Nga Muç Xhepa
E lashtë marrëdhënia e njeriut me hënën. E internuara mori një qiri të papërdorur. E kishte futur në kutinë e drunjtë, dhuratë nga e ëma. E mbante poshtë shtratit prej druri. E ndezi. Nisi të lutej.
– O Perëndi ruaj fëmijët e mi! Po i lë në dorën tënde…
Jashtë errësirë e thellë. Hëna e fshehur midis tokës e diellit dëgjonte dëshirat e gruas së re e të bukur.
– Më jep forcë! Ta rigjej… dhe më rimbush me energjinë tënde, hënë e re! Udhën shpirtërore…
E ëma e kishte mësuar: “Hëna e Re është koha kur duhet të thuash qëllimet dhe të mbjellësh dëshirat…”. Mbaroi lutjen, ngriti jastëkun, futi dorën tek e çara e dyshekut prej kashte dhe nxorri një bllok të vogël shënimesh. Shkroi në krye të faqes, “Kështu do të bëhet”. Poshtë saj vuri dëshirat me radhë. Një lot u shkëput e ra mbi shkrim. E la të përhapej. Gërmat u ndriçuan. Kaloi poshtë lëmshin e mbledhur në grykë dhe fshehu bllokun në kashtë. Nisi të zhvishej.
Dy policë, njëri te dera e apartamentit dhe tjetri pranë kamionit me karroceri të hapur, që kishte ndaluar në anën e ndërtesës, ndiqnin çdo lëvizje; babanë e moshuar dhe vëllanë, djalë i ri, që ngarkonin ato pak orendi të lejuara për t’u marrë me vete. Përreth sehirëxhinj. Mëhhalla ishte ndarë në dy pjesë. Ata që gëzonin – qëndronin pranë kamionit dhe flisnin me zë të lartë, të dallueshëm. Të tjerët, që mendonin se mund t’u vinte radha – vëzhgonin nga larg të drithëruar.
– Ç’e mban akoma këtë!- Vëllai mbërtheu stemën në jakën e xhaketës: 40-vjet anëtar partie. Neroni ua kishte dhuruar vetë një grupi besnikësh.
– Mos bir se të panë.- Plaku rregulloi jakën.- Të fusin brenda. Të kalbesh…
Operativi i zonës, mesoburrë, i njgjeshur, me vetulla të trasha, sy të zinj e kostum të dalë boje ngjyrë gri, afroi kokën. Të dëgjonte. Zbardhi dhëmbët e ngrënë. Ato të qenit s‘kishin luajtur nga vendi. Të mëdhenj, me majë, gati për të shqyer viktimën e radhës. “Lutu, lutu…”, foli me vete. Hëna e Re kishte përcaktuar projketin e ri për kostumgriun. Kënaqësinë fizike. Dëshirën… Astrologët thonë se Hëna e Re është e lidhur me trupin, emocionet. Sjell gëzim e përmbushje. Përdoreni këtë kohë për rindezje… arritur qëllimin. “Bukuri hënë ke…”. Ngriti plastmasën e zhubrosur, sere, kapur me gozhdë, që mbulonte kornizën e dritares pa xham. Drita e qiririt luante mes bukurive trupore. E internuara po bëhej gati për të fjetur. Magjia stimuloi kostumgriun. Sjellja seksuale, fokusi i jetës tij. Varësia ndaj seksit e kishte çrregulluar mendërisht. Lëvizjet kimike në tru… Ngriti plastmasën… Priti. Skllaven moderne, të lodhur nga puna e rëndë, e zuri gjumi menjëherë. Kërrusur, sikur të ishte në transhe lufte, u afrua te porta. Kasollja, vendi ku dikur kishin mbajtur viçat, kundërmonte ende erë bajgë. Njeriukafshë u ndez edhe më shumë. Mbërtheu dorezën. Dera kërciti, por nuk u hap. Filloi të ushtrojë forcë. E shkundi. Shau pa zë. Hodhi sytë përreth. Errësirë. Heshtje. “Ta ndreq unë… nuk më shpëton…”. E tërhoqi… Pranë derës flinte babai. Për shtrojë hasër të vjetër, vende-vende e shthurur. Nxorri nga poshtë saj pistoletën: relike e mbetur nga koha e luftës. E lidhte kujtimi i vëllait të vrarë me të. E mbushi. Kostumgriu u kthye te dritarja.
– Të hodha trutë në erë, horr!- Plaku mori shenjë. Hoqi siguresën. Hija ia krisi vrapit.
– Mos qëllo i marrë, mos qëllo!- Thërriste antinjeriu dhe zhdukej në errësirën pa fund.
Pa u gdhirë e bija u nis për në punë. Hapnin kanale kulluese. Një orë në këmbë larg kasolles. Te dera puthi babanë në ballë. Ai bënte sikur flinte. Pasi u sigurua që nuk e shihte njeri, i moshuari mori lopatën dhe hapi një gropë të vogël prapa kasolles. Brenda vuri pistoletën. Duke sheshuar dheun me duar shante veten, që kishte qenë në anën e tyre. Në mesditë e “vizituan” tre përfaqësues të shtetit. I plotfuqishmi, pa e pyetur, urdhëroi pilicin të kontrollonte brenda kasolles. Operativi i zonës e zuri nga jaka dhe i shkulli stemën.
– Guxon dhe e vë në jakë. Armik! Dorëzoje armën!
– Nuk kam armë!- Iu drodhën duart. Shtrëngoi grushtet.
– Ore do të plas brenda dhe e dorëzon mirë pasandaj!- Ngriti dorën ta godasë.
Plaku e njohu. Nata e errët kishte mbuluar fytyrën, por jo zërin. Ishte ai. Horri. Filluan t’i kërcisnin dhëmbët.
– Guxove të kërcënoje punonjësin e rendit mbrëmë! Plehër! Kujtove se ta fshehu pistoletën Hëna… e Re…
E goditi në ballë, me forcë, me e çelësat që mbante në dorë. I moshuari fshiu gjakun. Gishtat iu skuqën.
– Vëlla e derdhe kot…!- i shpërtheu nga krahërori.
Ky tregim është shkëputur nga libri në dorëshkrim “Përtej kësaj jete”.
E internuara kërkoi që të mos përmend emra: “Janë më të fortë sot. Kujtojnë se i mbështet Amerika”, tha ajo.