Komuniteti shqiptaro–amerikan takon Berishën

Komuniteti shqiptaro–amerikan takon Berishën

Lajmi i Fundite Hënë, Maj 21st, 2012

Përpara samitit të NATO-s delegacioni shqiptar i kryesuar nga Kryeministri Sali Berisha, zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto, Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, dhe zyrtarë të tjerë të lartë u pritën nga aktivistët dhe përfaqësuesit e organizatave dhe shoqatave shqiptaro-amerikane të komunitetit në shtetet e Illinois dhe Wisconsin.

Në këtë takim kryeministri Berisha paraqiti një pasqyrë me arritjet që Shqipëria ka pasur këto 20 vitet e fundit.

Ndër të tjera ai foli për zhvillimin ekonomik, infrastrukturor, dhe për avancimet që nga viti 1992 e deri më sot që janë të lidhur me treguesit pozitivë statistikor të Shqipërisë në krahasim me vendet e tjera në rajon dhe në Evropë. Në nivelin e zhvillimit ekonomik kryeministri foli për përqendrimin e kabinetit të tij për prodhimin e energjisë, turizmin, dhe avancimin e qeverisjes digjitale për të rritur transparencën.

Aktivistët e udhëhequr nga Xhevat Sherifi i përshëndetën ngrohtësisht arritjet e deritanishme dhe i theksuan kryeministrit se presin një bashkëpunim institucional midis diasporës dhe Shqipërisë.

Për këtë iu kërkua hapja e një zyre konsullore në qytetin e Çikagos për shqiptarët në Illinois, Iowa, Indiana, e Wisconsin. Midis të tjerave iu kërkua edhe qëndrimi i Kryeministrisë Shqipërisë për situatat politike jashtë shtetit amë në Mal të Zi, Preshevë, Maqedoni dhe Çamëri.

Kryeministri u shpreh se nuk do të ketë ndryshim kufijsh por do të shqyrtonte këto çështje dhe se do të punojë edhe për mbarëvajtjen dhe zhvillimin e Shqipërisë dhe Kosovës.

Në fokus të tij ish edhe çështja çame e cila ish parashtruar nga ai qysh nga fillimet e viteve 90 tek pala greke e deri tek Papandreu. Berisha tha se problemi çam është një problem që do të hasë pengesa por do të gjejë një zgjidhje graduale teknike dhe juridike dhe se ai do të vazhdojë ta  parashtrojë atë tek përfaqësuesit grekë.

Në lidhje me kremtimin e 100-vjetorit të pavarësisë të Shqipërisë iu kërkua që Berisha t’i bashkëngjitet festimeve në diasporë dhe të dekorohet post-mortum Charles R. Crane.

Përfaqësuesit e organizatave shqiptare në Illinois dhe Wisconsin u shprehën të gatshëm të jepnin kontributin e tyre për zhvillimin ekonomik dhe avancimin e çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan dhe se mirëpresin çdo lider shqiptar që punon për bashkimin kombëtar dhe të drejtat e shqiptarëve kudo sipas standardeve demokratike amerikane.

Pas takimit me krerët e organizatave, Berisha mori pjesё nё sesionin e hapjes së mbledhjes së Këshillit Atlantik. Samiti vijon ditën e Hënë ku do të ketë konferenca me krerët në lidhje me paqen në Afganistan. (Ina)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *