Nga Muç Xhepa
“Dimër. Qelia ishte e ftohtë deri në kockë. Më kishin marrë këpucët. Çorapet ngjisnin në çimenton e lagësht. Akull. Hyri hetuesi.
– Hë, më thuaj përse e projektove pallatin ashtu, modern? Kubizëm? Në qendrën e Tiranës?
Zëri më bëhej i largët. Sikur nuk më drejtohej mua, por banorit që i pata rregulluar hyrjen. Bashkova dy në një. Edhe oxhak. Prej vërteti ia bëra.
– Të na shpërnderoje?
Unë apo banori? E kam mik. Shkruan libra. Për ustanë tuaj. Më buçiste koka.
– Jo me qëllim të keq, – m’u muar goja. – Jam familje si … e juaja, e klasës …
Më goditi në fytyrë, si me pëllëmbë … grusht … m’u errësuan sytë.
Ish mësuesja kujdestare po më tregonte në mesinxher rreth përkthyesit të talentuar … ndërsa unë humba në ato që kishte hequr në hetuesi inxhinier Velo.
– Nuk po më ndjek! – tha mësuesja.
– Më fal! Pra, erdhi e të takoi vetë. Kishte mbetur …
– Po, i papunë. Pensioni … Nga përkthimet asgjë.
Mësuese Kati kishte në prehër një qenushe të bukur. Mbuluar me qime të gjata, kafe të ndritshme. Ngriti veshët të dëgjonte edhe ajo.
– E mora në OJQ-n të ngritur vetë. Anëtar bordi, një vlerësim shumë i merituar që nuk ia pati ofruar askush. Na nderonte. Punoi disa vite. Kur u rëndua prej moshës, më thirri mënjanë. “Kozarë dua të të qeras me një kafe. Kam dhe diçka që nuk dua ta marr me vete”. Ç’më thua Isuf? Do të jetosh edhe shumë e shumë vite të tjera, i thashë. Por, sikur ta kishte parandjerë i ngrati, nuk jetoi gjatë pasi u largua.
– Përkthyes i madh. I shkoi jeta në hije.
– Pikërisht këtë dua të të tregoj sot. U ulëm te “Postiqja”. Ishte ditë me diell, qëndruam jashtë. Kostumi kafe i rrinte i gjerë dhe kishte filluar të zbehej. Më krijoi një lëmsh në grykë. Po shihja babanë kur doli nga burgu. I rrëgjuar, vrarë nga jeta në ferr.
Mësuese Kozarës iu lagën fjalët. Ndaloi. Ledhatoi miken e ngushtë që iu ngjit lart dhe filloi t’ia fshijë lotët me gjuhë.
– Folëm për punën që ai vlerësonte, të drejtat e njeriut. Me elegancë më pyeti, “Kozarë, çfarë mendimi ke për punën e përkthyesit”? Isuf Vrioni më hodhi sytë e trishtë. Ishte e qartë, donte të hapte një bisedë të vështirë për të, por që e vuante përbrenda. Nga cilësia e punës së përkthyesit hapet ose mbyllet suksesi i një vepre, i thashë e prekur. “Ke të drejtë. E bën të njohur shkrimtarin”. Po, i jep veprës jetë ose e varros atë. Shembull ideal jeni ju … i keni dhënë famë … shkrimtarit. Dora filloi t’i dridhej. La filxhanin në tryezë dhe u afrua nga unë. “Mirë kur ishim brenda burgut të madh, sepse kishte frikë të më vlerësonte, por pas kaq vitesh …”. Ula kokën, fjalët m’u thanë. Dhimbja më rëndoi zemrën. Qëndruam në heshtje. Gjatë.
– “Një ditë dimri, punuam tërë mëngjesin. Në drekë më tha se kishte një takim. U kthye pas një ore i ngrënë. Energjik. Më pyeti edhe sa shumë më duhej të këshillohesha me të. Po më binte të fikët. Nuk kisha vënë gjë në gojë. Në mbrëmje mbaruam vonë”.
Mësuesja largoi me kujdes qenushen. U ngrit nga vendi dhe mori një shishe uji. Lagu buzët që i dridheshin.
– “Pasi mbaruam punë, dolëm bashkë. Frynte erë e ftohtë. Rrugës pranë ‘Pallatit të Kulturës’, i thashë i ndrojtur se në atë orë ishte e vështirë të gjendej shtrat në hotel me ngrohje. Ky në qendër është për të huaj. Ato në periferi … Pa mbaruar fjalën më uroi natën e mirë dhe mori drejtimin për te pallati i tij.”
Mësuese Kozara Kati vuri dorën mbi buzë, i dridhej, më puthi dhe mbylli mësinxherin.