Epoka jonë…
O malet e lart’ dhe ju o fusha të gjana,
çarë ndjeni e dëgjoni?!…
Shijoni bukuritë e vjedhura,
krimineli sërisht u ba harpagoni?!…
Të përmendura në shkrime,
me filozofine fjetur ditë edhe natë…
Edhe ju o njerëz veshët zini,
sytë zini të mbuloni turpin e ngratë…
Sa poshtërsisht ky harpagon,
për sysh po jua vjedh t’ tëra parat’…
Malet ti bajm’ pjellore si fushat,
moto e lënguar, mbetur krejt pafat’…
Manipulimet rrug’tojnë me idiotët,
që u shndëruan, n’ super profesorë…
Paraja bleu tërë botën e shthurrur,
por brekët neve na i vuri si kurrorë…
O male të larta dhe ju o fushat e gjana,
dje dhe sot nga derti lënguat…
Skenat po vajtojn’ nga thirrjet dhe,
si një copë leckë, aktorët i torturuat…
Historinë kombëtare shpërfytyruat,
me simfoni të drejtuar pa dirigjent…
Zgjohu, prej këmbanave t’ burrëris’,
pasi këta horra po na a i marrin’ ment’…
Shqipet fluturojnë të lira tan’ jetën,
lartë na e ngritën, erdhën me lavdinë…
Jetës vargjet me gjak kanë shkruar,
malet me jehonë t’ tregojnë krenarinë…
Fitoret me flamujt ngrenë, rendin,
me modesti i shpalosin, të triumfojnë…
Të gjithë vilajetet portat kanë hapur,
kokë m’ kokë presin të na kuvendojnë…
Po si mund të jetoni kështu të mbyt’
me fajde dhe me borxhe gjer n’ grykë?!…
Bota me ne do të qeshet,
ikën i drejti kokën ulur nga turpi, lotët e kan’ mbytë…
Me të drejtë populli thërret,
kjo asht botë e horrave, masakër e poshtërsisë…
Epoka jonë do t’ kuvendoj’ e të vendosë,
me damkën, por edhe vulën e drejtesise…
Ejani të bashkuar me shqiponjën në gji
Migjeni i madh shkruante: “Kafshat’ që s’kapërdihet asht’ or v’lla Mjerimi”…
Ky mjerim që trondit e shkul, themelet e kultures tonë.
Ky vajtim që trazon çdo vatër, çdo aspekt të jetës tonë.
Ku shpresa e gjorë vajton pa fund e pa anë, të torturon.
Ky transformim i pa drejtë, që çdo shtëpi tonën rrebelon.
Ah!… Si s’ kam nji grusht t’ fortë e t’i bie k’tij mali që s’ bzon…
Me thirrjet ushtuese ky vend e popull tash leëgon e vajton…
Flasim, shkruajmë edhe debatojmë, harruar ditët që sot jetojmë.
Ikin fëmija lejn’ prindërit e gjorë, ikin paditur me ushtri e taborë…
Vajtojn’ nanë zezat qajn’ thërrasin me oji…,
bota moderne kapitaliste, aspak nuk don’ t’ia dij’…
Ku e kam djalin thërret nanë zeza, nana don të dij’,
ku e kam nanën thërret tutje, qan sa ngjirret nji fëmij’…
Këta bijë nanash rrugëtojn’ me lodhjen, që çdo ditë i vret,
argatë të jetës moderne, që luftojn’ pa bukë, edhe me jet’.
Paratë fshehur thellë, në këpucët e shkyeme n’ shi e n’ dëborë.
Coptuar nga shpresa që i ban akoma t’ gjallë në gji, ata t’ gjorë.
Sa netë shkuan, vitet nji nga nji, koha tashmë nuk njeh kufi.
Kulturën e huaj pa kuptuar e sollëm, me forcë edhe në shtëpi.
Bastarduam jetën, t’ kthyer e kemi pa kuptuar në nji anarshi.
Qiqra në hell tash kërkojmë të tërë, por e dimë kjo asht’ oligarki.
Eh! Sa poetë shkruan e stiluan për at’ dhimbjen e gjatë,
vajtuan e vajtuan pafund, lënguan për Shqipërinë e ngratë.
Tash kokën pas duhet t’a kthejmë për Shqipërinë e gjorë,
diaspora dhe ajo Etnike, në dasmën e madhe t’ ven’ kurorë.
Shqiperia asht’ nana, dashuria m’a e madhe, e pafund.
Atje zumë fillesat e andrrave, që sot bota po na i përkund.
Mjerimin e shekullit të turpshëm 21 të Nanë madhes Shqipëri,
borxh do t’ ja kemi vetes, ejani të bashkuar me shqiponjën në gji.
Ardiana Mitrushi 07/26/2019…
Ndjenjat e një gruaje…
Gjithmonë kam dashur të prek ndjenjën,
t’a bëj atë një subjekt të hapur nga forma dhe pikëpamjet e mia personale.
Pra, pikënisja ime për këtë jetë ka një ndjesi, ka një dashuri që momenti nuk mund t’a shprishë dhe, nuk mund t’a specifikojë momentin kohor të shpërthimit të adrenalinës njerëzore. Ekstaza e ndjesisë është definicioni që eksplodon me orgazmën më sublime të kulmit të ndjesisë njerëzore.
Por, sot ka edhe forma të tjera që janë thjeshtë shqisore dhe një argument i hapur kohor, që huazon idenë me adoptime sociale dhe si një interpretim dhe zhvillim i ri trans-kohor… Por, unë sot do të inicioj dhe iliustroj vetëm formën klasike të percepitimit dhe transformimit ndjesor për krijesën tokësore njeri, tek e cila unë vetë relatoj.
Trupat ndjesojnë, përpëlitin, elektrizojnë, ato turfullojnë shqetësimet, shkundin petkun e paturpësisë, prekin me delikatesën rrënqethëse, shqyejnë rrënkimin e kohës, djersa vërshon lumenjtë e ndjesisë së lumturisë fondamentale, dhe si një trup i vetëm finalizojnë krijesën tokësore qelizën mikrone njeri. Ndjesia ecën, shkon me fjalën, shkon me zërin e erës, vjen dhe troket me tik-taket e rrahjes së parë të zemrës, drithëron si një flutur me lëvizjen e parë të një përsosmërie jetike.
Dora mbi stomak ndjen dëshirat që degëzohen, pret miratimin e ndjenjës së brendshme të fshehur dhe botën e re, fetusin (fëmijën) që formohet… Ty, “mëkatares” së ndjeshme t’a ndjej gëzimin, ti qan e qesh nga frika dhe dashuria që nuk t’a njohu tërësisht mendimin apo moshën e fëmijërisë. Nën lëkurë veshe petkun e pafajësisë që koha do të t’a qëndisë në ditët që do të vijnë për një akt më shumë…
Por, a ishte kjo gjithshka që ti doje të arrije, por dhe të dish?!… Një zë i mekur gjëmoi kohën, shirat nuk mund t’a qanin më, por nuk mund të ndjenin më as ndjesinë që kish lënë gjurmë në atë moment, në atë sekondë, tek ajo gjallesë që lundronte padashur me ty… Ndjenja vazhdoi me thirrjet e mekura të vajzës të sapo lindur, që paditur kërkonte kulloshtrën, qumështin nga gjiri i nënës. Ndjenja e saj nuk do të kish më të njejtën ndjesi, nëna ja morri pa kusht… Ndjenja grabitqare do t’a ndëshkonte me lojën tragjike teatrale të titulluar: “ Ti je jetim dhe si ndjenjë ke vetminë…”.
Ndjenja u rrit me ndëshkimin, u ndruajt me luhatjen, u copëtua me sistemin, u ngri me udhëtimin. Ndjenja morri udhën për diku pa kthim, por për t’mos e njohur më si jetime dhe me mëshirë… Ah!…, moj ndjenjë, ti nuk ishe unë, por as unë nuk isha ti. Ne ishim dy forma dhe sisteme të ndryshme që, kundërshtonim arsyen e llogjikës dhe padijes, ti ishe e mitur dhe unë, fëmijë. Ndjenja rritej ashtu e vetmuar në një fëmijëri, por çuditërisht pasqyra i shumëfishonte padrejtësisht gjeografikisht Ndjenja merrte format kronologjike, ecte sepse nuk kish kthim prapa. Ndjenja do të merrte format që duheshin adoptuar si struktura formale mbijetese. Ndjenjat shtypnin, lëndonin, rrënkonin, heshtnin, aktronin skenën e improvizuar pa njohur profesionin e vërtetë jetik, por faji mbeti vërtetë “Jetim”…
Rritej vajza po ashtu edhe ndjenja merrte forma të reja. Ndjenja ishte tamam si ajo pema që mbijetonte në hapësirat e pafund kudo, por që bota brenda kish labirinthe, rrënjët i krihte dhe i tundte me sinkrone tektonike të panjohura. Në botën e saj edhe pse ndryshimet kishin pësuar ndryshime gjenetike, përsëri ajo vajzë pranoi ardhjen e ndjesive unike, që dashuria momentale ia fali ashtu me pafajësi instiktive. Gruaja e re ndjeu si çdo grua, por mënyra e saj unike falte ndjenja pafund dhe kurrë nuk kërkoi shpërblim të anasjelltë. E bukura në ndjenjën e saj është larmishmëria, konturet e thjeshta të hireve origjinale, prekja unike e saj prej nëne për një solidaritet unik familjar.
Pra, unë jam kjo grua dhe e krahasoj ndjenjën time me një spektër ngjyrash që më sjell me vete të gjitha stinët, me të gjitha format e shprehive atmosferike, me unifikimin dhe adoptimin total mendor dhe shpirtëror për të arritur pozitivitetin, dhe energjinë pozitive deri në kufijtë e pafund të horizontit tokësor. Unë kam ndjenja, unë jam ajo që materializon, komandon dhe hap dritaren e ndjenjave për një ditë të re dhe frymëzim të ri… Ja pse unë i jepem tërësisht ndjenjave .
Ardiana Mitrushi 12/07/2020. (07/12/2020)…
Ti pema e tharë e rrugës time
Sa shpesh më ndiqje me sytë e tharë, por prapë e pa parë. Sa herë nxitoja duke e shtypur fort pedalin e gazit të makinës, pasi nuk doja të t’ shihja përsëri, por ti druri i tharë dimëror si plak i moçëm, me një nga qindra gishterinjt’ e kërcunjtë m’i hidhje sikur pa dashje, doje të më bëje të ditur që ti buzë rrugës time akoma ri. Buzëqeshja e ngrirë, degët si krahë edhe pse t’ tharë, çdo udhëtari i uroje lamtumirë, i ndiqje me sytë e kërcunjtë që veç shiu t’i kish larë. Aq shpesh kaloja, udhëtoja pranë shtatit tënd të nxirrë, të rreshkur e bërë trok, unë për çdo ditë zbuloja, një mimikë të re, sytë e lodhur të mplakur, vetullat rrudhur, flokët stuhia ngritur përpjetë, buzët e ngrira të lyera me zjarrin e rrufeve, por unë nuk desha t’i vija re as sot. Ti shpesh, më kujtoje babanë e gjorë të mplakur nga hallet që rënduar kishin, Nanëbabën me fustan të zi që barra e jetës e mplaku para kohe nga skamja dhe varfëria, babëgjyshin që kurbeti e morri si çunak të ri.
Të kam parë që ditën e parë, të tharë mbi tokë dhe dukesh pa jetë, rrënjët duhet t’i kesh shumë thëllë, që kryet ti e heshtura ime akoma mban përpjetë. Ahhhh…! moj pemë e gjorë, sa rënkime ke dëgjuar, me vitet ikur ka dhe qenia njeri, kur trupin ta kanë lënduar makinat që rrugën humbnin, përpëliteshin të dehura bërë tapë dhe me alkol të lanë, përmes dhimbjesh linin edhe amanetet tek ti. Eh!…, sa amanete nën lëkurë të kanë shkruar, kush mund t’i shfletojë të gjitha ato nji e nga nji, paqja mbizotron me sorrat që na numërojnë, përshëndesin makinat dhe vitet, por dhe të nesërmen që do të vij’. Unë, akoma edhe sot kaloj, të përshendes me sy, por nji ditë të premtoj, unë do t’ vij e të t’ ulem pranë, të t’i dëgjoj dhimbjet, faqet historike që ti mbart, veç tregomi dua t’i shfletoj me ty. Me ty moj pemë e tharë, e rreshkur në diell, edhe në netët e acarta me stuhi, dua të ndaj, të pëshpëris sekretet e moshës, jetës time, unë dua të t’ besoj heshtjen e tharë mbitokësore. Të lutem dhe të jap fjalën, tregomë edhe ato që ti di, do mbeten tek unë dhe ti.
Përsëri nuk di, cfarë më shtyu që të zgjodha ty moj pemë e tharë, mbase me moshë je akoma e re, por rrënjët askush nuk t’i ka parë. Shhhh!… mos trego ç’ke brenda, besomë unë të kuptoj, unë përsëri do të kaloj pranë teje, si çdo ditë të parë… Ti pema e tharë e rrugës time, rrudha fisnikërinë ke, me krenarinë qiellore thërret të shohësh jetën e re…
Ardiana Mitrushi 02/21/2020…
Ja përse jam emigrant …
U dogj nënë zeza,
qante dhe vajtonte t’ a’në,
zemra i plasi për fëmijët që ikën, vetëm e lanë…
Filluan të ikin të gjithë,
zunë të mallkonin vatanë,
mallkonin gjithë mëngjesin, natën pa gjumë lanë…
Dikush ulërinte lart,
tribunonte për pushtet,
emigranti xhepat ia mbushte, ai i shprazte shpejt…
Mallkuar qofshin t’ ikurit,
orët vraponin me dert,
por përsëri dështakët sot nuk po na linin të qet’…
Ju… emigrantë,
ju pseudo atdhetarë t’ mallkuar,
mos u qani për atdhe’n, që sot ju la e kish’ shkuar…
Sharlatanët, davaxhinjtë,
sot luajn’ për dhe me pushtet,
xhepa grisur ish dje edhe sot, mendjen nuk e vret…
Përsëri e merr fjalën
“atdhetari”, ai kokë boshi,
sot emigranti veç n’ dhe të huaj bëhet “kokoshi”…
Dua t’u them që:
”Ne këtu jemi patriotë të mbar’,
horrat i kemi lëshuar kudo, që populli të hajë bar…”
Pra, ne jemi “patriotë”
që e duam vërtetë Atdhenë,
burrërinë e humbëm, për pushtet me kurvat flemë…
Me rryshfete kurdisur planet,
ato që do t’ sjellin “begatinë”,
milionat jan’ shtruar, duart përzgjatur si gjarprinjtë…
Një artiste krijon të luajë,
simfoninë për harqe dhe kuartet,
por simfonia e saj lëngon, dirigjon elegjinë e vet’…
Mbylle ti…, thërret Ai…,
sharlatani që gëzon ca pushtet,
shkon artstja përlotur, simfonia ulëret veten e vet…
Maskulinizmin e ngrenë lart’,
por e tundin, shkundin me dorë,
dje lart flamurin e Partisë, sot prostitucioni taborë…
Për popullin, me popullin
oh… turp edhe faqja e zezë,
koha e jonë po vjen dhe fjala barutin do të ndezë…
Ti je një copë grua,
thërret një pusht partiak,
dje nuk u gjunjëzove, por ne sot do të marrim hak…
Hakmarrjen e njohin mirë
edhe kur nuk janë të pirë,
“vuajnë” shumë për popullin, jetët për t’ua përpirë…
Dëgjova qaramanin
t’ mallkonte emigrantin e gjorë,
mjeranin egoist, emigrantit kokën pret pa kurorë…
Sot u kthyen në pushtet,
me qejf morrën edhe pak lavdi,
por guxojn’ të t’ marrin nderin dhe gruan me fëm’i…
Prapë t’a matin kokën
edhe me një fije të perit,
zhytur n’ xhepat bosh, lumturojnë në udhë të ferrit…
Shpesh m’a thërret emrin tim,
dhe m’a përdhos në at’ zyrë,
ti palo burrë, emigrantin e shëmbëllen në pasqyrë…
Ti shikohu mirë,
shikohu më thellë këtë herë,
n’ vend të parave tona, merr ca gurrë për t’ blerë…
Ti nuk ble dhe
as nuk shet dot as një pikë turp,
gruan m’a shet për pushtet, bythë jasht’ e pa turp…
Historia jonë mërgimin
e njohu në mote që ngaherë,
nënat mbetur vejusha me fëmijë, pa burra n’derë…
Sakrificën e jetës,
kurrë mos na e merrni, as për vajtim,
kokën pas e mbajmë, presim fëmijët tanë të vijn’…
Ti more zotëri, atdhetar,
mbase je dhe patriot i vërtet’,
gjyko sharlatanët që vjedhin popullin zhytin n’ dert…
Me borxhe janë mbytur,
aty ku thika nuk i’u mban më,
nga kamatat makabre, sot as gjumi kurrë nuk i zë…
Pensionet qesharake,
i qajnë nën dritën e qiririt,
borxh ilaçet, goj’e bark bosh, lotjn’ n’ vaj’ t’ pahirit…
Taksat stratosferike
nuk ka maskë që na i mbulon,
as pandemi Kovidiane që t’i zhdukë përgjithmon’…
Artistin, aktorin,
kompozitorin, muzikantin e gjor’,
i ofroni skenën e fantazmës, për regjizor nj’ piktor…
Skenarët janë shkruar
ja ashtu, të bardha në të zezë,
skenën ‘ua ke ndërtuar me ambjente si protezë…
Luajn’, aktrojn’,
dhembjen kryneçe e qajn’ me oji,
dikur të nderuar, sot presin kë…, ditën t’u vij’…
Këto jan’dhimbje
që lëngojnë realitetit e vërtet’,
artisti qan skenën që mbeti si mbretëri pa mbret…
Ju jeni shkaku
që shkaku u pagëzua si emigrant…
historia sot po përballet me këtë realitet flagrant…
Ja përse jam emigrant…
dhe unë direkt po ju akuzoj,
goja kurrë nuk do t’ më hesht, për sa kohë jetoj…
Ardiana Dhimitër Mitrushi 06/03/2021…