SIMBIOTIKA E POETIT ME POEZINË
Shkruar nga ZEF ZEFI *
Eshtë fort e vështirë të përcaktosh se kur poezia e Ndue Dedajt ka mbërritur tek ne lexuesit, ashtu siç është po aq e zorshme të përcaktohet në mënyrë klasike se si ka mbërritur. Kjo për faktin se midis llojit të gazetarisë që Dedaj ka shkruar prej viteve tetëdhjetë dhe poezisë nuk ka kufij apo ndarje të përcaktuara.
Kritika klasike është marrë shpesh me këtë dhe për arsyet e veta studimore e kategorizuese a teknike e ka cilësuar gazetari letrare; natyrisht e papërligjshme, sepse shpesh nëse do t’u bëhej ndërrim vendi fjalëve të këtij togfjalëshi, kuptimi do të ishte pegiorativ, keqsues, madje rrënues për një poet. Për të shmangur çdo mundësi keq apo mos-kuptimi, dhe për arsye se vetë poeti përbën dukuri në këtë moment letrar, do t’i kujtojmë bashkëlexuesit se gazetaria si profesion ose jo, në kohën kur poeti donte të shfaqej si poet dhe jo si gazetar, ishte e vetmja mundësi dhe ajo krejt e kufizuar dhe e kontrolluar me lupën ideologjike. Bëhet fjalë për aso vitesh diktatoriale, që as fjala, as mendimi, as ideja, nuk mund të kishin shprehje, as nuk mund të shfaqeshin me dimensionet e veta.
Aq më pak në Mirditë, e cila në “dizenjën” e diktaturës ishte cilësuar si rreth politik, që nënkuptonte reaksionar, për t’u mbajtur i shpërbërë, nën vigjilencë, injorancë dhe dhunë. Mirdita pothuajse e shokuar për shumë vite me radhë, me një frymë e kulturë e traditë homogjenikisht kristiane – katolike dhe një histori ekzemplare të mbyllur në bodrumet e mykura të diktaturës, nuk po mund të mjedisohej me atmosferën e manipuluar regresive të kësaj. Ajo shfaqet në horizontin e Shqipërisë në prag të viteve tetëdhjetë, dhe çuditërisht nëpërmjet artit. Ajo që është interesante dhe duhet nënvizuar është se e vetmja mënyrë për të dalë nga anonimati për t’u iluminuar, njëlloj si në periudhat e obskurantizmit, Mirditës i kishte mbetur arti, dhe nga të gjitha artet e lejueshme që mund të toleronte diktatura për të, ishte vetëm folklori. Në këtë kontekst duhet nënvizuar një fakt – risi e mirëfilltë artistike; artistët dhe poetët e Mirditës përgatitën një grup folklorik befasues, sa Shqipëria për disa netë të një festivali, mbajti frymën dhe të gjithë shqiptarët e asaj kohe, nuk mund të mos e duartrokisnin. Ky folklor, nuk qe një markë fosile e nxjerrë nga rrënojat e kujtesës, po u shfaq në një format e model të ri, të pa afirmuar deri atëherë, atë të këngës burimore. Me tekste mirëfilli poetikë të Gjok Becit e Viktor Gjikolës, një muzikë alegro-ritmike të Mark Gjokës, dhe epiko-heroike të Dorian Ninit, zëra këngëtarësh shpërthyes e karakteristikë.
Megjithë këtë shkundje cilësore që Mirdita i bëri politikës zyrtare të kohës, prapëseprapë, poezia, gazetaria apo proza artistike, mbeteshin të ndaluara, jo aq me urdhër, sa dhe për “këputjen” që shteti i kishte bërë Mirditës, me traditën e vet të paraçlirimit, paraluftës dhe historinë e vet, pak a shume siç bëri me gjithë Shqipërinë. Gjithçka ndalej në ndonjë artikull të thatë, tip fletë-rrufeje, a fletë-nderi, raporte “alla Demkë”, rendimente në bujqësi, sigurim buke, vagona minerali që çanin bllokaden… Poezia apo proza artistike shkruhej në fletore xhepash dhe lexohej në rrethe shumë të ngushta shokësh apo bashkëkrijuesish, pa kurrë një shpresë për të parë dritën e botimit.
Në këtë shkreti kulturore të oprimuar nga dhuna e shtetit, njëlloj si bleta në ngutje apo shtërngesë atmosferike, që nuk ka mundur të gjejë strehë për të ndërtuar folenë e saj, shumë poetë a prozatorë “me fletore”humbën rrugës. Disa krrijues e skajuan në një farë mënyre muzën e tyre poetike nën çatinë e këngës, ndërsa Ndue Dedaj për të depozituar nektarin e poezisë së tij, zgjodhi hojet e gazetarisë letrare.
Ndonëse gazetaria profesionale në Mirditë, nga partia – shtet zyrtarisht nuk mund t’i besohej një intelektuali të tillë të papreferueshëm, Ndue Dedaj poet i lindur dhe reporter për “necessità”, të cilit çdo dukuri që i haste syri e kthente në kategori letrare, përcillte shkrime të njëpasnjëshme në shtypin qëndror.
Falë veçanësisë shumica e tyre shfaqeshin në faqet e shtypit.
Ishte e pamundur të mos veçohej natyra poetiko, filozofike e këtij lloji reportazhi.
Poeti donte të shprehej me libra dhe vëllime poetike, po librat njësoj si të gjitha ndalesat ishin barriera.
Lloji i reportazhit të Ndue Dedajt ishte ndryshe; sepse ai kuvendonte e meditonte poetikisht me malet, bjeshkët nëntokat e mbitokat, bënte personifikimin e tyre, duke ndjellur e shpërfaqur nga nëntokësia e thellë apo përtejkoha e largët legjendat, baladat, gojëdhanat, të pandyera me ideologji e socializëm, pastaj kthente bashkë me to dhe hynte në përditshmëri, thjesht si një frymë flladitëse, shpesh trazuese dhe jo rrallë e rrëzikshme për poetin.
Në qendër të reportazhit, viheshin emra të përveçëm edhe të ndaluar nga regjimi që “peshkonte” nga historia dhe i maskonte në konceptin e at’kohshëm të masës së punëtorëve me fytyra të nxira nga nëntoka, të cilët ai i bënte më të bukur se “seks simbol-ët” e Hollivudit apo tokrendjet romantike të malsive. Ato male që për politikën zyrtare kishin qënë strehë dhe çerdhe banditësh e reaksionarësh antikomunistë, nëpërmjet penës së Ndue Dedajt, mbërrinin në Tiranë dhe i ripropozoheshin Shqipërisë me madhështinë dhe lirinë e tyre hyjnore.
Kjo e bëri atë popullor, e bëri të lexueshëm.
Radio Tirana, folësit e saj, kur lexonin reportazhe të penës së tij, vinin mbi to një emfazi, edhe personale, të veçantë, gati aktruese, sepse përfytyrimi i tyre haste në bukuri natyrore mahnitëse, ashtu si dhe fraza apo poetika që i përshkruante.
Duke iu referuar pohimi të fillimit, kjo shpjegon në një farë mase mbërritjen dhe kontaktin tonë si lexues me poezinë e Ndue Dedajt.
Triptiku poetik
1 – “Ajsbergu i Hanës”, “Këndej kaloi Koha” dhe “Planetare”, janë tri poezi, tri vëllime poetike, n’dash thuaj një poezi e kompozuar nga vargje “…plot njomështi…”, siç është shprehur për to poeti dhe studuesi Dhori Qiriazi, të poetit Ndue Dedaj.
Metaforikisht “ajsbergu i hanës”, njofton vëllimin e parë poetik të autorit; një akullnajë kozmike e andërrt sa vetë gjeneza e rruzullit, ndoshta kurrë e mbërritshme. Simbolika ngërthen idenë e faktit të pathënë, të padukur, nga ana tjetër, akullnajat kanë dhe një veti fizike, të cilën autori e shfrytëzon me të njëjtin intensitet poetik: konservimin; duke evituar çdo “agjent” patologjik dekompozues. Ashtu poezia e tij, ndoshta përjetësisht e tillë do mbetej atje e ngrirë midis apo brenda kristaleve të akullta të kujtesës, nëse ngrehina e diktaturës nuk do të zhbëhej.
“Ajsbergu i Hanës” është libri i pambaruar i poezisë djaloshare, që për mungesë letre (nenkupto) lirie eshtë dashur të shkruhej në faqen e zbehtë të hanës, mandej për t’u rishfaqur si një rastësi fatlume kozmike, qoftë dhe e pa përkryer.
2 – “Këndej kaloi Koha” ka një rimarrje fryme meditavo – poetike, evidentuese, në një këndveshtrim social-alegorik. Pesha, theksi logjik bie tek folja në të kryerën e thjeshtë (kaloi), e cila ngjesh ne vetevte një rimpianto. Eshtë në një farë mënyre një bashkëbisedë hall-qarje me qytetarin bashkëkohës, lidhur me nocionin e kohës. Kohëhumbja, kohëbjerrja, kohëshpërdorimi, janë një anomali e dhimbshme për individin, shoqëritë, për kombet, të cilët për një arsye a një tjetër, reale a subjektive, politike apo historike, nuk kanë mundur ta hedhin hapin me të njëjtin ritëm me kohën, e cila ka drejtimin, ritmin, shpejtësinë e saj konstante dhe “vesin” e pandreqshëm të moskthimit. “Kaloi koha këtej…kalimtar/koha jonë/e popujve,/koha universale…/pikon, dridhet, humbon në shi, në përcëllimë/e popujve – koha… Pastaj me një sintetizim të befasueshëm: Koha Ti,/koha Z/koha E (poeti e lë të rendë, të vërshojë mendimin nëpërmjet retiçensës së pa shenjuar)…/pa atë të gjithmonshmen/Kohën Ne.
Ndihet sforcimi i poetit në kohëbjerrjen e bashkëkohësisë, që përkon me një tranzicion të gjatë e të dhimbshëm, pikërisht në kohën në të cilën s’ka mbetur më kohë… Koha eksplorohet me punë dhe pangeshëm. Një nxitim – thirrje si për t’i shpëtuar tranzicionit, kohëhumbjes. Hera herës pesimizmi ankorohet dhe e zymton ballin e poetit… mbasi Koha Ne, bashkëkohësia, jemi kohëshpërdoruesit unikalë të këtij floriri. Jo vetëm që s’tundemi në prapambetjen tonë, po dhe marrim mbrapsht, shpesh lëvizim në vektorin e saj të kundërt, duke e thelluar tragjikisht kohëhumbjen. Në vizionin poetik të poetit, nga poezia në poezi, qoftë dhe në lirikat intime, shpesh vizëllon ndonjë predhë – plumb – rrënqethje kundra vetë jetës.
Përveç anëvështrimit filozofiko-social dhe vetë struktura ritmike gjegjëse e vargnimit, shpesh përvijon një ndjesi shkundulluese për t’i zgjuar këta qejflinj-mjeranë të gjumë-agonisë. Nga ana tjetër, në skaj të ndjesive të një lexuesi të vëmendshëm të poezisë, nuk ka se si të mos skajohet, përftohet edhe gjykimi biblik, jo si intensë po si kornizë funksionale e poezisë; me saktë, “toka, uji, ajri, drita dhe koha – gjerat më të çmuara që po të duhet t’i blesh, vetë jeta nuk do të mjaftonte. Mirëpo gjëra kaq të çmuara për të gjithë njerëzit dhe popujt zoti i ka dhënë falas: dhe nëse koha “humbon…” toka tjetërsohet, ajri shpërdorohet, drita shërben vetëm për t’u shullarë në hije a për t’u parë në pasqyrë… është gabim… është faj… është krim… prandaj gabimi, faji dhe ky lloj “krimi” ndëshkohet, jo më nga kodet kanunore a penale, po nga shkelmat sizmikë të ligjeve universale.
3 – “Planetare”. Ndoshta do të ishte e tepri çdo fjalë e thënë përtej ese-së sintetike që autori ka vendosur në mbyllje të librit, sidoqoftë mendoj se është për t’u nënvizuar fakti se e veçanta e librit (me gjithë ndonjë rimarrje cilësore, jo monotonike, të ndonjë motivi apo episodi, nga dy librat e parë) qëndron tek atmosfera poetike e kondensuar, brenda së cilës zhdërvjellon një rrymë e jonizuar dukurish të mendimit, të historisë, apo të lirizmit intim. Thelbi i qëndrimit estetik qëndron në tonalitete të reja faktologjike të vëna në shërbim të mendimit ontologjik konstant.
* Zef Zefi është poet, prozator dhe përkthyes, Firence, Itali.