CILA DREJTËSI…?

Nga Muç Xhepa

Zoti Carver dëgjonte dhe herë-herë shkruante në bllok. Lluka Qafoku, njëri prej drejtorëve të organizatës “Shtëpia e Lirisë Shqiptaro-Amerikane”, fliste rreth rëndësisë që kishte sistemi gjyqësor. Dënimin e krimeve të komunizmit. Diplomati që dëgjonte ishte punonjës, që mbulonte Shqipërinë në Departamentin e Shtetit.

– Përse nuk e bëni?- Zoti Carver pyeti i revoltuar. Qytetar i botës së lirë.

– Cilët do ta bëjnë?- Llukës i doli nga krahërori.

– Drejtësia! Drejtësia e sistemit demokratik!

Lluka hapi çantën. Nxorri disa fletë formati të mbërthyera me kapëse.

– Ky është një punim. E kam përgatitur, pa qenë jurist. Por, jam këshilluar me ta.

Lluka fliste, mua më rëndonin lotët e Ilirit. Mikut të rinisë së hershme.

– Edhe lumturinë e kemi dhimbje. Dhimbje që çan malin.- Sytë iu mbushën me lot.

Ishte kthyer nga takimi me të dashurën. Vajzë në vitin e tretë të shkollës së mesme. E bukur si drita. E quanim, mes nesh, Virna Lisi.

“Do të të pranoj… të dua shumë, aq sa po çmendem”.- Ia mbylla buzët me të miat. Ato u bënë akull. Ktheu kokën mënjanë. Filloi të qajë me dënesë. E lashë të qetësohet.

“Kur burgosën babanë”, inxhinier, “mamanë e hoqën nga arsimi. E çuan të punojë në kooperativë. Me kazmë. Na nxorrën edhe nga shtëpia. Sillte diçka nga fusha, barishte, që i zienim. Bukën e bënim prej rrënjësh, që mami i thante, i shtypte. Brumë. Ishim të varfër, sa s’thuhet. Asnjë na ndihmonte. I tërë fisi na kishin…”. E shtrëngova në krahëror. Përpëlitej si zog. Perëndia ime.

“Isha katërmbëdhjetë vjeç. Rrugës për në shtëpi, shtegu kalonte pranë baxhos. Ai doli te dera dhe ma bëri me dorë. I organizuar në parti. Kishte mbledhur diçka. Ula kokën. Vazhdova udhën. Hajde moj vajza mësueses, të kam prerë pak djathë, thirri. S’e ngrita kokën. M’u afrua, ja, merre tha. Ma vuri në dorë. Ja, hajde brenda, kam pak bukë të ngrohtë, merre edhe atë. Gëzoje mësuesen. Qeshi. Më zuri nga dora. Me forcë. Më tërhoqi brenda. Kudërshtova. Thërrita. Ulërita për ndihmë. Më mbylli gojën. Baxhoxhiu, trupmadh, përbindësh, më shtriu në dyshemene e yndyrtë. Rrëshqita. Më vuri poshtë vetes. Gishtin e trashë të dorës tjetër…” S’e lashë të vazhdojë.

Iliri dridhej, sutë iu zbardhën.

– Do ta vras, do ta vras!

– S’ke përse të bëhesh edhe ti për burg. Kallëzoje.

– Kujt t’ia kallëzoj? E bëri e ëma dhe e kërcënuan për ta futur edhe atë brenda. Kërkon të bësh partinë me baltë, i thanë. Armike!

Zoti Carver mori materialin dhe u ndamë me besimin se Amerika do të na ndihmonte të ndërtonim një sistem drjetësie të vërtetë.

Zoti Carver dhe Lluka Qafoku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *