Pierre-Pandeli Simsia
* * *
Nazes vazhdonte t’i ndehej në fytyrë një shprehje dhimbjeje.
Ndjeu një shtrëngim therrës në zemër dhe iu duk sikur iu mor frymëmarja.
Mendimet e kobshme e një kohe të shkuar të hidhur, po i davariteshin në mendje duke ia lënduar shpirtin e saj të trazuar.
Ooo,oh! Nuk dua ta kujtoj atë kohë të hidhur të shkuar, atë kohë të dhimbshme, mëkatare: Përse fati më dënoi kaq ashpër atëherë!
Përse fati i keq po më dënon përsëri tani, nuk po më lë të gëzojë edhe unë e mjera; nuk po i jep vajzës fëmijë, jetë nga jeta e saj! Ia dha atëherë, atëherë kur nuk duhet të ndodhte kurrë ajo shtatzani……
Oohh! Ç’gjëmë e madhe më ra, o Zot!
Dhe unë, sikur të fajësoja ty Ati ynë i gjithpushtetshëm për atë gjëmë që më kishte rënë. “Përse ma bëre këtë të keqe, o Zot!” – mërmërisja shpesh me veten time. “Si nuk u përmbys bota e të ishim vidhisur njëherë e përgjithmonë nga kjo jetë…
Zot i madh! Pse m’a solle përsëri në kujtesë sot atë plagë të dhimbshme të asaj kohe mynxyrë të shkuar!”
Drita verbuese e një vetëtime, duke u shoqëruar më pas me zhurmën tronditëse të bubullimës, e bënë gruan të largohej nga dritarja duke folur me ngadalë fjalë lutëse. Tërhoqi karrigen më në brendësi të dhomës dhe u ul.”Ja, si kjo ditë e sotme ishte edhe ajo ditë e largët; shi, erë, bubullima, vetëtima, ditë e zymtë skëterrë, kur ne të dyja nënë e bijë dolëm nga shtëpia si dy hije të frikshme nate, të mënxyrosura, për të bërë një mëkat, mëkatin më të madh të jetës sime, që nuk ia fal vetes në jetë të jetëve.
Ne të dyja nënë e bijë, në atë natë të mallkuar, u nisëm për të vrarë një fëmijë të sapokrijuar në barkun e vajzës sime, një krijesë të pafaj, një jetë pa dalë akoma në jetë…
Ç’të bëja unë fatzeza nënë! Vajza ime, Dina, fëmija im i vetëm, drita e syve të mi, më kishte mbjellë farën e turpit në derën e shtëpisë sime. Dhe ne të dyja u nisëm për ta shkulur atë farë turpi…
Hija e tim shoqi, zëri i të ndjerit, nga ftohtësia e varrit më ndiqte nga pas gjatë gjithë rrugës, e më thoshte: “Përse grua e bëtë këtë turp? Je edhe ti bashkëfajtore. Përse nuk e mbajte amanetin tim që të lash për Dinën…?””Ç’të bëja unë e zeza nënë në atë kohë dhe në ato kushte që u ndodha!
Nuk duhet ta mësonte askush atë turp që kishte ndodhur në shtëpinë time.
Edhe të tjerët kanë vajza, moshatare si vajza ime, po përse të më binte mua ky fat i sterrosur?!
Mua, që mbeta grua e ve në moshë të re!”…
* * *
Në muajin shkurt, në muajin e ftohtë të ngricave të mëdha, pleqtë e moçëm dikur kanë përdorur shprehjen: “Shkurti, shkurton urat”, shprehje që vazhdon të përdoret edhe në ditët e sotme.
Ashtu ishte edhe mëngjesi i atij messhkurti; bënte ftohtë, shumë ftohtë! Rrugët kishin zënë një cipë të hollë akulli.
Ora tregonte 6.07 e mëngjesit. Errësira vazhdonte të mbretëronte gjithandej.
Greta veshi pallton e madhe, mbështolli shallin rreth gushës, mblodhi flokët brenda kapeles së leshtë që e kishte punuar vetë. Doli nga shtëpia për të shkuar në punë. Era e ftohtë ia përpiu fytyrën. Ftohtësinë e erës, e ndjeu t’i hynte edhe poshtë kofshëve. Mendoi se duhej të kishte veshur pantallonat atë mëngjes të ftohtë. Palltoja e gjatë deri poshtë gjunjëve, i mbronte vetëm pjesën trupore.
Vazhdoi të ecte. Duart i mbante të futura në xhepat e palltos, ndërsa çantën e kishte hedhur krahëve.
Donte edha pak metra që të mbërrinte në kthesën e madhe të rrugës që të shpinte në stacionin e autobusave. Pranë derës hyrëse të një pallati, iu bë sikur dëgjoi një zë të thekshëm. Ngadalësoi ecjen; ktheu kokën pas. Rruga ishte e shkretë, agjë nuk pipëtinte! Vazhdoi të ecë me hapa të ngadaltë. Zëri u dëgjua më i qartë, iu bë si të ishte e qarë foshnje. Gjithë qënien e saj, e kaploi një ndjenjë e frikshme. Ndaloi hapat; ktheu kokën nga ana e majtë, andej nga vinte zëri. Edhe pse e frikësuar, mendoi të afrohej. Dëgjoi, se nuk ishte zë, ishta qarje foshnje.
– Ç’të jetë? – pyeti veten pa marrë përgjigje. Njëherë mendoi se mund të ishte ndonjë kotele mace e vogël. Por jo, pak metra pranë derës hyrëse të pallatit, ajo pa diçka; iu duk si një njollë e madhe e zezë në errësirën e atij mëngjesi ende të pazbardhur. I dha trupit një rrotullim. Errësira nderej e tëra në gjithë qytetin. Vetëm ndriçimi i dobët i dritave të rrugës, ishin udhërrëfimi për kalimtarët. Eci me hapa të ngadaltë e trembur; frika i kishte hyrë deri në palcë. E dëgjoi zërin edhe më të qartë. Nuk kishte dyshim që atje ishte një foshnjë që po qante. Me zemrën që po i rrihte dhe gjunjët që po i dridheshin, u afrua shumë pranë. Dalloi njyrën gri të një batanije të leshtë.
Hodhi edhe një hap dhe iu avit fare pranë. Përkuli trupin. Vendosi njërën dorë sipër batanijes. E qara e foshnjës u ndërpre në atë çast. Mendoi ta zbulojë. Ashtu veproi; me duart që po i dridheshin, lëvizi cepin e batanijes. Dalloi një kokë shumë të vogël të një foshnjeje. “O, Zot” i doli menjëherë ajo fjalë. Iu duk se po shihte ëndërr.
Kishte parë foshnje, por ajo që kishte përpara syve, po i dukej shumë e vogël. Ndoshta, nga që fati i keq, nuk i kishte gëzuar atë dhe bashkëshortin e saj gjatë dymbëdhjetë viteve bashkëshortore, të gëzoheshin me një shtatzani të mundur, të kishin edhe ata fëmijën e tyre.
Tek e shihte, menjëherë ndjeu dhimbsuri nëne, të pa ndjerë ndonjëherë në jetën e saj.
E mori me ngadalë, siç merr prindi fëmijën e vet kur është në gjumë dhe mundohet që të mos zgjohet. Po e mbante përpara duarve. Ishte e hutuar. Nuk po dinte si të vepronte. Në rrugë nuk pipëtinte asnjë këmbë njeriu. Donte të thërriste me gjithë fuqinë e shpirtit, dhe ashtu veproi. – A ka njeri këtu? Zonja, zotërinj, ju, banorë të kësaj lagjeje, a ka njeri këtu?
Heshtje! Foshnja filloi të qajë përsëri. Greta fajësoi veten nga ai veprim i saj: “Nuk duhet të kisha thërritur me zë të lartë”.
Për të qetësuar foshnjen, i vuri dorën e saj në kraharorin e tij të vogël. Dora i preku diçka. Nuk ishte butësia e batanijes, ajo ndjeu diçka të ashpër, si letër po i dukej. Futi dorën dhe nuk u zhgënjye, ishte vërtetë një letër e mbledhur shuk. E mori letrën dhe dalloi se ishte shkruar diçka. U mundua të lexojë ç’farë ishte shkruar në atë copë letër, por nuk po kuptonte asgjë. Eci pranë një shtylle elekrike. Drita e zbehtë, e ndihmoi që ajo të lexonte ato pak rreshta. “Zot! Të më falësh! Të më falësh, o Zot, për këtë gabim, për këtë mëkat që po bëj ndaj teje, ndaj vetes sime dhe ndaj kësaj krijese të pafajshme. Por, nuk mundem, kjo është e vetmja gjë që duhet të bëj. Po braktis foshnjën, djalin, fëmijën tim të parë, krijesën time në ditën e dytë të lindjes, e ngjizur jashtë dëshirës dhe vullnetit tim, nga tradhëtia që më bëri babai i kësaj foshnje dhe nga turpi që do bjerë mbi familjen, prindërit e mi, nëse unë do e mbaj dhe do e ris këtë foshnjë… “