Interviste e Kryetarit te deges së Miçiganit të Federatës Pan Shqiptare ” VATRA” , zotit Alfons Grishaj, dhënë gazetës “24-ore.com”
VATRA është një organizatë 100 vjeçare.Ne njohim organizatën VATRA të viteve të para,kryesisht aktivitetin patriotik të saj, por pak dimë për aktivitetin e saj të mëvonshëm. Mund të na flisni pak mbi historinë dhe aktivitetin e organizatës në vitet e mëvonshme?
Pergjigje: Një pjesë e mirë e intelektualëve dhe studiuesve shqiptarë e njeh kontributin e “Vatrës” në çështjet thelbësore të shpëtimit e Shqipërisë në të kaluarën, por shumëkush nuk e di se ajo Shqipëri që është sot është pikërisht prej kësaj organizate, e cila me përfaqësuesin e madh të saj Fan Noli, do t’i kërkonte Presidentit Ëilson, mbrojtjen e Shqipërisë. Presidenti Ëilson do ta përdorte votën influente të Amerikës për mbrojtjen e Shqipërisë dhe Shqipëtarve. Kontributi në Kongresin e Lushnjes. Në Konferencën e Paqes në Paris,Venizellos, do të pohonte se, e vetmja pengesë serioze e Greqisë, për të aneksuar “VorioEpirin” ishte “Vatra” e Amerikës. Këto tre momente janë nga më të rëndësishmet në punën e 100 viteve të “Vatrës”.
Në fillim të viteve nëntëdhjetë “Vatra”ndoqi me vemendje zhvillimet politike duke përshëndetur ndryshimet e reja në Shqipëri…
Në vitin 1991, pati një përpjekje nga njerëzit e Ramiz Alisë, për të manipuluar “Vatrën”, për ta shtënë në dorë. Kjo përpjekje dështoi falë mënçurisë së Vatranëve të vjetër. Ne Kuvend, i cili u drejtua nga Dr.Gjon Bucaj, Kryetar i “Vatrës” u zgjodh intelektuali i madh Prof. Arshi Pipa. Pas kësaj përpjekje “Vatranët” u bënë më të rezervuar në pranimin e anëtarëve të rinj që vinin nga Shqipëria. ”Vatra” punoi pa u lodhur në zhvillimet politike në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë. Në qershor të vitit 1998, drejtuesit kryesorë të Vatrës, Agim Karagjozi, Gjon Bucaj dhe Agim Rexhaj, do të udhëtonin në Shqipëri drejt Tropojës për te vizituar ushtarët e plagosur te UÇK-së ne spital, ku sollen edhe nje sasi ilacesh. Vatranët dorëzuan pranë përfaqësuesve të Republikës së Kosovës në Tiranë, 60 mijë dollarë ndihmë për luftën e Kosovës. Dr.Bucaj dhe Agim Rexha, do të udhëtonin për në Maqedoni me qellim per te vizituar Rufi Osmanin që vuante politikisht në burgjet maqedonase. Nuk ia arriten ta shifnin te burgosurin, por i vajten familjes se tij ne vizite. Ata takuan lidere tjere politike si edhe Universitetin e Tetoves. Po kështu, Kryetari i “Vatrës”Agim Karagjozi sëbashku me atdhetarë të tjerë do të takohej me Presidentin Klinton për çështjen e Kosovës, në vazhdën e traditës së funksionit diplomatik të ushtruar nga personalitetet e federatës në marrëdhënie me institucionet e larta amerikane. Në pranimin e Shqipërisë në NATO, krahas përfaqësimit të shtetit Shqiptar, do të ishte e pranishme dhe “Vatra”, kur Presidenti Amerikan Bush, do të firmoste pranimin e Shqipërisë. Pra, siç shikohet “Vatra” nuk ka pushuar për asnjë minut aktivitetin e vet. Ka zëra, se “Vatra” nuk ka bërë asgjë për Kosovën, këto zëra ose janë të pa informuar, ose janë dashakeqe.
Në Mars të 2010, dha dorëheqjen Kryetari i “Vatrës” Agim Karagjozi, i cili e udhëhoqi me meritë “Vatrën” për shumë vite. Kryetar u zgjodh Dr.Gjon Bucaj, deri në Kongresin e “Vatrës” që parashifet se do të zhvillohet nga fundi i këtij viti. Dr. Bucaj, është një personalitet, atdhetar i përmasave kombëtare, i cili të gjithë jetën e vet ia ka dedikuar çështjes kombëtare. Falë këmbënguljes së tij me shoke, filloi riorganizimi i degëve në shtete të ndryshme të Amerikës, si në Washington, Michigan, Florida etj… Kështu, degën e Vatrës, në Washington e drejton një atdhetare e nderuar, Zonja Merita Bajraktari-McCormack. Në Florida, është kryetar Pishtari i Demokracisë, Kolec Ndoja, etj.
( Me kryeministrin e Shqiperise z. sali Berisha ne New York ne 100 vjetorin e Vatres)
Cili është misioni i organizatës Vatra në ditët e sotme?
Përgjigje: Misioni i organizatës “Vatra” në ditët e sotme nuk është i ndryshëm me vitet e kaluara. Kultivimi i identitetit kulturor shqiptar këtu në diasporë, angazhimi në çështjen kombëtare. Ne kemi një program dhe statut, apo siç quhet që prej themelimit, Kanunorja. Këtë Kanunore duhet të zbatojë çdo anëtar i ri apo i vjetër. Sigurisht, për Vatranët, çështja kombëtare është alfa dhe omega.
Si është e organizuar Vatra dhe cilat janë degët dhe organet e saj drejtuese?
Përgjigje: Vatra ka një Këshill Drejtues dhe anëtarë në shtete të ndryshme, më së shumëti ne New York me rrethe, por edhe në shtetet tjera të Amerikes, e cila është ne procesin e rritjes së numrit të degëve. Dega e Vatrës përbëhet prej: Kryetarit, Sekretarit, Arkëtarit, katër oficerëve dhe anëtarëve sado që të jenë në numër. Aktualisht, Vatra ndodhet në një fazë të rëndësishme riorganizimi që ka për synim modernizimin strukturor të federatës. Mbështetur në udhëzimet e qendrës, është bërë ndryshimi i numrit të oficerëve nga katër në tre, për të vendosur një zv/kryetar. Sipas statutit, zgjedhjet bëhen njëherë në vit. Së fundmi po shqyrtohen propozimi që zgjedhjet të bëhen njëherë në katër vite, por për këtë duhet të bëhet një amendament në Kanunore, e cila parashef që zgjedhjet të bëhen për çdo vit. Në bazë numrit të anëtarëve të degëve varet dhe numri i delegatëve, me të cilët dega përfaqësohet në kongresin që mbahet në NY. Aty zgjidhet Kryetari dhe Këshilli Drejtues, të cilët e drejtojnë “Vatrën” për një mandat. Nëse do të shikohet me vëmendje “Vatra” ka organizimin e një shoqate të gjerë.
Cila është rruga për t’u anëtarësuar dhe si është organizuar dega e Michiganit dhe sa anëtarë ka?
Përgjigje: Dega e Michiganit, është e organizuar siç sqarova më lart: Kryetar, Zv/Kryetar, Sekretar, Arkëtar, dhe tre oficerë ose anëtarë të kryesisë. Dega e Michiganit, deri tani numëron 40 anëtarë, dhe është një degë në rritje. Anëtarësimi mund të bëhet pranë degës së “Vatrës”në shtetin ku jeton, por mundesh edhe të anëtarësohesh direkt në qendër pa pasur nevojën e varësisë nga dega ku jeton. Kuota e anëtarësisë është 100 dollarë, shumë në të cilën përfshihet dhe abonimi në Gazetën “Dielli”, e cila shpërndahet rregullisht çdo muaj. Për këtë duhet falenderuar i palodhuri, Kryredaktori i Revistës “Dielli”, z.Dalip Greca.
Si mund të njihemi me statutin e organizatës?
Përgjigje: Çdo person që kërkon të bëhet anëtar i “ Vatrës” nuk e ka të vështirë që të pajiset me Kanunoren për ta lexuar dhe studiuar përpara se të vendosë të bëhet anëtar.
Cili është vendi dhe raportet e organizatës Vatra në lidhje me organizmat e tjera të shqiptarëve në Amerikë dhe veçanërisht me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan?
Përgjigje: Vendi i organizatës Vatra është shumë i nderuar, pikërisht se është pionieria e frymës, shkallëzimit të ringritjes së ndërgjegjes patriotike shqiptare. Ajo ka përshëndetur dhe përshendet çdo organizatë si motër qoftë dhe e vogël, por që qëllimin e ka në të mirën e përbashkët. Organizata “Vatra”, ka lidhje të mira me të gjitha organizatat Shqiptaro-Amerikane, biles nga këto shoqata ka shumë anëtarë të inkuadruar tek “Vatra”.
Cilat janë raportet e organizatës Vatra me organizimet fetare të shqiptarëve?
Përgjigje: Siç u pa dhe në 100 Vjetorin e “Vatrës”, Institucionet fetare zunë një vend nderi në këtë festë. Shqiptarët jane modeli botëror i bashkjetesës fetare. Si e tillë “Vatra” është bashkëpuntore e ngushtë me të gjitha besimet, duke vënë në themel vlerën e përbashkët kombëtare. Çdo organizim fetar shqipëtar është përshëndetur nga ajo dhe anasjelltas.
A është Vatra një organizatë politike? Nëse po, cilit krah politik i përket dhe si mendon se mund ta ushtrojë ndikimin politik?
Përgjigje: Federata Pan Shqiptare Vatra, nuk është organizatë politike në kuptimin e subjektit elektoral, prandaj dhe nuk mban krah politik. Vlerat e “Vatrës” janë demokracia, atdhedashuria dhe gjithëpërfshirja ndaj dhe filozofia e saj është ajo e bashkimit. Ky pozicionim i siguron Vatrës të drejtën morale të qëndrimeve dhe kritikave në adresë të gabimeve të klasës politike shqiptare, pavarësisht nga kahu politik, paçka se dikuj kjo mund të mos i pëlqejë. Vatra është një organizatë shekullore që gëzon gjithë përvojën dhe pjekurinë për t’i parë me qetësi ngjarjet dhe jo me pasion politiko-partiak. Busulla e “Vatrës” është kombi. Ndikimi politik është në ndërgjegjen e politikës, e cila ekzistencën e vet e mban në aleancat frytëdhënëse dhe jofrytëdhënëse, në kompromisin e ditës dhe të interresit të çastit. Vatra ka parasysh modelin amerikan të politikës, i cili operon me projekte afatgjatë 100 vjeçare, ndërsa politika shqiptare nuk është në gjendje të implementojë as projektet afatshkurtra. Po të ishte Vatra një formacion i mirëfilltë politik, ju siguroj se politika shqipëtare do të ishte ndryshe. Në këtë kuptim “Vatra” nuk është dhe nuk bëhet politike, por mund të thëm se ajo është marrë me politikë kombëtare që nga themelimi i saj.
( Me Vatranet e Detroitit ne New York ne 100 vjetorin e organizates ) nga e majta: Alfons Grishaj,
Nevruz Nazarko, Pjeter Jaku, Elinda marku dhe Flora Nikolla
Cilat janë veprimtaritë që dega e Michiganit ka në plan të zhvillojë në ditët e ardhshme?
Përgjigje: Dega e “Vatrës” në Michigan, ka aktivistë me emër në çështjen kombëtare dhe lista e tyre është në rritje. Duke parë këta emra dhe të tjerë si këta puna bëhet më e lehtë dhe planet për të ardhmen bëhen më ambicioze. Në 100 Vjetorin e Pavarësisë kemi marrë përsipër që sëbashku me institucionet fetare me në krye Don Fran Kolën, Don Ndue Gjergji, Imam Shuaip Gerguri, Dervish Elidon Pashain, Konsullin e Nderit, Ekrem Bardha dhe të gjitha organizatat që punojnë në Michigan të kremtojmë 100 Vjetorin e Pavarësisë, ashtu siç i ka hije shqiptarëve, të bashkuar! Planet e tjera vijnë më pas…
Ju faleminderit.