Frano ALKAJ një shkendi gjeniu ende i pagjetur

Nga NDUE HOTI 

Homazh në 115-vjetorin e lindjes të Prof. Frano Alkaj

Sa herë është fole këto 30 vitet e fundit për intelektualët e viteve `30-`40, mes tyre është përmendur edhe Prof. Frano Alkaj. Në shkrime të autorëve më të njohur në Shqipëri dhe në diasporë, në simpoziume ndërkombëtare është folur për veprën e këtyre intelektualëve të papërsëritshëm, të cilët me përkushtim e sakrifica punuan, që shpirtin shqiptar ta njehsonin me atë të kulturës e qytetërimit evropian, duke përkthyer veprat më të mëdha të poetëve antike si Homeri, Virgjili apo shkrimtarë të mevonshem te mëdhenj.

       Frano Alkaj u lind, më 1 nëntor 1905, në Alk-Gurez te rrethit të Krujës( sot një pjese ne rrethin e Lezhës), rridhte nga një familje me tradita dhe elitare, por më vonë e humbi shkëlqimin e saj me vdekjen misterioze të prijësve të saj si Prel Tom Bajraktari, Losh Sokoli ,Prëk e Gjergj Cala, Llesh Kol Bajraktari. Kjo familje prej Alkut përfaqësonte fisin e vogël të Bogës në Kuvende, në Shkodër dhe Nënshkoder. Boga, nje fis i vogël i Kemendit, pinjolle te saj kishin studiuar për teologji e filozofi, kishin shkruar për historinë, kulturën e traditat  si At Marin Sirdani dhe Dom Aleksandër Sirdani. Në vitin 1903, Prel Toma merrte pjesë në amendimin e një ligji në kanunin e maleve të Malësisë Madhe apo i lekëve. Fati i keq merr jetën e burrave të kësaj familjeje në forma të ndryshme, familja rrudhet në disa gra e vajza dhe dy djem të mitur si Franoja 10 vjeç e Gjoni 3 vjeç. Franoja kishte mbetur jetim dyfish më parë dhe në moshën 7 vjeçare, prifti i famullisë së kishes Shen Gjergjit Gurëzit(1827-1932), Dom Shtjefen Vjerdha, e dërgon në jetimoren austriake në Shkoder, ku fillon e mbaron studimet edhe në Kolegjin Françeskan. Në shtëpi mbetet Gjoni i mitur dhe i pamundur të drejtojë bajrakun dhe gratë ua delegojnë relikat a nishanet zv/bajraktarëve, mëhalla e Olajve dhe përfaqësues bëhet burri i njohur në Bogë, Tom Gjieri. Dom Nikoll Gazulli shkruan në H. D., se Alku e mori emrin prej Alkajve, ndërsa Martin Boga (1919-2001) shton se kjo familje përfaqësonte Gurëzin si bajrak. Kur Gjoni bëhet 21 vjeç, pra në v.1933, kërkon nga gratë dhe fisi i Tij kthimin e relikave në shtëpi, në Alk ku i janë lënë në trashëgim Z. Mark Bajraktari, 72 vjeç. Unë shkruesi i këtij shkrimi i kam parë vetë këto relika, dhe përbëhen nga një medaljon sermi, yll me 8 cepa dhe një flamur i kuq shumë i vjetër, futur në portofol lëkure të trashë me ngjyrë të errët e të dalë boje. Më 1959, shtëpia e Bajraktarit të Bogës në Alk përmbytet si i gjithë fshati, pjesa veriore apo siç e quajnë Alku i Madh, nga kalimi i lumit të Matit nga shtrati i vjetër në shtratin e ri, hapur artificialisht nga bonifikimi i asaj kohe. Banorët mbetur pa shtëpi dhe pa tokë, transferohen në tokat e Gjo` Vat Zefit, fillimisht ne shtepi provizore e sot ku banojne edhe sot, ne ndertesa mjaft moderrne, një pjesë mbeten si tradicionalisht me Gurëzin e tjetra me Talen. Une isha konviktor ne shkolle te mesme kur nipit te tij iu kujtua te me tregonte per kushrinin e tij, edhe Frano Alkaj ka qene konviktor si ti. Me vone ne moshe te rritur pashe nje artikull te shkruar nga Stefan Capaliku, i cili e theksonte si nje nder perkthyesit model te autorve te antikitetit. At Zef Pllumi me pat treguar nje her’ se Franon e kishte pare ne kohen kur ishte mesues ne Shkoder, e kishte pa ne bjeshke shoqeruar prej nje kushrini, quhej Nua Gjoka. Frano-ja kishte studiuar  në universitete të dëgjuar në perëndim e ishte shquar për përkushtimin ndaj gjuhëve klasike si helenishtja dhe latinishtja. Franoja mendoj se ndihej i kufizuar si student i Kongregacionit Franceskan te qytetit Weert te Holandes 1927-30, dokumentat per te cilin ia pati pergatit drejtori i Kolegjit Franceskan ne Shkoder At Gjergj Fishta, por duke qenë laik do t`i shërbente më mirë kulturës shqiptare dhe vendosi me ndjekë studimet e larta në Universitetin e Letërsisë Klasike në Bukuresht direkt ne vitin 1930, studimet e te cilit zgjatnin kater vjet. Vitin e pare Frano tregoi per nivelin e Tij te larte te pergatitjes dhe drejtoria e universitetit i dha ne vitin shkollor 1930-31 deftesen e vitit te dyte. Studimet Frano-ja i mbaroi ne v. 1933 ne vend te v. 1934. Pra, kishte kursyer nje vit burse. Frano-ja kete vit e shfrytezon per te kryer nje vit doktorature nga dy qe ishte,  per Shkencen e Gjuhesise Krahasuese, luks per nje shtet i varfer si Shqiperia. Gjysmen e burses e paguante shteti shqiptar dhe gjysmen shteti rumun sipas marrveshjes. Ne v. 1933, shteti rumun kalon ne krize financiare dhe Franos i nderpritet pjesa e burses qe i paguante qeveria rumune. Ky i ben nje kerkese ne Ministrine e Arsimit, qe kishte minister malsorin me origjine nga Trieshi Mirash Ivanaj dhe Alku nga vinte Alkaj kishte shume familje trieshjane dhe ky <<konflikt interesi>> ishte nje favor per Te. Mirash Ivanaj ia ploteson kerkesen doktorantit Alkaj, ia ben perseri <<sa te shokeve>> studente shqiptare, pra nga 50 franga ne 120. Kjo ndodhi pikerisht me 26 prill 1933. Frano mbaron me sukses vitin edhe vitin e pare te doktoratures. Vitin e dyte Franos i mbaronte bursa katervjecare ne Universitetin Klasik te Bukureshtit, ben nje kerkese per te vazhduar vitin e dyte dhe te fundit te doktoratures, por ministri Ivanaj i pergjigjet negativisht: <<Shqiperia nuk e ka luksin per nje burse te nje niveli te tille, por kthehu ne vendin tand, i cili ka nevoje per Ty >>. Franoja pranon sfiden , kthehet per pushime ne Gurez, zevendeson disa jave mesuesin e lokalitetit sic kishte zevendesuar kur shkonte me leje mesuesin nga Kosova qe nga v. 1932, Ndue Vorfin dhe Kol Jakova 1934. Ne keto vite nje nxanes nga Alku, Gjeto Frani, i kishte thane: more profesor Frano, pse e ndryshove mbiemrin nga Bajraktari ne Alkaj. Frano ishte pergjigjur, se ishte nje mbiemer i i nje kohe tjeter. Mbaron edhe pushimet e asaj vere dhe nga fundi korrikut 1934 Frano paraqitet ne degen ushtarake per te kryer sherbimin ushtarak te detyrueshem tre mujor si pasuniversitar. Pasi mbaron ushtrine, paraqitet ne Shkoder ne drejtorine arsimore te qytetit dhe aty ben betimin-deklarate, per te sherbyer si profesor, para drejtorit Anton Deda, dt. 3 nentor 1934. Frano jep mesim ne Gjimnazin Klasik te qytetit ne paralen A, ndersa nxansi Jup Kastrati ishte te B-ja. Ketu nga dt. 1 nentor 1934 deri ne 4 tetor 1935 eshte i emruar si profesor ne Shkoder me rroge mujore 300 frang-ar. Kete vit Frano kryen nje udhetim te gjate jashtshtetit ne Iran dhe rruges qendron ne Gjermani. Per kete udhetim ambasada e Iranit i drejtohet me nje kerkese Min. Puneve te Jashtme te Gjermanise, qe ka per objekt vendndodhjen e profesorit shqiptar ne Gjermani, i cili do te merrte pjese ne nje konference nderkombtare ne Teheran. Kerkesa mban dt. 27 qershor 1935 dhe eshte regjistruar ne arkivin e kesaj ministrie me dt. 2 korrik 1935. Ne vitin pasues 1935-36 eshte transferuar, ndoshta si gjithe ata te diplomuar, por pa perkrahje, larg ne Gjirokaster. Shkodra per kohen ishte nje qender e rendesishme ku ishte perqendruar thuaj gjithe kultura e shkollat shqiptare. Me qytetin e larget te jugut ishte akomoduar me profesorat e tjere te gjimnazit te ketij qyteti ne nje hotel prane Mitropolise se qytetit. Ne kete periudhe nje nga nxenesit e tij ishte Muzafer Xhaxhiu.  Ishte emëruar mësues me disa kolegë, të gjithë katolikë nga veriu, shkruan ish-nxenes i ketij gjimnazi dy degesh, Klasik dhe Real, shkrimtari, kandidati per cmimin <<NOBEL>> I. Kadare në fund të librit te Tij, “Çështje Marrëzie” . Pas Gjirokastres Frano transferohet ne gjimnazin e Korrces, por nuk kemi te dhena te mjaftueshme per arsyen e ketij transferimi, nuk dime gjithashtu sa vite qendroi ketu dhe me vone kthehet ne Tirane ne Liceun <<Naim Frasheri>>, ndertesa perdhese ku ndalojne autobusat e Kombinatit, perballe Bankes se Shqiperise. Ishte nje vit kur vajzat e gjimnazit te Tiranes bashkoheshin me djemte deri ateher’ te ndare. Këtu duket se shërben si profesor nga v. 1941 deri me 1944, fillimisht ndoshta si profesor i jashtem, sepse ish-nxanësja e atij viti, Shpresa Kalakula-Bejleri e kujton se u kthye te jepte mësim në Gjimnazin e Tiranës si profesor dhe njëkohësisht ishte, që më 1940 anëtar i stafit në Revistën “Hylli i Drites”, reviste prestigjioze e kohës, që botohej nga françeskanët në Shkodër, ku botonte perkthimet e ILIADA-s dhe ENEIDA-s . Perkthente veres gjate pushimeve ne barakat e plazhit te Xhep Breshkes. Naten deri vone perkthente, diten i perseritte ne pranine e mikut te Tij, Vedat Kokona, ky i fundit e permend te <<Kujtimet>> e Tij. Në këtë kohe duhet te ketë kryer dorshkrimin e një fjalori latinisht-shqip deri tani i pagjetur, me bashkautor Gaspër Shoshin, për qëllime didaktike në gjimnazet e Shqiperise. Më 1937 përkthen në Rimini gjatë verës ENEIDËN, tre libra, librin e II-të ose Rrënimi i Trojës, librin e tretë, ose Zbritja e Eneut në Butrint , librin e IV ose Vetvrasa e Didonës. Më 1938, ndodhet në Bukuresht, këtu përkthen e boton në Shtypshkronjën e Françeskanëve Kangën e XXII-të ose “Vrasja e Hektorit” nga ILIADA e Homerit, të cilën e shoqëron me një parathanje skjaruese, mbi kohët dhe veprat e Homerit. Më 1941 boton në Hylli i Dritës përkthimet e Tij, në veçanti Kangën XXIV ose “Vorrimi i Hektorit” e boton libër. Në këtë libër ndihet shpirti dhe kultura e origjinës së Tij, motivi malsoro-homerik i vajtimit të burrave, përkthimi brilant në traditën e të folmes gege që ishte në modë aso kohe dhe shumë e përshtatëshme për përkthimet e të mëdhenjve të antikitetit. Franoja duket se pak qëndron në Tiranë pasi ka turbullira e paqartësi kulturore-politike, siç e përshkruan I. Kadare gjëndjen në Gjirokastër e në përgjithësi ne Shqiperi  me mberritjen e ushtrise gjermane nga Greqia, në librin e tij “Darka e Gabuar”. Në këtë shkrim me rastin e 115 – vjetorit te lindjes te profesorit qe eshte cilesuar si nje <<SHKENDI GJENIU>>, poliglot  disa gjuhesh si, helenisht, greqisht, latinisht, italisht, spanjisht, gjermanisht, holandisht, rumanisht, shqip. Frano shkruante edhe poezi dhe prove per kete eshte ajo qe i dedikon dasmes se ciftit mbretnor e cila botohet krahas parathanies te libri me kengen e XXII, jashtserie me 24 prill 1938.  Për këtë poezi ia le të gjykojë vetë lexuesi në këtë perkushtim ndaj mbretneshës Geraldinë. Ja si e përjeton poeti, me profil mes arealit heleno-latin martesën e katolikes hungareze me Mbretin e shqiptar “Mbretnesha e Shqyptarve Geraldinë,

E cilla tue zbritun prej trollit të Hungarisë kreshnike

Si rrezja e kullueme e dritës

Vetoi përmbi Tokën Arbnore jetike

E parashenjueme qysh në t`endun të moteve

Me kremtue hymenen fatbardhë e të lumnueshme

Me birin ma të Madhin

Që rriti në rilindje të vet Toka Ilyre

Me Trimin kreshnik ZOGUN I

Mbretin e Shqyptarve

I cilli per hir te Përgjithmonit e me vullndet të Popullit

Sundon e do të sundojë përmbi Fronin e Kastriotit

Brez mbas brezi der në ma të largtat mote

Për nën mburojen e pathyeshme besnike të qindrueshme

Të krahnorve të çeliktë të Djelmënisë Shqyptare

Kët vepër të vogël e të përvujtë

Me dashtënin ma të flaktën me besniki të pafundëshme

I Naltmadhnis së Saj Mbretnore

Shërbetuer fort i përulun i bindun e i nënshtruem

Auktori

I a truen I a falë I a kushton”

Alkaj vjen i treti shqiptar, pas Naimit dhe Fishtës, që bëri përpjekje për të sjellë në shqip ILIADEN. Duke kujtuar në këtë përvjetor të 115-të të lindjes të Prof. F. Alkaj. Prof. Isuf Luzaj(1913-nentor 1999), i semure rende, duke folur me shume veshtiresi ne telefon, ne ditet e fundit te jetes se tij, shtator 1999, me tha se Frano vdiq me 1992, ne Boston, por nuk thoshte me saktesi vendvarrimin e Tij, ndoshta edhe e ngatrroi me ndonje emigrant tjeter politik shqiptar. Frano sipas n je buletini zyrtar,  arriti ne Buenos Aires me 11 korrik 1948. Vendqendrimin e perkohshem atje do ta  vertetonte vetem <<Certifikata e Vdekjes>>, te cilen nuk kemi patur mundesi ta marrim deri me sot, me gjithe interesimin tone disa here te Zyra Konsullore ne Ministrine e Puneve te Jashtme ne Tirane. Me kete rast kujtojmë të gjithë ata intelektualë, profesorë dhe përkthyes shqiptarë të viteve `30-`40, te cilet regjimi komunist shqiptar i denoi, denigroi, i detyroi te lene vendin e tyre. Falënderim dhe mirënjohje miqve, ish-nxansave te Tij, qe me kane mirpritur per interesimin tim gjate ketyre viteve postkomuniste, pasi Frano si edhe nja pese dyzina intelektualesh shqiptare kishin qene te denuar  si dhe pasuria intelektuale e tyre e censurueme, e mbyllur ne arkiva sekrete  nga viti 1958. Studimi i jetes dhe vepres se Frano ALKAJ nuk mbaron me kete artikull te thjeshte, ajo vazhdon edhe jashte kufijve te Shqiperise si ne Shkoder, Gjirokaster, Korrce, Tirane, Instituti Studimeve Shqiptare(1942-43), ne Rumani, Itali, Gjermani, Iran, Argjentine, ndoshta edhe ne ShBA.

One thought on “Frano ALKAJ një shkendi gjeniu ende i pagjetur

  1. Frano ALKAJ sipas Jusuf Luzaj vdiq ne Boston me 1992, ndersa sipas studiuesit Leka Ndoja vdiq me 1970 pa dhene dot vendin e vdekjes. Frano ishte nje patriot i madh. Ne vitin 1943 ishte i semure dhe shkoi per kurim ne Rome dhe ne pamundesi per tu rikthyer ne atdhe, aty beri kerkese per nje biblioteke me libra shqip dhe per tu punsuar si inspektor arsimi, por nuk iu realizuan. Ne Rome takonte studentet shqiptar dhe i keshillonte qe te mos pranonin rekrutim nga ushtria gjermane. Ne Itali qendroi deri ne vitin 1948, deri me 15 mars kur u nis drejt perendimit te larget nga porti i Bagnolit-Napoli.Me 11 korrik 1948 arriti ne portin e Buenos Aires-it. Deri ne v. 1950 shoqerohej me shkodranin Prof. Filip Llupin, ish-drejtor i Institutit “Nana Mbretreshe” – Tirane. Te dy ndoshta ishin te rralle nga veriu i Shqiperise ne ate qytet. Frano ndihmonte emigrantet shqiptar dhe punoi si perkthyes ne portin e vendit. Hapi nje Bar-Kafe dhe themeloi me disa shqiptar jo komuniste shoqaten patriotike “28 Nentori” ne opozite me ate “SKENDERBEU” me shqiptare pro regjimit komunist.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *