Si u festua Pavarësia para 90-tës në Detroit?

Nga e majta: Kongresmeni Amerikan, folësi i rastit,

Hasan Myzeini dhe Vasil Antoni.

Foto: Vasel Ujkaj

Pjetër Jaku

Festa e Flamurit ka qënë problem në komunitetin shqiptar të Detroitit, ashtu si në gjithë diasporen e Amerikës ( Detroit, New York, Cikago e ndonje vend tjeter.

Festat dhe demostratat, në të shumtën e rasteve bëhëshin së bashku me të gjithë shqiptarët e Amerikës, por edhe ata të Kanadasë, sidomos ata që jetonin e punonin në Windsor. Problem i flamurit është diskutuar shumë, veçanërisht problem i yllit, aq sa në ndonjë rast ka pasë edhe konflikte të rrezikshme. Prania e disa partive politike tek shqiptarët e diaspores, si dhe qendrimet e ndryshme, deri në ndarje pro e kundra simbolit, i çuan shqiptarët  në  ndarje diametralisht të kundërta.  Ky fenomen, më së shumëti u vu re pas viteve 70, ku në Amerikë erdhën shumë malësorë të trojeve shqiptare  të mbetura padrejtësisht nën Mal të Zi. Malli që kishin ata për flamurin shqiptar, por edhe konsiderimi i Enver Hoxhës si i vetmi lider i shqiptarëve të atyre viteve, bëri ndarjen e tyre me shqiptarët që kishin emigruar si shenjë revolte kundë regjimit komunsit dhe diktatorit Hoxha, i cili i kishte burgosur, internuar dhe pushkatuar të afërmit e tyre.  Kjo ndodhi edhe mes shqiptarëve malsorë mes njëri tjetrit, pro e kundra diktatorit. Sherbimi sekret shqiptar dhe ai jugosllav punonin sekush për interesin e tij në dam të shqiptarëve, në dam të malësorëve, secili me strategjinë, për të mbajtur nën kontroll diasporen, pasi dihej forca e saj po të ishte e bashkuar.

Shqiptarët e palëkundur të të tria besimeve, nuk panë fenë dhe politiken si përçarje, por si mjet  bashkimi. Të ndikuar nga disa drejtues antikomunsit te fesë dhe Institucionet që drejtonin: Kishat Katolike, Teqja dhe Xhamia Shqiptare, dhe degëve  politike, si Balli Kombëtar, Legaliteti, Indipedentët dhe Heroizma Shqiptare, u bashkuan rreth tyre dhe hartuan një Statut dhe Komision të përhershëm për të festuar këtë ngjarje, si ngjarja më e madhe e Historisë, edhe pse u cilësua jo e plotë për arsye të mos përfshirjes së të gjitha trojeve shqiptare në kufirin politik të quajtur Shqipëri.

Ndikimi tjetër negative ishte dita e çlirimit, të cilën Partia Komuniste  Shqiptare e la në një ditë me festen e çlirimit të Jugosllavisë. Kjo bënte që disa malësorë të ardhur nga Malësia e mbetur nën Mal të Zi të festonin me  jugosllavet 29 Nëndorin. Shqiptarët e ardhur nga Shqipëria politike, në përgjithësi ishin të ikur nga regjimi, pasi ende nuk u ishin hapur dyert levizjeve të lira, kështuqë ata ishin përkrahës të flakët për të  kujtuar 28 Nendorin si datë Historike të vetme ( Pavarësia dhe Çlirirmi ) dhe  flamurin pa yllin komunist në të.

Për disa vite, Baba Rexhepi e Vehbi Ismaili,  Dom Prek Ndre Vashaj e Prek Camaj e më vonë Don Anton Kçira bashkë me patritotet Ferdi Toptani, Bajram Çunmulaj, Tajar Shaska, Fehmi Kokalari, Petrit Butka,  Prek Gruda, Xhafer Malushi, Mark Martini, Ekrem Bardha, Julian Çefa, Vasel Ujkaj, Lesh Grishaj, Hasan Aliko, Pashko Vuçinaj, Toni Junçaj, Nok Lulgjuraj Rexhep Ymeri, Gjon Nikollaj, Gjelosh Gojçaj,  Pjetër Ivezaj, Prelë Lulgjuraj, Gjon Kelmendi e të tjerë e drejtuan dhe kujtuan 28 Nëntorin si të vetmen festë historike të shqipëtarëve. Në mënyrë të organizuar Pavarësia u kujtua qyshëse shqiptarët filluan të konsolidoheshin  aty  nga 1920  e pas, por në vitet 60-të grupime të mëdha filluan ta përkujtojnë këtë datë edhe me miqë amerikan. Me ndërtimin e Xhamisë dhe të Teqesë, si më të parat, si dhe të dy Kishave katolike pak më vonë, përkujtimet e Pavarësisë sa vinin e bëhëshin më të organizuara, edhe pse hasnin në shumë pengesa, sidomos politike. Pikërish për këto pengesa Balli Kombëtar e festoi Pavarësinë deri vonë në vete. Nga fundi i viteve 60-të, sidomos në  vitin 1968 u përkujtua në Sheraton Kadillak në qendër të Detroitit me një ceremoni vërtetë shumë të bukur. Në vitet 70-të, sa vinte e  Pavarësia  përkujtohej shumë më solemnisht dhe në mënyrë të organizuar.

Në vitet 80 u pa e nevojshme që ky organizim, si i vetmi i kësaj natyre, të bëhëj me një disiplinë të caktuar, ndaj edhe u hartua një  Rregullore, se si do të  përkujtohej Pavarësia çdo vit. Ajo u  propozua dhe hartua nga Bashkësia e Shqiptarëve të Detroitit me rrethe dhe Windsorit, në fillimin e nëndorit të vitit 1984. Rregullorja ka 18 nene, ku flitet për rëndësinë e përkujtimit të kësaj  date, si dhe për organizimin deri në detaje dhe, në fund, nënshkruhet prej 27 emrave, nga më të njohurit në Detroit e rrethina, si dhe nga Windsor i Kanadasë.

Ja disa nga nenet:

Neni 3. Çdo shqiptar që rron në shtetin e Michiganit dhe në qytetin Windsor – Kanada, pranohet të marrë pjesë në Komisionin e Bashkësisë me punue si të gjithë, për Festën e 28 Nandorit.

Neni 4. Festa e Flamurit ka qellim, që shqiptarët së bashku ta gëzojnë këtë datë historike në dashuri e miqësi vllazërore dhe t’i tregojnë brezit të ardh’shëm historinë  e racës shqiptare.

Neni 6. Festa të bëhët në Kishen Katolike Shqiptare të Shën Palit, 3411 East/ 12 Mille/ Warren, MI.48092

Neni 11. Karakteri i Festes së Flamurit duhet të ketë një pasqyrë gëzimi me këngë e valle, duke u dhënë dorën njëri-tjetrit si vllezër dhe e kalumja midis njerëzisë të lihet në harresë.

Duke u ndalur vetëm tek ky nen, shohim se çfarë përkushtimi shqiptar dhe se çfarë fryme paqësore ka pasë Komisioni që e ka nënshkruar këtë rregullore.

Në rregullore përcaktohen me detaje detyrat e komisionit, folësit kryesor, përshëndetjeve me kohë të caktuar për shqiptarët si dhe leximi i mesazheve të zyrtarëve amerikan.

Ka një nen të veçantë për administrimin e të ardhurave, për të cilat hapet një llogari bankare, ku dhjetë përqind  i mbeten Komisionit për shpenzimet, ndërsa të tjerat i jepen Kishës si dhuratë.

Në këtë rregullore, tri nene janë për rregullin dhe disiplinen e festës. Po citojmë nenin 14: Një përson që mendon me ndërhy për të përmbysur Komisionin e Bashkësisë, o të shkatërrojë festen e Indipidencës shqiptare, me mjete grindje revolucionare, menjëherë, emri i tij ( o i sajë) i nepet autoriteteve ligjore.

Komisioni është detyruar ta paraqesë një pikë të tillë në rregulloren e tij nga eksperincat e mëparshme dhe, asesi ky nen nuk ka ardhur rastësisht. Siç shihet, ky nen ka qënë detyrim i rrethanave të krijuara nga ndasitë që kanë ekzistuar rreth kësaj feste dhe, sidomos rreth Flamurit si simbol vetëm shqiptar, pa asnjë ndikim të huaj, siç ishte ylli i komunizmit rus, çka kurrë më parë s’kishte ekzistuar në Flamurin shqiptar.

Ne foto, nga e majta: Baba Rexhepi, Din Toptani dhe Imam Vehbi Ismaili

Duke folur, Gjon Zefi Lulgjuraj.

Foto: Vasel Pjetri Ujkaj

 

 

Kremtimi i 28 Nandorit 1974.

Nga e majta: Ahmet Dervishi, Marash Uci Dushaj, Gjok Marketa

 Elezaj, dy mysafirë Amerikan dhe Dom Prek Camaj

2 thoughts on “Si u festua Pavarësia para 90-tës në Detroit?

  1. Shume shkrim interesant dhe material shume i nevojshem, per nje periudhe nga e cila ne shqiptaret e shqiperise qe ende jetojme ketu, dime shume pak, ose me mire asgje per funksionimin e diaspores ne ato vite izolimi. Por, kam pershtypjen se ky shkrim i Pjetrit ne ditet e sotme, tingellon shume real edhe per realitetin e sotem te diaspores aty, por jo vetem, per te qendruar ne unitet dhe te papercare kur vjen puna per te festuar Dite te nderuara te kombit tone. Uroj qe ky shkrim te vleje per reflektimin e shume e shume shqiptareve

  2. Shkrim i mir me fotografi te bukura. Por e besoj qe Vaseli (ndoshta pa qellim???) ka harrua me te permend se kush ishte drejtor i festes me 1979 kur Julian Cefa ishte folsi rrastit ne Roma Hall.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *