( Babait, Llesh Jaku, i cili sot, 13 Qershor 2020, do te ishte 92 vjeç. Ndrroi jete me 9 Maj 2005 )
Gjyshja më kish thënë dikur se njeriut, para se të vdesë, shpirti i shkon gjithkund ku ai ka shkelur. Para se fryma t’i soset dhe ajri t’i bëhët mal i rëndë, shpirti udhëton, gjithkund mendja i ka shkuar.
U rrëzua Maji dhe lulet nga perëndimi u kthyen.
Këmbët nuk i bindeshin babait, as zëri, as dora, as syri
Në një ditë plot diell, përtej syve të tij.
Nuk do të vijë më nënta e këtij Maji!
Në ëndrrat e tua të palevizshme,
Qielli u shemb,
E Ti, nuk ishe me njerëzit që të rrethonin!
Besoj, se atëbotë ke qenë gjithkund,
Mendja dhe këmba të ka shkelur,
Më larg se vështrimi symbyllur,
I përqafuar me malet, me shkëmbinjtë e thinjur.
Në Kodrat e Kqia nuk të rrëshqiti syri,
Aty ku dikur gjuaje derra të egër!
Në Lak të Rroshit e mbyte natën,
Me një tufë pishash të ndezura,
Për t’i shpëtuar lukunisë së ujqërve.
E mbyte natën e tërbuar, si ariun putërbardhë,
Kur, vëllait tënd, Nikollës, i kishte rrëmbyer
Xhaketën, me pagën e javës.
Në Suk Bukur mendoje i përqafuar me Qafën e Mertezës,
Se ku do kaloje ditët, përtej së nesërmes!
Në Zepën vellore dhe me Lumin e Fanit,
Pushove sytë dhe këmbët, në një bukuri magjepsëse,
Me vështrimin nga Sangu!
Në Munellë u ule, si dikur këmbëkryq.
Me diellin rrëzuar mbi sy, zbrite me një frymë
Shkallëve të Sukës së Gjatë, për të parë
Vreshtat në fund të arës dhe qershitë degëthara!
Krikzat ishin thyer e plakur e hardhitë
Po qanin për dorën tënde!
Në Shkallën e Mrizit nuk u ule të pushoje,
Edhe se ajo të kishte falur jetën dikur.
Te Mrizi i Madh
Ishin mbledhur Zanat të të ringjallnin trupin.
Në Kodër të Kryqës u ule dhe bërë kryq,
Si përherë kur ngjitje atë majë.,
Atëher, Përroi i Bardhë vërshonte teposhtë
Gurëve te nuses, si nëna bijëve të saj, duke te thënë:
Mos kalo me këpucë, thellësitë këto vite janë shtuar!
Dhe ti, si një djalë i ri, je ngritur, pa i mbështetur
Duart në gjunjë,
Ke zbritur nga Kodra e Krushqëve,
Aty ku Dom Nikolla zbriste me kalë të bardhë,
Duke puthur Gurin e Madh, me nje puthje stërgjyshore,
( akoma mbi atë gurë ishin buzët e Gjyshit)!
Në çdo shtëpi u fute, ashtu si dikur, pa trokitur!
Te Çun Frroku të pritën nipat, pa të njohur,
Në Kodër të Kuvendit i hodhe një sy kullës së Lal Prengës,
Diku, në fund të katundit, Gjon Ndreca i binte fyellit,
Në Lak të Drenit, me xhaketën krahëve, po zbriste si vetëtimë,
Malli i këtyre udhëve, për gjurmët tua të bekuara!
Por, më kot, Ti po çmalleshe me shtëpitë, me dyert e
Tyre prej guri!
Pastaj e kishin radhën udhët!
Nuk e di se ku pushoj fryma jote,
Se duart tuaja kishin pushtuar krahërorin
Dhe, sytë t’i kishte mbyllur zemra.
Shpirti ende udhëtonte,
Me imazhe të reja, si kulla të varura
Në hapësirë.
Shpirtit tend i mungonin këmbët!
Në fund të një rruge, kishe ndalur vështrimin,
Mbështetur mbi kryqin e trupit tënd,
Në një mesditë të zjarrtë,
Duke lëshuar lotë pa e kuptuar, se udhëtoje në një
kohë të ftohtë!
Një mbasdite gjunjëprerë, ia kishte prerë
krahët dhe fjalës,
E mua mezi më mbërriti një ofshamë nga ti:
Zëri yt akoma jeton në ajër,
Në ndigjimin tim:
“ Dergoma një ftesë, se dua të vij!” 1)
1) Pak para se babai të ndrronte jetë, në bisedën e fundit që kisha me të,- e pyeta:
– Ta dërgoj garancinë për të ardhur në Amerikë? – Dergoma , – me tha,-se dua te vij!