Sevdail Tahiri
Bukuroshja shqiptare në Zvicër, Goneta Jakurti hyn si favorite në finalen e garës së bukurisë “Miss Miss Earth Schweiz ”, që pritet të mbahet më 2 qershor në Cyrih.
Edhe pse konkurrenca është e fort për Goneta Jakurti duket të mos jetë ndonjë pengesë.
18-vjeçarja në një intervistë për albinfo.ch thotë të ketë vetëbesim në vete dhe nuk dyshon që do jetë njëra ndër pretendentet kryesore për ta fituar titullin e “ Miss Miss Earth Schweiz ”
Zgjedhja në finale për“ MIss Erath Schweiz“ vlerësohet njëra nga sukseset e Gonetës.
Ajo është bërë e njohur edhe nga imazh i fushatës “java kundër racizmit” që është mbajtur në fund të marsit në Bernë. Pllakatet ku duken fytyrat me gjurmë dhune të Gonetës dhe dy personave tjerë me prejardhje të huaj, kanë sensibilizuar zviceranët me problemin e diskriminimit racial.
Ndërsa „Miss Earth Schweiz“ ka moton: Bukuria për një kauzë. Është një konkurs i bukurisë por për dallim nga „Miss Schweiz“, këtu kërkohet edhe angazhim i pjesëmarrëseve në projekte ambientale dhe humanitare.
Bartësja e kurorës së“ Miss Earth Schweiz“ obligohet që gjatë mandatit të sajë të realizojë, të paktën një projekt në njërën nga këto dy fusha.
Goneta Jakurti, e lindur 24 shtator 1993 në Langenthal Zvicër, me prindër shqiptarë nga Kosova, këto ditë e përfundon shkollën e mesme komerciale, drejtimi bankier.
Padyshim se bukuroshes shqiptare me prejardhje nga Kosova i duhet mbështetja nëpërmjet votimeve. Votimi fillon prej sot, shih linkun më poshtë: http://missearthswitzerland.ch/de/goneta-jakurti
albinfo.ch: Cilat janë ambiciet tua, do ta përfaqësoni Zvicrën në Miss Earth?
Goneta Jakurti: Natyrisht se do të isha shumë e lumtur po të më jepet kjo mundësi. Dhe nëse zgjidhem nuk do të jem e befasuar sepse jam pjesë e popullit më të bukur në Evropë.
albinfo.ch: Mos ndoshta dyshoni në përzgjedhjen tuaj për shkak të origjinës kosovare?
Goneta Jakurti: Jo nuk besoj se do të më bëhet e padrejtë. Në zgjedhjet e tilla ka shumë aspekte që ndikojnë dhe në fund janë anëtaret e Jurisë të cilët padyshim se kanë nga diçka të përbashkët sikurse edhe janë të ndryshëm. Sidoqoftë unë nëse zgjidhem do të ndjehem shumë e lumtur e nëse nuk zgjidhem ju siguroj se do të më zërë gjumi posa të kthehem në shtëpi.
albinfo.ch: Për çfarë konkurrence bëhet fjalë, ka ndonjë garuese tjetër shqiptare?
Goneta Jakurti: Jo kësaj radhe jam e vetmja vajzë shqiptare. Përndryshe të gjitha vajzat që marrin pjesë janë përafërsisht të njëjta për nga mosha, të gjitha janë të bukura, sjellin kualitete përafërsisht të njëjta dhe secila ka dëshirë të fitojë titullin e “Miss Erath”. Unë jam njëra nga ato.
albinfo.ch: Mendoni se tashmë keni hyrë në botën e artit të bukurisë?
Goneta Jakurti: Mendoj se kësaj radhe më është dhënë një mundësi e veçantë. Se a do t’ia dal mbetet të shohim. Natyrisht se do të ishte një rast shumë i mirë për mua, do të ishte një eksperiencë shumë interesante dhe një përgjegjësi që me dëshirë do ta merrja mbi vete, e bindur se është një detyrë që do ta kryeja me shumë sukses.
albinfo.ch: Në çka i besoni vetes?
Goneta Jakurti: Para së gjithash në Personalitetin tim: Kam vetëbesimin e nevojshëm, jam e përgjegjshme dhe ambicioze.
albinfo.ch: Me çka merret Goneta përveç modës dhe evenimenteve të bukurisë?
Goneta Jakurti: Përkrah këtyre aktiviteteve që i përmendët, unë kam një profesion që e dua dhe më bën kënaqësi. Këto ditë jam para diplomimit në shkollën e mesme komerciale („Kaufmänische Ausbildung“) në bankën UBS. Merrem me aktivitete sportive dhe i kam pasion gjuhët e huaja. I flas rrjedhshëm pesë gjuhë.
albinfo.ch: Çka do t’i këshilloni moshataret tuaja, si arrihet suksesi?
Goneta Jakurti: Mendoj se për të arritur suksese, përpos talentit dhe gatishmërisë për punë duhet të besosh në vetveten, të provosh edhe atëherë kur mendon se ka pak gjasa dhe të mos lëndohesh edhe kur humbë.
albinfo.ch: Cili është suksesi më i madh që e keni arritur deri tani në botën e artit të bukurisë?
Goneta Jakurti: Kam pasur shumë suksese deri më tani. Një që më ka bërë kënaqësi të veçantë është përzgjedhja para ca kohësh si model në fushatën kundër racizmit, organizuar nga departamenti për integrim i qytetit të Bernës. Kjo fushatë pati jehonë të jashtëzakonshme. Edhe zgjedhja në finale për “MIss Erath Schweiz” është në vazhdën e sukseseve të mia të deritanishme.
albinfo.ch: Goneta dëshiron të ketë një karrierë vetëm si modele, apo ka ndonjë synim tjetër profesional?
Goneta Jakurti: Kam synime të qarta profesionale. Unë tashmë kam marrë kontratën e punës në bankën ku po e përfundoj shkollimin e mesëm, për t’u specializuar në fushën e investimeve. Përkrah kësaj do të vazhdoj të merrem me aktivitete në fushën e modës dhe në spektakle të bukurisë.