe krijuar imazhe idilike të denja për sytë e dashurisë që provon. Pastaj ai tregon se si dhe me kë ka ndarë emocionet e tij për vashën e ëndrrave të veta dhe në vazhdim se si plotësojnë njëri-tjetrin këta dy shpirtra të dashuruar:

Kanë dëgjuar për ty dallgët

Se si përkëdhel, se si puth

Si pëshpëritshëm thua “çfarë” dhe “ë”-n

Rreth e rreth gushës gjirit të detit

Përherë ne të dy drita dhe hija

Përherë ti yllthi dhe përherë unë lundërtar i errët

Përherë ti limani e unë feneri djathtas

Moli i njomur dhe rrëzëllimi mbi rrema

Lartë tek shtëpia me pjergullat

Trëndafilat e lidhur, ujin që ftoh

Përherë ti statuja e gurtë dhe përherë unë hija q’madhohet

Kanata e bjerrë ti, era që e hap unë

Sepse të dua dhe të dua

Përherë ti monedha dhe unë adhurimi që e çmon:

Kaq nata, aq oshtima e erës

Kaq pikëza në ajër, aq qetësia

Përqark autoritar deti

Oda e qiellit me yje

Aq frymëmarrja jote e mekur

Tashmë që nuk kam gjë tjetër

Mes katër mureve, tavanit dhe dyshemesë

Të thërras nga ty dhe zëri im të më godasë

Të mbaj aromën tënde dhe të egërsohen gjindtë

Sepse të paprovuarën dhe të huajën ‘ardhur nga largë

Nuk e durojnë dot njerëzit e është herët, m’ dëgjon

Është herët akoma në këtë botë dashuria ime

Të flas për ty dhe për mua.

Tema e përshkrimit të momenteve bashkë, ruhet dhe zgjerohet gjatë gjithë pjesës së tretë, dhe lexuesi kupton sa të lidhur qenë dy të dashuruarit, dielli, hëna e plotë, qielli, rrëzëllimet e tyre mbi objekte, muret gurë-thatë, limani, shtëpizat, deti që hyn e del në varg na jep ndjenjën e stinës së verës, ashtu siç kupton nga përshkrimet vendndodhjen në një zonë të qetë, me banorë e shtëpi të thjeshta, të një shoqërie të mbyllur, ndaj dhe edhe pse nuk jep të dhëna të tjera, në rreshtat e fundi, autori bënë të qartë se nuk e lejojnë dashurinë e tyre. Gjë që do të krijojë harkun e duhur për të mbërritur në kreshenton, siç do ta quaja, e kësaj ideje në vazhdimin e poemës.

                                    IV

Është herët akoma në këtë botë, m’dëgjon

Nuk janë zbutur përbindëshat, m’dëgjon

Gjaku im i humbur dhe maja, m’dëgjon

E thikës

Si dash duke rendur qiejve

Dhe t’yjeve bisqet dërrmon, m’dëgjon

Jam unë, m’dëgjon

Të dua, m’dëgjon

Të mbaj e të shpie dhe të vesh

Vellon e bardhë nusërore të Ofelisë, m’dëgjon

Ku po më lë, ku po shkon dhe kush, m’dëgjon

Të mbanë për dore, mbi gjithë përmbytjet

Lianat* e stërmëdha dhe llava vullkanesh

Do të vij dita, m’dëgjon

Të na mbulojnë, dhe të mijëra më pas vitet

Në të ndritshme gurëzime do të na shndërrojnë, m’dëgjon

Të shkëlqejë mbi ta pa-dhembshuria, m’dëgjon

E njerëzve

Dhe n’mijëra copa të na hedh

Nëpër ujëra një e nga një, m’dëgjon

Zajet e mi të hidhur numëroj, m’dëgjon

Dhe është koha një tempull i madh, m’dëgjon

Ku nganjëherë figurat

E Shenjtorëve

Nxjerrin lot të vërtetë, m’dëgjon

Kambanat po hapin së larti, m’dëgjon

Një hyrje të thellë të kaloj

Presin ëngjëjt me qirinj dhe psalme mortore

Kurrkund nuk shkoj, m’dëgjon

O asnjëri o të dy bashkë, m’dëgjon

Këtë lule të shtrëngatës dhe, m’dëgjon

Të dashurisë

Një herë e përgjithmonë e premë

Dhe s’mund të ndodh  të lulëzojë ndryshe, m’dëgjon

Në tokë tjetër, në yll tjetër, m’dëgjon

Nuk ekziston dheu, nuk ekziston ajri

I njëjti që prekëm, m’dëgjon

Dhe asnjë kopshtar nuk gjet gëzim në kohë të tjera

Pas kaq dimri të gjatë dhe kaq erërash veriore, m’dëgjon

Të bulëzojë syth, veç ne të dy, m’dëgjon

Mes përmes detit

Veç si dëshirë e dashurisë, m’dëgjon

Lartësuam një ishull të tërë, m’dëgjon

Plotë shpella dhe kepe dhe gremina të gjelbëruara

‘Dëgjo, dëgjo

Kush u fletë ujrave dhe kush ligjëron – dëgjon?

Kush kërkon tjetrin dhe kush thërret – dëgjon?

Jam unë që thërras dhe unë që vajtoj, m’dëgjon

Të dashuroj, të dashuroj, m’dëgjon.

Pjesa e katërt e poemës, është dhe pjesa më e njohur dhe e përkthyer nga gjithë poema, madje në shumë raste përshtatet e trajtohet si poezi më vete, pasi është një kulm emocional rrënqethës që përcjell tek lexuesi një hov të madh ndjenjash që nuk mund të ikin më kurrë nga ai, pasi bëhen pjesë e tij e pandashme, brenda gjithë botës dhe eksperiencave të tij personale. Një vaj i gjallë dashurie, që bashkon humbjen fizike dhe ndarjen ku paralelizmi i të dashurës së tij me Ofelinë (personazhen tragjike të Shekspirit që vret veten e dashuruar me Hamletin, por e dëshpëruar prej ashpërsisë së karakterit të tij emblematik) na jep qartë se vasha s’është më në këtë botë dhe shumë e mundur ky i Ofelisë të ishte dhe fati i saj.

Në këtë pjesë vargu i Elitit që shpesh, edhe në këtë poezi thyhet në fjalën e fundit të togfjalëshit, ose pjesë të fjalisë, e përsërit këtë përvetshmëri thuajse në të gjitha vargjet duke i dhënë një bukuri kompakte, ai – dhe përgjithësisht kjo mënyrë e ndarjes-ndërtimit të vargut, mendoj se këtë qëllim kryesor rrëmih nga brenda ndjenjës dhe strukturës së fjalisë, për ta përballuar me lexuesin si një detaj prozaik të mirë-lëmuar duke i dhënë një vazhdimësi kuptimit të gjithë poezisë dhe duke mos e lënë lexuesin të “qetësohet” me disa vargje, por duke ruajtur tendosjen e tensionit në tërësinë e poezisë – arrin në këtë mënyrë konstruktive të kulmoj të qarën e tij dhe vajin e shfaqur në një dënesë të fuqishme me gulçe, dhe shprehjen-pyetje, që e ndoqëm ta mbështjellë poshtë krahut e ta marrë me vete poezia, që nga epigrami, të përsëritet pothuajse në të gjitha vargjet, plot shkrehje poetike dhe emocionale, shfajësim, dashuri, pikëllim, lëndesë: “m’dëgjon, m’dëgjon, dëgjon?

Sepse poeti nuk mund ta besojë fundin e dashurisë së tij dhe të të dashurës, i betohet se nuk shkon kund, nuk e lë vetëm, sepse lulen e gjallë të dashurisë me gjithë acarin dhe furtunat, vetëm ata të dy e lindën dhe asnjë kopshtar i vërtetë s’mundi ta bënte këtë. Ai e di se si për të gjithë, vdekja që përgjon jetën njerëzore do vinte një ditë dhe trupat e tyre të tretur do të bëheshin pjesë e kësaj toke.

Lianat (Tërësia e bimëve kacavjerrëse. Hardhitë etj.) dhe vullkanet do t’i ndryshojnë sipërfaqen tokës dhe të fosilizuar do të jenë trupat e gjallesave, të shndërruar në gur të çmuar, ku ai nxjerr mëllefin se padhembshuria, mospërfillja e shoqërisë do të pasqyrohet mbi to, siç pasqyrohet tani mos pranimi i dashurisë së tyre të pafajëshme. Elitis e mbyll këtë pjesë me thirrjen e dyfishuar Të dashuroj, të dashuroj,dhe padyshim sërish  m’dëgjon, por që edhe pse e pyet, sërish nuk kemi shenjën e pikësimit përkatëse. Ai përzgjedh në të gjithë poezinë të vendos vetëm tre herë pika pyetëse, nga të cilat një herë në vargun e epigramit dhe dy herë në këtë pjesë, me gjithë refrenin pyetës që përsërit pothuajëse në çdo varg. Kjo edhe përforcon teorinë e sipërpërmendur për një densitet në gjithë leximin, si një pjesë e vetme, e pandashme, si rrjedhje e vazhdueshme e fjalëve, edhe për mendimin tim, tek në fund nuk vë më pikëpyetëse, por pikë, rrit pikëllimin, duke e përcjellë ashtu të dëshpëruar e të dërrmuar, të pashpresë atë thirrje.

                                    V

Për ty kam folur kohëve të vjetra

Me mëndesha të urta dhe rebelë veteranë

Nga çfarë ta kesh atë trishtimi prej egërsire

Nuancën në fytyrën e ujit që dridhet

Dhe përse, thua, kishte të ngjarë që pranë teje të vija

Përderisa nuk dua dashuri, por dua erën

Por dua trokun e ngritur në këmbë strehë ç’mbuluar  të detit

Dhe për ty askush nuk kishte dëgjuar

Për ty as diktami* as kërpudha

Visoreve të larta të Kretës asgjë

Për ty vetëm Zoti pranoi të më drejtoi dorën

Më këtej, më andej, duke u kujdesur rreth e për qark

Fytyrës së bregdetit dhe gjireve të tij, flokët

Kodrinës që valëzohen mëngjërazi

Trupi yt në pamjen e një pishe të vetmuar

Sy të krenarisë dhe të kthjelltësisë

Thellësi, brenda në shtëpinë me komonë e vjetër

Dantellat e verdha dhe drurin e qiparisit

I vetëm duke pritur ku do të shfaqesh më parë

Lartë në papafingo apo nga pas pllakave të avllisë

Me kalin e Shenjtit dhe vezën e Ngjalljes

Si një pikturë murale e shkallmuar

Madhështore aq sa desh vetë e vogla jetë

Të nxësh brenda qiriut shkëlqimin oshtues t’vullkanit

Që askush të mos ketë parë e dëgjuar

Kurrgjë mes të shkretave gërmadha të shtëpive

As dhe stërgjyshi i varrosur anës – anës së oborrit

Për ty as nënëlokja me gjithë barërat e saj

Për ty veç unë, ndoshta dhe muzika

Që dëbojë nga brenda vetes por kthehet më e fuqishme

Për ty gjoksin e paformuar të dymbëdhjetë viteve

Të kthyerin drejtë të ardhmes me kraterin e kuq

Për ty si gjilpërë e hidhur aroma

Që ndesh në trup dhe shpon kujtesën

Dhe ja dheu, ja pëllumbat, ja trualli ynë i lashtë.

Në strofën e pestë të poemës poeti zbret dhimbjen në një tjetër mendim filozofik. Ai sërish i kthehet  lojës poetike se në është e vërtetë, apo jo, ç’ka jetuar; thotë se askush tjetër nuk ka dëgjuar për të dashurën e tij, ndërkohë që ajo vetë është enigmatike edhe për poetin, se si bëhej ta thërriste në fatin e saj, përderisa asnjëherë ai nuk kishte dashuruar, as kishte menduar diçka të tillë. Ai e përshkruan në mënyrë kaq madhështore vajzën se pasi përmend mëndeshat që mëkojnë foshnjat dhe rrisin shumë fëmijë në jetën e tyre, ndaj ashtu të urta dinë mjaftë për zanafillën e bukurisë njerëzore, por dhe shumë për natyrën e njerëzve, po kështu dhe me luftëtarë të vjetër që kanë hasur gjithçka në jetë, e me të gjithë këta do të pleqëron për veçantinë e saj; përkushton në tre nga vargjet më të bukura në përshkrimin e vashës, dhe asaj që jetuan, duke i veshur mahnitjen e afreskeve, të një madhështie brenda një jete të vogël. Ai përmend se pasioni i saj është si të nxësh në dritën e qiriut, shkëlqimin e mitik të vullkanit. Eliti këtu përdor për të përshkruar vullkanin dhe shkëlqimin e tij gjigant, një epitet që ka në thelb përshkrimin si diçka madhështore, por jo vizive, akustike (përshtatur në shqip me oshtimën) duke na bërë kështu të vëmë në lojën e imagjinatës të gjitha shqisat. Përshkrimi i dashurisë gjithashtu mbetet enigmatikë edhe për periudhën kohore, kur vetë poeti ndjehet se edhe ai flet për një jetë tjetër, në lëmin e një kohe të shkuar, moshe të tretur si fati, por jo krejt të harruar, sepse diku sëmbon dhe vijëzon nga fillimi kujtesën.

p.s*Diktam: Bimë mjekësore (Origanum Dictamnus).

                                    VI

Kam parë shumë e toka në mendjen time ngjan m’e bukur

Më e bukur mes avujve të artë

Guri i mprehtë, më i bukur

Mavia e ngushticave detare dhe çatitë e dallgëve

Më të bukura rrezet që pa i shkelur kalon

E pamposhtur si Perëndesha e Samotrakës mbi malet

          e detit

Kështu të kam parë, tek më mjafton

Të jetë shfajësuar e gjithë koha

Përgjatë ullukut që lë pas largimi yt

Si delfin përvojë-pakët të të ndjek

Dhe të luaj me të bardhën e të kaltrën i imi shpirt

Fitore, fitore kudo ku më kanë fituar

Përpara dashurisë dhe së bashku

Për mekanizmin që mat kohën dhe për akacien

Ti shko, shko dhe le të kem humbur unë

I vetëm, dhe le të jetë dielli që mban një fëmijë ferishte

I vetëm, dhe le të jem unë atdheu që mban zi

Le të jetë llafi që të dërgojë të të mbajë gjethe dafinash

I vetëm, rrugëtimi i fuqishëm i ajrit dhe i vetëm i rrumbullakëti

Guralec në pulitjen e qerpikëve të thellësisë së errët t’detit

Peshkatari që ngriti dhe e hodhi sërish pas nëpër kohëra

          Parajsën!

Mund të themi se strofa e gjashtë është një pajtim poetit me kujtimet e tij. Ai mendon se brenda tij, në mendimet e tij, në gjithë aty ku ka reflektuar dashurin e tij, si atëherë, ç’do gjë në tokë është më e bukur. Fjala i vetëm përsëritur disa herë në vargjet e fundit, – menjëherë pas atyre që triumfator shpall se është fitimtar dhe ka fituar, akoma edhe aty ku duket i humbur, si për të thënë se një njeri që ka fatin të takojë dhe të dashurohet, me një dashuri të tillë, edhe pse mund ta ketë humbur, quhet si përfundim i fituar, përderisa ka provuar këtë madhështi, – jep dhe peshën e trishtimit dhe pengut që do mbetet përherë në zemrën e vet.

                                    VII

            Në Parajsë ia kam vënë shenjën një ishulli

          Të pandryshueshme ti dhe një shtëpi pranë detit

          Me një shtrat të madh dhe një të vogëlz portë

          Kam sokëllitur në pafundësi një jehonë

          Ku të vështrohem çdo mëngjes sapo zgjohem

          Të të kqyr gjysmë duke kaluar në ujë

          Dhe gjysmë duke të vajtuar brenda në Parajsë.

Strofa e shtatë dhe e mbylljes nuk ka shenja pikësimi të tjera përveç pikës së fundit dhe të vë në imazhin e një premtim. Është një epilog e gjithë ç’ka jetoi poeti me të dashurën e tij, e gjithë ç’ka pëjetoi lexuesi në këtë dashuri të përjetëshme dhe mbetet ashtu e pafundë.

                                                                                                Armela Hysi

Poema është e përkthyer nga origjinali

nga Armela Hysi

dhjetor 2017

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *