Ne foto: Abdyl Sharra
Nga Agim Xh. Dëshnica
Në këto ditë fushate zgjedhore, kur në 25 prill do të votohet për ndryshimin, kujtimet na kthejnë mbrapsht në kohë, në dhjetorin e votimeve 1945 dhe dramave tragjike që zgjatën pothuaj gjysëm shekulli, edhe në vijim nga pasardhësit e etërve besnikë të diktaturës komuniste, shkaktarë pengesash në udhën drejt Bashkimit Europian.
Historia dëshmon, se pasi krismat e Luftës së Dytë Botërore heshtën, në lindje e perëndim, u kryhen punime për rindërtimin e qyteteve, porteve, hekurudhave, rrugëve dhe urave. Krahas tyre mbrojtja e natyrës, mirëmbajtja e monumenteve të kulturës, u shoqëruan me lulëzimin e turizmit, një prej degëve më të fuqishme të ekonomisë.
Në Shqipëri atdhetarët luftuan për liri e demokraci, por pushteti i fituar me gjakun e tyre, ra në duart e një kaste të rrezikshme vrastare, e fshehur pas maskës “ demokratike” Në votimet e 2 dhjetorit 1945, “Fronti Demokratik”- u përball me një opozitë krejt të pafuqishme, me vota të manipuluara nga komunistët.
Ndërkohë bijtë e familjeve fisnike, studentë të shkëlqyer në universitetet e Europës, u kthyhen në atdhe dhe punuan në sektorët përkatës, ndërmjet tyre dhe dy inxhinierët e talentuar vlonjatë, Abdyl Sharra, i cili mori përsipër rindërtimin e Portit të Vlorës, Urës së Drashovicës, Urës së Mifolit, të dëmtuara gjatë luftës, Ndërsa lnxhinieri tjetër Kujtim Beqiri, aftesitë e veta i vuri në sherbim të atdheut duke drejtuar me sukses punime për hapje rrugësh pa makineritë aq të nevojëshme, ndër to, rrugën e vështirë malore Kukës Peshkopi. Por zhvillimi i ngjarjeve politike, ndryshoi në krah të kundërt. Komandantët e komisarët, shumica pa shkollë, të zbritur nga malet, dhe u sulen drejt pushetit me anën e gjyqeve pa ligje, kundër firmatarëve të pavarësisë- intelektualëve të shkencës, letërsisë e kulturës.
Me votat e 2 dhjetorit 1945, më 11 janar 1946, u shpall me brohori Republika Popullore me një parti. Ky akt i pabesë kundër demokracisë, më pas u shoqërua me skenare gjyqesh në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë etj. Një ndër ta ishte gjyqi i “grupit opozitar”, ku bënte pjesë shkrimtarja e parë shqipare Musine Kokalari. Pastaj u vijua me“grupin e sabotatorëve”, “agjentë të amerikanëve” e inxhinierëve Abdyl Sharra e Kujtim Beqiri tok me ekipin teknik, për tharjen e kënetës së Maliqit, për panxharin e Fabrikës së sheqerit, kur populli vuante nga mungesa e bukës.
Gjyqi i “sabotatorve”, ishte edhe një veprim dinak, për të mbuluar mashtrimin e madh, e një viti më parë, për votime të lira. Ndryshe nga premtimet, u krijua një qeveri e dhunshme, me Partinë komuniste të fshehur nën disa maska:” “Partia e Punës” “Frontit demokratik”, por anëtarët mbanin emrin komunist. Në skena kinemash e teatrosh, e fshehur pas perdes Partia apo Fronti, drejtoi zhvillimin e gjyqeve pa ligje, pa fakte e me sajesa hetuesish, prokurorësh kriminelë e gjyqtarësh, pa shkollën përkatëse. Vendimet ishin të nenshkruar qysh më parë nga dora e diktatorit E. Hoxha. Sipas kryetarit kukull të gjyqit, shumica e “sabotatorëve”, nxënës të shkollës teknike, paskëshin qenë “agjentë.të Fulcit.” Të gjithë inxhinierët, u arrestuan, në punë e sipër, në ditën e gjashtë të nëntorit 1946. Pas dy ditësh dolën në gjyq. Vendimi u dha dy javë më vonë dhe u ekzekutua në mbarim të katër ditëve në 22 nëntor në Kampin e Maliqit. Me atë gjyq, diktatori E. Hoxha me urdhër nga Beogradi, synoi gjetiu, prishjen e marrëdhënieve me SHBA dhe Britaninë e Madhe. Pesë ditë pas procesit gjyqësor kundërligjor, misionet amerikane dhe angleze në shenjë proteste u larguan nga Shqipëria. Veprimi i drejtë diplomatik amerikan dhe anglez, u përdor nga “drejtësia e partisë” para popullit të paditur, si provë tjetër “sabotimi”. Kjo ngjarje e rëndë, e ndau vendin tonë nga dy shtetet më të pasur në botë, SHBA dhe Britania e Madhe.
Edhe pse kanë kaluar shumë vite emri Maliq seç ka diçka të zymtë, të ngjashëm me Matahuzenin nazist, ashtu si kampi i Maliqit me te burgosurit e vrarë me plumb apo zhytur nën baltë, nga oficerët sadistë gjatë punimeve për hapjen e kanalit kullues për tharjen e kënetës.
Dikur këneta e Maliqit ishte liqen i pastër përqark me pyll, një nga mrekullitë e natyrës, ku gjallëronin shpend, kafshë e peshq gjithëfarësh,. Edhë në kohët e reja aty pranë bleronte Pylli i Fazanëve. Në zona livadhesh e drurësh, në ajër e tokë, mbi e nën ujë, endeshin peshq, shpend e kafshë të egra.
Qeveria e aftë vetëm për vrasje, nuk qe e zonja të financonte projektin e inxhinirëve të paharruar vlonjatë Abdyl Sharra e Kujtim Beqir me të cilin sigurohej mbrojtja përfundimtare e fushës së Maliqit, duke ndërtuar prita të fuqishme betoni mbi grykëderdhjen e Devollit për përballimin e prurjeve të shumta në sezonin e shirave apo nga shkrirja e borës në male. Për atë projekt dijetarësh, nuk vlenin, as parrullat revolucionare, as kërcënimet, duheshin para e jo fjalë në erë. Ndaj projekti e mendimet e inxhiniereve nuk u miratuan. Diktatori donte gjak, jetë njerëzish, për sheqer të kuq, në një kohë, kur Shqipëria vuante nga mungesa e bukës e cila vazhdoi edhe pasi stalinisti i betuar. u marros. Megjithatë me akuzën e “sabotimit”, meqë kanali nuk u përurua në 1 maj, sepse papritur u zbulua një shkëmb masiv i nëndheshëm, që ngadalësoi punimet në ditet e fundit, për faj të qeverisë së paaftë, që s’kishte asnjë aparat sizmik, duhej të vdisnin njerëz të pafajshëm..Një gjyq i tillë për nga barbaria, nuk ishte parë ndonjëherë në historinë e drejtësisë. Proçesi gjyqësor, i duhej pushtetit të dhunshëm, të fshihte të vërtetën për tharjen e kënetës. Kundër çdo arsyetimi teknik, ishte vendosur që “vepra e madhe” të mbaronte brenda tetë muajve me punën e krahut e mijëra të burgosurve skllevër. Por me mjete të tilla, si kazma, lopata, tokmaku, karroca e dorës, qe krejt i pamundur përurimi në kohën e caktuar verberisht. Sipas logjikës prej të marri, duhej të dënohej me varje në litar, me pushkatim e me burg “grupi i sabotatorëve.” Në akuzën mashtruese u rreshtuan si fakte “sabotimi”, fajet e vet qeverisë: mungesa e maqinerive, e motorave, e çizmeve, e ujit, e ushqimit për punëtorët e burgosur që u dergjën të sëmurë në barakat e kampit të rrethuar me tela me gjemba, me kullat e rojave me mitrolozë.
Abdyl Sharra 35 vjeç, i diplomuar, me medalje ari në Fakultetin e inxhinerisë së ndërtimit në Romë, pasardhës i familjes princërore të Gjergj Arianitit, nip te Vrana-jt e Kaninës. përfaqësonte jo vetëm nderin dhe dinjitetin e Vlorës por dhe të krejt Labërisë, edhe të mbarë kombit shqiptar, u dënua barbarisht me varje në litar.
Kujtim Beqiri, 32 vjeç, me medalje ari, Ylli i Universitetit të Inxhinerisë së Vjenës. Edhe sot foto e tij duket në muret e Universitetit. I kthyer nga studimet për t’i shërbyer vendit të vet. humbi jetën në moshë të re, i dënuar me varje, dy here në litar, deri sa dha shpirt si shenjt, në prani të prokurorit sadist Haznedari. Fjala e tij e fundit jehon përjetsisht: “Fajin tonë do ta tregojë historia. Të rrojë Shqipëria! Të rrojë flamuri!”
Në ekipin zbatues të punimeve, bënin pjesë inxhineri Vasil Mano me bashkëshorten Zyraka, Mirush Përmeti 34 vjeç, nga familje fisnike, prind i dy fëmijëve të mitur dhe italiani, dashamirës i Shqipërisë, Eugenio Scaturo i ndershëm në punën e vet. Të katër u dënuan me pushkatim, Tregojnë se Scaturo vetëm në çastin, kur u ndodh para grykave të pushkëve, kuptoi se po e vrisnin. Gjyqi nuk mori parasysh as deklaratën e një inxhinieri specialist nga Moska për saktësinë e projektit e zbatimin e tij. Mandej u shpik edhe akuza poltike, “bashkëpunëtorë me fashizmin” dhe “anëtarë të organizatës Balli kombëtar”. Më tej në sallën e gjyqit u lexuan “letra nga populli “ të dërguara, edhe nga zona të thella, ku nuk dihej se nga binte Maliqi e çfarë ndodhte atje. Në ato letra të rralla për nga poshtërsia të sajuara nga agjentët e sigurimit kërkohej denimi me vdekje, me varje në litar.
Inxhinieret e huaj, që erdhën në mbarim të tragjedisë, u mahnitën nga puna drejtuese e inxhiniereve Abdyl Sharra e Kujtim Beqiri për përfundimi i punimve, në një kohë aq të shkurtër se bashku me vartësit e tyre dhe punëtorët- skllevër të burgosur, për tharjen e kënetës. Por tronditja e përzier me habi, qe edhe më e thellë, kur u thanë se ishin dënuar me varje në litar si “sabotatorë!” Nuk mjaftuan këto mjerime, por duhej të botohesh romani “Këneta”, nga shkrimtari i mefshtë F. Gjata, Pastaj Kino-Studio “Shqipëria e Re”, me filmin e zi, pasuroi arkivin me kundëtvlera.
Por ç’ngjau më pas? U vërtetua rëndësia e projektit të propozuar nga inxhirët e dënuar për mbrojtjen e fushës së Maliqit nga nga dalja lumit Devoll, sepse edhe pas përmbytjeve në stinën e shirave, punimet vazhduan pafundësisht. Mijëra të burgosur, midis tyre poetë e shkrimtarë, si Mitrush Kuteli, Vexhi Buharaja, Arshi Pipa, me mjete mesjetare u sfilitën nëpër baltra përgjatë kanalit të nëmur.
Në vitin 1959, u fol përsëri për tharjen e kënetës. Kush ishte “sabotatori” këtë herë? Dhe shi papritur e pakujtuar në kohët e reja, u zbulua një dokument arkivor. i turpshëm
“VENDIM n. 388 16-11-1959
Mbi tharjen e plotë të kënetës së Maliqit me rjedhje të lirë.-Byroja Politike e KQPPSh në mbledhjen e saj të dates 16.11. 1959, mbasi mori në shqyrtim propozimin e Kryesisë së Këshllit të Ministrave mbi tharjen e plotë të kënetë së Maliqit me rjedhje të lirë”, duke marrë parasysh leverdinë ekonomike…
Të bëhet tharja e plotë e kënetës së Maliqit me rrjedhë të lirë,sipas projekti të hartuar nga -organizata projektuese sovjetikeGiprovod-hoz. Punimet për këtë vepër do të fillojnë në vitin1960 ( Firma E. Hoxha )
Pra u miratua nga partia shkatërrimtare e ekonomisë një projekt i huaj, që s’u zbatua kurrë.
Dhe poetesha e frymëzuar nga këto vendime këndonte me zcrin e qyqes:” Parti e vendit tim/ Në mal përmbi këto male/ E ngritëm Shqipërinë,/ Plot dritë e sotmja jonë, /Më të bukura ditët vijnë/ Dhe dora shtrëngon dorën/ Dhe bëhet grusht i fortë, /Të gjithë rreth Partisë/ Rreth shokut Enver.”/
Pas vitit 1990, krerët e pandreqshëm të PS, pasardhës të PP, duke zbatuar udhëzimet e diktatorit komunist R.Alia, u sulën kundër tranzicionit dhe zhvillimeve demokratike me shpifje nga më të ndryshmet në gazeta. Në vijim me anën e propagandës së shfrenuar organizuan protesta të dhunshme, rebelime, zjarre në rrugë e sheshe,“greva urie” të fshehura në çadra.Për propagandën u shfrytëzuan edhe fatkeqësitë natyrore, përmbytjet nga shirat e dalja e lumejve nga shtrati etj. Qëllimi i tërë kesaj zhurmënaje, ishte rikthimi në pushtet i pasardhëve të komunisteve, për rëmbimin e pasurive kombëtare duke filluar nga kreu i PS, Rama, pas tij, Ruçi, Braçe,Veliaj,Tahiri, Klosi, Ahmetaj, Gjiknuri, Xhafaj e Çuçi me shokë.
Gjatë fushatës për pushtetin qendror në 2013, në Maliq u pa gazetarja R. Xhunga e Top Chaneli-t e njohur për ntervistat me “kuadrot” e një kohe të mbrapsht. E shoqëruar nga kameramanët, ajo ecte më këmbë me mikrofon në dorë përbri një kamioni.Tërë shfaqja zhvillohej para kënetës së përmbytur nga rreshjet e fuqishme dhe nga dalja e Devollit nga shtrati. Nga larg kamioni kishte pamjen e një karuseli, cirku shetitës. Nga afër u pa qartë, se të gjithë ishin veprimtarë të P.S, gra e burra me faqet buçko, të veshur për bukuri, hipur në karroceri teksa fyenin pa pikë turpi flamurin e PD, të varur prapa kabinës së kamionit, që endej udhës para kënetës. Në atë orgji fjalamanësh,që shtireshin si fshatarë varfanjak, dëgjoheshin ankesat e mësuara qysh më parë: “Po vdesim për bukë, me se të rrojmë, paratë në bankë na u mbaruan, nga Greqia nuk na dërgojnë asgjë. Vdiqëm, po vdesim. Në kohën e Enverit ishim më mirë, tani jemi argatë në tokat e të tjerëve. Qeveria ndihmon vetëm fshatarët e Shkodrës së përmbytur. Po ne përse na ka harruar? Ah! Ferma e panxharit! Ah! Moj Fabrika e sheqerit me ato oxhaqet përpjetë, më e madhja në Ballkan!” Nga mënyra sesi flisnin, merrej vesh, se të gjithë ishi karagjozë të PS. Ndërkohë dëgjoheshin, edhe zëra njerëzor, që kujtonin e flisnin thjeshtë për të vërtetën: ”Me gjakun e burrave, grave e fëmijve të pafajshëm, u mbajt gjallë diktatura e pangopur, që shkatërroi natyrën mbi e nën tokë. Gjithçka i takonte asaj, kurse sot këta enveristë me kënetën e vdekjes, na tregojnë sa i mirë qe panxhari rus, sa i ëmbël ishte sheqeri, sa i përpjetë oxhaku i zi i fabrikës.”
Ai sheqer që dilte andej seç kishte një ngjyrë si në purpur, sikur merrte me vete gjakun e inxhinerëve të pafajshëm të varur në litar apo të pushkatuar tok me të burgosurit, që dhanë shpirt, të harruar në llucë. Fatkeqësi, krim, dhimbje, mallkim!
Për ironi të fatit, shohim përsëri të dhunshëm e cinik pushtetarë e koruptuar me premtime mashtruese, Rama, Veliaj, Ahmetaj, Spiropali, Balla, Gjiknuri, Doshi etj, që po bëjnë çmos të mbajnë pushtetin, për të grabitur edhe më tej pasuritë kombëtare me anën e aferave koruptive, pyjet e Libazhdit, Valbonën e Bjeshkët përrallore të Tropojës, Vjosën e Përmetit e të Vlorës, mrekullinë e natyrës shqiptare më e bukura dhe më e pastra në Europë, ashtu siç ndodhi në kohën e diktaturës komuniste me shkatërrimin e rezervatit të pasur të natyrës në Maliq. Krahas këtyre synimeve prej hajdutësh, me betonizimin e frikshëm të Tiranës, shembjen e Stadiumit Olimpik Qemal Stafa, shkatërrimin prej vandalësh të Teatrit Kombëtar, të Maternitetit Nëna Mbretëreshë, vazhdojnë të gënjejnë Vlorën me tunele në Llogara, labin e ndershëm me rrugën përpjetë Lumit të Vlorës; të tallen me Beratin me ishull e tunel në shtratin e lumit e nëpër malin e Goricës, t’i premtojnë fshatarit të lodhur lugë floriri si në kohën e komisareve; Dibrës rrugën malore për të katërtën herë! Kryeministri në ikje pasi humbi luftën me pandeminë me autoblinda, policë e gjoba, tani kundër rregullave të mjeksisë, ndryshe nga këshillat e specialistëve të huaj, ka urdhëruar ministren e paaftë, vaksinimi e të moshuar mbi 60 vjeç me koronavaksin kinez, pa udhezimin përkatës, në rrugë e sheshe, ku ai here pas here, del e pozon para kamerave si epidemiolog. Por sipas njoftimeve numri i viktimëve është rritur.
Pas këtyre bëmave të Ramës, gjithkush është në dijeni për faljen e detit Greqisë me një shtrirje prej 12000 miljesh sikur ai, të qe zot i detit. Jo vetëm kaq, kudo ditët fundit flitet për skandalin humbjes së gjyqit, me biznesmenin Becheti, në arbitrazhin ndërkombëtar, pas një seri gënjeshtrash e mashtimesh, duhet të paguhen 110 milion deri 119 milion euro, nga qeveria paftë e drejtuar prej tij drejt gremiës. Me këto “vepra të mëdha” humbesi Rama, kerkon mandatin e trete me ligje e kukullave të Kuvendit pa opozitë, si në një ëndërr të keqe me fantazma byroistësh, sikur koha ështkthyer mbrapsht në diktaturën enveriste. vrastare e njerëzve liridashës, varfërimit të tyre e shkatërrimit të natyrës dhe ekonomisë kombëtare.
Ndaj nga Shkodra, Lezha, Elbasani deri në Korçë e kudo në Jugë, Gjirokastër, Sarandë e Konispol, kërkojnë largimin e kësaj qeverie të rrezikshme me thirrjen Rama ik!
Ndërsa sheshi Nënë Tereza në 25 mars 2021, foli. gjallërisht për ndryshimin. me flamujt madhështorë kombëtar. Kjo lëvizje demokratike paqësore, është fuqizuar së bashku me aleatët , e përkrahur nga LSI energjike.
Vlorë e Pavarësisë, në këto ditë fushate, kujto djemtë e tu atdhetarë, inxhinierët e talentuar Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri dhe gjithë viktimat e Kampit të Maliqit që humbën jetën duke ëndërruar Shqipërinë në gjirin e Europës së përparuar, me liri e demokraci. Të gjithë ata janë nderuar me titullin Martirë të Demokracisë, ndër ta inxhinerët projektues e zbatues me veprat e tyre largëpamëse për mbrojtjen e natyrës shqiptare, janë Nderi i Kombit.
Shqipëri, në këto ditë fushate zgjedhore, duke nderuar emrat e veprat e tyre, voto për të ardhmen e sigurtë, më të qetë e më të mirë.në Europën e Bashkuar.
Vlora dhe Shqipëria nuk e meriton aspak qeverisjen e mbrapsht të Edi Ramës, përbuzës të shqiptarëve.
Të gjithë në votime! Votoni për ndryshimin me kryeministrin e ardhshëm Lulzim Basha! Votoni, Shqipëria fiton! Zoti e bekoftë Shqipëirnë!