PSE DEFORMOHET POEZIA E NDOC GJETJES?!

Pjetër Jaku

Po me takon shpesh kohet e fundit, që në disa aktivitete letrare dhe publikime web-esh, të citohen vargje poetesh, madje poezi të tëra, siç asht rasti i Poezisë “ Përse?” të Ndoc Gjetjes me tjetërsime, deri në ndryshim të plotë. Tjetërsimi i krijimtarisë, me ose padashje, është një mëkat, që nuk duhet ta bëj askush, aq më tepër një krijues. Sigurohu përpara se te deklamosh a publikosh nje krijim të dikujt, referohu saktë e me preçision tekstit te shkruar. Për këtë fenomen do ta ngreja zërin për këdo, jo më për Ndoc Gjetjen dhe miqësinë më shumë se 30 vjeçare që kisha dhe kam me të!

Le të marrim një shembull konkret! Poezia “PERSE?”  e Gjetjes, është një prej poezive shqipe ndër më të mbajturat mend nga lexuesit. Duke kërkuar në google për saktësinë e publikimeve, autori më i njohuri imi ishte Ndoci, të cilin, vecse e kam njohur shumw herwt, i kam botuar librin tashmë të njohur “ Dhjata ime” dhe, që në fillim syri më kapi deformime që e ndryshojnë krejt poezinë, duke filluar nga titulli. Poezia është botuar në vëllimin e parë poetik “ Rrezatim”, të viti 1971. Kush janë këta që guxojnë ta shkruajn dhe lexojnë ndryshe nga origjinali? Dhe, aq më keq, ndryshimet fillojnë që në titull! Mund të harxhoni vetëm pak minuta për t’i gjetur!

Kjo mënyrë të vepruari, të sjell në mendje letërsinë kineze të realizmit kolektiv të së shkuarës revolucionare, ku secili vinte dorë në krijimtarinë e secilit, në emër të boshtit ideor.

Të gabosh, siç bejnë “publicistë” të tillë, ose “njohës” me emër, është guxim. Por, tjetërsimi i krijimtarisë është krim kulturor i pastër, dhe i qëllimtë që meriton ndëshkim ligjor. Studiuesit, krijuesit dhe kushdo tjetër, që  hy në këtë fushë, le të matet më parë se të marrë lapsin, për t’iu referuar ekzaktësisht tekstit e jo në besim të memories.

Albert Ajnshtajn me të drejtë thotë : “ Vetëm dy gjëra janë të pafundme; gjithësia dhe budallalleku, dhe, i sigurtë nuk jam për të parën.”

Poezia që gjendet në dhjetra portale, kryesisht është si më poshtë, por edhe me ndonjë

ndryshim tjetër:

PUTHJA

Sa gjëra të shëmtuara si grindja dhe sharja
ndodhin në mesin e rrugës së madhe
po ajo më njerëzorja
më e madhërishmja, me hyjnorja
puthja
ka mbetur ilegale.

Duke filluar nga titulli, përveç vargut të parë, asnjëri prej të tjerëve nuk është i saktë! Autori nuk thotë rrugës, por udhës. Edhe pse janë sinonime, autori e ka bërë për një efekt gjuhësor, qoftë edhe nga tingujt e zbutur të emrit “udhë” dhe vrazhdësinë e  bashtingëllores “rr”. A thua nuk kishte ditë poeti t’i përdorte supërlativat “ madhërishme” dhe “ hyjnore”, por e ka lënë pa to, duke i shtuar epitetin “ e bukura” dhe në fund pyetjen logjike për një tekst të tillë “ Përse të ngelet ilegale?”

Teksti original:

PERSE?

Sa gjëra të shëmtuara si grindja dhe sharja

Ndodhin shpesh mes udhës së madhe

Po më njerëzorja, më e bukura, puthja

Përse të ngelet ilegale?

Nuk janë shumë vargje për të mos u mbajtur mend, vetëm katër! Kushedi sa raste të tjera do të ketë në detin e madh të mediave online, ose në tekstet shkollore! Poezia është arti më sensitive, që nuk duron t’i ndryshosh, shtosh, as heqësh një germë, jo më një fjalë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *